Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Musa Ahmeti: Letra e papa Palit VI për shqiptarët

| E diele, 27.06.2010, 09:57 PM |


Letra e papa Palit VI për shqiptarët

 

Pergaditi: Dr. Musa Ahmeti, Milosao

 

Letra e Papës Palit VI

 

Bijvet t’anë të dashun

Zotnijve të tyne Kardinala

Massimiliano de Fürstenberg

Prefekt i Kongregacjonit

të Shèjtë për Kishat Lindore

dhe

Gregorio Pietro Agagianian

Prefekt i Kongregacjonit

të Shèjtë për Evangjelizimin e popujvet

 

Bij t’Anë të dashun,

shëndet e bekim apostullik

 

Me të kënaqun zêmre po u a sjellim fjalën Tanë Kryeparvet të dy Dikasterevet fetare nga të cilat mvaren Katholikët Shqiptarë e Arbëreshë, në rasën e Pesqindvjetorit të fatosit të tyne Gjergj Kastriotit Skanderbeg.

Skanderbegu âsht pinjolli famëmadh i njâj treve qi pat fatin të përfshihet ndër sajime apostullike të Shën Palit e ndoshta nga dora e tij muer të parën farë t’Ungjillit; pa ajo paraqitet nga historija porsi Kishë me hierarhí nga fillimi i shekuli IV.

Hierarhija shêjte e saj, ritit qoftë linduer qoftë prendimuer, mvarej nga patriarkata e Romës, e gjatë vargut të Konqilevet të mëdhaja Ekumenike, në bashkim me Selinë Romake, qe mbështetja e përhershme e orthodoksisë.

Nonse mâ vonë Ikonoklastët deshtën ta këpusin nga jurisdikcjoni patriarkuer i Romës, dhe u ternuen në tokë të saj fise barbare jo kristjane, Shqipnija prap se prap e mbajti fenë e vet të shëndoshë, dhe synimin e shpirtin të ngulun tek Roma. Dhe kësaj Selije Apostullike i u suell ndër çaste të rrezikshme, tue gjetun herë mbas here përkrahje shpirtnore dhe materiale.

I XV Qindvjet qe për kombin Shqiptar një nga përjudhat mâ të travajume, e njiherit edhe nga mâ të lavdíshmet të hisotrisë së tij, për luftat e pandâme që i u desht të përballojë kudrejt kërcnimit t’ushtrivet osmane pushtuese, të cilat, mbasi patën shtîm në dorë kryeqytetin e Perandorisë Byzantine, i mateshin drejt për së drejti Perëndimit. Qindresa e Shqiptarvet, gjatë një të katërt qindvjeti, u deftue /f. 9/ sa kambëngulëse aq edhe ngadhënjyese, sidomos nepër trimní e mbas udhëheqjes së kryeprisit të tyne Gjergj Kastriotit Skanderbeg, Pesëqindvjetori i Vdekjes së cilit përkujtohet po në këtë ditë 17 kallënduer 1968.

Me të madhin gëzim muerëm vesht se gjith sa janë gjakut shqiptar, si në Shqipní ashtu përjashta, pregatiteshin për kremtim të lulëzueshëm të këtij qindvjetori me nderim mâ të thellë se kurr ndaj fatosin e tyne kombëtar të madh e të paharrueshëm. Edhe kjo Selí Apostullike me gjithë zêmër po bashkohet në përkujtim të fytyrës bujare të Gjergj Kastritotit, birit besnik të Kishës, të cilin Parardhësit Tanë e mbuluen me kaq e të tilla lavde sa ndoshta kurrnjânit ndër fatosa t’asaj kohe nuk i drejtuen. E njimend ai gjatë njizetepesë vjetve dijti ta mprojë nga pushtimi atdhenë e vet, tue sigurue me at mproje një nga sektorët mâ të rreikshm të ballit mprojtës të Krishtënimit. Përandaj Parardhësi i Ynë Kalisti III përherë i nderueshëm, tue marrë para sýsh besnikinë ndaj Fenë e ndaj Selinë Apostullike, me të cilën Kryetrimi i madh siellte ushtarët e vet në luftim, mujte shkurt ta pikëzonte tue pohue se Ai “përmbi të gjithë princat katholikë pat meritime të nalta ndaj Fenë e besimin e krishtenë”[ Liber Brevium Callisti III, nr. 298 foglio 122].

Një mbas një, përandej, Papët që zunë këtë Selí në atë përjudhë të gjatë të luftës së tij të pandáme, s’ia kursyen ndihmën e tyne kohë mbas kohe e me dobí, madjè i dhanë mbështetje edhe përtej mase së mundësivet të veta.

Mbas vdekjes së fatosit, e mbas pushtimit t’Adheut nga zotnuesa të huej, shum Shqiptarë pëlqyen mâ mirë mërgimin me gjithë farëfis, sidomos pse në Vendlindje mâ nuk mujshin të gëzojnë lirinë e Fesë ballëhaptas. Disa kaluen në Greqí, ndërsa tjerë, me shumicë, erdhën n’Italí, veçanërisht në Kalabrí e në Siqilí, valë mbas vale, tue gjetun pritje miqësore n’ato vende bujare. Për ta s’la pa u kujdesuem me gjithë zêmër kjo Selí Apostullike, me veprim të vazhduem e të përkujdesëshëm, si e ipte koha, derisa tash vonë për ta ngrejti tri qendra juridike në vete, Lungro dhe Horën e Arbëreshëvet me ipeshkví, dhe Monastirin stavropegjik të Grottaferratës me Arhimandrit, posë Seminarit Papënuer arbëresh “Benedikti XV.”

Me admirim po shofim se këto Komunitete arbëreshe tash 400 vjet e mâ tepër ruejnë, posë gjuhës e traditavet, një kujtim të gjallë të të madhit Gjergj Kastriotit, nga bashkëluftëtarët e të cilit rrjedhin, e trimnitë e të cilit përjetësojnë ndër tregime e kangë popullore. Dhe bashkë me kujtimin ruejnë edhe Fenë e Tij, baras me përkushtinë ndaj këtë Selí Apostullike, për shërbim të cilës ata dhuruen njerëz të përmendun për dije e vërtyt, si, me të kënaqun po e kujtojmë, ndër ata që hypën mbi Kathedrën e Shën Pjetrit, Parardhësin Tanë Klementin XI, Albani, i cili mburrej për rrjedhën e tij të moçme shqiptare. Ata mandej që e ruejtën dhe ritin linduer, e bânë tue i u përshtatun njâj sajimi të dijshëm të Provanisë Hyjnore, që të përbâjshin një dëshmí të pandërpréme të katholicitetit të Kishës dhe, tue qindrue mes popullsísh latine, të bâjshin të njoftuna e të adhurueshme rite e tradita /f. 10/ të ndryshme më të cila stoliset e njâjta dhe e vetmja Kishë e Krishtit. Dhe Na, tue e mbështetun shpresën Tanë në të përtrîmet e tyne simbas Konqilit Ekumenik Vatikan, po shprehim urimet mâ të mirat që ata mund të gjêjnë rrugë të ré për veprimtarinë shpirtnore që dikur zhvillojshin në Shqipní, e që ato Kishna vendëse riti linduer të dijnë të marrin një pjesë edhe mâ me randësi në atë shpirt e në atë vepër ekumenike që frymëzon e vên në lëvizje Krishtënimin.

Porse kujtimi i Papës, ndërsa nuk i harron të gjith ata Shqiptarët e shumtë të mërguem me shumicë nepër botë, u siellet sidomos komunitetevet katholike të mbetuna në tokë shqiptare edhe mbas pushtimit otoman e mbas humbjes së pamvarisë kombëtare. Sadoqi të rrethuem nga elemente tjera besimesh, tue pám vëllazën të shtërnguem nga nevoja e nga shpata të ndahen nga feja e të parvet, ata qindruen heroikisht në besë të Krishtit dhe të Selisë Apostullike. Dhe kjo, si mujti mâ mirë, i mbështeti dhe i ndihmoi nepër veprim të Propagandës e të Kongregacjonit Linduer, nepër zell të priftënvet shqiptarë e arbëreshë e të rregulltarvet, si Franciskanët, Basiljanët, Jeziutt dhe Lazaristat. Mbajti dhe përforcoi hierarhinë kishtare, ftoi e rriti ndër institute të veta klerikët e tyne dhe ngrehi për ta në Shkodër nji Kelogjë Papënore.

Të shumta janë meritimet e këtyne bijve Tanë fort të dashun shqiptarë e arbëreshë, qoftë në lamë të shpirtit qoftë në atë të letërsisë e të kombësisë, përpara e mbas fitimit të Pamvarsisë Kombëtare në 1912, dhe s’ka kush që nuk i njeh.

Në âsht se atyne u shprehim në mënyrë të veçantë dashuninë Tanë atënore, po e bâjmë pse i kemi veshtrue hap për hap në këto vjett e mbrame ndër vështërsít e ndër mundimet e tyne nga shkaku i kufizimevet të padrejta që i vêhen lirisë së tyne fetare e të salvimit të bajtun sidomos prej Barijvet të tyne.

Ta dijnë ata bijt Tanë zë dashun, të cilët u nënshtrohen cenimeve kaq të randa ndër pasuní mâ shêjte e mâ të paprekëshme qi i përkasin njeriut, se zêmra e Papës âsht me ta dhe për ta i lutet Zotit të gjithfuqishëm dhe zêmërdhimbëshëm, që t’i ngushëllojë e t’i trimërojë.

Kujtimi i Ynë u siellet edhe, me të dashun, të gjith Shqiptarvet jo katholikë, Orthodoksë e Myslimanë, mirë tue dijtun se të gjith të bashkuem ndër kujtime të traditavet hisotrike e lavdiplote t’atdheut, gjithmonë kanë këqyrë kah Selija Shêjte si kah mprojtsja e Kombit të tyne, dhe veçanërisht kanë tregue mirënjohje për përkrahjet e saj në kohë kritike të Pamvarsisë qyshë prej 1912 e tektej.

Me sigurí përtrîme po i thërrasim sot ndërhymjes amnore të Zojës së Këshillit të Mirë, e cila ç’prej kohës së vdekjes së Skanderbegut nderohet në Gjenacan, dhe njifet nga Shqiptarët porsi Zoja e Shkodrës.

Ndër kambët e Saja Na duem të bijmë ndër gjûj bashkë me Jue, të dashtun Bij t’Anë, tue e shkrî me zâne të katholikve shqiptarë zânin t’Onë lutës për të kërkue qi zêmrat e të gjithvet të zbuten e të hapen për të pranuem këshillet e Perendisë, dhe që e ardhëshmja e Kombit Shqiptar bujar të jetë e dênjë për të kaluemen e tij të lavdíshme e për atë misjon që Zoti në këtë shekull i ka shênjuem. /f. 11/.

Me kët urim Ju apim përzêmërsisht, Bij t’Anë të gjith Ipeshkvîjvet, Meshtarë e besnikë shqiptarë, n’atdhé e jashta atdheut, si peng të dashamirsís së veçantë t’Onë, Bekimin Apostullik.

Romë, pranë Shën Pjetrit, 17 kallënduer 1968, në të pestin Vjet të Pontifikatit t’Onë. /f. 12/.

 

Komenti nga Hilushi (Ernest Koliqi):

 

Kjo letër e thekëshme e Shêjtit At Pauli VI jemi të sigurtë se ka m’u pritë me mirnjohje së thellë nga çdo zêmër shqiptare pa kurrnji dallim besimi ase ideje. Në tê kumbon e lartë lavdija e Prîsit të Madh t’onë dh’e popullit qi Ai udhëhoq në nji varg të shkelqyeshëm fitoresh. Dridhet nëpër rrjeshta të saj nji kujdes i veçantë për Atdhén t’onë dhe nji dishir urimtar ditësh mâ ftabardha për në t’ardhëmën. Ai Shêjtë na porositë mos me dyshue në fatet e kombit e, për me na bindë, përmendë kalesën e lavdíshme, meritat qi fiturn Shqiptarët tue mprojtë në XV qindjvet qytetnimin europjan. Përkujton me shprehje të larta çmimi Fatosin Komtar t’onë e na nxitë me ndjekë gjurmat e tija sidomos në flakim të ndiesíve vëllaznore.

Çdo fjalë e Papës zgjon jehonë të gjânë botnore. Me letër të Tij të 17 kallëndorit 1968, Pauli VI tërhoq vërejten e botës mbarë mbi meritat e motëshme të popullit shqiptar dhe mbi mjerimin e gjendjes së tij të sotshëme.

Pak janë ata të huej qi na përfillin, dikush na urren, shumica harron se ka nji komb shqiptar. Kemi nevojë për kuptim e mbështetje sepse shumparagjikime ushqejnë përgjithësisht të huejët mbi né dhe çashtjet t’ona. Prandej fjala lartushtuese e Papës së Romës, në rasën e Pesëqindvjetorit të Vdekjes së Gjergj Kastriotit Skanderbeg, tue i a kujtue botës qênjen t’onë dhe vuejtjet e padrejta qi na kanë mbulue, i sjell nji shërbim të pashoq Shqipnís e Shqiptarvet.

Me përkushtí mirnjohse i shprehim Shêjtnís tët Ti Paulit VI falnderimin tonë e të shumicës së Shqiptarvet qi mendojnë e ndiejnë si na por gjinden në pamundësí, për rrethâna të dijtuna, me shfaqë lirisht mendimin edhe ndienjat e veta.

 

Shêjzat [Le Pleiadi]. Romë, /Kallënduer-Mars/, 1968, viti XII, nr. 1-3, f. 9-12.