| E premte, 02.07.2010, 09:57 PM |
500 vjet nga testamenti i Gjon Muzakës
Nga Avni Alcani
Viti 2010 shënon 500-vjetorin e krijimit të testamentit të fisnikut shqiptar, Gjon Muzaka, i njohur si “Historia dhe gjenealogjia e derës së Muzakajve”, apo si “Memoria” e despotit të Beratit. Si dhe në ç’rrethana u shkrua “Memoria”? Përse u shkrua në vitin 1510, gati 31 vjet pasi Gjon Muzaka kishte emigruar së bashku me familjen e tij në Itali, në Mbretërinë e Napolit?!
Në vitin 1510, disa shtete europiane, të organizuara dhe të udhëhequra nga Vatikani, ishin duke përgatitur një kryqëzatë europiane antiosmane. Shumë fisnikë shqiptarë, që kishin emigruar në Itali për t’i shpëtuar pushtimit të egër turk, iu ringjallën shpresat për t’u kthyer përsëri në trojet e tyre, në Arbëri. Fisniku shqiptar, Gjon Muzaka, i cili kishte ikur nga Arbëria në vitin 1479 dhe ndodhej i mërguar në
Historiku i dorëshkrimit
Në vitin 1510, kur u hartua “Memoria”, kryqëzata që nisi me aq bujë të madhe dhe që ngjalli aq shumë shpresë tek shqiptarët, për fat të keq dështoi dhe nuk u riorganizua më kurrë.
Një historik të shkurtër të gjetjes së “Gjenealogjisë” së Gjon Muzakës nga Karl Hopf, na e tregon edhe historiani Pëllumb Xhufi në librin e tij “Nga Paleologët te Muzakajt” (2009). Xhufi shkruan se dorëshkrimin Hopfi e gjeti në shtëpinë e sekretarit mbretëror Skipion Volpiçela në Napoli. Një ekzemplar të saj, Hopf ia dhuroi albanologut Hahn me qëllim që ai t’ia bënte të njohur atë botës shkencore. Në pamundësi që t’i shkelte vetë vendet e përshkruara në kronikën e Muzakës, Hahn ia besoi një kopje dr. Auerbahut, mjekut të karantinës së Vlorës. Xhufi, në veprën e përmendur, shkruan se kopja e ekzemplarit të “Gjenealogjisë” së gjetur nga Hopfi, kishte mbërritur edhe në Shqipëri që në vitin 1885. Kjo kopje përfundoi në koleksionin e Peshkopit të Beratit, Anthim Aleksudhi, i cili, me një shënim të tij, e dorëzoi në Bibliotekën Kombëtare të Athinës, ku u gjet në sektorin e dorëshkrimeve të rralla. “Memoria” e Gjon Muzakës është dokumenti më i rëndësishëm i shkruar nga një bashkëkohës i Skënderbeut. Albanologu austriak Johan Georg fon Han (1811-1869) e ka vlerësuar zbulimin e Hopfit, duke e quajtur një “margaritar të zbulimeve të tij”. Por pati edhe nga ata historianë, veçanërisht të huaj, që e panë me rezerva “Gjenealogjinë” e Muzakës. Historiani gjerman Franc Babinger shkruan se te “Don Gjon Muzaka, në shumë gjëra të veçanta në të vërtetë janë të diskutueshme”. Kurse Ducellier e konsideron atë “një material me të dhëna konfuze”. Por, pavarësisht kritikave, “Memoria” e Gjon Muzakës është vlerësuar nga shumë studiues të huaj dhe shqiptarë, si një pasqyrë e realitetit shqiptar të periudhës skënderbejane të shekullit XV. Ajo ka qenë një dokument i vyer historik që ka shërbyer si bazë për tekstin e Historisë së Shqipërisë për periudhën e shekullit XV. Pëllumb Xhufi e konsideron kronikën e Gjon Muzakës si “një burim të dorës së parë dhe të pazëvendësueshëm për historinë mesjetare të Shqipërisë”. Në vitet ‘30 të shekullit XX u bënë përpjekje nga disa priftërinj katolikë të qytetit të Shkodrës, për ta kthyer në shqip “Memorien” e Gj. Muzakës, duke përkthyer disa pjesë të tij në revistën periodike “Hylli i Dritës”. Në vitin 1996 “Memoria” u përkthye dhe u botua nga studiuesi Dhori Qiriazi.
Aranitët në “Memorien” e Muzakës
Sipas Dhimitër S. Shuteriqit, i pari që i përmend aranitët si zotër dhe sundimtarë të krahinës së Çermenikës, Shpatit dhe Mokrës është Gjon Muzaka, pinjoll i familjes së njohur arbërore të Muzakajve të shekullit XV dhe bashkëkohës i Skënderbeut. Në krye të familjeve të mëdha princërore arbërore, me të cilët Muzakajt kishin aleanca të shumta, veçanërisht martesore, ishin Aranitët. Princi më i fuqishëm aranit, me të cilin Muzakajt ndjeheshin krenarë për lidhjet dhe për famën që gëzonte në të gjithë Europën, ishte Gjergj Aranit Komnen Golem Topia Shpata Çermenika. Gjergj Araniti ishte martuar me Maria Muzakën, motër e Gjin Muzakës, Despotit të Beratit: “Dhe Zonja Maria e lartpërmendur, motër e tim eti (Gjin Muzaka-A.A.), pati për burrë Zot Aranit Komnenin (Gjergj Aranitin-A.A.), që ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia) deri në lumin Devoll, që e ndan vendin e tij me tonin dhe e ka kufi”.