Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Filmi në Evropë, një "vështrim" nga… Italia

| E diele, 02.12.2007, 04:48 PM |


Nga Giovanni Robbiano

Problematika e prodhimit të filmit dhe distribucionit në Evropë ka qenë në fokus të një diskutimi paraditen e djeshme, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë (TIFF). Regjisori italian Giovanni Robbiano ka treguar vështirësitë 5-vjeçare për realizimin e filmit të tij, "Hermano", i shfaqur po dje si "premierë botërore" në sallat e kinema "Imperial" në Tiranë.

Duke e quajtur këtë premierë të parë të filmit, edhe të fundit, Robbiano rrëfeu historinë e gjatë të realizimit të filmit të tij që fillon para dhjetë vjetësh.

Pengesat e hasura në drejtim të produksionit, distribucionit, raportet me laboratorin "e prodhimit", me të drejtat e autorit etj., janë në fakt shqetësime reale për kinemanë evropiane sot, ndërkohë që sipas drejtorit të TIFF-it, Ilir Butka, që bëri të mundur dhe ardhjen në Tiranë të Robbianos dhe filmit të tij, "shumica e njerëzve që i hyjnë kësaj rruge janë totalisht të painformuar".

Në një sistem "të ri", në shumicën e rasteve, producenti duket se e ndërmerr përsipër prodhimin e një filmi thjesht si biznes, duke bërë së pari llogaritë e fitimit dhe lekëve që do të fusë në xhepat e vet. Ndërsa "fati" i filmit është diçka tjetër që nuk ka lidhje fare me këtë.

"Gjërat dukeshin goxha mirë. Kisha bëra një film. Ky dukej si filmi im. I xhiruar në vitin 2000, filmi doli nga prodhimi në 2007. Më janë dashur katër vite për ta mbaruar. Kur filmi përfundoi, mendova më në fund se shpëtova dhe filmi mund të ecë me këmbët e veta. Jo, nuk mundi. Pse? Kjo edhe për mua është kaq misterioze për t'u kuptuar. Por të gjitha gjërat në fund përmblidhen në parashikim fondesh dhe gjendemi përballë një situate që nuk arrijmë t'i japim zgjidhje", thotë Robbiano, ndërsa rrëfen se në fakt me producentin ka marrëdhënie të mira, por nënshkrimi i kontratës për filmin ka dy vjet që vonohet.

Sipas regjisorit Robbiano, në Itali një producent bën film vetëm kur i mbulohen qind për qind shpenzimet dhe ka edhe fitime. Dhe edhe pse mund të ndodhi dhe ndryshe; që producenti ta bëjë një film me lekët e veta, të cilat më vonë do t'i kthehen, kjo as nuk i shkon në mendje.

"Producenti merr një financim nga shteti italian për ata filma që konsiderohen me një vlerë artistike dhe kur ky producent arrin këtë shumë, ai aplikon në Ministrinë italiane të Kulturës, në atë që quhet fondi i garancisë. Problemi është i thjeshtë: nuk është bërë asnjë kontratë me autorët. Kështu gjendemi në një situatë të çuditshme, pasi ai arrin të marrë fondet, por ndërkohë nuk ka kontratë me aktorët".

Në Itali ku nuk ka një Qendër Kinematografike si në Shqipëri, është Ministria e Kulturës ajo që supozohet të jetë rregullatori mes producentëve dhe krijuesve. E Robbiano fajëson këtë "strukturë shtetërore" se "nuk interesohet fare për këto abuzime, të këtyre shpenzimeve të çuditshme që vijnë nga ana e producentëve".

"Filmi kishte të drejtën të tërhiqte disa financime që quhen fondi distribucion në Itali, ku mund të aplikosh dhe distribucioni i filmit konsiston në prodhimin e kopjeve dhe shpërndarjen e tyre nëpër salla". Robbiano shpjegon se shteti paguan një pjesë të shpenzimeve: për kopjet, për promovimin. Porse ka rreth dy vjet që ministri i Financave në atë kohë, bllokoi këtë "rubinet". Në këtë situatë, kur askush nuk ndërmori t’u paraprinte shpenzimeve që në fund do të riparoheshin e të nxirrte filmin në kohë, Robbiano vëren se tashmë "askush nuk e di i kujt është ky film".

"Rrënimi" i kinemasë: lekët?!

Duke bërë një retrospektivë, Giovanni Robbiano ndalet në vitet '70-të, kur kinemaja italiane kishte një prodhimtari më të madhe se amerikanët dhe një nivel e cilësi të lartë.

"Në atë kohë bënim 500 filma në vit. Natyrisht që kishim kontroll të jashtëzakonshëm mbi tregun kinematografik. Por kjo gjë vdiq në një hark kohor shumë të shkurtër". "Natyrisht, ekziston dhe lufta midis vëllezërve armiq: televizioni dhe kinemaja", komenton regjisori, ndërsa thekson se gjithsesi faji për këtë "humbje vlerash" qëndron te "paraja". "Producentët e kuptuan që mund të bënin pak punë dhe mund t'i marrin shtetit pa i kthyer asgjë mbrapsht. Kur producentët e dikurshëm nuk janë më, arritën këta producentët e rinj, me xhaketa lëkure të shndritshme, 35-40 vjeç, totalisht injorantë, që nuk marrin vesh asgjë nga filmi, e qëllimi i vetëm i të cilëve është të fitojnë sa më shumë nga filmi. Por jo nëpërmjet filmit, por duke e zhvatur sa më shumë atë", komenton Robbiano, ndërsa shton se pikërisht për këtë arsye filmat sot në Itali janë të dobët.

Dhe edhe pse "politikëbërësit" në shtetin fqinj duket se nuk e pranojnë një situatë të tillë ekzistente, për Robianon, nëse nuk mund ta quajmë këtë dukuri "mafie industriale të filmit", pa frikë mund të flasim për korrupsion. "Në vitin 2002-2003 në Itali janë bllokuar 32 filma të autorëve goxha të rëndësishëm. Disa prej tyre janë zhdukur. Unë adhuroj kinemanë amerikane dhe kolegët e mi nuk janë si ata. Në kinemanë amerikane janë shumë më të ndjeshëm dhe solidarë", vijon më tej regjisori italian, duke marrë si shembull grevën që po bëjnë skenaristët në Amerikë, së cilës i është bashkuar i gjithë komiteti i aktorëve dhe krijuesve.

"Këta skenaristë nuk përfitonin të drejtat e autorit nga shitjet në internet. Dhe producentët e distribucioni refuzonte këtë hapësirë duke thënë se në qoftë se nuk e blini, ajo nuk ekziston. Kjo grevë ka rezultuar shumë më sociale se komiteti evropian që reagon ndaj këtyre problemeve. I njëjti problem është dhe në vende të tjera evropiane, por në Itali mbase pak më shumë", shton Robbiano.

E ndërsa producentja italiane Dania Appolloni, përmend se në Itali me gjithë këtë ka një numër pa fund të festivaleve të kinemasë, regjisori vijëzon se për të është e vështirë të bësh këtë zanat (të krijimit e të prodhimit të filmit) në çdo këndvështrim. "Iu them studentëve të mi shpesh: Ju jeni në skuadrën që bën filma. Skuadra tjetër janë producentët dhe kritikët…". 

Metropol