Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Këngë dashurie me motive të ulëta morale

| E hene, 05.07.2010, 09:59 PM |


Nga folklori ynë:

 

KËNGË DASHURIE ME MOTIVE TË ULËTA MORALE

 

Nga Demir KRASNIQI

 

Në thesarin aq të begatshëm të këngëve popullore të ciklit të dashurisë, krahas vlerave të mëdha artistike, si për nga ana tekstuale, ashtu edhe nga ana melodike, kanë zënë vend edhe disa këngë të këtij cikli, të cilat me tekstet dhe porositë e tyre kundërmojnë erë  antivlerash  dhe janë të brumosura me motive të ulëta morale.

Po qe se i dëgjojmë dhe analizojmë me vëmendje këngët e kësaj kategorie, shumë shpejt do të lind dyshimi dhe konkluzioni se temat e dashurisë të cilat i trajtojnë ato këngë, trajtojnë elemente të dyshimta morale brenda një rrethi familjarë, ose brenda një rrethi akraballëku , që është në kundërshtim të plotë me normat e moralit tradicional shqiptar, por edhe në kundërshtim me kanunet, ligjet dhe normat fetare .

Tendenca dhe dukuri të këtilla, fatmirësisht , në këngët tona për kah numri janë të pakta , por edhe ato që janë, na lënë të kuptojmë se ato krijime popullore kanë lindur si produkte të kulturave dhe mbeturinave osmane, nga se në ligjet e tyre lejohen, praktikohen dhe jetësohen dashuri madje edhe martesa brenda gjakrave të përziera .

Para se të kalojmë tek shembujt konkret të llojit të këtyre këngëve, më parë do të japim disa emra përkëdhelës me të cilët në vazhdimësi ushqehen këto këngë dhe përdorimi i këtyre emrave përkëdhelës, vetëm sa na e përforcon dyshimin ndaj krijimit të këngëve të dashurisë në baza dhe motive të ulëta morale brenda rretheve familjare, apo të akraballëkut.

Emrat përkëdhelës me të cilët shoqërohen këngët e kësaj kategorie , zakonisht janë: Baca dhe Dada ?!

Por, para se të shpjegojmë se kujt i thërrasim “Dadë” dhe “Bacë”, sipas traditave shqiptare, këtu domosdoshmërish duhet shtruar pyetjet:

-          Cili dashnor  shqiptar i thërret të dashurës së vet:”Oj Dadë”?!

-          Cila dashnore shqiptare i thërret të dashurit të vet: “O Bacë”?!

-          Cili burrë i martuar i thërret bashkëshortes së vet :”Oj Dadë” dhe

-          Cila grua e martuar i thërret bashkëshortit të vet : “O Bacë”?!

Këto thirrje ledhatuese brenda çifteve të dashuruara , kurrë në jetën dhe normat e traditës shqiptare nuk janë praktikua !

 

Kujt i thuhet Bacë dhe kujt i thuhet Dadë, sipas traditave shqiptare?

 

Sipas traditave dhe edukatës së shëndoshë familjare , nëpër krahinat e ndryshme shqiptare, gjithmonë ka qenë zakon që të rinjtë dhe të rejat t’i  nderojnë më të vjetrit dhe më të vjetrat me emra përkëdhelës , ku në asnjë mënyrë nuk është lejuar që më të vjetrit të thirrën me emra të vërtetë .

Pra, të gjithë meshkujt e moshave më të reja, duke filluar nga rrethi më i ngushtë familjarë e deri tek rrethi më i gjerë , lagja, fshati dhe rrethina, kanë qenë të edukuar që meshkujt dhe burrat që kanë qenë me moshë më të vjetër se ata, t’i nderojnë duke i thurur dhe duke iu drejtuar me emrin përkëdhelës:”Bacë”, “Axhë” dhe “Mixhë” për ata që ishin shumë më të shtyrë në moshë.

Kështu që, “Bacë” i thuhej vëllait më të vjetër, kushërinjve dhe të afërmve të tjerë nga rrethi i gjerë familjarë dhe më larg. Me emrin përkëdhelës “Axhë”, iu drejtoheshin xhaxhallarëve dhe ndonjë të afërmi nga rrethi më i gjerë familjarë. Ndërsa, “Mixhë” iu thoshin njerëzve më të largët që ishin shumë më të shtyrë në moshë dhe ndoshta edhe të panjohur . Me këto lloj nderimesh dhe emrash përkëdhelës, tradicionalisht janë nderuar njerëzit më të moshuar, qoftë nga ana e botës mashkullore, qoftë nga ana e botës femërore .

Ndërsa, me emrin përkëdhelës: “Dadë”, tradicionalisht u jemi drejtuar femrave më të moshuara , që nga rrethi i ngushtë familjarë e deri tek  farefisi më i gjerë . Këtë thirrje e kanë përdorë edhe meshkujt edhe femrat, duke filluar nga motrat më të vjetra, hallat, gratë e xhaxhallarëve, gratë e kushërinjve dhe bijat e martuara të fisit.

Pra, ta thirresh një dashnore: “Dadë”, ose një të dashur:”Bacë”, kjo do të ishte më se absurde , e pa kuptimtë dhe  në kundërshtim me të gjitha normat e zakonit dhe  moralit ndër familjarë !

Për ta ilustruar tërë këtë që u tha më lartë, në vazhdim do t’iu sjellim vetëm disa nga shembujt konkret, të nxjerrë nga disa këngë të këtij soji :

 

1.      “Prej nji shpati t’i  lëshova sytë”

 

Është një këngë rapsodike me temë të një dashurie të këtij lloji, e cila është shumë e kënduar, shumë e kërkuar dhe shumë e preferuar kudo në gazmendet, dasmat, ahengjet dhe skenat tona publike , qoftë në fshatra, qoftë në qytete . Dhe ja se si e përshkruan një dashuri të këtillë, rapsodi  popullor, përmes vargjeve si vijon:

“Prej nji shpati t’i lëshova sytë ,

Kur t’i pashë rruezat në fyt –

Krejt prej menjes jam habitë,

Kam lshue dorën , allti me qitë!

Kur e nxora alltinë prej rrethit –

Mu mush menja me i ra vetit !

Mu mush menja vetën me mytë –

Shpejt syzeza mu ka avitë :

“Djali i Dadës, mos u habit,

Se smutë jam kanë qe pesë javë ditë!

Smutë jam kanë qe pesë javë-

Nuk je ardhë Dadën me e pa !

Me pas ardhë, djalë, tej tu ara –

Ish que Dada, të kish dalë përpara !”

 

Po qe se i analizojmë me një mendje të kthjelltë  vargjet e kësaj kënge, nuk e kemi të vështirë që të kuptojmë se këtu kemi të bëjmë me një dashuri jo të barabartë në mes të një djali të ri – beqar dhe një femre të martuar me rruaza në fyt, që është e moshës më të moshuar se sa i dashuri i saj ! Sipas traditës dhe zakoneve të vjetra, vajzat e pa martuara nuk kanë bartur rruaza në fyt, por vetëm nuset e martuara.

Vet fakti, se e dashura e sëmurë i drejtohet të dashurit të vet (beqar) me emrin përkëdhelës “Djali i Dadës”, na bënë që të kuptojmë se kjo dashuri ka lindur shumë më herët , para se të martohej “Dada” dhe kjo brenda kontakteve të fshehta të një rrethi të caktuar familjarë, apo akraballëku ! Për ndryshe, djali (dashnori) i “Dadës” , nuk do ta kishte guximin , as lirinë aq të madhe, sa të mund të shkojë për ta vizituar të dashurën e vet të sëmurë në spital, në shtëpi , apo tek ara ku ajo është duke punuar ?!

Por, edhe e dashura (Dada e martuar) , në asnjë mënyrë nuk do ta kishte lirinë dhe guximin që t’i dalë përpara djalit që e dashuron, qoftë tek shtëpia, tek spitali, apo tek ara e punës !

 

2.     “Moj e mirë, moj kablushë kuqe”

 

“Moj e mirë, o moj, kablushë kuqe,

Kallxoe ditën, kur do t’ shkojsh nuse !

Kallxoe ditën, kur t’ bajsh me shkue –

Ni parë meste , o, lemi mue !

Ni parë meste, o, me m’i lanë –

T’ëm bjen n’ mend kush mi ka dhanë!

Kur t’ ëm bien për ty ndër mend –

Nuk më zihet , o, vendi – vend ,

Nxjerr alltijen e qes në shej !

Hiq maraku s’ asht tuj mu hjekë ,

Nxjerr alltijen e qes përpjetë !

-Hiq maraku, djalë, mos t’ u  hjektë –

Msyja i natë , o, hajde me fjetë !

-Msyja i natë, o, për mysafir –

N’ derë t’ oborrit , o, nisja e thirr !

-Ata e kanë ni adet të mirë:

“Dil moj nuse, dikush po thirrë!”

T’ përcjell Dada në kapixhik,

T’i lidhë duert e të merr ngryk ,

T’ shtrëngon Dada me bylyzykë ,

Rrueza e cingla t’i derdhi n’ gjyks !

T’ shtrëngon Dada faqen për faqe –

Sikur mollat, o, në ni bahqe !”

 

Nga vargjet e kësaj kënge , do të mësojmë për një dashuri të lindur nga motivet e ulëta morale , në mes të një çifti të cilët kanë kontradikta të mëdha.

Së pari, kuptohet se djali i cili e dashuron “Kablushkuqen”, është shumë më i ri për nga mosha se sa ajo që ai e dashuron, nga se vet fakti tregon se Kablushkuqja paska qenë e fejuar diku tjetër dhe pas kësaj dashurie të fshehtë tinëzare, tani ajo duhet të shkojë nuse!

Pra, këtu flitet për një dashuri të trefishtë tradhtare: së pari tradhtohet etika morale familjare, së dyti tradhtohet djali i Dadës ( beqar i pa martuar) dhe së treti tradhtohet burri i ardhshëm dhe familja e tij, e cila e ka fejuar sipas traditave dhe zakoneve, për të cilin edhe kanë bërë shumë shpenzime rreth përgatitjes së çejzit, dasmës e të tjera.

Dada (Kablushkuqja) , nuk do të brengoset fare për këto tradhti të trefishta morale dhe nuk do të brengoset fare për faktin se ajo do t’i shkojë nuse tjetërkujt me moral e virgjëri të humbur!

Simbolika e dhënies së mesteve për kujtim, nuk është asgjë më shumë se sa një përkujtues i vazhdueshëm dhe një simbol i urë-lidhjes në mes të Djalit të Dadës dhe Kablushkuqes, të cilët do të gjejnë mënyra dhe rrugë të ndryshme për t’i vazhduar lidhjet dhe dashurinë e tyre të fshehtë edhe gjatë kohës kur Kablushkuqja do të jetë nuse e një bashkëshorti tjetër !

Këto lidhje edhe më shumë do t’i  forcojnë faktet e cituara në vargjet e kësaj kënge, përmes të cilave Dada (Kablushkuqja) do t’ ia mësojnë Djalit të Dadës , rrugët e tradhtisë për t’i vazhduar lidhjet dhe kontaktet e tyre edhe pas martesës së saj me një burrë tjetër, ku ajo i sugjeron të dashurit të vet , që të luaj rolin e një mysafiri i cili kërkon konak në shtëpinë e burrit të saj dhe atje do të vazhdojnë kontaktet e ardhshme të një dashurie të fshehtë , tinëzare , tradhtare dhe amorale.

Në këtë rast, kur Kablushkuqja i sugjeron Djalit (dashnorit të vet të braktisur) që të shkojë në shtëpinë e burrit të saj, në rolin e një mysafirit, tregon për dy tradhti tjera që kanë të bëjnë me tradhtinë ndaj burrit të saj dhe keqpërdorimin e mikpritjes e bujarisë tradicionale shqiptare !

Vet vargjet e kësaj kënge, se Dada do të del që ta përcjell mysafirin në kapixhik, të cilin edhe do ta merr ngryk, flet bindshëm se traditat tona lejojnë që të merret ngryk vetëm njeriu i afërt i familjes, por jo edhe mysafirët e rastit dhe të panjohurit !

 

3.     “Çikën e kojshisë e kam begenisë”

 

“Çikën e kojshisë, oj nanë, e kam begenisë!

-Jo, nanës, jo, se e kena n’ fis !

-As se kena n’ fis, oj nanë, as se kena n’ farë ,

E kam dashunu , oj nanë, kurrë se la pa e marrë!”

 

Edhe kjo këngë, që këndohet me të madhe nëpër ahengjet, dasmat dhe skenat publike shqiptare, është një shembull tipik i ciklit të këngëve të dashurisë me motive të ulëta morale .

Një djalë i ri, i zhveshur nga edukata familjare dhe ajo tradicionale, do të bie në dashuri me një vajzë të fqinjit të vet, për të cilën i zotohet nënës së tij, se atë do ta merr për grua ! Kjo dashuri e lidhur në mes të dy të rinjve që janë fqinj , flet për një afërsi të një rrethi të ngushtë familjar, nga se nëpër fshatrat tona rurale tradicionalisht , fqinj mund të kenë qenë njerëzit e një gjaku, të një rrethi familjar, apo të një fisi, duke filluar nga xhaxhallarët, kushërinjtë e deri tek farefisi më i gjerë që rrjedh nga i njëjti trung familjar .

Djali i dashuruar me çikën e fqinjit, i rrëfehet nënës së tij për dashurinë e tij dhe vendimet që i ka marrë për t’u martuar me atë vajzë, por nëna e qorton ashpër dhe i sugjeron që të heq dorë nga ajo dashuri e turpshme, nga se ajo vajzë është nga gjaku i afërm i fisit të tij! Por , djali i pa edukuar, nuk iu bindet këshillave të nënës dhe këmbëngulë që me çdo kusht të martohet me atë vajzë, për të cilën mohon që të ketë lidhje farefisnore , duke i mohuar edhe këshillat e nënës së tij!

Aktet e dashurive të këtilla, fatkeqësisht , nuk kanë qenë të rralla nëpër trevat dhe krahinat tona, por që këto lloj dashurish gjithmonë kanë përfunduar me epilog tragjik dhe fatal për familjarët e tyre .

 

4.     “Lule mos prek”

 

T’ kam dashtë si motër,

M’ ke dashtë si vëlla ,

Jem rritë me i sofër –

Si dom me u nda ?!”

 

Këto vargje të shkëputura nga një këngë e vjetër qytetare e cila këndohet me të madhe edhe në ditët e sotme , kudo në ahengje, dasma, koncerte, emisione televizive, dëshmojnë bindshëm për ekzistimin e fenomenit  të ciklit të këngëve të dashurisë me motive të ulëta morale .

Dashuria që këndohet në vargjet e kësaj kënge, flet për dy të rinj të cilët lidhin një dashuri aq të zjarrtë, sa shkojnë deri në ekstrem duke krahasuar dashurinë e motrës ndaj vëllait dhe anasjelltas !

Vallë, po si mund të duhet dashnori si vëllai, apo dashnorja si motër?!

Tema e dashurisë që trajtohet në vargjet e kësaj kënge, na bënë të kuptojmë se kjo dashuri ka lindur brenda dy të rinjve të cilët kanë qenë në një afërsi të ngushtë familjare dhe tani kur i vjen radha që vajza e dashuruar të martohet tjetër kund, do të pasoj ndarja në mes të këtyre dy të rinjve, të cilët do të vajtojnë për një dashuri të humbur , duke e krahasuar si një dashuri në mes të vëllait dhe motrës ?!

Ndonëse këngët me tematika të këtilla, kanë shtënë rrënjë që moti në bazamentin e kulturës dhe të folklorit tonë tradicional muzikor, do të ishte e udhës që studiuesit e etnomuzikologjisë, albanologjisë dhe sajuesit e programeve muzikore nëpër mediumet tona publike elektronike, të ndalën njëherë e për gjithmonë , të analizojnë dhe t’i ndalojnë emetimet, kultivimet dhe jetësimet e këtyre këngëve me vlera të dyshimta amoraliteti, nga se ato nuk paraqesin vlera arti e argëtimi, por ato rrezatojnë pas vetit pasoja të pa parashikueshme edukative tek gjeneratat e reja, të cilët rritën duke i konsumuar këto vlera banale e amorale !

 

Gjilan, më 03.07.2010.