| E diele, 04.07.2010, 09:21 PM |
Mendime rumune mbi vlerat shqiptare
Kosova është vendlindja e luleve të gjakut me bërthamat e mençurisë në Kokë
Nga Viktor Sterom
Sipas eseistikës rumune, “Remzi Limani fton mirësinë duke e dëbuar ligësinë nga „realiteti”, duke i rivizatuar në paleta të ndryshme, që nga metafora direkte në ato me peshë surealiste, apo, madje, me tusha onirike, duke i përzjerë me këto rryma, vendet, njerëzit dhe evenimentet në rajonin ku jeton. Kosova në vizionin e tij është vendlindja e luleve të gjakut me bërthamat e mençurisë në Kokë. Autori i Tungujve të humbur konstrukton një poetikë të sinqeritetit, të kërkimit të një prezeti kontinuitiv, i vendosur ndërmjet përditshmërisë aktuale dhe zbulimit permanent të interioritetit. Fanitja e ndjenjës së “ftohtësisë” në tekst është pjesë e një gjesti lirik vetëtimtar: “Një breshëri kujtimesh më prishin mendsh/ Buzëqeshja e ngrirë në pasqyrë. Ma kujton puthjen e parë dhuratë” (Erë e njohur).
Vargje të këtilla sugjerojnë një diversitet të madh të koncentruar në temë dhe ide. Kështusoj, vërehet esencializimi i saj në tekstin e mbrujtur me rrëfime që burojnë nga një imagjinatë e bujshme me ekzistencializëm dhe filozofi. Ka gjasa kur poezia e Remzi Limanit “shpëton” nga kanxhet e pandjeshmërisë, duke na dhënë përfytyrime poetike, metafora, simbole, asociacione të shkëputura nga mjedise ekzistenciale, relacionale, të gjitha duke qenë të rikomponuara nën mbretërinë e gjetjes së një hapsire adekuate të noviteteve, herë të diellëzuara, herë të prekura nga aspekte konvencionale: “Sikur t`isha i mbuzur pranë Teje/ Edhe një të vetmen herë në sytë e mi/ Të shoh në dritë hëne të plotë/ Me faqe të skuqura shebojë/ Të veshur me syrin e pranverës/ Sikur e ngrirë në dimi kumashi/ Me buzëqeshjen e ndezur plot shkëlqim/ Dhe belin e thyer në duart e mia// Frymësosur me sëmbime të kujtoj/ Ëndrrat Tua me syrin tim i veshi/ Si gjethet e vjeshtës para shiut/ Nën qepallat e fjetura i merendoj// Të kujtoj flokun e derdhur mbi supe/ Sytë e shkruar bojëvere të çelur/ Dhe krahët e fluturës në ikje para ngricave/ Që të rikthehet sërish/ Me ngjyrat e ylberit mbi lumin e shkrirë. (Nën qepallat e fjetura).
Obsesioni i Remzi Limanit ndaj shpirtit solemn të përzjerë me percepcionin e përditshmërisë baroke, manifestohet ekskluzivisht përmes qëndrimit sentimental. Tekefundit, kjo poezi duket se konstruktohet relativisht lehtë, me një thjeshtësi të dukshme, në një pëlhurë të qëndisur me realen dhe irealen, por, duke depërtuar më thellë në kuptimet e saj të padukshme, zbulon në nënhijen e tekstit se fshihet një kuptim aksiomatik, duke e afruar autorin me shpirtin nonkonformist: “Ti ende frymon në sytë e mi/ Dhe pa dashje më verbon të tërin// Kur terri derdhet mbi lule/ Asgjë s`ndihet e gjallë/ Përveç një rigë loti/ Dhe një hije e një të çmenduri// Ti ende frymon me lotin tim/ Me faqet e ndezura tufa lule gjaku/ Me buzagaz pa asnjë fjalë pa zë/ Qetësisht shkrihesh në rrjedhë lotësh// Ti ende frymon në mua/ Me buzagaz pa asnjë fjalë pa zë/ Herë-herë shqyen terrin mbi mua/ Sikur e ndien peshën e gurit/ Të robëruar në mua.” (Terri derdhet mbi lule).