Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Askushi

| E merkure, 30.06.2010, 09:58 PM |


KALOSH ÇELIKU

 

ASKUSHI

 

     Vështirë është ta duash një shtet që e granaton popullatën e vet nga toka e qielli. Fshatrave ua vë zjarrin… Shtëpive… Shkollave… Xhamive… Pasurisë së shqiptarëve… Nëse do, të duan… Nëse urren, të urrejnë… Nëse vret, të vrasin… Këto janë ligje të natyrës. Nuk mund të shkohet kundër natyrës. Rrymës së ujit të lumit… Ai që i kundërvihet natyrës, është i dënuar të zhduket nga faqja e Dheut. Vallë, nuk i keni parë disa insekte se si e marrin ngjyrën e rrethit ku jetojnë, marrin frymë. Thua, ata këtë e bëjnë me dëshirë. Jo. Atëherë, pse u përshtaten atyre ligjeve?! U përshtaten, ngase duan të jetojnë, vazhdojnë luftën me natyrën. Jeta është luftë. Mjerë ai që i dorëzon armët dhe e pret vdekjen në mes të udhës…

             Natën, pasmesnate bie në gjumë dhe zgjohem me Zonjën Vdekje. Nuk e di kush

      cilin e dhunon, e  detyron të bëj dashuri. Vetëm një gjë e di, rrëzë Çukës më prêt

      varri. Nën hije të  Rrapit, shtambat me verë. Gjoku i lidhur nën hije. Arma e varur në

      një degë… Cuca Boheme…

-         Hi-hi-hiii… Tungjatjeta, zoti Shkrimtar!…

-         Tungjatjeta, Cuca Boheme… Ku je nisur sot kaq herët?!…

-         Në mal… E kërkoj një burrë për grua… Nuk ka këtu burra, zoti Shkrimtar. Jo. Burrat janë në male…

-         E vërtetë… Jo vetëm burrat, po edhe gratë…

-         Atëherë, çka presim?! Zonjën Vdekje të na gjejë në Shtëpi?!… Shtrat…

-         Lumë ai, zoti Shkrimtar, që Zonja Vdekje nuk e gjen në shtëpi… Shtrat, në gjumë…

Pasmesnate, u ktheva në shtëpi dhe e varrosa veten mes librave… Shtambave me verë… Në një faqe më kishte zënë gjumi…

             Mesditë. I hapa sytë. Dielli më kishte hyrë në dhomë. E kisha bërë gjumin e të

      vdekurit. Trung. Asgjë nuk kisha parë, asgjë nuk kisha dëgjuar me veshë gjithë natën.

      Edhe ëndrrat më kishin harruar në dhomë. Një libër ma kishin vënë te koka, një te

      këmbët… E mora veten në  shpinë dhe e zvarrita deri te Rrapi. Varri im me dy

      shtamba verë… Tyrbja e Babashehut…

-         Heu, Kalosh Çeliku, po sa varre i ke ti, më bërtiti matanë rrugës Cuca Boheme?!…

-         Nuk e di… Një, dy, tre varre…

-         Hi-hi-hiii… Dy varre i ka pasur Ali Pashë Tepelena…

-         E di. Po, Kalosh Çeliku i ka tre varre: kokën në Shqipëri, trupin në Maqedoni, zemrën në Kosovë…

              Dy ditë nuk dola nën Rrap. E mbylla veten mes librave… Shtambave me verë…

      Në këtë libër, nga i cili kërkoja shteg për të dalë në male… E hiqja veten zvarrë mes

      shkurreve, te Guri Zi, tek Dy Lisat në Çukë ku do ta përshkoja veten, ta shpëtoj nga

      magjitë… Marrëzirat… Xhindet që më mbytën çotek natë e ditë… Ndalem dhe e pyes

      veten: ende jam gjallë mes kaq shumë spiunësh?!… “ Patriotëve “ të vonuar… Po,

      kujt duhet ti falemnderohem, vetes apo Zotit?!…

             Vazhdoj me mendimet e rrezikshme që më sillen lëmsh në kokë. E tërheqin njëri

        tjetrin në këtë libër. Ndonjëri merr edhe malet. Nuk më dëgjon. I kanë rrokur armët.

        Zërin e ngrejnë për liri…

         E unë, që e vura në shërbim të Atdheut veten dhe pasurinë. Unë që vite me radhë i shëtisja rrugët e Shkupit me xhip, tashti ecja më këmbë. Gjithë pasurinë e trashëguar nga im At e kisha shndërruar në libra. Askushi, hiç i hiçit, me gen spiun brez pas brezi, tashti shëtiste me makinë luksoze dhe shiste mend përpara kalimtarëve në këto ditë lufte. E unë atij i kisha dhënë bukë, e mbaja gjallë, më kishte borxhe…

         Askushi ma tregon edhe rrugën për në Baba Tomor. Gabimet gjuhësore. Dhe, ma bën me dije se: kam vdekur për së gjalli?!

         Hi-hii-hiii… I mjeri , Askushi. Unë kam vdekur tri herë me radhë në jetë. Dhe, jam ringjallë si Krishti. E kam thënë qindra herë nëpër libra: burgu është vend përmisimi. Pak vetë kanë dalë nga burgu njerëz normalë me trutë në kokë. Shumica kanë dalë spiunë… Pederë. Ose, të çmendur. E ndonjëri, edhe patriot… Koha është, shqiptarët më të mos krenohen me burgun, po me diploma universiteti, vepra letrare e shkencore.

         Gabimet teknike, që mund të ndodhin në gazetat e përditshme, internet, nuk janë edhe të autorëve. Edhe, nëse ndonjëri e ka bërë me qëllim, ose e ka harruar ndonjë presje, i ka shtuar fjalës ndojnë ë, që ashtu edhe ashtu i kemi nëpër fjali me shumicë e pakicë. Punemadhe. Gjuha nuk ka kufi. Me sëpatën e madhe: janë gabime teknike. Askushi, çohet dhe bërtet në rolin e të gjithditurit, shet mend si gjeli kur ia thotë në pleh: gabime fillestari! E ka “zbuluar” Amerikën. Askushi nuk merret me vepra të arrira jetësore, po merret me thashetheme pas gardhit. Prandaj, edhe them: merruni me fenomene, e mos u merrni me cikrrime, individë!

         Askushi e ka stazhin e të burgosurit politik: i numron vitet e “studimeve” në burg. Vuajtjet dhe maltertimet. Dërrasat, që i mungojnë në kokë. Fare pak librat nëpër rafte në bibliotekë. Edhe, ka lexuar ndonjë libër të “rrezikshëm” në bibliotekën e burgut. Në “liri”, pas vuajtjes të dënimit u është rrekur edhe studimeve të gjuhës dhe letërsisë në Universitet. Dikushi edhe e ka dalldisur, i ka dhënë përpara pampurrit: patriot. Gjeni - gjuhëtar. Askushi të nesërmen, që është larg tyre me qindra kilometra, hedhë gurë e dru mbi shkrimtarë e studjuesë me bagazh letrar e shkencor: nuk e njohin gjuhën letrare, nuk dinë të përpilojnë fjalorë drejtshkrimor, fjalorë të gjuhës së sotme shqipe. Edhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972) për “gjeniun-patriot”, është pjellë komuniste. E në anën tjetër harron se, gjuhën letrare standard e kanë krijuar dhe e krijojnë shkrimtarët.

         Askushi, i përpunuar nëpër burgje sllave, që deri dje lumit i ka thënë: “rekë”...