Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“Ta ridublojmë filmin ‘Skënderbeu’

| E merkure, 07.07.2010, 08:21 PM |


Nga Oliverta Lila

 

Këto kohë, regjisorët Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti po punojnë për një projekt që synon restaurimin dhe rigjenerimin total të filmit. Janë ende në hapat e parë të punës, por e kanë tashmë të qartë se çfarë duan të realizojnë: restaurimin, ridublimin e filmit dhe një premierë për versionin e ri

Gati gjysmëshekulli nga koha e realizimit, “Skënderbeu”, varianti i dubluar në shqip mbetet ende një ndër filmat më të preferuar. Bashkëprodhimi shqiptaro-rus i vitit 1953, bën pjesë tashmë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare dhe shënon të parin film artistik shqiptar. Këto kohë, regjisorët Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti po punojnë për një projekt që synon restaurimin dhe rigjenerimin total të filmit. Janë ende në hapat e parë të punës, por e kanë tashmë të qartë se çfarë duan të realizojnë. “Filmi ‘Skënderbeu’ është një megaproduksion. Sikur sot të xhirohej ai film nga një regjisor i shkëlqyer si Sergei Jutkeviç do të duheshin 300 apo 400 milionë dollarë. Për mundësitë që ne kemi, mbetet i pamundur. I realizuar nën interpretimin e aktorëve të njohur rusë si: Akaki Khorava, Semyon Sokolovsky, Veriko Andjaparidze, Georgi Chernovolenko etj., dhe nga aktorët e parë shqiptarë si: Naim Frashëri, Besa Imami, Marie Logoreci, Adivie Alibali, varianti që qarkullon sot është dublimi që i është bërë filmit shqip atëkohë. Regjisori Milkani mendon se duhet një dublim i ri, me aktorët e sotëm, për të sjellë një cilësi më të mirë të këtij filmi. “Edhe pse ai film njihet nga të gjithë, koha ka bërë të vetën. Në mënyrë të veçantë dublimi i filmit është bërë me aktorët e atëhershëm, që sapo kishin filluar të punonin, përjashto këtu Naim Frashërin e Kadri Roshin. Pas 60 vjetësh, negativi i filmit ka humbje. Ridublimi në shqip i vërtetë i zërit, përpunimi i kolonës zanore dhe restaurimi i figurës do të kushtojë diçka, por ne mendojmë se ia vlen. Ka kritikë që mendojnë se “Skënderbeu” hyn në 100 filmat më të mirë të botës. Ky film ka vlera të jashtëzakonshme historike, në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët”, shprehet regjisori Milkani. Në një udhëtim drejt Moskës ka marrë edhe kontaktet e para jo vetëm me zyrtarët rusë, por edhe me shqiptarë që jetojnë atje për të filluar punën. Së pari, kërkimi fillon në arkivat ruse. Ndërsa negativi i filmit ekziston në Arkivin Shtetëror të Filmit në Rusi, mbeten ende për t’u gjetur fonogramat (më përpara zëri incizohej në shirit filmi). Milkani shprehet se janë në punë e sipër. Vizita e para pak javëve në Moskë i ka bërë edhe më konkrete planet. “Drejtori i kinematografisë pranë Ministrisë së Kulturës, z. Gavrjushin, më kërkoi të komunikojmë direkt për të sqaruar çdo detaj. Nga ky moment do të bëhet edhe preventivi për koston që do ky film për t’u restauruar dhe ridubluar. Do të kalojë në një postproduksion të ri”, sqaron Milkani. Ai tregon se në Moskë, në kioskat e rrugëve e ka parë ende DVD-në e këtij filmi në rusisht me titullin “Heroi i madh i Shqipërisë, Skënderbeu”. Sipas regjisorit, njerëzit vazhdojnë të tregojnë ende interes dhe ta blejnë këtë film. Gjatë kthimit, me vete ka marrë edhe një kopje të kësaj DVD-je për ta parë bashkë me regjisorin Anagnosti. Për të, varianti rusisht është i një cilësie më të mirë, sepse aktorët e njohur rusë interpretojnë në origjinal. “Aktorët shqiptarë të atij niveli ishin atëkohë. Por ne aty gjejmë Naim Frashërin, aktorë të tjerë që kanë luajtur role episodike, por filmi edhe sot ka shumë vlera. Është pasuri kombëtare që meriton të restaurohet”, vazhdon të tregojë regjisori, duke motivuar edhe këtë iniciativë. Sipas tij, procesi i dublimit do të bëhet pasi të jenë sqaruar më parë detajet teknike. Shpërndarja që “Mosfilm” ka bërë në kompani të vogla ka shkatërruar edhe përqendrimin e gjërave. Regjisori Milkani shpreson se në bashkëpunim me regjisorin Dhimitër Anagnosti të sjellin një version cilësor të këtij filmi historik. “Skënderbeu” është një realizim i njohur për të gjithë shqiptarët dhe mbetet edhe në vendin tonë një nga DVD-të më të kërkuara, veçanërisht nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në vende të huaja. “Mendimi ynë është që të bëhet një kopje në 35 mm. Më pas, të realizohet edhe një premierë me një publik të zgjedhur e më pas të dalë në kinema. Të interesuarit mund të shkojnë të shohin versionin e ri, të cilin mendojmë që më pas ta distribuojmë në formë DVD-je”, thotë Milkani. Po si do të realizohet ky restaurim dhe ridublim? Cili do ta mbulojë koston financiare? Regjisori Milkani beson se kur bëhet fjalë për një film të tillë, do të ketë kontribute. “Ka kompani televizive ose kompani private që s’kanë lidhje me filmin që do të kontribuojnë në buxhetin e këtij projekti. Sot kemi studio dublimi dhe aktorë të mirë, të cilët do të na ndihmojnë ta realizojmë këtë projekt, që në horizont duket se do të bëhet. Mua dhe Anagnostit do të na japë shumë kënaqësi një punë e tillë”, përfundon Milkani. Ky projekt, i cili për momentin është në fillimet e tij, do të dojë pak kohë të realizohet. Ndërkohë që shqiptarët do të vazhdojnë ta shikojnë “Skënderbeun”, që vjen nga gjysmë shekulli më parë.

 

Gazeta Shqip - Për ZSH: Gjergj Kabashi