| E hene, 12.07.2010, 09:58 PM |
Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës
V
Nga Ali Sh. Berisha
Sipas deklaratës së Myrvete Salih Hasanit nga Prapashtica “ Më 6.04.1999 serbët na dhanë ultimatim që brenda 24 orëve të largoheshim nga fshati.Më 7.04.1999 në fshat u futën forcat serbe me tanke, topa, praga, kamionë e autobusë nga ana e Mullinit të Prapashticës dhe ne u larguam me traktor, por harruam të zgjidhnim kafshët në ahur. Tek kalonim Livadhin e mixhës Behram shihnim tek pozicionoheshin serbët por dëgjuam edhe një rafal automatku që vrau Jusuf Ferizin në livadhin e vet mu në Qafë të Prapashticës. Vazhduam për në lagjen e Balajve të Prapashticës dhe nga aty në Bullaj të Marecit ku kemi qëndruar deri më 19.04.1999. Në lagje kishte edhe nga anë të tjera. Më kujtohet Fatmir Dobruna me familje nga Llozica e Malishevës. Jemi rrezikuar nga forcat serbe më 18.04.1999 nga Vitia e Gërbeshi. U përfol se UÇK kishe dhënë urdhër që popullata civile të largohej, prandaj u desh që të futemi në Përroin e Zi, aty të kalojmë natën të mbërdhirë nga të ftohtit dhe të uritur. Më 20.04.1999 rreth 6000 veta sa përbënin atë popullatë lamë lagjen e Jasharajve të Marecit dhe përmes Zllashit arritëm në mbrëmje në Ugria të Grashticës. Aty e kaluam natën nën qiell të hapur, në të ftohtë dhe të lagur deri në palcë. Më 21.08.1999 kah ora 8.oo arritëm te Guri i Keq, porse na ndalën rreth 100 militarë e paramilitarë me uniforma të kamufluara me maska e pa maska. Filimisht shtinë në ajër e pastaj nisën të kërkojnë para. Nga babai Salih Hasani morën 1000 DM, nga Shaqir Syla 100 DM, nga vajza e Fatmir Dobrunës 20 DM. Na lejuan të vazhdojmë rrugën. Pa dalë në rrugë kryesore një paramilitar na kërkoi para. Vesel Hasani i grahte traktorit ndërsa në rimorkion e mbuluar me plasmas ishim: Afërdita (motra) baba Salihu, vëllai Milaimi, një kushëri me me një grua dhe një vajzë nga Drenica. Një polic me maskë ka futur kokën dhe ka kërkuar para. Aty dhamë dikush 20, dikush 50, 1000, 150 DM. Paramilitari i futi në xhep paratë pastaj më urdhëroi shqip e serbisht të zbrisja: “Hajde ti, zeshkane, zbrit poshtë!” Nuk doja por babai më tha: “Çu, çika jeme se s’të vrajnë, apet ë lëshojnë”. Desha t’i mbathi këpucat, por paramilitari nuk më lejoi: “Hajde, zbrit në tokë!” Më rroku për krahu dhe më zbriti në tokë. Më ka sjelur prej vetes dhe më ka mbështetur për rimorkio të traktorit. Më fliste serbisht, ndërsa unë nuk e kuptoja dhe rrudhja krahët, pastaj edhe në shqip duke më thënë: “Po të marr për nuse, ti qenke e mirë. A po e sheh këtë kolonë, po nuk më more, në sy të kësaj kolone horë kam me të ba. A po e sheh babën tënd, qe para syve të babës tënd kam me të...” E kisha një zingjir në qafë. I thashë: “Merre zingjirin dhe më liro!” Ma ktheu: “Jo. Zingjirin çoja NATO-s, çoja Klintonit”, pastaj iu afrua babës dhe i tha: “Ose jepi 500 DM për çikën ose e likuidoj!” I ka nxjerrë 500 DM dhe ia ka dhënë. Më ka urdhëruar “Beyi!” Hipa në traktor dhe kolona nisi të lëvizë. Kemi dalë në rrugën kryesore. Aty e kanë nxjerrë shaqir Sylën tri herë që ta pushkatojnë. I kanë urdhëruar tri herë të kërcej përroskën.Tri herë e ka kërcyer. I kanë urdhëruar tri herë të kërcej në lumë dhe ka kërcyer. I kanë urdhëruar t’i ngris duart lart, i ka ngritur duart lartë, e kanë afruar pranë traktorit dhe e kanë qëlluar me kundak të automatit në kokë dhe e kam pa si i shkonte gjaku trupit. Një nga paramilitarët i shkoi te traktori bashkëshortes së tij dhe i tha: “Qiti 1000 DM ose ta vrava burrin!” Bruaja e tij bërtiste, qante. Më në fund e liruan dhe hipi në traktor. Kam pa njerëz që i vrisnin, i goditnin me shqelm dhe i hidhnin në përrua. U përfol se e kishin vrarë Hazir Hajdinin. Na ka ndaluar një paramilitar i ri krejt dhe ka nisë me therrë me thika nëpër traktora. Vëllain Veselin që e voziste traktorin e theri 5 herë gjoksit. Erdh te baba që ishte në rimorkio ulur dhe e theri në këmbë. Ai kishte thika nëpër pantolla, kaçavidha. Thikën që e përdorte një herë e hidhte, e nxirte thikën tjetër dhe therte tjetrin. Kemi vazhduar rrugën për në Makoc.
Sipas deklaratës së Emine Haxhollit “ Më 30.03.1999 na ndoqën forcat serbe nga shtëpitë tona dhe na grumbulluan në Ujësjellësin e vjetër. Më 31 Mars 1999 Naseri me familje të vet kaloi në shtëpi të vet te Haxholltë në Marec. Më 18.04.1999 fshati u granatua nga forcat serbe, ndërsa ne u detyruam përmes Përronit të Zi të dalim në Zllash e prej atje në Ugria të Grashticës ku bujtëm më 20.04.1999 në shtëpinë e Salih Krasniqit. Më 21.04.1999 me traktor u inkuadruam në kolonën që vazhdonte rrugën për në Prishtinë. Te guri i Keq kishin zënë rrugën afër 100 ushtarë me maska, të cilët na plaçkitën. Në rrobat e tyre të kamufluara shkruante “Vojna policija”. Njerëzit që gjendeshin në traktorin tonë kanë dhënë mbi 14000 DM. Aty, para këmbëve të mikut tonë Islam Ibrahimit nga Keqekolla zbrazën një karikator. Polici ushtarak na tha: “Tash mund të shkoni për në Prishtinë”. Aty kam parë një kufomë të një të riu që ishte i plotë nga trupi me bluzë të kuqe dhe me fytyrë kah lumi e shpinën kah rruga. Krisma kemi dëgjuar shumë. Te shtëpia e Hamdi B. Krasniqit, aty ku puqet rruga e Ugrijave me të Keqekollës na ndalën dhe ndanë mashkujt. Ultrim Imerin dhe Nazmi Metollin i kanë marrë të parët, pastaj i kanë legjitimuar Sylejman Haxhollin, Gani Haxhollin. Të tjerët i kanë ndalë te shtëpia e Hajrizit të Balisë, 200 metra më tej shtëpisë se Hamdi B. Krasniqit. Aty e kontrolluan përmes të mbatrhurave Sylejman Haxhollin e i thanë: “Ti ke qenë ushtar i UÇK-ës”. Djemëve ua ngrihnin pantollat lart dhe ua shikonin këpucat. Mbështetën për muri Sylejman Haxhollin, Hazir Haxhollin dhe Islamin nga Keqekolla dhe pastaj i liruan. Deri në Makoc na ndaluan edhe dy herë të tjera dhe na plaçkitën para.
Sipas deklaratës së Kimete H. Haxhollit, “deri më 19.04.1999 kemi qëndruar në Bullaj të Marecit. Nën trysninë serbe kemi dalë prej aty rreth orës 12.oo të ditës. U larguam meqë erdhën mijëra njerëz nga ana e Krilevës të cilët thonin se shkjet hynë nga andej. Me këtë popullatë kemi dalë në Gradishtë dhe aty kemi kaluar natën. Më 20.04.1999 derisa qëndronim nën tendat prej najlonit, erdhi lajmi se militarët dhe paramilitarët serbë hynë në Bullaj. Behxhet Haxholli dhe axha Refi Haxholli që patën mbetur në shtëpi në Bulaj kanë shtënë në paramilitarët e pastaj janë tërhequr para tyre në drejtim të Gradishtës. Me të arritur Behxheti dhe Refiu u nisëm për në Zllash dhe nga atje sosëm në Ugria të Gashticës. Natën e kaluam në një traktor mbi 50 veta dhe tërë ai shi e ata të ftohtë të asaj nate u derdh mbi ne. Me mua ishte babai Hysen Haxholli, nëna Zymria, vëllai me fëmijët Amirin, Ylberin, Samirin dhe Riten, po ashtu edhe axha Refi me fëmijët Visarin, Beharin dhe Hafizen si dhe axha Nuhi me gruan Ibadeten dhe ogëlusen tremuajshe Donikën, pastaj gjyshja Xhezide, miqë e axhallarë e anëtarë të tjerë. Te Guri i Keq në Ugria kemi arritur në orën 10.oo. Aty na ndali ushria serbe veshur me rroba të larme e fytyra të maskuara që në koka mbanin sheshira e shami e të armatosur me automatikë e thika. Nga babë Hysen Haxholli kërkonin me kërcënim “marke, marke!” dhe ky ua dha 100 DM. E ndalën Gani Haxhollin dhe i drejtuan automatikun: Çit marka ose po të vras”. Meqë ecja këmbë nën rrugë kam parë dy kufoma kokë më kokë. Te shtëpia e Hamdi B. Krasniqit në pjekje me rrugën e asfaltuar një fëmijë 2-3 vjeçe ia kishin vrarë nënën, sepse i rrinte pranë, ndërsa pak më tutje dukej një kufomë burri, me gjasë ishte bashkëshorti i saj. Edhe aty na morën para.
Sipas deklaratës së Islam Krasniqit më datën 30.03.1999 paramilitarët i kishin nxjerrë nga shtëpitë. “Te Ura e Zatriqit më ka goditur Zorani, polic në Kodrën e Trimave. Ky deshi të ma vrasë djalin e vëllait Fatonin, porse i kam hi nën pushkë. Na tubuan në pemishtën e Ujësjellësit të Vjetër. Ditën e kaluam aty, ndërsa natën e kaluam te Salihu në rrugën e Kasolleve, të nesërmen herët ia kemi mësyer Marecit. Atje, në shtëpinë e Zeqir Haxhollit kemi qëndruar tri javë. Më 19.04.1999 e solla vëllain në Prishtinë dhe tek kthehesha Zllashin e bombardonin forcat serbe. Arrita në lagjen e Metollëve kurse familjen e gjeta të strehuar në mal. Më 20.04.1999 me mëngjes ia kemi mësyeer Përronit të Zi. Ishim të rrethuar nga serbët si nga Zllashi ashtu edhe nga ana e Jasharajve. Nuhë Metolli, dhëndri, e kishte humb mendjen. Djali i vogël Auloni tre muajsh kishte rënë në ujë prej ku e nxora, ndërsa Nuha tha: “N’mujsha qit nanë me e pshtue se për fëmijë s’po ma ninë hiq”. Këtu ishim rreth 2000 apo 3000 vetave. Plumbat shkonin rrethit të xhades, ndërsa Arbëri i ishte mbështetur veturës e po i them të vijë rreth lumit e jo xhades për shkak të plumbave. Me fëmijët e tij mezi e takuam Nuhë Metollin te Simojt e Marecit. Na zuri nata dhe bujtëm në shtëpi të Rrahman Xhupollit në Ugrija. Më 21.04.1999 ramë në Ugrija. Ua tërhoqa vërejtjen: Nuhës, Skenderit, Naserit, Salihut, Rrahmanit të Fazlisë dhe një Olltrimit nga Sibofci i Llapit që ishte me ne që të mos hynin në kolonë por t’ia mbanin Butocit. Këta ngulën këmbë se s’do të ndaheshin nga familjet se mos serbët ua masakrojnë. Kur erdhëm te Guri i Keq, mua të parin më kanë qëlluar duarve. Paramilitarët vinin nga traktori në traktor, nga vetura në veturë duke plaçkitur. Ai që shtini me pushkë në mua e kam njoftë, ishte i biri i Jova Stamenkoviqit nga Mutivoda. Me të ishin edhe dy paramilitarë të tjerë – vëllazën që i njihja se njani ka qenë komandant stanice në Leskofc, dy të tjerë policë. I kam njoftë ata sepse kam qëndruar te miqtë në Hajkobillë. Plumbi i Jova Stamenkoviqit më përshkoi syrin dhe sot me të s’shoh. Aty kam parë 7 të vrarë. Njëri ende ishte gjallë sepse e lëvizte dorën. Aty na i kanë marrë 800 DM. Pasi erdhëm te shtëpia e Hamdi Bali Krasniqit paramilitarët e ndalën Fazli Metollin dhe Volltrimin nga Sibofci. Kur e kam kapërcye dyqanin para shtëpisë së Hamdi B. Krasniqit i kam parë edhe 6 kufoma. E kam njoftë të shtatin. Ishte Milazim Vitia si dhe një grue të vrarë në rrugën e asfaltueme, ndërsa pranë saj qëndronin dy fëmijë, me gjasë të sajë. Te shtëpia e Hajrizit të Balisë i kanë zbritur Nuhën dhe Naserin. Pasi i rrahën me shufra hekuri i lëshuan të përgjakur të hipnin në traktor. Te Madeni i Grashticës, para meje, e ndalën një traktor me kabinë. Atij i kthyen benzinë dhe ia dhanë flakën. Nuk di sa veta ishin në të, por u dogjën në traktor se ushtarët serbë që e kishin rrethuar traktorin s’i lejonin të dilnin. Britma e tyre lemeritëse edhe sot ma ngjethë trupin. Kemi kapërcyer bri atij traktori dhe Fun Përronit të Thellë të Grashticës na kanë ndalë edhe dy ushtarë, pro s’na ngucën.
Sipas deklaratës së Hamit Fonollit, që ishte me familje pjestarë i kësaj kolone “Aty e kam parë njërin duke e therur me thikë. Mësova se viktima ishte nga Sofalia. Dy djem të vëllait dhe këtë timin i prenë qafës ngapak, ia bënte vi, ia mëshonte vëzhtë, vështë, secilit ia bënë nga tri-katër vija në të dy anët: e djathta dhe e majta. Gjaku i shkone currjel, sepse s’patëm më para t’u japim. Që të tre pastaj i rrahën. Ushtaraku ia futi automatikut fyshekun dhe iu drejtua djalit tim: “Pare”! Ky s’kishte. Unë i rrija prapa djalit. Tash po them: Ma i ambël se shpirti yt nuk ishte as i djalit. E shihja djalin para armës, me thikë në fyt e s’lëvizja vendi, rrija si i vdekur.”
Sipas deklaratës së Adem Asllan Vitisë familja e tij dhe e Hasan Vitisë më 29.03.1999 kishte lënë shtëpinë ne lagjen e Qershijave dhe ishte vendosur në Viti të Marecit ku qëndruan 21 ditë. Më 18.04.1999 detyrohet kjo familje si edhe shumë të tjera të largohen për në Bulaj të Marecit e prej aty në Përroin e Zi. Më 20 prill 1999 kjo familje me shumë të tjera në kolonë lëvztë në drejtim të Grashticës. Me të arritur te Guri i Keq pasoi ndarja e djemëve nga kolona e pjesërisht edhe vrasja e tyre, plaçkitjet, plagosjet, rrahjet e vrasjet. Met ë dalë në rrugën e asfaltuar, te Shtëpia e Hamdi Bali Krasniqit paramilitarët më nxorën nga kolona. Ai thotë: “Pas kontrollit dhe plaçkitjes që i është bërë atij dhe kushëririt Ragip Idriz Vitisë i fusin në një dhomë të shtëpisë se Hamdi B. Krasniqit. Aty gjejnë edhe 40 burra të tjerë të marrë nga kolona. Këtyre u është urdhëruar të këndonin këngë në gjuhën serbe dhe të thërrasin “Zivela Serbija, ziveo Milosevic!” e t’i ngrisin tre gishtërinjë lart. Aty na rrahën me stupca, shufra gome, hekuri, shqelma e me çfarë u qëllonte në duar. Na janë kërcënuar me ekzekutim në mënyra të ndryshme si me prerje kokash, mbytje me dru e të ngjashme. Pas një kohe nga dhoma i nxorën 5 persona dhe pas pak ëshë dëgjuar rafali. Aty kemi qëndruar prej orës 10.oo deri në orën 14.oo kur na futën në një kamion që u nis në drejtim të Prishtinës. Në hyrje të Prishtinës e kanë ndalë kamionin dhe 5 personave ua kanë bërë incizimin e gjurmave të duarve. Na dërguan në Ulpianë të Prishtinës, në 92-sh. Aty policia na ka marrë në pyetje një nga një. Pasoi sërish rrahja, maltretimi, fyerja, alivanosja derisa nga trupi na ka rrjedhur gjak. Ashtu të përgjakur na kanë futur sërish në një kamion dhe na kanë dërguar në vendin e quajtur Te Plehrat e Prishtinës ku na kanë zbritur nga kamioni dhe na është urdhëruar të iknim. Pas nesh janë dëgjuar shkrehje armësh.”
Sipas deklaratës së Hamit Zhujanit më 30.03.1999 paramilitarët dhe militarët serbë nisën të zbraznin Prishtinën nga popullata shqiptare kështu një pjesë e qytetit si Kolovica e Re, Kodra e Trimave etj. shmangën rrugën për në Maqedoni dhe u vendosën përmes Kolovicës së Vjetër e Butocit në Gallap. Familja e Haradinit dhe imja u vendosëm në Marec te Mustafë Ramë Haxholli që e kishim mik shtëpie. Aty qëndruam tri javë. Me të mësyer fshatin kriminelët serbë ne u zhvendosëm në Gradishtë. Aty ishim rreth 7000 frymë. Më 20.04.2999 u nisëm në drejtim të Prishtinës kah Simojtë e Marecit, nëpër Zllash dhe arritëm në Ugria të Grashticës rreth orës 20.oo të mbrëmjes. U ndal kolona e ne për t’i përmballuar shiut ndezëm zjarre dhe tërë natën qëndruam pranë tyre për tu ngrohur. Të nesërmen më 21.04.1999 në orën 8.oo të mëngjesit u futëm në kolonënën e veturave, qerreve me kuaj. Këtu na janë bashkangjitur edhe fshatarët e Grashticës. Në kabinën e traktorit tim ishin: vëllai Haradini, Isa, Tal rafuna, Rizah Kërqeli, ndërsa në rimorkion e mbuluar me plasmas (traktori ishte pronë e Alush Haxhollit) ishin Mustafë Haxholli, dhëndri im Fehmi Hasimi dhe Osman Caca i Deçanit, i cili për një vit me 10 anëtarë qe strehuar në familjen time. Pak pa arritur te Guri i Keq na ndalën dy paramilitarë serbë, të cilët qëndronin në të dy anët e rrugës dhe shtinin me armë. Fehmi Hasimi tha: “Pasha bukën, vetëm paratë mund të na shpëtojnë”. Këta dy paramilitarë i kërkuan mikut Alushit 1000 DM, ndërsa ky ua dha 500. Kur më erdhi radha mua m’i lypën 1000 DM. Tek e hapja derën e traktorit qëlloi me automatik dhe ma theu xhamin e derës, ndërsa tjetri shtiu në ajër. Ua dhashë 100 DM. Më urdhëroi të zbres dhe t’iu kërkoj të tjerëve para (familjes) që i kisha në rimorkio. Motra Remzija ua dha 500 DM. Atëherë më urdhëroi t’i grahja traktorit. Pas 30 metrash vozitjeje na ndalën dy paramilitarë të tjerë. Njëri nga ata mbante një thikë të gjatë në dorë e tjetri automatik. Kërkuan para. Ua dhashë 160 DM. Haradini ua dha 100 DM. Isa poashtu 100 DM. Paramilitarët nga rimorkio e traktorit zbritën djalin e Haradinit, Rifatin 13 vjeç dhe kërcënuan se do ta presin në fyt, motra i dha 1000 DM. Për këtë motrën pastaj e therën me thikë në dy vende ndërsa Rifatin e lëshuan. Pas 500 metrash sërish na ndalën paramilitarë të tjerë që gjendeshin në të dy anët e rrugës. Kërkuan para dhe ua dhashë 500 DM, mirëpo m’i zbritën nga traktori dhëndurët Rizah Kërqelin dhe Tal Rafunën. Te shtëpia e Hamdi B. Krasniqit na ndalën sërish paramilitarë të tjerë dhe na morën para. Këtu Haradini ka zbritur nga traktori im dhe ka hipur në traktor të Alushit dhe vazhduam për në Makoc.
Sipas deklaratës së Shukrie Gërbeshit “ më 18.04.1999 ishin larguar nga fshati Gërbesh shkaku i ofensivës serbe që kishin sulmuar nga Kukavica e depërtuar nëpër Gulimivadë. “U tërhoqëm Bullaj e prej aty në Përroin e Zi ku e kaluam natën nën qiell të haptë. Më 20.04.1999 arritëm në Ugria të Grashticës dhe u vendosëm në një pleme ku e kaluam natën me tre fëmijët: Kastriotin 11 vjeç, Vlorën 7 vjeçe dhe Albanin 2 vjeç. Vetë isha shtatzënë. Natën ka pasur të shtëna nga shtëpia e Hamdi B. Krasniqit. Më 21.04.1999 në orën 7,30 minuta është nisur kolona (sipas kësaj Shukrie Gërbeshi me fëmijët ishte në fillim të kolonës. A.Sh.B). Kur kemi arritur te Guri i Keq paramilitarët zbritën nga Kalaja e Vogël e Grashticës duke shtënë. Një grup i tyre gjendej në anën e epërme të rrugës, ndërsa tjetri në anën e poshtme. Ishin të maskuar, ndërsa për armë kishin automatikë, thika, bomba, jelekë antiplumb dhe maska. Ata që ishin me maska mbanin kapele të kuqe. Fillimisht kërkonin para, ndërsa njerëzit sa kishin jepnin por kjo nuk i shpëtonte. Si unë, ashtu edhe vogëlushët e mi kemi parë njërin që voziste traktorin, ishte një vllasali, kur paramilitari e ka kapur për jakë të xhupit dhe e ka zbritur në tokë dhe e ka qëlluar dy herë me automatik dhe e ka shtyrë në therra nën rrugë pranë përroskës. I vrari ende përpëlitej. Ka shkuar rishtaz dhe e qëlloi me një plumb në kokë. Pikërisht te Bërryli, këthesa e madhe, në përroskë ishin edhe katër kufoma, bile njërës i dukej letërnjoftimi duke e mbajtur me dorë”. Siç thotë Vlora 7 vjeçe “ njërit nga ata ia kishin vënë letërnjoftimin në xhepin e jashtëm të jaknës ku gjysma dukej e gjysma jo.” Vazhdon Shukrija: “ Po këtu, një shoferi të një traktori të tipit “Rakovicë”, paramilitarët me maskë i ranë me thikë në krah, megjithatë shoferi nuk zbriti por vazhdonte t’i grahte traktorit, ndërsa prej traktorit gjaku i shkonte rrëke dhe pikte në asfaltë duke lënë një rrëke. Kastrioti po më thotë: “Nanë, nanë, p i del gjak traktorit!” te shtëpia e Hamdi Bali Grasniqit u përpoqën ta rëmbejnë Mejdi Gërbeshin dhe nipin Naimin, por nëna, siç thotë Kastrioti 11 vjeç, e ka shtyrë axhën sërish në kolonë edhe pse ishte në duart e paramilitarit. Edhe halla Sadije ka vepruar kështu me Naimin.”
Sipas deklaratës së Ahmet Makollit për shkak të presionit serbë në Prishtinë ndaj popullatës civile u larguam për lagjen Bullaj të Marecit ku kemi jetuar edhe më parë. Atje qëndruam deeri më 19.04.1999 kur ushtria serbe pushtoi Novaberdën dhe ua mësyu lagjeve të Marecit. U desh të largohemi në Gradishtë ku bujtëm një natë, ndërsa më 20 prill u nisëm për në Prishtinë. Natën e kaluam në Ugria të Grashticës nën shi e skllotë dhe të ftohtë, sepse pas orës 16 nuk lejonin të kalohëj kah Guri i Keq. Më 21.04.1999 në orën 8.oo arritëm te Guri i Keq ku na dolën përpara paramilitarë e policë dhe na kërkuan para: Ata kishin të veshura rroba të kamufluar ushtarake, ndërs në fytyrë mbanin maska si dhe shirita ca të kuq e ca të kaltër.
Nga 7 të vrarët që i kam parë më sy deri te rruga e asfaltuar nuk e kam njohur askë. Paramilitarët nuk merrnin para tjetër pos markës e them këtë se një grua e mixhës ua ofroi 100 dollarë e nuk i deshën. Për sheh Aziz Makollin kërkuan 1000 DM gjë që i dhamë. Vëllain Ibrahimin tim e therrën me thika në dorë pa e kaluar Urën afër shtëpisë së Hamdi B. Krasniqit, baxhanakun e vëllait Shabanin nga Gadimja e Lipjanit. Megjithatë kaluam dhe deri te shtëpia e Sabitit kemi dhënë edhe rreth 10.000 DM.
Makoc. - Halil Beqir Maqedonci ishte nga Butoci që mirret me Makocin. Vendbanimi i tij ishte në rrugën e Kasolleve. Punonte në Kontabilitetin Shoqëror si operator në sistemin kompjuterik. Dr. Prof. Agani i kishte preferuar të punonte aty përkundër rrezikut që i kanosej me të vetmin qëllim që të mësonte për të hyrat dhe të dalat bankare si dhe zbrazjen e fondeve të të gjitha organizatave qyetare e shoqërore. Më 22.03.1999 tek kthehej nga puna, te Shkolla e mesme teknike 219 Nëntori” e ndal policia serbe, e legjitimon e pastaj ia grisin letërnjoftimin. Duke e maltretuar e pyesin për afërsinë me Zajm Haqedoncin Nadiren dhe e lirojnë. Në shtëpi i tregon vëllajit Zajmit për grindjen që kishte pasur me kryeshefin e tij, Sojeviqin, i cili më vonë shërben në radhët e paramilitarëve. Të nesërmen Halili shkoi sërish në punë, por nuku kthye më. Rrëmbehet në vendin e punës si të vetmin person që ka njohur kodet kompjuteristike të llogarive bankare në nivelin e Kosovës. Më 24 mars 1999 ëshë gjetur afër tregut të veturave në rrugë për Fushë-Kosovë, përmbys, i vrarë, me kryqe të vizatuara me thikë në fytyrë, syrin e majt të hequr. Policia e udhëhequr nga Zoran Cvetkoviq e dërgojnë në Fakultetin e Mjekësisë. Me autorizimin e Danica Marinkoviqit ekspertizën ligjore e bëri Tefik Gashi. I ndjeri është varrosur më 24.03.1999 në varrezat e Prishtinës i përcjellur me 4 veta.
Ibrahim T. Shala (1961) nga Truda me familjen e tij më 28 mars 1999 u vendos në Sharban. Më 19 prill 1999 ai në Grashticë ndahet nga kolona për tu strehuar te miku i tij në Ugria. Sipas Zahir Krasniqit kishte dalë nga Ugriat. Nga ky çast i humbin gjurmat. Më 30 maj 2000 u gjet kufoma e tij në Butoc. U identifikua në bazë të veshjes. Varrimi i të ndjerit u bë më 31.V.2000 në varrezat e fshatit të lindjes.
Pas luftës isha në kërkim të të pagjeturve. Përflitej se në Butoc ishte një varr masiv. Me Sheqir Sylën nga Prapashtica dhe Beshir Krasniqin nga Kolovica shkuam në Butoc dhe takuam Ismail Maqedoncin, i cili familjen e kishte strehuar në një bodrum të shtëpisë së djegur. Në muret e shtëpisë së tij shiheshin gjurmat e shfrenimit serb dhe parulla si: “Hotel Serbija”, “Rroftë Krali”, kryqe të vizatuara etj. Nga Ismaili mu ofrua një listë e paramilitarëve serbë të cilët kishin qenë të vendosur në shtëpinë e tij. Ja emrat dhe mbiemrat e tyre: 1. Rashiq Sasha, 2. Popoviq Sllavisha, 3. Miladinoviq Sllavisha, 4. Ristiq Zhivko, 5. Stojkoviq Goran, 6. Sinijanoviq Predrag, 7. Zhiviq Sllavisha, 8. Jovanoviq Sllavisha, 9. Trajkoviq Dejan, 10. Stanojeviq Boban, 11. Igor Ivanoviq, 12. Vignjeviq Vlladimir, 14. Steviq Ivica, 15. Jovanoviq Sllobodan, 16. Kostiq Spasoje, 17. Stankoviq Ivica, 18. Dimiq Ranko, 19. Stojanoviq Branko, 20. Popoviq Nenad, 21. Deniq Sinisha, 22. Gjekiq Jovica, 23. Ristiq Sasha dhe 24. Sreqko Stamenkoviq. Është vërtetuar se këta persona kanë operuar dhe dhënë roje në tri vende të caktuara në Butoc. Pas kësaj vizituam vendet e dyshimta, por në vend të varreve masive gjetëm një kal të vrarë nën dardhë të cilin paramilitarët e kishin mbuluar me dhe, pastaj në vendin tjetër gjetëm lopën e tij të cilës të lidhur në ahur me zingjirë ia kishin këputur një kofshë të mbrëmë, e pastaj me të ngordhur e kishin tërhequr në fund të arës dhe e kishin mbuluar me dhe. Në Butoc, përveç dy vikendicave të vujanovëve, të gjitha shtëpitë tjera i kishin djegur dhe rrafshuar me tokë.
Sipas deklaratës së Fexhrije S. Krasniqit nga lagjja Hamzaj e Makocit, më 19.04.1999 ishte zhvendosur familja e Sabri Krasniqit nga fshati me gjithë familjen e tij dhe ishte vendosur në shtëpinë e Isuf Gashit dhe Hallës Miradije në rrugën “Proleteri” të Prishtinës. Më 25.05.1999 Sabriu del për të blerë ushqim për familjen në tregun e gjelbër në Ulpianë. Aty e legjitimon policia serbe dhe e burgosë bashkë me Isuf Isufin nga Keqekolla. Në momentin kur i kanë marrë i ka parë Florim Ismet Krasniqi. Të arrestuarit dërgohen në burgun e Lipjanit dhe prej aty në burgun e Mitrovicës së Sremit, përkatësisht të Pozharevcit e për këtë u informuam tek më 16.-17 qershor 1999. Përmes ndërkombëtarëve arritëm të mësojmë se nuk kishte një akuzë të përcaktuar kundër tij, se s’dihej për ndonjë datë gjykimi.
Sipas deklaratës së Shyqeri F. Krasniqit, më 19.04.1999 policia dhe ushtria serbe, së bashku me paramilitarët ishin futur në lagjen Behramaj të Makocit. Duke vërejtur Nexhmedin Krasniqi (1958), i biri i Feti Hajdar Krasniqit Se shtëpia e Sadri Hajdar Krasniqit po rrethohej dhe se në këtë shtëpi përkujdesej për pleqtë e sëmurë: Sadriun (1916), gruan e tij Azizen (1917) dhe babain Fetiun (1921) dhe se duke menduar se pleqëve nuk do t’u bënin gjë, por atë nuk do ta kursenin nga plumbat, vendosë të largohet, mirëpo hetohet nga serbët dhe qëllohet afër shtëpisë së Ibrahim Hetë Krasniqit, buzë lumit. Serbët paskëtaj futen në shtëpi të Sadri Krasniqit, i vrasin pleqtë dhe pastaj i fusin zjarrin shtëpisë për të zhdukur gjurmat e këtij krimi monstruos. Bashkëfshatarët e varrosin aty ku e gjejnë Nexhmedin F. Krasniqin. Pas luftës, Nexhmedin F. Krasniqi u rivarros në varret memoriale të Hoxhajve të Makocit. Është diagnostifikuar me Gunshot ëound to head. Mbetjet e trupave të pleqëve poashtu u grumbulluan dhe u varrosën në varret memoriale në Hoxhaj të Makocit. Janë diagnostifikuar edhe mbetjet e pleqëve: Sadri H. Krasniqi me Unascertained violent death, Azize N. Krasniqi me Unascertained violent death dhe Feti H. Krasniqi me Unascertained violent death.
Sipas deklaratës së Isa Krasniqit, Ibrahim S. Krasniqi (1935) u rrëmbye nga shtëpia e tij në lagjen Hoxhaj të Makocit më 20 prill 1999. Gjurmat i humbën. Të afërmit nuk lanë vend e të mos e kërkojnë.
Sipas deklaratës së Ismail Maqedoncit nga Butoci, i cili kishte pas qëlluar në Rogat e Vogla të Siniridës, paramilitarët i kishin sjellur Ibrahimin dhe një tjetër deri Fun Përroit të Thellë të Grashticës ku i ekzekutojnë. Ibrahim S. Krasniqi u gjet i vrarë në varrin masiv te Mullini i Arifit me një plumb në kokë nga prapa sipas ekipit të patologëve nga Tribunali i Hages me origjinë nga Austria. Sipas dëshmisë së Isë Krasniqit në ekzekutimin e Ibrahim Krasniqit kishte marrë pjesë vetë Novica Rakoçeviqi i quajtur “Nolla”, i cili tanimë qëndron në Graçanicë me mjekër të lëshuar duke shitur benzinë.
Sipas deklaratës së Sherif Zeqir Krasniqit më 19.04.1999 në lagje kishin mbetur Ibrahim S. Krasniqi, Hajdin Halit Krasniqi me të shoqen Hafizen dhe Beqir Mustafë Krasniqi dhe Zeqir Asllan Krasniqi (1926). “Ne të tjerët jemi larguar nga lagjja kah ora 16.00 pas ditë. Paramilitarët serbë kanë ardhur gjysmë ore më vonë nga Prishtina me xhipa, nga Siqeva dhe Grashtica. Sipas Beqir Mustafë Krasniqit “Zeqën e kam pa më datën 20.04.1999 (të martën) në oborrin e tij kah ora 10,30” Edhe Ibrahimin e ka pa të njejtën kohë duke shkuar te Beqiri, i cili posedonte dyqanin nën rrugë mbi Bunar të Hoxhajve. Zeqa është gjetur i vrarë dhe i masakruar në ahurin e kafshëve nga Musli Raif Krasniqi dhe Mirsad Ibrahim Krasniqi më 27.04.1999 në kërkim të Ibrahim Krasniqit. Zëqir Krasniqi është varrosur në varret memoriale në Makoc. Është bërë diagnostifikimi i tij me: Gunshot ëound to trunk.
Gani Sekiraça deklaron: “ Në Makoc arritëm më 20. 04.1999. Kolona ishte ndalë, s’lëvizte dot tek lagjja Hoxhaj. Në mes të rrugës shkjetë kishin vënë një foshnje të lidhur në pelena. Fëmija qante. Askush nuk guxonte të afrohej ta marrë. Dëgjova tek thonin ata që i kisha afër se nënën dhe babain ia kishin vrarë në “Jugo”, të cilën e kishin shtyer nën rrugë. Qava përpara dhe e mora atë fëmijë në duar, porse e shara serbisht dhe pushka e drejtuar kah unë më shtangu: 2Lëshoje!” I thashë: “Fëmija është imi”. Tha: “Lëshoje ose...!” E lëshova fëmiën para këmbëve dhe ndreqa shtatin me shikim në ushtarakun. Pasoi edhe një sharje, por tërheqja për mënge e vëllait ishte më e fortë. Hyra në turmë. “A po e sheh çka po bajnë këta... çka patën me të ba...!?” Kolona u nis. Në qeshmen që gjendej në murin e shtëpisë së Sabitit piva ujë. Vazhduam rrugën dhe arritëm në Prishtinë. Foshnja mbeti aty, në rrugë, ndërsa në “jugo” babai dhe nëna e foshnjes. Nuk di çfarë ka ndodhur më tutje, por sa herë kujtoj atë foshnje koka më digjet.