Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Auron Tare: Kush bashkëpunon me talebanët?

| E diele, 04.07.2010, 07:40 PM |


Kush bashkëpunon me talebanët?

 

Nga Auron Tare

 

Që në krye të këtij shkrimi po e them me plot bindje se artikulli i Prof. Richard Hodges, “Mirupafshim Butrint mirë se erdhët në Kandaharin e Talebanëve”, i botuar dje në gazetën “Shekulli” është mjaft i drejtë dhe shumë i saktë mbi realitetin dramatik që sot ndodhet zona e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe qytezat e Sarandës dhe Ksamilit. Ajo që po ndodh sot në Butrint, dhe jo vetëm atje, është një prej tragjedive më të rënda në fushën e Trashëgimisë Kombëtare. Shumë shpejt edhe një prej vendeve më të ruajtura dhe të mbrojtura në Mesdhe ka rënë pre e një injorance makutërie, e cila nuk di se çfarë bën dhe po shkatërron, jo vetëm vlerat universal të civilizimeve mesdhetare, por edhe të ardhmen e turizmit kulturor. Sot, është një fakt i pamohueshëm që turizmi vjen në Jug të Shqipërisë, kryesisht për të vizituar Butrintin dhe zonën e mbrojtur përreth tij. Por, tashmë Parku Kombëtar i Butrintit, jo vetëm është lënë në mëshirën e fatit, por fatkeqësisht edhe të administrimit të injorantëve me tituj shkencorë. Shkrimi i prof. Hodges, i cili e njeh mjaft mirë Butrintin, hap një debat mjaft të mprehtë pasi thelbësisht problemet që ngrihen në këtë shkrim, janë shumë të drejta dhe aktuale. Që të shkosh sot në Butrint nëpërmjet Ksamilit dhe të mos mendosh se je në një prej qyteteve afgane që shikojmë përditë në TV, është e pamundur. Duke qenë në kontakt të përditshëm me të huajt që vizitojnë Butrintin, e kuptoj fare mirë se krahasimi që autori i shkrimit të djeshëm prof. Hodges i bën zonës së Sarandë-Ksamilit dhe Butrintit me Kandaharin është shumë afër së vërtetës.

Para dy javësh një tjetër njohës shumë i mirë i zonës, shkrimtari anglez James Pettifer, shkruante se guidat turistike “Blue Guide” kishin vendosur të pezullonin ribotimin e vëllimit për Shqipërinë, pasi nuk mund t’i rekomandonin më lexuesve të tyre udhëtime kulturore në Jugun shqiptar, dhe pikërisht në zonën Ksamil-Sarandë–Butrint. Ka rreth 8 muaj që një sërë dashamirësish dhe miq të Butrintit kanë insistuar pranë autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për të frenuar ndërtimin e një autostrade krejtësisht të panevojshme brenda zonës së shpallur Pasuri Botërore të UNESCO-s, por më kot.

Megjithatë përveç çështjeve shumë të drejta që prof. Hodges ngre në këtë shkrim, si dhe përbuzjes qartësisht të qartë që ai dhe miqtë e tij amerikanë të udhëtimit kanë për Talebanët shqiptarë, shkrimi ka një problem shumë të madh moral.

Talebanët dhe qeverisja e tyre ekstreme në Afganistan, hynë në fjalorin modern, si forma më e ulët e injorancës dhe primitivizmit shoqëror në kohët moderne. Askush nuk do të donte sot të kishte ndonjë lidhje me Talebanët apo regjimin e tyre. Kësisoj, që profesori britanik të krahasojë Talebanët afganë me qeverisjen aktuale shqiptare, duhet në radhë të parë të jetë moralisht i pastër në lidhjet që ai ka dhe ka pasur me talebanët shqiptarë të qeverisjes aktuale, siç i përshkruan ai autoritetet e Kulturës. Në të kundërt, edhe ndërhyrja shumë e drejtë e prof. Hodges në këtë rast bie erë “pazaresh të prishura”, apo më saktë problem me fondet. Shembull ky, i hasur rëndom tek të huajt që kanë pasur bashkëpunim me regjimin e talebanëve afganë për përfitime personale.

Në tetor të 2005, kur prof. Hodges dhe disa kolegë të tij ftuan “Mulla Omarin” e talebanëve shqiptarë në Butrint për të hapur një “epokë të re bashkëpunimi pas qeverisjes korruptive të socialistëve shqiptarë” -fjalë këto të thëna në takimin e tij në Kalanë e Butrintit, prof. Hodges rekomandoi talebanët se personeli i Butrintit duhej ndryshuar krejtësisht (interesant ishte fakti se jo më parë se disa muaj para këtij takimi në Kalanë e Butrintit, profesori anglez kishte ftuar një Ministër socialist në Londër, për të parë “Live” skuadrën e Çelsit).

Prof. Hodges dhe “Ministri i parë i Kulturës i Qeverisë talebane”, një doganier dhe anonim në fushën e kulturës, filluan një bashkëpunim mjaft frytsjellës, ku larguan nga puna në Butrint, pa asnjë arsye, të gjithë të rinjtë që vinin nga Saranda apo zonat përqark, të cilët ishin trajnuar nga një sërë programesh të donatorëve të huaj, duke sjellë për herë të parë një formë administrimi të trashëgimisë në frymën perëndimore. Ministri Anonim Taleban dhe profesor Hodges, së bashku me një prej këshilltarëve të “Mulla Omarit”, sollën në krye të Parkut Kombëtar të Butrintit një personazh tipik Taleban, i cili jo vetëm nuk fliste asnjë gjuhë të huaj dhe nuk di akoma se si përdoret një kompjuter i thjeshtë, por dikur prof. Hodges tallej me të, pasi personazhi në fjalë gjatë ekspeditave arkeologjike, ishte i njohur si person që natën hante sallamin e studentëve. Ky personazh qesharak u caktua për të administruar pasurinë arkeologjike më të rëndësishme të Jugut me rekomandimin e prof. Hodges. Sigurisht, një lolo i tillë i duhej profesorit, pasi me të mund të bënte ç’të donte në Butrint dhe sigurisht, të kishte akses në fondet dhe projektet e kësaj Qendre Arkeologjike. Jo vetëm kaq, por prof. Hodges i akordoi talebanit në fjalë, një rrogë mujore, dhe kur shtypi shqiptar foli për këtë rast korruptiv të pastër, prof. Hodges refuzoi të komentonte. Bashkëpunimi i prof. Hodges me Qeverinë Talebane nuk përfundoi këtu. Dy prej njerëzve më të afërt të profesorit Anglez, me rekomandimin e tij, u caktuan në poste të larta drejtuese në Ministrinë e Kulturës të drejtuar nga Ylli Pango. Pra, Profesori, ju dha talebanëve njerëzit e stafit të tij të ngushtë, për ta administruar trashëgiminë kulturore shqiptare. Njëri u caktua Drejtor i Trashëgimisë Kulturore, dhe tjetri po në një post të rëndësishëm të kulturës. Për disa vite me radhë njerëzit e njohur si punonjës të Zyrës së Pakardit, (zyrë kjo e administruar nga prof. Hodges), dhe të paguar po prej tij, ishin administratorët e lartë në gjirin e Qeverisë, të cilën profesori e quan qeveri talebane. Pra, nëse talebanët shqiptarë, këto 5 vite, kanë bërë zullume të mëdha ne fushën e trashëgimisë kulturore, profesori nuk ka se si t’i shmanget së vërtetës, se njerëzit që ai i rekomandoi talebanëve në krye të Trashëgimisë, ishin njerëzit e tij. Megjithëse njëri prej tyre u vetëlargua nga ajo moçalishte, dhe tjetri, drejtuesi i Trashëgimisë dhe Kulturës Kombëtare, iku nga zullumet e bëra me tenderat e Ministrisë së Kulturës. Të mos harrojmë se edhe një prej rrogëtarëve të Fondacionit që ai drejton është zyrtar i lartë në Qeverinë talebane. Kjo krijon një tablo të qartë të bashkëpunimit të profesorit me talebanët në pushtet.

Profesori britanik, me të drejtë në shkrimin e tij, ngre pyetjen e madhe se ku shkojnë paratë që mblidhen në Butrint! Tashmë, si rezultat i rritjes së fluksit të turizmit në Shqipëri, të ardhurat në Butrint janë të mëdha, por qartësisht mungojnë investimet në infrastrukturë, restaurime, prezantime, botime, programe të reja me universitete të huaja etj, etj. Në këtë pikë, ai është shumë i saktë. Muzeumi, ndoshta më i miri në Shqipëri, është në gjendje të mjerë dhe e gjithë ajo pasuri arkeologjike ruhet nga një rojë plak me një rrogë 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Nuk ka asnjë ciceron apo përgjegjës për këtë Muze. Rojet, dikur të trajnuar nga federata Botërore e Rangersve, janë zëvendësuar. Mungojnë programet për vizitat e shkollave. Mungojnë programet për komunitetin. Fondi prej 1 milion USD i akorduar nga Banka Botërore, nuk u dha asnjë herë, pasi me të drejtë banka nuk kishte siguri tek njerëzit që punojnë në Butrint, dhe si rrjedhim ky Fond mbyllet në shtator. Nuk ka asnjë program të ri bashkëpunimi dhe Butrinti këto 5 vjet mund të përmendet si një rast unikal, ku një Park Kombëtar nuk mbjell asnjë pemë në territorin e saj. Pra, deri këtu Profesori ka të drejtë.

Por fatkeqësisht prof. Hodges edhe në këtë artikull nuk e vuri gishtin mbi plagë, duke mos e thënë të vërtetën ashtu siç është, se talebanët e tij janë përgjegjësit kryesorë të kësaj situate. Është një fakt i njohur nga të gjithë, që në Butrint ka një abuzim të madh me biletat që priten nga të huajt. Edhe pse shifra që përmend profesori, 75 mijë vizitorë për vitin 2009, është shumë pranë së vërtetës, vlera e grumbulluar duhet të jetë më e lartë, nëse Talebani që ai e rekomandoi për administrator parku, nuk do të kishte blerë shtëpi në Tiranë, nuk do të kishte dërguar fëmijët për shkollim në Amerikë, të gjitha këto me (?????), rrogën e shtetit. Butrinti ka një rast unikal, kur biletashitësi me një rrogë modeste shkon me pushime në Dubai familjarisht. Por, sigurisht që të gjitha këto nuk bëhen pa pasur mbrojtje politike dhe interesi nga Talebanët në Qeveri, dhe për këtë profesori, i cili deri një vit më parë nuk fliste, tashmë ngurron ta përmendë në shkrimin e tij. Nga shifrat që jep zyrtarisht Parku i Butrintit dhe Fondacioni “Butrinti”, për të ardhurat në Butrint, kuptohet se këto 5 vitet e fundit duhet të jenë mbledhur në Butrint diku te 1 deri në 1.5 milion euro, përveç të ardhurave që nuk regjistrohen. Ky shumë është një fond i madh për një qendër si Butrinti, por deri më sot nuk shikon asnjë përmirësim në infrastrukturën e këtij parku, përmirësim të të ardhurave të punonjësve të saj, apo projekte mbi komunitetin. Ku shkojnë këto para?! Askush nuk jep një përgjigje publike se ku shkojnë këto fonde, të cilat me ligj duhet të përdoren në Butrint.

Profesori anglez, po kështu harron se në dokumentin që është firmosur për hapjen e rrugës së Butrintit nga Ministria e Kulturës, pas një lufte të gjatë që shumë dashamirës të Butrintit bënë për ta penguar hapjen e saj dimrin e kaluar, është edhe emri i përfaqësuesit të Fondacionit “Butrinti”. Nëse Fondacioni “Butrinti” nuk ishte dakord me këtë rrugë, përse nuk foli zyrtarisht, dhe përse nuk e denoncoi publikisht?! Po kështu, ai e di mirë se planin e ri të menaxhimit që i dërgohet për dijeni edhe UNESCO-s dhe institucioneve të tjera, është hartuar nga Zyra e profesorit, pasi talebanët në Butrint nuk janë të aftë të hartojnë dokumente të tilla. E pra, si ka mundësi që një rrugë e tillë hapet nga autoritetet shqiptare pa një konsultim me institucionet e huaja që funksionojnë për ruajtjen e Trashëgimisë Botërore, si UNESCO dhe ICOMOS?

Profesori me sa duket nuk ka guximin të flasë për paaftësinë totale të përfaqësuesve të këtyre institucioneve për të ndaluar shkatërrimin në zonën e shpallur Pasuri Botërore. Si UNESCO, si ICOMOS, nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar një shkatërrim kaq brutal ndaj zonës së shpallur Pasuri Botërore, dhe të paktën profesori duhet të shprehet mbi dështimin e këtyre institucioneve për të parandaluar talebanët shqiptarë. Profesori në shkrimin e tij ngre alarmin se kalatë e Ali Pashës po shkatërrohen. Sigurisht që po. Ka 5 vite që nuk është vënë dorë në asnjërën prej tyre, megjithëse Butrinti nxjerr në vit mbi 300 mijë euro të ardhura. Njëra prej tyre, kalaja Trekëndore, në proces restaurimi në 2005, për një kohë të gjatë ishte vendi ku flinin natën refugjatët që prisnin të kalonin kufirin. Të gjitha restaurimet e bëra, kanë degraduar, ndoshta me qëllim pasi talebani i Butrintit po përpiqet që t’ia japë me qira miqve të tij politikë. Mesa duket Profesorit i ka shpëtuar edhe ky fakt i trishtë mbi fatin e kalasë së dikurshme të Ali Pashës.

Profesori njohës i mirë i historisë, e di mirë se talebanët e Afganistanit nuk erdhën në pushtet pa ndihmën e miqve të tyre të huaj, të cilët për qëllime të caktuara i përdorën ata për interesat e veta. Kur talebanët afganë i treguan botës anën e tyre brutale, miqtë e huaj nxituan t’i tregonin ata me gisht duke harruar të përmendnin se deri më atëherë kishin qenë ata, këshilluesit dhe financuesit e tyre. Talebanët shqiptarë të Kulturës, me sa duket e kanë kaluar kufirin e zullumit, dhe këshilltarët dhe financuesit e tyre të dikurshëm, tashmë po i tregojnë me gisht duke harruar se ishin ata që i sollën deri këtu, dhe për këtë ata duhet të quhen Bashkëpunëtorë të Talebanëve.

 

Gazeta Shqiptare - Për ZSH: Gjergj Kabashi