| E merkure, 30.06.2010, 09:57 PM |
POEZI ME RITËM DHE THELLËSI TË VEÇANTË
Anton Marku: “ Vizioni blu”, poezi, Gjakovë, 2010.
Ky libër me poezi nga Anton Marku shënon një diçka të veçantë në ritmin dhe thellësinë poetike të vargut, e pse jo edhe të formës, nyjëtimit dhe interesimit tematik. Kjo vjen si rrjedhë e një përvoje më të mirë krijuese të Markut si dhe si imponim dhe ndikim i drejtpërdrejtë i poetikës ku jeton dhe krijon ai në kohën e shkrimit dhe botimit të këtyre poezive. Mbase, ndikimi është qëllimmirë sepse poeti ia arrin që t’i sublimojë ato që i ka hasur kur ka lexuar poetikën tjetër, por edhe ka ditur mjeshtërisht t’i bëjë mozaik duke i bashkëdyzuar me elementet ambientale të poetikës që e ka lexuar dhe shkruar më parë.
Përshkallëzimi veçanti e poezisë
Poezitë e pasqyruara këtu lënë përshtypjen e hyrjes nëpër disa përshkallëzime ku secili prej tyre ka të veçantën dhe sublimen e vet. Autori, poezitë i ndanë në qerthuj poetikë: “Ngjyra e paqes”, “Njolla dielli”, “Metafora e lirisë”, “Tingulli i shiut” dhe “Shtegtim shpirtrash”, të cilët kapërthejnë në gjirin e vet vargje që trajtojnë apo përshkallëzojnë tema të përafërta. Dhe kësaj autori ia arrin mirë dhe shtruar. Mbase ky përshkallëzim e shpreh veçantinë e secilës poezi, por edhe veçantinë e qerthujve. Kështu rrjedha e vargjeve nuk ndalon, apo nuk kapërthuret nëpër dilema dhe kthesa hermetike, por defilon frymëzueshëm duke rrjedhë nëpër ritmin imagjinar, që qëndron në bërthamën e poetikës së Anton Markut. Edhe pse vargjet e këtyre poezive nuk kanë rimë klasike, ato kanë ritmin, i cili shpreh njërën anë të suksesshme të përshkallëzimeve poetike të kësaj vepre. Interesimi i poetit për të pasqyruar atë që e ndjen nuk është i ngurtë, por është i ndjeshëm duke u veshur me petkun e meditimit dhe gjykimit, që në shumicën e rasteve del parësor. Por, mbase, kjo nuk e ul fare vlerën poetike të kësaj forme të vargëzimit. Madje atë e ilustron me dëshminë sepse atë e bën më të kapshme dhe me të ndjeshme edhe për receptorin, në këtë rast për lexuesin. Këtë, autori, në këtë rast poeti, e bën në formën paksa autobiografike, sepse elementet e tilla ia “lehtësojnë” mënyrën e shtrimit poetik të interesimit që ia ka në momente të frymëzuara. Edhe ky përshkallëzim tejkalohet me sukses, madje edhe shfaq një mjeshtri tjetër të tij prej krijuese, këtë herë, prej poeti.
Forma e paraqitjes së fatit dhe historisë se individit këtu përshkallëzohet me fatin dhe historinë e njerëzimit në përgjithësi dhe të kombit tonë në veçanti. Andaj, vargjet e këtij përshkallëzimi nuk janë retorike, madje as elegji në formën tradicionale të të shprehurit, por ato janë të ngjeshura dhe të legurosura ëmbël me përshkallëzimet historike të këtij nënqielli. Poeti, Anton Marku, i takon brezit të ri të krijuesve të poezisë bashkëkohore shqipe, i cili ka përjetuar katrahurat më tragjike të luftës së fundit në Kosovë, por që tash ecën përkrah të arriturave bashkëkohore të letërsisë, duke bartur kështu mbi supe një të kaluar tragjike dhe tejet të hidhur. Të gjitha këto poeti Anton Marku i përjetëson artistikisht me imagjinatë, me të shprehur të qetë, por edhe të bujshëm, me diskurs poetik dinamik, me ritëm dhe thellësi të veçantë.
Jeto i lirë
Apostull i paqes
(Poezia “Letër vetvetes”)
Ky vizion, që në të vërtetë është përshkallëzim poetik ka shtrirje në tërë subjektin poetik të këtij vëllimi. Këto janë dy vargje e para, jo vetëm të poezisë së parë, por janë edhe një çelës i veprës poetike “Vizioni blu” të Anton Markut, në përgjithësi.
Andaj, ai është poeti i poezisë intelektuale dhe shumë domethënëse, që pavarësisht nga modelet letrare me të cilat është ndeshur dhe që ka lexuar, do ta gjejë rrugën e vet poetike me tema, forma, shprehje dhe stil të veçantë. Në zemër të poezisë së tij qëndron e bukura artistike si kategori estetike. Në të njëjtin vijëzim qëndrojnë atdhedashuria dhe dashuria si intimë, që shënojnë dhe shprehin piedestalin shpirtëror të poetit.
Dhembja ime mbeti atje
Ku gurët i rrokulliste era
(Poezia “Pa adresë)
Për të vazhduar
Bota rrotullohej rreth nesh
Rreth vetes rrotulloheshim ne
Mes katër udhëve
(Poezia “Monolog”)
Ky është pasqyrimi më adekuat poetik i këtij përshkallëzimi, i cili pothuajse shtrihet që nga vargjet e para e deri te ato të fundit të këtij vëllimi poetik.
Vargje me ritëm imagjinar
Duke i lexuar poezitë e këtij vëllimi poetik na duket se ndeshim tema e motive të shkruara edhe më parë, si ato nga e kaluara historike, nga përditshmëria, nga jeta intime, motive dashurie, ku frymëzohen edhe poetë të tjerë, por mënyra se si poetizon dhe se si i artikulon ky, është krejtësisht personale duke kultivuar pedanterinë e fjalës e të mendimit, me një qëndrim prej poeti e intelektuali, i cili pasqyron përafrime të situatave autobiografike me ato biografike të atdheut. Metaforat e përdorura janë artistike, andaj këtu e ka burimin bukuria e poezisë.
Horaci, duke folur për artin poetik, ndër të tjera thotë se "poetët duhet të sjellin dobi, të argëtojnë, ose njëkohësisht të thonë gjëra të këndshme dhe të dobishme". Kjo, mbase, përkon me këtë sepse edhe poezia e Anton Markut shpreh tipare poetike origjinale, sjell të këndshmen, të bukurën, artistiken dhe të dobishmen me një stil të kultivuar e figuracion të dendur me simbole të gjetura, me metafora të bukura, por asnjëherë duke e ngarkuar poezinë. Poezia e tij, diskursi lirik i saj, apo impulsimi i brendshëm i tingëllimit dhe imazhit mëtojnë të jenë një element i përbashkët e dominues edhe në poezinë e këtij vëllimi poetik. Ky përshkallëzim tematik që është karakteristikë e poetikës së tij, ndërtohet nga figura të përpunuara, me vargje të shtruara mirë, me ritëm të brendshëm e tonalitet të këndshëm. Të gjitha këto si dhe elemente të tjerë i japin kësaj poezie dimension specifik të thellë me ritëm origjinal poetik. Prandaj, ajo është poezi me vargje imagjinare aq sa edhe reale, është metaforike e simbolike, aq sa edhe paradoksale, sepse poeti kultivon vargun për të depërtuar nëpër të gjitha skutat e botës. Poeti, subjektin e tij lirik e vendos, madje, në tehun e ndodhive më të vështira edhe atëherë kur ndoshta e shpreh mllefin:
Erdhën nga perëndimi
Nga lindja erdhën
Dhe sollën
Kaos kreativ
(Poezia “Eksperimenti K”)
Thënë në përgjithësi, poezia e shprehur në vargjet e këtij vëllimi poetik të poetit Anton Marku, krahasuar me ato të veprave të mëparshme të këtij autori, shënon në përshkallëzim më të ngjeshur figurativ. Shënon një përparim më të gjerë tematik dhe shtrirje më të çliruar të ritmit dhe diskursit. Të gjitha këto dhe disa elemente të tjerë e bëjnë këtë poezi më interesante, më imagjinatave, më intelektuale, më meditative dhe më të avancuar. Mbase, poeti këtë e kishte qëllim kryesor, sepse vlera e saj rritet edhe me përkthimin në gjuhën gjermane, sepse kështu shënon një dimension më të gjerë perceptimi të lexuesve.