| E diele, 27.06.2010, 09:58 PM |
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
III. RRETH EMRAVE TË PËRVEÇËM TË NJERËZVE
NË SHQIPEN E SOTME
Si emra personalë (antroponime) këtu do të konsiderohen edhe mbiemrat a llagapet që bartin personat e caktuar, sepse, është e vërtetë se me mbiemrin (patronimin) përkatës realisht në kontekste të caktuara zyrtare normalisht, madje shumë më tepër se me emrin e pagëzuar, po përfaqësohet, më drejt, po identifikohet vetë personi i caktuar.
Për trajtimin e këtij materiali kemi shfrytëzuar këto tri burime:
së pari, shembujt e regjistruar në paragrafët përkatës të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973) si dhe emrat e mbiemrat e nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipes;
së dyti, kemi konsultuar emrat e përveçëm të regjistruar në doracakun Fjalor me emra njerëzish (grup autorësh nën redaktimin e A. Kostallarit), Tiranë 1982, të publikuar në www.shqiperia.com, ose www. emra shqiptarësh.com. dhe
së treti, gjithashtu, kemi konsultuar, përgjithësisht disa nga emrat oficielë antroponimikë nga Fjalori enciklopedik shqiptar (1985) e në burime të tjera,.
A) Shembuj antroponimesh nga DGjSh (1973)
1. Nga paragrafët përkatës:
a. Gjinia femërore:
Afërdita, Aurora, Elizabeta, Helena, Nausika, Teuta, Violeta; Diana, Eva, Mitra, Shiva, e ndonjë tjetër.
Të vihet re se shembujt e tillë i ndeshim vetëm në trajtën e shquar dhe asnjë në të pashquarën:
b. Gjinia mashkullore
a) Nga shembujt që i ndeshim në të dyja trajtat e shquarsisë volëm:
Apolon-i, August-i, Euklid-i, Pleurat-i; Glauk-u.
b) Vetëm në trajtën e shquar: ku nënkuptohet e rindërtuar trajta e pashquar pa nyjë-mbaresën e shquarsisë: -i. ose -u:
Akili, Aligeri, Cezari, Hipokrati, Karonti, Molieri, Horaci, Oktaviani, Aristarku, Herakliu, Tezeu; pastaj: Ademi, Hermani, Krishti, Muhameti, Polifemi, Al Kashgari, Mojsiu etj.
Rasti Mecena del i diskutueshëm.
c) Vetëm në trajtën e pashquar, por nënkuptohet, se mund të rindërtohet edhe trajta e shquar me nyjë-mbaresën -i,: volëm këta shembuj:
Gogol, Eugen, Bop, Jeronim, Kleanth, Tomas, Mladenov, Shekspir, Shiler, Vladimir, Volter etj.
ç) Shembujt e mëposhtëm mund të konsiderohen si emra pa shquarsi ose me shquarsi të shtangët, ngase nga shembujt e tillë, pothuajse, nuk nënkuptohet trajta tjetër (e pashquar).
Sergei, Tolstoi, Ptolemeu, Telemau Majakovski(j), Gorki(j) e ndonjë tjetër.
Këta dy të fundit që në origjinal (në transkriptim) I-në e kanë të sforcuar me një -J, sipas Xh. Lloshit, në shqipe normativisht mjafton të shënohen me një -i, por shqiptohen me -I të theksuar.
Të gjithë shembujt e mësipërm do të kihen në konsideratë në analizën përmbyllëse, pasi t’i trajtojmë edhe shembujt nga vatra tjetër e burimit në fjalë.
2. Nga Regjistri i nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të
Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972)
Rezolutën e Kongresit e kanë nënshkruar 87 delegatë, prej tyre 8 femra dhe 79 meshkuj, andaj po i trajtojmë me radhë, së pari emrat femërorë e pastaj ata mashkullorë, duke i grupuar sipas tipave, përkatësisht mbështetur në fundoret e temave ose u veprua sipas nyjë-mbaresave përkatëse që marrin në trajtën e shquar si emra vetjakë, ashtu edhe në mbiemrat (llagapet) e tyre.
1) Emrat e gjinisë femërore
Në listën e nënshkruesve ndeshim këta emra (d.m.th. emra e mbiemra) të gjinisë femërore, por që mbiemrat po i shënojmë mes kllapash:
Drita (Garuci), Elsa (Vakëflliu), Lumnie (Shehetila), Nikoleta (Cikuli), Sofika (Adhami), Sofika (Morska), Zana (Daci) dhe Zhaneta (Nova).
Siç po shihet përveç emrit Lumnie që sipas rregullit shquhet me -JA Lumnija (për shkak të -E-së fundore(?), por kjo -E fundore, në të vërtetë, do të jetë çështje e diskutueshme, sipas nesh, për arsyet që do të paraqiten më poshtë, të gjithë shembujt e tjerë janë shënuar në trajtën e shquar dhe për të gjitha rastet sipas rregullit nënkuptohet trajta e pashquar me -Ë fundore. Si p.sh: Dritë-a, Elsë-a, Sofikë-a, e kështu me radhë.
Në raste kur emri për arsye antonomazie e arsye të tjera del i nevojshëm me u përdorë në numrin shumës, atëherë shfrytëzojmë mënyrën e shumësit të emrave të përgjithshëm me fundoret përkatëse, p.sh. (disa) Drita Dritat, Elsa-t, Morska-t, Zhaneta-t, Zana-t etj., ndërsa për rastin me -E fundore del çështja e diskutueshme, (disa) Lumnije Lumnije-t – ose Lumnie Lumniet apo ndonjë version tjetër?
Gjithashtu, kur mbiemri (llagapi a patronimi) përdoret në vend të emrit dhe duam ta tregojmë gjininë femërore natyrore në njëjës e në shumës të personit përkatës a persones përkatëse, përsëri veprojmë sipas metodës të sapopërdorur. Tek emrat patronimë që mbarojnë më -A, nënkuptohet se trajtën e pashquar e bëjnë me –Ë fundore, atëherë shumësi i shquar i tyre merr mbaresën -A pra Shehetilë-a Shehetila-t ose Morskë-a Morska-t (dy Morskat) apo Novë-a Nova-t. Ashtu veprohet edhe me shembujt e shënuar brenda pragrafësh të DGJSH: Mikenë Mikena Mikenat, Laurë Laura Laurat etj.. Madje, po kështu veprohet edhe me mbiemrat (patronimët) mashkullorë që mbarojnëë me -I ose -U fundore, të cilët lirisht mund të femërorëzohen, duke e marrë fundoren -E në vend të -I-së ose -U-së, p.sh. është Garuci, vetvetiu femërorëzohet: Garuce Garucja Garucet, si shqiptimi Eube Eub-ja Eube-t, Niobe Niobja Niobe-t ose varësisht nga shqiptimi i –E-së fundore Garuce Garuceja Garuce-të e kështu me radhë. Ndërsa shembulli Lumnie Lumnija Lumnije/t del i diskutueshëm ashtu si edhe Vakëfllije, raste këto që si dukuri më në hollësi do të trajtohen në kreun V të këtij punimi. Pra, këtu është fjala për patronimin që përdoret i femërorëzuar në vend të emrit personal të gjinisë femërore natyrore.
Pra, kuptohet se zhvillim të njëjtë si Mikena, Laura, Morska, Elsa, Drita e kanë edhe shembujt e përdorur brenda paragrafëve të burimit në fjalë (nën 1)1), tipi: Afërdita, Afërditat, Aurora Aurorat etj.
2) Emrat e gjinisë mashkullore
Emrat e gjinisë mashkullore pasi dalin me fundore të ndryshme si te emrat ashtu edhe te mbiemrat (patronimët), lidhur me shquarsinë dhe shumësin paraqiten paksa edhe më të ndërlikuar se rastet që pamë tek emrat e gjinisë femërorë, megjithatë edhe këta janë të zbërthyeshëm:
Fillimisht po i trajtojmë emrat, sipas fundores përkatëse, ndonëse edhe këtu për respekt po i shënojmë në kllapa edhe mbiemrat dhe njëherazi në trajtim po i bashkangjesim edhe ata, duke u dhënë autonomi kuptimore të emrit personal:
a) Me -A fundore
Me -A fundore ndeshëm këta tre emra: Thoma (Deliana), Isa (Bajçinca) dhe Menella (Totoni), ndërsa si mbiemra (patronimë) me -A fundore që në të vërtetë përdoren edhe si emra identifikues për personin përkatës, nga regjistri dalin këta shembuj:
Deliana, Buda, Dodbiba, Abdihoxha, Franja, Samara, Podgorica, Gjata, Leka, Bajçinca, Bajra, Doda, Xoxa, Ashta, Trepça, Bellovoda, Janura, Fusha, Parnaska, Hoxha.
Tek rastet e tilla dalin probleme të hapura që lypsen sqaruar.
Së pari, nëse konsiderohen si trajta të shquara atëherë vetëkuptohet se emrat e tillë marrin -Ë në trajtën e pashquar, si p.sh.: T(h)omë T(h)oma,, Isë Isa, Menellë Menella.
Së dyti, nëse konsiderohen të regjistruar në trajtën e pashquar, atëherë si emra mashkullorë që janë, do të merrnin, sipas rregullit, nyjë-mbaresën -i Thomai, Isai, Menellai ose siç i ndeshim në raste të caktuara nga tradita marrin mbaresën -ja Thomaja! Isaja (Isaia në Drejtshkrim) Menellaja(!).
Së treti, madje edhe sa i përket shumësit, varësisht nga trajta e pashquar dhe theksimi i tyre, marrin mbaresat përkatëse sipas versionit përkatës: versioni i parë: Thoma-t, Isa-t, Menella-t, versioni i dytë: Thomatë!, Isatë! Menellatë!, por del konkurrent edhe versioni i tretë me Ë/T Thomët, Isët, Menellët, i cili për mendimin tonë edhe më mirë qëndron në konkurrencë se dy versionet e para, prandaj propozojmë që kjo trajtë me -Ë/T të kodohet si forma më e drejtë e shumësit të emrave të tillë të gjinisë mashkullore natyrore.
Së katërti, edhe për mbiemrat (emrat patronimë), vlen i njëjti kriter- veprimi, përkatësisht, të fuqizohet i njëjti proces si regull, siç u cek më sipër. Në të vërtetë, të gjithë emrat e tillë me -A kërkojnë që trajtën e pashquar ta bëjnë me -Ë fundore Delianë, Budë etj dhe shumësin po aq e më natyrshëm do ta bëjnë si shembujt e mëparshëm me nyjë-mbaresën -Ë/T: Dodbibët, Hoxhët (sigurisht jo hoxhallarët as Hoxhajt, e kështu me radhë. Këtu nuk e ndamë emrin Samarë-a, po nëse insistohet në theksimin e -A së fundores Samara Samaraja ose Samara-i, shumësi mund bëhet sipas emrit në trajtën përfaqësuese të pranuar Samarat(ë) ose Samarajat(!), por për ne më natyrshëm do të dilte Samar-ët, ndërsa si emërtim i gjësendit konkret më me perspektivë e shohim trajtën samar-at, edhe pse në drejtshkrimin e sotëm emri në fjalë del i koduar me mbaresën -Ë: samar-i samarët.
b) Me -O fundore
Me -O fundore ndeshim këta shembuj: Dritëro (Agolli), Gaqo (Peci), Jorgo (Bulo), Koço (Bihiku), Niko (Tanini), Pashko (Geci), Petro (Janura), Spiro (Floqi), Sterjo (Spasse) dhe si emra patronimë, me fundoren -O: Dhrimo, Shapllo, Bulo, Dino, Alimerko, Reso, Sako.
Shquarsia e emrave të tillë më -O (hiq shembullin Dritëro i cili mund të ketë zhvillim a zbërthim tjetër, mbase Dritëroi si afendikoi, por shumësi mbase Dritërotë, efendikotë), sipas rregullit praktikohet të bëhet me -JA: Gaqoja (jo Gaqua!), Spiroja (jo Spirua), e kështu me radhë, ndërsa shumësi bëhet me -T, Gaqo-t, Spiro-t, e kështu me radhë.
Edhe mbiemrat (patronimët) kanë zhvillim a zbërthim si shembujt e mësipërm me -O fundore në trajtën e pashquar: Pra sikurse Jorgo Jorgoja Jorgo-t shkon edhe Bulo Buloja Bulo-t, e kështu me radhë.
Këtë karakteristikë kryesisht dialektore toske të patronimeve me –O fundore në trajtën e pashquar, në gegërishte e ndeshim me fundoren –I në trajtën e shquar si p.sh. Agim Bulo ndaj Gjergj Kastrioti siç e ka vërejtur studiuesja franceze Odile Daniell.
c) Me -Ë fundore
Me -Ë fundore dalin këta shembuj: Kolë (Koci) dhe Kolë (Ashta) dhe shembujt e tillë marrin nyjën shquese -A Kola, ndërsa shumësin këta emra mashkullorë e bëjnë me -ë/T Kolët. Në Emra shqiptarësh indeshim të shënuar vetëm dy shembuj: Ukë-a dhe Dedë-a, ndërsa në Emra malësorësh mbi 20 shembuj.
Grupit të emrave me -Ë fundore, si Kolë, Bibë, Simë, Kristë, Tomë, Gjekë, Gjokë etj. i takojnë edhe emrat e shkurtuar muslimanë, si Ramë-a, Beqë-a Rrustë-a, Malë etj., por, siç do të shohim më poshtë, që edhe këta shembuj shumësin më natyrshëm do ta bënin me nyjë-mbaresën -T Ramët, Rexhët. e kështu me radhë, sikurse shembujt: Kolë-t, Bibë-t Simë-t etj.
Asnjë mbiemër (llagap) nuk del në shqipe me -ë fundor, por kur përdoren në vend të emrit përdoren në trajtën e pashquar ose të shquar varësisht nga konteksti.
ç) Me -I fundore
Me -I fundore sipas regjistrit dalin këta emra: Androkli (Kostallari), Remzi (Nesimi), Ali (Abdihoxha), Ali (Dhrimo), Bahri (Beci), Bedri (Dedja), Remzi (Parnaska), Zihni (Sako), Jorgji (Gjinari), Dhori (Qiriazi), Jani (Thomaj), Jorgji (Çerepi), Nesti (Bellovoda), Ylli (Resuli).
Rreth shquarsisë ose përcaktimit të trajtës përfaqësuese emrat e këtij grupi nuk përputhen. Për shembull, të gjithë emrat me origjinë arabe: Ali, Remzi, Bahri, Bedri, Zihni, ashtu (mbase) edhe Androkli (edhe pse me origjinë greke) shquhen me nyjën -u, si Androkli-u, e Remzi-u, Ali Aliu etj., ndërsa shembujt Dhori. Jani, Jorgji, Nasti, madje edhe Ylli, konsiderohen se janë emra në trajtën e shquar, andaj mund të rindërtohet trajta e tyre e pashquar pa -I-në fundore Jan, Jorgj, Nast(!), Yll (Edhe te Emra shqiptarësh, del e rekomanduar trajta Yll). Sidoqoftë, edhe pse nuk po përdoren tash së voni aq masivisht, që të gjithë këta emra shumësin e bëjnë me nyjë-mbaresën -ËT Janët, Jorgjët, Nastët,Yllët (jo Yjet as Ylla-t as Yllajt)) Pra shumësi u del si emrave që në njëjësin e pashquar kanë bashkëtingëllore fundore, ndërsa ata me -I fundore të variantin tjetër shumësin e bëjnë me -i/TË si tipi: Androkli Androklitë, Ali Alitë, Remzi Remzitë, e kështu me radhë ose duke kaluar si ata të gjininë femërore -i-(j)AT Alijat(!), si shtëpia-t. që, siç dihet një praktikë e tillë (shumësi me IA-T ose -IJAT) del jo e lejueshme sipas drejtshkrimit të shqipes që nga vitet ’50-a. Sidoqoftë, për mendimin tonë kjo çështje mbetet e diskutueshme.
Sqarim: Pra nuk rekomandohet as trajta e shumësit me -IA/T as ajo me -AJ/T fundor, sepse prapashtesa -AJ del e specializuar në gjuhën tonë vetëm për emërtimin e patronimeve historike e aktuale, kryesisht familjare e jo për patronime individësh të caktuar, siç janë shembujt që po i trajtojmë këtu.
Kur është fjala te patronimët që mbarojnë me -I, si Domi, Ajeti etj., grup ky që përfshin aty 34 shembuj, drejshkrimisht nuk dalin çështje të diskutueshme, ngase siç dihet, trajtën e pashquar e bëjnë me konsonante pa I-në fundore, ndërsa shumësin me -Ë/t Dom Domi Dom-ët, (jo Domajt), Idriz Idrizi Idriz-ët (jo Idrizajt), e kështu me radhë, për asyet që u cekën më sipër.
Zhvillim a zbërthim të njëjtë kanë edhe shembujt e regjistruar brenda paragrafësh në DGJSH, tipi Akili, Aligeri, Horaci, Oktaviani, Muhameti, Mehmeti, Al Kazhgari etj. etj. pra, Akil-i Akilët, e kështu me radhë.
d) Me konsonant fundor
Me konsonant fundor ndeshim këta emra:
Mahir (Domi), Eqrem (Çabej), Idriz (Ajeti), Dhimitër (Shuteriqi), Aleks (Buda), Rexhep (Qosja), Shaban (Demiraj), Lirak (Dodbiba), Anastas (Dodi), Emil (Lafe), Jup (Kastrati), Engjëll (Angoni), Luigj (Franja), Josif (Ferrari), Ahmet (Këlmendi), Ahmet (Limani), Ajet (Bytyçi), Bajram (Hajrullaj), Besim (Bokshi), Dalan (Shapllo), Dhimitër (Samara), Fadil (Podgorica), Fatmir (Agalliu), Fatmir (Gjata), Ferdinant (Leka), Hasan (Sazani), Hanrik (Lacaj), Hysen (Qosja), Ismail (Bajra), Ismail (Doda), Ismail (Kadare), Jakov (Xoxa), Kristaq (Shtëmbari), Lazgush (Poradeci), Luan (Dino), Llazar (Siliqi), Mehmet (Çeliku), Merkur (Alimerko), Mikel (Zavalani), Mufit (Trepça), Munir (Reso), Naim (Bardhi), Osman (Myderrizi), Pjetër (Fusha), Qemal (Haxhihasani), Sefedin (Sulejmani), Stefan (Prifti), Shefqet (Hoxha), Shevqet (Musaraj), Tomor (Osmani) e Xhevat (Lloshi) - gjithsej 51 shembuj.
Siç dihet të gjithë këta emra në njëjësin e shquar marrin nyjë-mbaresën -i: Mahiri, Eqeremi ... dhe shumësit i bëjnë normalisht me nyjë-mbaresën përkatëse mashkullore -Ë/T: Mahirët, Eqeremët e kështu me radhë.
Asnjë emër në funksion mbiemri (patronimi) nuk del në trajtën e pashquar, siç e pamë edhe nga shembujt në pikën e mësipërme, andaj edhe patronimi i përdorur si emër vetjak del vetëm në trajtën e shquar.
dh) Me fundoren -JA
Me fundoren -JA dalin këta mbiemra (patronimë) që në kontekste të caktuara përdoren edhe si emra: Qosja1, Dedja, Qosja2.
Shembujt e tillë me -JA fundore kanë zhvillim si emrat femërorë të përgjithshëm lule, lulja lulet ose si emra të përveçëm të njeriut të gjinisë femërore: Lule Lulja, Lulet, andaj trajta e pashquar e tyre si dhe shumësi marrin fundoren -E: Qose Qosja, Qoset, Dede Dedja Dedet. P.sh: Aty ishin të pranishëm dy Qose. Po shtojmë edhe këtë se prof. A Kostallari ndër emra që duhen ndërruar ngase kanë natyrë përçmuese përmend edhe mbiemrin Qosja.
Për mendimin tonë shumësi i emrave të tillë të gjinisë mashkullore të tipit Qose Dede më natyrshëm do të dilte nëse marrin mbaresën -ËT, sidomos Qosët (krahaso edhe qos qosi qosët si emër i përgjithshëm).
e) Me fundoren -U
Me fundoren -U ndeshëm këta dy shembuj si mbiemra (patronimë):
Bihiku, Çeliku,
por me nyjë-mbaresën -u. i ndeshëm edhe shembujt (emra e mbiemra) brenda paragrafësh të DGJSH, si:
Aristarku, Glauku, Temelaku, Teodoriku, madje edhe ata që në njëjësin e pashquar kanë -I ose -E në temë, si p.sh Herakli Herakliu, Mojsi Mojsiu, Ptoleme Ptolemeu, pastaj Odise-u, Promete-u, Teze-u etj.
Së këtejmi në shqipe ndeshim shembuj të tipit Atdhe Atdheu, e sidomos Lumni Lumniu, po më tepër me prejardhje orientale (arabe e turke), si p.sh. Nuri Nuriu, Remzi Remziu etj.
Edhe shembujt e tillë trajtën e pashquar e bëjnë pa U- në e shquarsisë dhe shumësin e bëjnë me mbaresën Ë ose zero: Bihik-ët, Glauk-ët etj., ndërsa ata me zanore pa -U fundore shumësin e bëjnë ndryshe (me mbaresën zero), si Mojsi-të Ptoleme-të, e kështu me radhë.
.
ë) Me fundoret -AJ, -EJ ose zanoren -E
Me fundoret: -Aj, -Ej ose zanoren E, sipas regjistrit në fjalë, ndeshëm vetëm këta mbiemra (llagape) në gjininë mashkullore si:
Demiraj, Hajrullaj, Lacaj, Thomaj, Musaraj; Çabej; Lafe, Kadare, Spasse.
Kështu shembujt me -AJ dhe -EJ fundor kam pasë lexuar se mund të të quhen shembuj pa shquarsi, madje edhe njëjësin edhe shumësin e bëjnë me mbaresë zero një Demiraj shumë Demiraj, kurse në shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën -T: Demirajt, Musarajt, Çabejt. Të dy Demirajt janë shkencëtarë, Të gjithë Çabejt nuk janë gjuhëtarë, e kështu me radhë. Këta emra patronimë mund të thuhet se bëjnë pjesë në të njëjtin tip (grup) me shembujt e regjistruar në DGJSH, tipi, Gorki, Sergei, Tolstoi etj.; ose Ferizaj, Jenisej, Tashai etj.
Ndërsa emrat patronimë të tipit Lafe, Kadare, Spasse e të tjerë të kësaj natyre, mbesin të diskutueshëm, ndonëse edhe këta priren të kalojnë te grupi i shembujve me -J ose -I a U fundore, por në anën tjetër te këta ende nuk del e shuar prirja e shquarsisë me nyjën shquese -U ose -I a gjysmë I si Lafe Lafeu a Lafe-i; Kadare Kadareu ose Kadare-i, por shumësi u del, për mendimin tonë rregullisht me -TË fundore: Lafe- të, Kadare-të. Kështu mbizotëron zgjidhja më natyrshëm sipas disa gjuhëtarëve, ndërsa, në të vërtetë, jo rrallë i ndeshim me shquarsi si femërorët: Lafe Lafja Lafet ose Kadarea si Andrea (ndikim grek) e kështu disi.
Mund të përmbyllim se secili nga tetë grupet e mësipërme kishte ndonjë veçori dalluese që çështjen, qoftë sa i përket shquarsisë, qoftë të formimit të shumësit e bënte të diskutueshme, andaj këto veçori duhet t’i kenë parasysh standardologët tanë para se ta jaspin mendimin e tyre të prerë.
B) Disa të dhëna dhe konstatime nga burimi
“Emra shqiptarësh”
Në vitin 1982 në Tiranë është botuar doracaku Fjalor me emra njerëzish (përgatitur nga A. Kostallari, M. Domi, P. Daka dhe S. Mansaku), d.m.th. një emëror (regjistër) me emra të përveçëm të gjuhës shqipe, qoftë me prejardhje ilire, qoftë me emra të vjetër e të rinj shqiptarësh po me fjalë-tema autentike në bazë të gjuhës shqipe, burim ky të cilin ne e shfrytëzuam të ribotuar sipas internetit në adresën www.shqiperia.com. Meqenëse të gjithë shembujt e regjistruar aty cilësohen të drejtë, ne përgjithësisht lëndën e këtij doracaku e kemi marrë si burim serioz, të dorës së parë, të cilën domosdo jo vetëm do ta konsultojmë e shfrytëzojmë në punimin tonë, por edhe do t’i plasojmë të përpunuara disa të dhëna e vërejtje nga ai material, fakte këto që i konsiderojmë të rëndësishme. Në të vërtetë, trajtimi ynë përfshin këto katër pika:
së pari, paraqitim tabelën e numrit të emrave sipas shkronjave të alfabetit të shoqëruar me disa konstatime rasti;
së dyti, vëmë në pah, nga ky burim disa fjalë-tema prodhuese më të dallueshme të emrave përkatës;
së treti, spikasim fundoret më të përdorshme konkrete në raport me problemet e shquarsisë dhe
së katërti, japim disa vëzhgime tona lidhur me lëshimet që vërehen në tekstin në shqyrtim.
1. Tabela e numrit të emrave shqiptarësh sipas alfabetit
me disa konstatime rasti
Që në fillim po paraqitim tabelën e numrit të emrave sipas shkronjave që ndeshen në www.shqiperia.com (emra shqiptarësh):
__________________________________________________________
Shkronja Numnri i emrave të regjistruar Më shumë
M F Gjithsej M F
A 75 92 167 - 17
B 153 191 344 - 38
C 16 10 26 6 -
Ç 14 15 29 - 1
D 104 115 219 - 11
Dh 5 7 12 - 2
E 45 55 100 - 10
Ë - 1 1 - 1
F 33 36 69 - 3
G 37 44 81 - 7
Gj 13 10 23 3 -
H 6 20 26 - 14
I 6 5 11 1 -
J 24 38 62 - 14
K 38 52 90 - 14
L 97 125 222 - 28
Ll 2 2 4 - -
M 85 109 194 - 24
N 27 38 65 - 11
Nj 2 2 4 - -
O 8 12 20 - 4
P 62 68 130 - 6
Q 5 11 16 - 6
R 9 16 25 - 7
Rr 15 17 32 - 2
S 47 45 92 2 -
Sh 32 40 72 - 8
T 39 37 76 2 -
Th 5 8 13 - 3
U 23 12 35 11 -
V 66 89 155 - 23
X 3 6 9 - 3
Xh - - - - -
Z 21 31 52 - 10
Zh - - - - -
----------------------------------------------------------------
Gjithsej: 1117 1359 2476 25 267
Lidhur me të dhënat e mësipërme, po japim fillimisht disa konstatime rasti, të përmbledhura në këto dy pika:
1. Siç po shihet aty janë shënuar 2476 emra, prej tyre në gjininë mashkullore 1117 dhe në atë femërore 1359. Në gjininë mashkullorë për nga numri prin shkronja B (153), vendin e dytë shkronja D (104), të tretin L (97), të katërtin M (85), të pestin A (75) dhe të gjashtin V (66) e kështu me radhë, ndërsa në gjininë femërore vendin e parë e zënë po ashtu emrat që fillojnë me shkronjën B (191), të dytin me L (125), të tretin me D (115), pastaj me M (109), me A (92) dhe me V (89) etj.
Sipas shkronjave sa i përket numrit të përgjithshem të dy gjinive (mashkullorë e femërorë) vendin e parë e zë shkronja B (344 shembuj), të dytin shkronja L (222), të tretin D (219), të katërtin M (194), të pestin A (167), të gjashtin V (155), e kështu me radhë
2. Në raportin ndërgjinisor, siç shihet nga tabela në rubrikën përkatëse për nga numri i përgjithshëm sipas shkronjave, prin gjinia femërore me gjithsej 267 shembuj ndaj gjinisë mashkullore me 25 shembuj. Nga kjo del se në tekstin në shqyrtim janë regjistruar 242 më shumë shembuj në gjininë femërore se në atë mashkullore.
Të dhënat e mësipërme me qëllim i vumë në pah fillimish, ngase do të na shërbejnë, jo vetëm sa për të ditur për kërshëri numrin përkatës nga materiali i trashëguar, por edhe të na shërbejë si parapërgatitje për analiza të mëtejshme rreth fjalë-temave më të përdorshme që prijnë në formimin e emrave të përveçëm në shqipen e sotme.
2. Rreth disa fjalë-temave më prodhimtare
të emrave në shqyrtim
Po fillojmë me të venët në pah të fjalë-temave më të dalluara motivuese, duke u nisur nga numri më i madh i shembujve sipas gjashtë shkronjave nistore të sipërcekura, por do të kalojmë edhe te disa shembuj karakteristikë që fillojnë edhe me shkronja të tjera.
Së pari, ndër fjalë-temat me B nistore që edhe sot motivojnë dallohen këto: bal-, ball-, bardh-, bar-, ben-, bes-, blet-, blin-, bler(im)-, bor-, bukur-, por nuk do të thotë se edhe me fjalë-tema të tjera nuk dalin shembuj atraktivë, të cilët spikasin si raste të veçanta. Në vijim po i shënojmë ndonjërën nga fjalë-temat përkatëse të shoqëruara me numrin e përgjithshëm edhe me ndonjë shembull konkret sa për ilustrim.
Vetëm me fjalë-temën bardh-, në të dyja gjinitë dalin 23 shembuj (si Bardhok, Bardhosh; Bardhesha, Bardhabora etj.), me bes- 22 shembuj (si Besart, Besfort; Besmira, Besiana etj.), me bor- 19 raste (si: Borak, Borbardh, Borim; Bora, Borushe, Borina etj), me bler- 19 shembuj (si Blert, Blerand, Blerim; Bleriana, Blerina, Blerta etj.), e kështu me radhë.
Së dyti, si fjalë-tema që fillojnë me L, të cilat ishin po edhe sot janë në përdorim e sipër, po dallojmë: lab-, lavd-, lind-, lir-, lis-, lul-, lum- e ndonjë tjetër. Me fjalë-temën lavd-, në të dyja gjinitë janë shënuar 10 shembuj (si Lavdimir, Lavdim; Lavdie, Lavdusha etj.), me lir- 26 shembuj (si Lirak, Liridon; Liridashe, Lirushe, Lirjeta etj.), me lis- 10 shembuj (si Lismal, Lisin; Lisa, Lisiana etj.), me lul- 40 raste (si Lulëzim, Lulbardh, Lulmal, Lulver; Luljeta, Lulmira, Lula, Lularta, Lulzjarre etj.), me lum-, 16 shembuj (si Lumbardh, Lu(m)mir; Lumjeta, Lumnije, Lumnesha etj.)
Së treti, nga shembujt me D dallojmë këto fjalë-tema motivuese më të përdorshme: dash-, dlir-, diell, di(je)-, dit-, dor-, drejt-, drin-, drit- etj. Vetëm me dash- dalin 11 raste (si Dashalir, Dashan; Dasha, Dashamira etj.), me dit- dalin 18 raste (si: Ditm(b)ar, Ditmir, Ditjon; Ditlume, Ditbardha, Ditvera etj.), me drit- 24.shembuj (si: Drit, Dritjon, Dritosh; Dritylle, Dritbardha, Dritoshe etj.).
Së katërti, me shkronjën M nistore dallojnë këto fjalë-tema më prodhuese: maj-, mal-, mbar-, ment-, mir-, mjalt-, moll-. Me fjalë-temën mal- dalin të regjistruar në të dyja gjinitë 21 emra të përveçëm të njerëzve (si p.sh.: Malart, Malton; Malbora, Maldrita, Maltina etj.), ndërsa me mir- 58 shembuj (si: Mirash, Mirjet, Mirush; Miradije, Mirbana, Mirdashe, Mirnije etj.).
Së pesti, me shkronjën A dalloheni më prodhimtare këto fjalë-tema: ag(im)-, arb-, ar-, asht-. Vetëm me fjalë-temën arb- në të dyja gjinitë dalin të regjistruar 15 shembuj (si: Arben, Arbor; Arbenore, Arberesha, Arbiana etj.), ndërsa me ar- 45 shembuj (si Ardit, Armir, Artan, Arzen; Arjeta, Arnisa, Arte etj.).
Së gjashti, me shkronjën V dallohen këto fjalë-tema: val-, ver-, vis-, vler-, vrull-. Me fjalë-temën val- dalin 19 raste (si Val, Valjet; Valdete, Valbardha etj.), me ver- dalin 18 shembuj (si p,sh: Verak, Verlind; Verina, Verjona, Veroshe etj.), ndërsa me vler- (vleft-) 12 raste (si b.f.: Vleran, Vlerush, Vleftar; Vlera, Vleroshe, Vlerësime etj. ).
Së shtati, po i japim edhe disa shembuj me shkronja të tjera nistore. (Shih shkronjën nistore te shembujt e mëposhtëm me fjalë-temën përkatëse) si p.sh. me:
er-, në të dyja gjinitë 42 raste (si p.sh: Erlul, Erblin, Erag, Erjon, Erëzake, Eragime, Erleta, Erkanda etj);
gaz-, 18 raste (si Gazmir, Gazllim, Gazjet; Gazlinda, Gazmenda, Gazmore etj.);
gur-, 13 shembuj (si Gur, Gurash, Gurnan; Gure Gurije, Guroshe, Gurtena etj.);
jet-, 29 emra (si: Jetgjat, Jetbardh, Jeton; Jeta, Jetare, Jetëmbël, Jetnore, Jetlume etj.);
nder-, 11 raste (si: Nderan, Ndermir; Nderbardha, Nderushe etj.);
ri-, 10 shembuj (si Rinor, Rinosh, Rinushe, Rinime etj.);
rrez-, 23 shembuj (si Rrezan, Rrezar, Rrezart; Rreze, Rrezedita, Rrezekuqe etj.),
sy-, 9 shembuj (si Syçel, Synar, Sytosh; Symira, Sytara etj);
urt-, 9 emra të përveçëm (si Urt, Urtash; Urtzane, Urti(j)e, etj.) dhe
yll-, 25 raste (si Ylldrit, Ylljet, Yllnor; Yllmira, Yllnesha, Yllballe etj.
Të vihet re se të gjitha fjalë-temat motivuese prodhuese të sipërcekura janë fjalë autoktone që përveç kuptimit të figurshëm përdoren edhe për fusha të tjera semantike.
Sigurisht të gjithë shembujt e tillë të regjistruar në emrorin në fjalë, zgjojnë interes, si ata që janë shënuar, qoftë me ose pa ndajshtesa, qoftë si shprehje të vetme që nënkuptohen nga konteksti, si edhe ata në formë kompozitash, dhe pothuajse të gjithë edhe sot janë të motivueshëm, ngase fjalë-gjymtyra me prejardhje vendëse del e kuptueshme edhe aktualisht.
3. Fundoret përkatëse dhe problemi i shquarsisë të emrave
në shqyrtim sipas gjinisë natyrore
S’do mend se problemi i shquarsisë së emrave të përveçëm të njerëzve në njëjës e shumës ndërlidhet me fundoret përkatëse, çështje kjo që u cek paksa në pikën e mëparshme nën A). Në të vërtetë, siç do të shohim mjaft fundore dalin në funksion prapashtese, por ne i quajtëm fundore, sepse theksimin a interesimin tonë e kemi të përqendruar në trajtat e shquarsisë.
Sidoqoftë, ne duke e ndjekur të njëjtën ecuri pune rreth përcaktimit të nyjë-mbaresës shquese në vijim të trajtimit, së pari, do t’i vëmë në pah fundoret e shembujve, qoftë në trajtën shquar, qoftë në atë të pashquar të gjinisë femërore dhe së dyti ato të gjinisë mashkullore.
a) Rreth fundoreve të shembujve të gjinisë femërore
Edhe në këtë burim njëjësi i emrave të gjinisë femërore paraqitet në dy trajta mbizotëruese: me -A fundore dhe me -E fundore. A-ja fundore në të vërtetë mund të quhet, ashtu siç është: nyjë-mbaresë normale e trajtës së shquar, ndërsa -E-, po ashtu mund të quhet trajtë normale e emrit femëror në trajtën e pashquar.
Pra, edhe në këtë burim emrat e përveçëm të gjinisë femërore paraqiten dy mënyrash si forma përfaqësuese: në trajtën e shquar që marrin -A fundore dhe në trajtën e pashquar ata që marrin zakonisht -E fundore, madje numri i tyre del relativisht i madh. Sipas numërimit që u bëmë shembujve, edhe pse saktësia mund të (ri)verifikohet, na doli se me -A fundore dilnin 680 shembuj, ndërsa me -E fundore 446 shembuj. Rastet në trajtën e pashquar me konsonant fundor si dhe me zanore fundore në këtë burim janë të rralla si Flutur, Jetëmbël, Penjëz, Parëz e ndonjë tjetër që normalisht shquhen me nyjë-mbareën -A, përkatësisht me -I ose -E fundore sipas rasteve, duke e bërë kështu që problemi i shquarsisë së tyre me dalë mjaft i koklavitur.
Edhe pse nuk ka rregull të prerë se kur një emër i përveçëm i gjinisë femërore përfundon me -A e kur me -E fundore, megjithatë, në bazë të materialit që konsultuam të kësaj fushe mund të konstatojmë se pothuajse shumica e emrave që në gjininë mashkullore kanë fundore prapashtesën -OSH femërorëzohen me -E fundore si Bardhosh Bardhoshe, Bukurosh Bukuroshe etj që në burim dalin të regjistruar afro 30 shembuj; me -ESH si Arbëresh (rast i vetëm) dalin pothuajse të gjithë femërorët me -A fundore (afro 20), tipi Bukuresha, Iliresha etj., ndërsa ata me -USH (mbi 50 raste), tipi Balush Balushe ose Blertush Blertusha dalin të përzier, por me shumë me -E fundore. Me -E fundore femërorëzohen edhe shembujt e gjinisë mashkullore me -IL e -ASH fundore si Bilbil Bilbile Marash Marashe (afro 10 raste), por edhe ata me -AK, -IK, -OK fundore që nuk janë në numër aq të madh, si: Adriatik Adriatike, Bardhok Bardhoke, Rrezak Rrezake, Verak Verake etj. Po kështu me -E fundore marrin pothuajase të gjithë emrat që në mashkullore dalim me -IM, rreth 80 shembuj, tipi Besim Besime, me AR (afro 40 raste), tipi Krenar Krenare, me -TAR, afro 20 shembuj, tipi Guximtar Guximtare. Megjithatë, në anën tjetër, shumica e rasteve me -ONJ fundore, tipi Shqiponja, ata me -IN (mbi 50 raste, me -ET (po ashtu mbi 50 raste dhe ato-OR -TOR, -NOR (afro 100 raste) marrin -A fundore. Kështu me shikue në tërësi si trajtë mbizotëruese dalin shembujt me -A fundore, ngase asnjëri prej tyre nuk shënohet me -Ë fundore, karakteristikë kjo e nënkuptueshme e trajtës së pashquar të emrave me nyjë-mbaresën -A.
Po ashtu në tekstin në shqyrtim nga emrat e shquar me -A dalin edhe rastet me -ËZ fundore që s’kanë trajta paralele në gjininë mashkullore si: Qetëza, Thanëza, Thëlleza, Yllëza, Shkabëza, Shigjetëza, Shenjëza, Shegëza etj. Po me -A shquhen edhe këta dy shembuj Panjëz e Parëz: që në këtë burim dalin të shënuar kështu në trajtën e pashquar, me konsonant fundor. Gjithashtu janë edhe disa shembuj të tjerë karakteristikë për gjininë femërore me -ONJË fundore që në tekst dalin të regjistruar vetëm në trajtën e shquar me -A. Ka edhe raste të tjera që ndonjëri prej tyre do të ceket gjatë analizës.
Sidoqoftë, nga tërë kjo sa u tha për këtë çështje merret vesh rreth zgjidhjes së kësaj problematike nuk ekziston ndonjë kriter i përcaktuar, andaj kjo dukuri mbetet si çështje e hapur për diskutim, të cilën duhet ta trajtojnë standardologët e autorizuar.
Sidoqoftë, pa marrë parasysh mungesën e kompetencës, me qëllim që të japim kontributin tonë, ne, kësaj dukurie, do t’i rikthekemi paksa në kreun e parafundit të kësaj pjese të punimit..
b) Rreth fundoreve të shembujve të gjinisë mashkullore
Tash po i përmendim disa karakeristika që dalin në kuadër të shembujve të gjinisë mashkullore.
1) Me -A fundore ose në trajtën e shquar del shembulli Asdrea si rast i vetmuar dhe i diskutueshëm i gjinisë i. mashkullore (me burim të huaj) me -EA fundore, sikurse rasti Adea i gjinisë femërore, ngase sa i përket shquarsisë si duket shembujt e tillë dalin në trajtën e ngurosur që ne po e quajmë trajtë pa shquarsi.
Me A fundore në tratjën e pashquar del edhe shembulli Milosa i cili shquhet MilosaU, por në raste të tjera e ndeshim edhe si Milosai e Milosao me -O fundore në trajtën e pashquar, ndërsa MilosaoJA në trajtën e shquar.
Ku e si do të rreshtohen emrat e tillë mbetet çështje e hapur. Këtë çështje e kemi cekur edhe më përpara për raste të ngjashme si tipi Lafe Lafeu, Kadare Kadareu(!), madje edhe Çabej Çabeu (si bej beu ). Këtu po e shtojmë edhe rastin Andrea ( Andre-u!).
Për mendimin tonë më natyrshëm sipas gramatikës do të dilnin trajtat e tilla të emrave mashkullorë me -U fundore si Andre Andreu, ndërsa ata të gjinisë femërore me -JA fundore si Andre Andreja, Ade Adeja e jo me -A të pa shoqëruar me -J epentetike. Si shembull mbështetës kemi rastin Eube Eubeja a që dilte kështu me -JA fundore në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe., e po kështu mund të veprohet edhe për shembuj të tjerë të këtij profili..
Sipas gramatikës, siç e pamë nga praktika e emrave të përgjithshëm me -E fundore, gjithsesi emrat e gjinisë mashkullore nuk duhen parapëlqyer as me nyjë-mbaresën -A as me -JA, pra jo jo Andrea as Andreja, Alia as Alija, por me -U fundore: Andre Andreu, Ali Aliu, Skëderbe Skënderbeu, e kështu me radhë.
2) Me -Ë fundore në trajtën e pashquar në këtë burim dalin dy raste Dedë dhe Ukë, të cilët shquhen me -A Deda, Uka, si emrat e gjinisë femërore, tipi Vitë Vita për në numrin shumës dallojnë Dedët, Ukët ndaj Vitat ose Vitet. Edhe këtë tip emrash të vjetër do ta ricekim si rast të diskutueshëm në kreun e fundit të kësaj pjese të punimit.
3) Me -I fundore dalin këta emra të gjinisë mashkullore: Arbi, Nandi Ohri, që mund të zbërthehen dy mënyrash, së pari kur të shquhen marrin nyjë-mbaresën -U: Arbiu, Nandiu, Ohriu ose I-ja fundore konsiderohet si nyjë-mbaresë e shquarsisë Ard Ardi, Nand Nandi, Ohër Ohri e shumësi për dy versionet rekomandohet me dalë me -ËT Ardët, Nandët, Ohrët etj.
4) Me -O fundore, që paksa për çudi në këtë tekst nuk dilte asnjë emër i gjinisë femërore, në gjininë mashkullore në trajtën e pashquar dalin këta katër shembuj: Bato, Bendo, Dasho, Pirro, të cilët eptohen në njëjës e shumës si emrat e përgjithshëm të gjinisë femërore me -O fundore në trajtën e pashquar e të shquar.
5) Me konsonant fundor, siç u cek më sipër emrat e gjinisë mashkullore që në njëjësin e shquar marrin nyjë-mbaresën e rregullt -I ose -U për nga numri kalojnë 1000-shin. Në të vërtetë, siç dihet numrin më të madh e përbejnë emrat me nyjë-mbaresën -I, por nuk mungojnë as ata që marrin nyjë-mbaresën U, numri i tyre në tekstin e konsultuar arrin në 37 shembuj, 11 shembuj me -Ik fundore, 21 me -AK dhe 3 me -OK fundore si dhe 2 shembuj me -G fundore: Erag dhe Pellazg. Me H fundore në atë burim nuk ndeshëm të shënuar asnjë rast.
6) Po e shtojmë edhe këtë se me -AJ fundor del vetëm rasti Maranaj si dhe kompozita Lulmaj (lule maji), ndërsa me -AT fundore 10 shembuj, me -OR e TOR fundore dalin afro 100 shembuj, me -ON fundore afro 40, me -ET 42, me -ENT 8, me -AN e -JAN (-IAN) mbi 80, me -IM afro 80, me –I/N mbi 50 e kështu me radhë. Bien në sy edhe rastet me -EN fundore 16 shembuj, fundore kjo që ishte sadokudo aktive në periudha më të hershme, por që tani nuk del si prapashtesë e specifikuar emërformuese e identifikueshme qartë në kohën tonë për këtë tip emërtimesh.
Sido që të jetë edhe të dhënat e sapocekura duhen pasur parasysh jo vetëm për të fituar pasqyrë të qartë të gjendjes në burimet përkatëse, por edhe për të pasur në konsideratë të ardhmen e strukturës së emrave të përveçëm të njerëzve të burimit shqip si dhe modelet fjalëformuese që mbizotërojnë. Në të vërtetë sa i përket numri të shembujve sipas fundoreve ndryshojnë prej versionit në version, prandaj për të nxjerrë modelet prodhuese mbizotëruese lypset përkujdesje e veçantë.
4. Disa vërejtje rreth tekstit në shqyrtim
Tashti, në disa pika do të jepim disa vërejtje e sugjerime rreth përmirësimit të tekstit në shqyrtim dhe përgjithësisht:
1) Në fjalën sqaruese në hyrje të këtij materiali për lexuesin jepet ky njoftim- porosi:
Tashmë mund të keni mundësi më shumë për të zgjedhur një emër për fëmijët tuaj!!! - Nuk dimë pse mbyllet fjalia me tri pikëçuditje në fund, mbase pse thuhet: një emër për (të gjithë) fëmijët !!!) (krahaso një njëjës, ndërsa fëmijët shumës?). Gjithsesi fjalia lypset përshtatur më mirë. Të harmonizohet numri.
2) Në vijim bashkë me njoftimin jepet edhe kjo këshillë-sihariq:.
Në këtë rubrikë do të gjeni disa emra autentikë shqiptarë dhe së shpejti do të vendosim dhe nga një spjegim pranë secilit emër që të krijohet mundësia e një përzgjedhjeje më të mirë!
Njoftim-porosia dilte e domosdoshme, por edhe këshillë-sihariqi del edhe më premtues dhe obligues për redaksinë e këtij materiali dhe gjithsesi një zotim të tillë do përshëndetur përzemërisht nga çdo lexues, mirëpo, meqë një veprim i tillë në këtë tekst nuk është realizuar, por çka pritej të bëhej, siç është bërë sadokudo në ndonjë version tjetër dhe meqë teksti mbetet po aty i pakorrigjuar, i propozojmë redaksisë së nderuar që menjëherë ta korrigjojë e përplotësojë, ta fshijë a ta ndërrojë; tekstin ekzistues, ngase ai ka dalë me shumë lajthitje e të meta, më fort teknike të shkaktuara mbase nga pakujdesia ose nga joprofesionalizmi i daktilografimit ose nga moszotërimi i manipulimit me internet, e ku ta dimë?!
3) Ndër ato lajthitje po përmendim disa që patjetër duhen ndrequr:
Së pari, titulli i materialit del disa variantesh: Emra Shqiptar (2 herë), Emra Ship, Emra Shqiptaresh (një herë) !!! po me tri pikëçuditje, prandaj edhe ne në pyejen i vumë tri pikëçuditje (!!!) Pra pasim, pse nuk është njëzuar titullimi? Sigurisht përveç titullit lypset përcaktuar për emërtimin tjetër titullin paraprirës: emëror, listë, regjistër, fjalor, fjalorth. Ne nuk e kundërshtojmë emërtimin Emror i emrave ose fjalor emrash autentikë të përveçëm shqiptarë, por as aty në versione të tjera që i ndeshëm po në atë adresë, as emërtimi i tillë as autenticiteti nuk del i respektuar rigorozisht.
Së dyti, pse tërë kryerreshti i përkufizimit të emrit përsëritet pa kurrfarë nevoje?!!!. Sigurisht nga pakujdesia!
Së treti, pas përkufizimit të emrit “si fjalë apo një grup fjalësh...” del një gafë, lapsus shumë neveritës: Në gjuhësi emri është pjesë e pandryshueshme (!!!) e ligjëratës që shënon një send apo qenie të gjallë që ka gjini, numër dhe rasë. S’është nevoja me tërheqë vërejtjen, ngase nga vetë pjesët e ndryshueshme të ligjëratës që kanë eptim (gjini, numër, lakim e zgjedhim), kuptohet se emri është pjesë e ndryshueshme e ligjëratës, jo e pandryshueshme (!!!).
Së katërti, nga pakujdesia edhe radha e alfabetit të shqipes nuk respektohet. Shih në radhitje, Y-ja ka dalë para X-së e Xh-së, në vend që të dalë para Z-së?!
Së pesti, te sqarimi: Për të Ditur(!!!) me shumë rreth emrave Shqiptar klikoni këtu, sigurisht nga pakujdesia përveç mbiemrit shqiptar po edhe pjesorja e paskajores së dytë Ditur (!!!) ka dalë me shkronjë të madhe(!), ndërsa tërë paragrafi përfundon pa shenjë pikësimi që ne këtu po e përfundojmë me një pikëçuditje(!).
Së gjashti, nuk dimë nga mosnjohja e normës në fuqi apo me qëllim nuk respektohet rregulla e përdorimit të shkronjës së madhe, jo vetëm te rasti kur emër-mbiemri shqiptar, siç u tha, del i shënuar me shkronjë të madhe brenda tekstit, por as në shumës nuk shënohet me -Ë fundore, madje edhe fjala shpjegim në fjalinë: Ju falenderojmë nëse shtoni emrat që dini të shoqëruar nga një spjegim, fjala e fundit del me S- në nistore e jo me SH shpjegim, siç është e normëzuar. Përse?!!!!
Së shtati, meqë teknikisht duket se ka pasur mundësi të shënohet Ë-ja, pra, E me dy pikat sipër, nuk dimë arsyen pse ajo nuk respektohet në tërë tekstin, vërejtje kjo që vlen për të gjitha versionet e botuara në internet.
4) Ndër emra të ashtuquajtur autentikë shqiptarë vërehet edhe ndonjë emër, i cili po në atë trajtë përdoret edhe në ndonjë gjuhë të huaj, dhe nuk ka ndonjë sqarim plotësues, siç është rasti Samir (me burim arab), Çelik (me prejardhje turke), Jasemin (me pejardhje persiane), Margarita (me prejardhje greke), Miranda e Dijana (me burim latin), Nevena (me prejardhje sllave), Skënder (me prejardhje greko-turko-arabe) etj. Edhe pse ne nuk kundërshtojmë që edhe këta emra të përveçëm si shumë të tjerë që tashmë janë të përvetësuar në gjuhën tonë të figurojnë aty, megjithatë është me interes që të sqarohet pse edhe ata konsiderohen si emra autentikë shqiptarë. Për mendimin tonë theksimi duhet të bjerë në radhë të parë jo te këta emra, por te ata, si me thënë, që vërtet kanë prejardhje të pastër shqipe që në këtë burim nuk janë pak.
5) Patjetër, me rastin e rishikimit të tekstit duhen bërë korrigjimet e duhura në këtë Emror (fjalor) edhe lidhur në radhitjen e alfabetit brenda shkronjave të fjalë-emrave përkatës, ngase brenda tekstit shihet se b. f.:
- Ë-ja del para -E-së (Dëfrim Dejk, Dëlirim Deliza, Dëshirime Detare, Përparim Perset, Pëlqime Pemël, Skënde Skerda, Zëdlira Zemërdlira etj),
- Ll-ja para L-së ( Ballush Balmir, Vallnesha Valmira),.
- Sh-ja pa S-së (Ashtin Askan),
- Dh-ja para D-së (Bardhyl Bardibal),
- I-ja par Ë-së (Qetim Qetësor, Qeti, Qetëza,),
- T-ja para R-së (Qetare Qershore,
- O-ja para I-së (Qershore Qershizë),
- RR para R-së (Pirro Pirust) e ndonjë tjetër.
Dhe kjo vërejtje vlen për të gjitha versionet e Emrave shqiptarë.
6) Gjithashtu duhet të evitohen përsëritjet e trajtave të njëjta, si Ben Ben, Bena Bena, Bujana Bujana, Lir Lir, Val Val, e ndonjë tjetër. Madje: Besa m Besa f (!), Fatmir m. Fatmir f (!), e ndonjë tjetër.
7) Na merr mendja se duhet shikuar mundësia që edhe me XH e Zh nistore të shënohet ndonjë shembull me prejardhje shqipe, që për mendimin tonë mund të dalin normalisht si emra të përveçëm me prejardhje shqipe qoftë me Xh, qoftë me Zh- nistore, si bie fjala:
a) Me Xh nistore tek ne ndeshet emri femëror Xhixhë Xhixha, vajzë a grua me kuptim të figurshëm, e zjarrtë, e shkathtë e gjindshme, pastaj mund të jenë të lejueshëm edhe emrat vetjakë në shenjë përtëritjeje për respekt të ndonjë emri të dalluar familjar ose edhe të ndonjë mbiemri të respektueshëm të figurave të njohura që përdoret edhe si emër i përveçëm si Xhuvan Xhuvani, Xhol Xholi e ku ta dimë. Madje, nuk do të jetë i huaj as emri Xhixhimë (trumcak) si fluturak, e ndonjë tjetër.
b) Ndërsa sa i përket emrave e me Zh nistore përmendet te ne në një këngë emri i Zhuk a Zhuj (Selmanit) ose f. Zhujë Zhuja. Andaj nuk do të jetë e huaj dhe e pakuptueshme as trajta Zhujan. Gjithashtu nuk do të jetë aspak i papërshtatshëm emri Zhur, emër i qytezës me të njëjtin emër Zhur edhe si mbiemër familjar. Raste të emrave të përveçëm të njerëzve homonim me emra vendesh a vendbanimesh të vëna nga simpatia, nostalgjia ose për motive historike etj. aspak nuk janë të rralla ose të huaja për antroponiminë tonë.
Sidoqoftë, një mundësi e tillë është fare e mundshme dhe mjaft e natyrshme e mos të ngarrohet vetëm në emra me prejardhje të huaj, siç i ndeshim disi pa kontroll në versione të tjera..
Vërejtje.- Gjithsesi lënda e këtij doracaku ia vlen të vlerësohet lart, megjithatë teksti që e kemi në dorë përcillet me mjaft gabime shtypi, përsëritje trajtash, por edhe me ndonjë lëshim drejt-fjalëformues që me pak përkujdesje redaksia do të mund t’i evitonte ato të meta. Patjetër, e do puna që disa gjëra profesionale duhen përmirësuar, ngase si duket hartuesit Fjalorit emrave të njerëzve, në vitet e ’70-80-a më tepër i kishin vënë vetes detyrë të paraqitnin sa më shumë emra, forma trajtash, përkatësisht emra me origjinë shqipe (ilire gjithsesi e të brumit shqip) dhe më pak vëmendje i kishin kushtuar sistemit fjalëformues e drejtshkrimor dhe në veçanti specifikimit të modeleve dhe prirjeve sa më të përshtatshme të emrave të tillë. Andaj krahas shpjegimit të shkurtër që do të vendosej pranë secilit emër, siç zotohej në fjalën e parathënies, është mirë që të theksohen edhe prirjet a modelet më të parapëlqyera.
8) Siç mund të shihet nga shembujt në këtë tekst autorët nuk i kanë pasur parasysh nyjë-mbaresat e shquarsisë si të njëjësit ashtu edhe të shumësit, andaj pikërisht kjo çështje mbetet shumë e diskutueshme dhe me plot ndërlikime, të cilën (çështjen) patjetër duhet ta kenë parasysh me rastin e korrigjimeve e të sqarimeve përkatëse për secilin emër edher për këtë version. Edhe lidhur me këtë tekst duhet me u bë deklarimi rreth trajtës përfaqësuese (gramatikore) ose mbizotëruese pragmatike. Në të vërtetë një punë e tillë shihet se është kryer në një version tjetër me ndonjë përplotësim, por problemi, mergjithatë mbetet i hapur, ngase mjaft trajta të reja aspak nuk përputhen me ato të regjistruara në versionin e parë që ne e kemi në shqyrtim, me një fjalë harmonizimi nuk del i kryer në të gjitha versionet e emërtimeve në shqyrtim..
9) Për mendimin tonë autorët kishin qëndrim pozitiv, siç na duket ne ashtu siç shihet edhe nga teksti, ku vihen re emra trajtash nga të dy dialektet (me rotacizëm e pa të), por sipas shembujve mund të shihen teprime, shikuar sipas gjendjes së sotme, si p.sh. Jehona Jehora, Jetona Jetore, Trimnore Trimërore, Urtane Urtare, Rrezan/e Rrezar/e (!) etj. Kështu ndeshim shembuj edhe në versionet e tjera. Me fjalë të tjera, për këtë pikë nuk shihet ndonjë kriter unik i mbështetur mirë. A kemi të bëjmë me njëfarë tolerimi, me respektimin të drejtës universale apo kemi të bëjmë me raste, nuk mund ta dimë qartë.
10) Interes të veçantë paraqesin emrat e përbërë, jo vetëm nga dy gjymtyrë, si kompozita të mirëfillta, por edhe si shprehje foljore kontekstore me pranëvënie me siparashtesa e siprapashtesa, edhe pse jo të gjithë shembujt dalin sot funksionalë, si p.sh. Emira, Ejona, Earta, Edlir Edlira, Emirjon Emirjona, pastaj: Imir, Indrit, Elir, Liridon, Liridona, Mirvjen, Mirvjena, Mirserdhe (mirëseardhja!), e ndonjë tjetër.
11) Për mendimin tonë është shumë me rëndësi harmonizimi ose përftimi i rasteve paralele ndërgjinisore i emrave të përveçëm, duke u marrë si kriter bazë përfaqësues, qoftë trajtën e gjininë mashkullore, qoftë atë të gjinisë femërore. Këtë çështje po e sqarojmë në tri pikat vijuese.
a) Sigurisht te rastet e tipit: Çajup Çajupe, Adriatik Adriatike, Tomor Tomore, Fatmir Fatmire, Erlis Erlise, Skënder Skëndere, Symir Symire, Shkumbin Shkumbine, Zambak Zambake etj. është vepruar mirë që .përparësi i është dhënë gjinisë mashkullore, nga e cila kuptohet se është bërë emërtimi paralel përkatës në gjininë tjetër me -E-në femërorëzuese.
b) Po ashtu është vepruar jo keq te rastet Drita Drit, Lule Lul, Bletmira Bletmir, Borbardha Borbardh, Blerta Blert, Mirjeta Mirjet, Çeldita Çeldit, Donjeta Donjet, Dritjona Dritjon, Erjeta Erjet, Teuta Teut, etj., sepse përparësi motivimi ka trajta e gjinisë femërore, ngase sipas logjikës, së pari do të jetë përftuar emri i gjinisë femërore e pastaj ai paralel i gjinisë mashkullore.
c) Megjithatë lidhur me këtë konstatimin e pikës b) edhe pse nuk e kundërshtojmë do të përpiqemi me sqarue diçka lidhur me një prirje që del mjaft sheshazi në ditëtë tona. Është fjala se në rastet kur emërtimet paralele konstatohet se kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë, atëherë priret që përparësia a ndikimi parësor i trajtës femërore në shumë raste të pësojë zbehje dhe në këto raste si trajtë përfaqësuese del më e fuqizuar trajta e gjinisë mashkullore. Së këtejmi, praktikisht, pritet me u formëzua si model paraprirës trajta e gjinisë mashkullore, si p.sh. Mirjet-i, Donjet-i etj. si Fatmir Fatmiri dhe në këto raste trajtat paralele në trajtën përfaqësuese normalisht merr fundoren –E, (jo –A): Mirjete, Donjete, Fatmire e kështu me radhë, ngase emër-tema Jeta, ose mbiemri (i, e ) mirË, me Ë fundore, është larguar (tjetërsuar) nga trajta fillestare motivuese dhe se tashti motivon ose do të motivojë gjithnjë e më forcë në të ardhmen vetë struktura fjalëformuese e emrave në fjalë, duke pasur parasysh raportin ndërlidhës ndëgjinisor trajtë përfaqësuese mashkullore/trajtë përfaqësuese femërore, dhe kjo e fundit në trajtën e pashquar, gramatikisht të rekomandueshme me –E fundore.
Pra, është, ose do të jetë, krejt e natyrshme që në drejtshkrim gjinia femërore me marrë -E-në fundore femërorëzuese si trajtë përfaqësuese ose mbizotëruese, jo vetëm ndaj trajtës me -Ë, por edhe të asaj me -A. Kështu që të dy emrat paralelë në bazë (në numrin njëjësi) të dalin fillimisht në trajtën e pashquar si trajtë përfaqësuese, trajtë kjo, siç u tha, e rekomanduar edhe gramatikisht. Pra, të parapëlqehet rregulla: Mirjet Mirjeti Mirjetët ndaj Mirjete Mirjetja Mirjetet ose Fatmir Fatmiri Fatmirët, ndaj Fatmire Fatmirja Fatmiret, e kështu me rradhë. Sipas kësaj prirjeje që lypset përkrahur pritet që në tekstin e ripërtërirë të burimit në fjalë të shtohet numri i trajtave paralele me -E fundore të emrave të gjinisë femërore.
Këtë prirje që sapo e theksuam d.m.th. për mendimin tonë lypset përkrahur subjektivisht..
12) Si pikë të fundit, po theksojmë se vërtet teksti në fjalë meriton vlerësim pozitiv, andaj kanë bërë mirë hartuesit e tjerë, sidomos në www.emra shqiptare.com që tekstin që e kemi ne shqyrtim e kanë marrë si bazë, por atë gjithsesi duhet ta përmirësojnë e ta perfeksionojnë mirë e më mirë e jo të vazhdojnë me përsëritje lajthitjesh që shëmtojnë punën aq me vlerë shoqërore e kombëtare të tyre pasuese. Lidhur me këtë kanë bërë mirë që i shënojnë në mjaft raste të tria trajtat, njëjësin e pashquar me -Ë fundore, njëjësin e shquar me -A fundore dhe njëherazi prirjen e sapotheksuar prej nesh me -E fundore, si p.sh: Fatushë Fatusha Fatushe, por kjo lë çështje të hapura. Lidhur me këto lëshime që e përcjellin edhe versionin pëplotësuar në fjalë do të mjaftohem me këtë vërejtje: Te shembujt me M- nistore asnjë emër i gjinisë femërore nuk del në trajtën e pashquar me -Ë (?!)., madje të shembujt e tjerë vetëm pjesërisht shënohet edhe trajta e shquar me -A, si trajtë mbizotëruese e emrit përkatës!?. Sigurisht kemi të bëjmë me lapsus, që duhet të përmirësohet a të korrigjohet sa më parë.
Sidoqoftë, na merr mendja se vërejtjet dhe sugjerimet tona dhe razultatet që dalin në këtë punim do të shërbejnë për të mirë si korrigjuesve të tekstit në fjalë, ashtu edhe konsultuesve e hartuesve të versioneve të tjera të reja që janë në përgatitje e sipër me material të trashëguar ashtu edhe me shembuj të rinj plotësues.
Shpresojmë se botimet e versioneve të tjera të emrave të përveçëm në gjuhën shqipe, qoftë me emra nga tradita, qoftë me emra të rinj mbi bazë të burimit të shqipes do të dalin edhe më cilësorë dhe sigurisht pa gabime.
C) Të dhëna antroponimesh nga Fjalori enciklopedik
shqiptar (1985)
Për të qenë tema më e kompletuar ne konsultuam të gjithë emrat vetjakë oficielë të regjistruar në Fjalorin enciklopedik shqiptar (1985) Dhe vërtet ky material na ndihmoi shumë që çështja rreth emrave të përveçëm vetjakë ta jetë më e qartë dhelidhur me këtë temë të kemi një koncept më të qartë real e gjithëpërfshirës.
Me thënë të drejtën pothuajse të gjithë emrat personalë nënshkrues të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit përsëriten edhe aty, por ka edhe shumë të tjerë. Ne më në hollësi shkokrruam Treguesin e emrave të autorëve të zërave (Aty f. 1209-1213.), kur ndër 830 emra, mbi 360 prej tyre dalin me prejardhje orientale (të konfesionit islam), afro 340 janë me prejardhje kryesisht të konfesionit kristian, ndërsa afro 130 kanë prejardhje autoktone shqipe.
Meqë shembujt përkatës më karakteristikë do të përmenden gjatë analizës në kontekste përkatëse në krerët vijues këtu po përmendim vetëm dy raste:
e para. dalin mjaft shembuj që është e pamundur të dallohet praktikisht gjinia natyrore e emrit të caktuar në bazë të fundores së emrit përkatës, qoftë në trajtën e shquar, qoftë në atë të pashquar, çka e bën problemin vërtet të diskutueshëm në gjuhën tonë dhe
e dyta. shquarsia e emrave me prejardhje turko-arabe del në versione të ndryshme, madje ka raste deformimesh ose shkurtime të paqarta etj.
Pëmbyllje
Siç po shihet nga këta shembuj, d.m.th. nga shembujt e regjistruar në kuadër të paragrafëve të Drejtshkrimit si dhe nga lista e nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit, ashtu edhe nga burimi “Emra shqiptarësh”, për temën tonë në përmbyllje mund të nxirren këto konstatime:
a) Emrat e përveçëm të gjinisë femërore të regjistruar në atë burim dalin vetëm në trajtën e shquar, d.m.th. me -A fundore dhe nuk kemi asnjë rast që del në trajtën e pashquar me -Ë fundore, pra mbizotëron krejtësisht tipi Zana, Shpresa ndaj Zanë, Shpresë, e kështu me radhë.
b) Emrat mashkullorë që mbarojnë me konsonant ose me zanoren -Ë, dalin të regjistruar në trajtën e pashquar, tipi Mahir N, Petrit N., Kolë N.
c) Emrat mashkullorë me -I fundore ndahen në dy grupe: ata që si trajtë përfaqësuese e tyre konsiderohet trajta e pashquar me -i fundore, ndërsa në trajtën e shquar marrin nyjë-mbaresën -u tipi Remzi Remziu, Androkli Androkliu etj. dhe grupi tjetër që si trajtë mbizotëruese përfaqësuese kanë trajtën e shquar me -i fundore, tipi, Ylli, Jani, por që trajta e pashquar e tyre del me konsonant si p..sh:Yll Ylli, Jan Jani etj.
Një ndryshim i tillë sa vjen nga tradita e ndarjes së dialekteve apo nga ndonjë ndikim konfesional, nuk mund ta dimë saktësisht, ngase kjo çështje, me sa dimë, nuk del e sqaruar, deri tani, në burimet tona përkatëse. Megjithatë, vërehet që emrat me prejardhje arabe me -I fundore i takojnë grupit të parë, ndërsa këta të dytët me prejardhje jugore mbase kryesisht ortodokse (greko-bizantine) i takojnë grupit të dytë. Nga grupi i fundit vijnë edhe trajtat e emërtimeve të reja(!) si Ylli (...) në vend Yll (...) që përdorej dhe vazhdon të përdoret zakonisht në viset veriore shqipfolëse, sidomos .në Kosovë, trajtë kjo që pikërisht kështu, pa -I fundore, del edhe në burimin Emra shqiptarësh.
ç) Te gjinia mashkullore dalin edhe emra me -a fundore si Mecena, Buda, të cilët sipas rregullit në njëjës shkojnë sipas lakimit të emrave të gjinisë femërore me fundoren -A sikurse Afërdita, Helena, Violeta, Demetra etj., por në shumës emrave të gjinisë u ndryshon mbaresa. Krahaso: Mecen-a MecenËT ndaj Afërditë-a AfërditAT.
d) Nga sa pamë, si të themi, rastësisht, në DGJSH, madje edhe në listën e nënshkruesve të Rezolutës nuk dilte asnjë emër femre me prejardhje orientale muslimane (arabo-turko-persiane), ndërsa me prejardhje kristiane dilnin 5, e me prejardhje shqipe vetëm 3 shembuj Në anën tjetër tek emrat mashkullorë nga ky aspekt gjendja del ndryshe. Kështu: emra me prejardhje orientale (islame) dalin 38 shembuj, me prejardhje kristiane 35 dhe vetëm 6 raste me prejardhje vendëse.
Sigurisht emrat me burim vendës që ne i trajtuam në mjaft hollësi në nënpikën B) dhe i përmendëm edhe nënpikën C), do të kihen parasysh gjatë tërë analizës në krahasum me emrat e huaj të përvetësuar a të përdorur në gjuhën tonë.
Sidoqoftë, këto të dhëna po i paraqitim për të përgatitur terrenin që së bashku me lexuesin e pasionuar këtë problem ta analizojmë më thellë, sidomos duke e vënë theksin tek emrat me prejardhje arabo-turko-persiane.
Është e vërtetë, siç u pa me shembujt konkretë, në paragrafët përkatës të Drejtshkrimit kur është fjala tek emrat e përveçëm janë shënuar edhe emra ose mbiemra njerëzish në funksion emri më tepër nga bota antike greko-bizantine, latino-romane e më pak emra orientalë nga bota islame. Aty ndeshim, në të vërtetë, të shënuar edhe emrat në trajtën e shquar si Muhameti, Isaia, Al Kazhgari, por edhe në trajtën e pashquar kur emërtimi del bashkë me mbiemrin përkatës, si tipi Ismail Qemali e ndonjë tjetër, por, si të thuash emrat e tillë këtu dalin si raste të vetmuara, kur kemi parasysh realitetin, sepse në gjuhën tonë është një numër i madh i emrave të përveçëm të burimit arabo-turko-persian, të cilët përdoren faktikisht, siç u argumentua me numrin konsiderueshëm nga Fjalori enciklopedik shqiptar, të cilët edhe kanë frekuencë mjaft të lartë përdorimi dhe janë të futur thellë në strukturat e ligjërimit të gjuhës sonë. Meqë emrat e tillë ndër shqipfolësit dalin të pranishëm bashkë ose në raste edhe para pranimit në shkallë të gjerë të konfesionit islam, sigurisht që nga epoka para Rilindjes Shqiptare e deri në ditët e sotme dhe numri i emrave të tillë kalon njëmijëshin në të dyja gjinitë, ngase prodhueshmëria e tyre nuk është e kufizuar, ne në vazhdim, pasi t’i paraqitim disa konstatime me interes në pika të shkurta, do t’i qasemi analizës së problemit të emrave në fjalë më në hollësi, çështje kjo që do të trajtohet në krerë të veçantë.