Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Kvo Vadis

| E hene, 28.06.2010, 09:32 PM |


KVO VADIS /1951/

 

Nga Halit Bogaj

 

Edhe spektakli historik “Kvo Vadis” është ndër krijimet më të bukura filmore,i realizuar sipas veprës homonime të shkrimtarit të madh polak, Henrik Senkieviq, duke u konsideruar edhe si njëra ndër kryeveprat më të fuqishme të kinematografisë amerikane.Kaluan dekada të tëra dhe filmi mbeti ndër margaritarët më të rrallë dhe ndër krijimet më të suksesshme të realizuara ndonjëherë në artin e shtatë dhe që ka ngjashmëri të madhe edhe me disa filma të tjerë historiko-spektakular siç është “Ben Huri” i regjisorit kolosal Viliam Vajler që trajton kohën e lindjes së krishtërimit.Duhet theksuar edhe faktin se edhe romani historiko fetar i kishte joshur miliona lexues nga mbarë bota,prandaj edhe filmi i përmendur ishte realizuar në saje të popullaritetit të madh të romanit.Filmi bën fjalë për jetën dhe veprimet e një perandori të çmendur romak të cilin e njeh edhe historia se si e kishte djegur Romën nga teket e tij çmenduake dhe ishte bërë edhe vrasësi i gruasë dhe nënës së vetë.Ai ishte Neroni për të cilin ka dëgjuar çdo njeri, por në film ai duket shumë  origjinal nga aktrimi magjik i aktorit të madh  Piter Justinov i cili na duket se është vetë Neroni piroman dhe maniak i atyre viteve kur paraqitet Krishti dhe kur njerëzit u servohen bishave për t`i ngrënë në Arenën romake.Ai ishte Neroni për të cilin jasnë realizuar edhe disa versione filmore dhe teatrore por filmi për të cilin e kemi fjalën është ndër krijimet më të suksesshme që i ka shikuar ndonjëherë njerëzimi,e në të cilin rolin kryesor e luan aktori kolosal-Robert Tejllor, i njohur edhe me  shumë filma të tjerë të zhanreve të ndryshme, por i paharruar, sidomos me rolin e Armand Dyvalit nga filmi”Zonja me Kamelie”,sipas veprës së njohur të Aleksandër Dyma-Birit,që ishte bërë hit i atyre viteve,duke u shikuar me të madhe në të gjitha kinematë botërore.Siç dihej,romani kishte bërë bujë të madhe në botë,por filmi ngjallte interesime të mëdha dhe reagime të ndryshme,duke mbetur edhe si njëra ndër kryeveprat më të shquara kinematografike me efekte të fuqishme vizuele.Filmi ishte një kthim prapa në shekujt e shkuar,një ekzaltim serioz i asaj kohe të lavdishme dhe një pasqyrë fenomenale e ngjarjeve të përgjakshme që i përkisnin një periudha çmendurake të Perandorisë së fuqishme romake së cilës i printe Neroni i sëmurë mentalisht.E gjithë bota dhe historia e njihte Neronin si piroman të Romës që kishte lënë gjurmët më të çuditshme në analet historike.Të gjithë e njihnin atë bastardh djallëzor që vriste njerëz për pikë të qejfit dhe se donte vetëm të dëfrehej në mënyrën e tij të njohur skizofrenike.Për atë njeri janë shkruar qindra mijra studime të ndryshme dhe janë realizuar edhe filma,por siç thamë edhe më lart,”Kvo Vadisi”ka mbetur realizimi më origjinal që e kemi shikuar ndonjëherë në artin e shtatë dhe Piter Justinovi na dukej se ishte Neroni i vërtetë  nga i cili ishte e irituar mbarë bota paqëdashëse dhe njerëzore.Sundimi i tij barbar shtrihej në horiizonte të ndryshme dhe të gjithë njerëzit që e adhuronin dikur ,fillojnë ta shikojnë me armiqësitë madhe, në mesin e të cilëve ishte edhe historiani i njohur-Taciti që e sheh të vërtetën si diçka shumë të hidhur për Romën e ardhshme e cila kishte një fat aq të kobshëm me një njeri të tillë siç ishte Neroni.Në fund ai e vret edhe Tacitin për t`i shpënë në vend të gjitha orekset e veta patologjike.Filmi “Kvo Vadis”është një reprodukim i gjallë i një periudhe të caktuar historike në të cilën defilojnë edhe heronj pozitiv dhe njerëz që mendojnë vetëm për të mirën njerëzore, në mesin e të cilëve është edhe personazhi të cilin e luan aktori fenomenal, Robert Tejllor.,i cili përpiqet në çdo mënyrë që ta mposhte diktatorin dhe sundimin e tij të egër me të cilin ishin ngopur të gjithë.Robert Tejllor u printe forcave progresive  të cilat donin që Roma të shpëtonte nga një  barbar i tillë i pakompromis,i sëmurë dhe pa asnjë perspektive për njerëzit që donin jetë të qetë dhe liri qytetare.Edhe vetë orientimi i gjakpirësit të popullit,familjes së tij dhe i vetëvetes ,ishte i titulluar me të drejtë”K vo  V a d i s”/Kah po shkon?/,një pyetje e qëlluar dhe pa përgjigje të qartë të cilën më në fund e jep vetë populli i çliruar nga diktatori i pashpirtë.Perandori i cili e kishte humbur arsyen njerëzore,duke kaluar në delirium total, nuk  dinte më asgje se çka bënte, por vetëm kënaqej me djegien e Romës dhe vrasjen e më të afërmve të vetë, ku bënte pjesë edhe këshilltari i tij/Taciti/.Çdo veprim i tij shkatërrimtar ishte akt barbar edhe ndaj figurave intelektuale të kohës të cilat i duheshin Romës, sepse zhvillimi i saj varej edhe nga elita romake.Neroni buzëqeshte në mënyrë idiotike dhe cinike kur i vriste njerëzit, duke u ushqyer me gjakun e tyre, por edhe duke mbetur edhe i habitur me qëndrimin e tyre burrëror. Neroni bëhej edhe më i trishtuar shpirtërisht kur e kuptonte se ata nuk i luteshin dhe nuk kërkonin prej tij mëshirë, por shkonin në botën e përtejme me një bindje dhe besim të plotë në diçka jashtëtokësore.