| E premte, 02.07.2010, 08:13 PM |
Nga Lirita Halili, Express
Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga Ministria e Arsimit që urgjentisht të shfuqizohet neni, i cili ndalon bartjen e shamive nga besimtaret myslimane, në ambientet shkollore. Ndryshe, BIRK i kërcënon institucionet e Kosovës se do t'i padisë edhe në gjykatat ndërkombëtare, siç është ajo e Strasbourgut.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës (BIRK), myftiu Naim Tërnava, ka paralajmëruar nisjen e procedurës gjyqësore në Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, kundër vendimit. Por nëse as këtu, kërkesa e tyre nuk përmbushet, Tërnava ka thënë se do të ankohen edhe në gjykatat ndërkombëtare.
Në një konferencë me gazetarë, kryemyftiu Tërnava theksoi se BIRK-u ka qenë dhe është e përkushtuar për respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Porse, institucioni të cilin ai e udhëheq, e ka pritur me habi vendimin e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë për ndalimin e bartjes së uniformës fetare në institucionet shkollore.
Në emër të BIRK-ut, Tërnava kërkoi nga institucionet e vendit, përfshirë Ministrinë e Arsimit, që urgjentisht të shfuqizojë neni, i cili ndalon bartjen e shamisë në institucionet e vendit dhe ato shkollore.
“Në të kundërtën, BIRK-u paralajmëron nisjen e procedurës gjyqësore para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si të vetmen mënyrë të mbetur për mbrojtjen institucionale të të drejtave kushtetuese të besimtarëve myslimanë. Përndryshe do të adresohemi tek institucionet e tjera të drejtësisë, jashtë Kosovës”, deklaroi Tërnava.
BIRK-u, po ashtu, kërkon futjen e mësimit të lëndës së edukatës fetare në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.