| E diele, 27.06.2010, 08:51 AM |
Monumentet nga e para
Nga Elsa Demo
Përvjetori i 45 / Në prag të reformimit të Institutit të monumenteve të kulturës një iniciatorët, Neritan Ceka, e gjykon katastrofë gjendjen aktuale.
Dita dje ishte si gjithë të tjerat për ata që punojnë në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Rreth orës 11.00, Apollon Baçe, drejtori, në një sallë para punonjësve, ftoi në panel profesorin e karrierës Emin Riza dhe ish-nëndrejtoreshën Nora Malaj, sot zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës.
Gruaja bëri pak rezistencë dhe pranoi të dilte para veteranëve të monumenteve dhe pak më vonë u foli për një revolucion të vogël me asete, ndërgjegjësim, pjesëmarrje të komunitetit, master në profilin e trashëgimisë.
Me rastin e 45-vjetorit të krijimit, drejori Baçe vlerësoi të shkuarën e Institutit i themeluar nga një profesionist i niveleve evropiane si Gani Strazimiri i cili mblodhi kuadro si vetja si Emin Riza, Aleksandër Meksi, Selim Islami, Gjerak Karaiskaj etj. etj., njerëz aspak të partishëm me të cilët krijoi gati një institut antikomunist. Baçe përmendi kontributin e kolegëve disidentë me një kredibilitet moral të klasës së parë - për nxjerrjen të dritë të vlerave të trashëgimisë monumentale, të kulturës avangarde ilire etj. Siç thuhet është një e kaluar që s'ka nevojë t'i hiqet gjë.
Sa për të tashmen, IMK ndodhet në prag të reformës. "Reformën nuk e kam kërkuar as unë e as ndonjë tjetër, por kryeministri, koshienca e vendit, mbështetur nga ministri i Kulturës", tha Baçe.
Profesor Emin Riza shtoi se deri-diku janë të qarta arritjet e Institutit, për të cilin merita kryesore i duhet njohur ish themeluesit Gani Strazimiri, emrin e të cilit mban prej disa vitesh IMK. "Brezi i ri është shumë i kualifikuar, por puna me monumentet dhe trashëgiminë është një detyrë që kërkon mbarë jetën e specialistit", tha prof. Riza. "Specialistët mendojnë të punojnë 2 a 3 vjet këtu dhe të shkojnë diku tjetër për një rrogë më të mirë. Në këtë mënyrë bëjnë gabim se dëmtojnë padashur monumentet po edhe karrierën e tyre."
Drejtori Baçe ia dha fjalën një prej "mohikanëve të parë", Neritan Cekës i cili u ndodh aty dje në pozitën e këshilltarit të kryeministrit dhe njeriut të ngarkuar me mbikëqyrjen e reformimit të IMK-së në bazë të ligjit "Për Trashëgiminë Kulturore" i ndryshuar.
Statuti i ri parashikon kthimin e IMK në Instituti i Trashëgimisë Kulturore (ITK), "institucion qendror shkencor në varësi të Ministrit të Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MTKRS)" dhe kthimin në gji të tij të 6 Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Tiranë, Shkodër, Berat, Vlorë, Korçë, Gjirokastër.
Ky ndryshim është kundërshtuar nga pak njerëz që e kanë quajtur të gabuar dhe politikë centralizuese formën e propozuar nga Ceka dhe Baçe mbrojtësit kryesorë të modelit.
45 vjet Cekës, këshilltarit, i duket kohë arkeolgjike tani që u tërheq vëmendjen këtyre punonjësve pse është e rëndësishme reforma. U kujtoi se janë afro 300 njerëz që merren në gjithë Shqipërinë me monumentet dhe 3 milionë euro investime në këtë fushë. E ku jemi? 45 vjet nga pika e fillimit.
Shumë më keq nga ç'kemi qenë. "Gjendja është katastrofale. Drejtoritë rajonale janë inekzistente. Ata njerëz janë ca kushërinj të largët që ju s'i njihni. Ligji është gati. Ju jeni institut administrativ teknik dhe do të bëheni institut shkencor, i centralizuar dhe njëkohësisht i decentralizuar", tha Ceka.
U fikën dritat dhe salla ndoqi pa zë slideshow-n monumenteve. Si të donte të bindte me zor ndonjë të fundit për rëndësinë që ka reforma, Ceka ktheu kokën dhe shtoi me dorën nga kartolinat e monumneteve: "Kanë qenë dikur kështu se nuk janë më."
Intervistë me studiuesin Gjerak Karasikaj, ish drejtor i IMK-së, një nga specialistët e përfshirë në diskutimet për reformën.
Z. Karaiskaj, sapo u tha se administrimi i monumenteve na çon 45 vjet prapa. Është objektiv ky gjykim?
Është e vërtetë që dikur është harxhuar më shumë para, kohë, punë njerëzore për monumentet sesa tani. Dhe kjo ka qenë për të gjitha vendet Lindore sepse komunizmi gradualisht kaloi në fazën e komunizmit nacionalist për të cilin trashëgimia, tradita kishte rëndësi të veçantë.
Gjendja u cilësua katastrofike nga z. Ceka.
Nuk mund të them që gjendja është katastrofike por është më keq se në atë kohë. Kalon një kohë e gjatë dhe monumentet dëmtohen, siç janë kisha dhe monumente të tera antike.
Duhet thënë se nga nëntëdhjeta deri tani, një pjesë e madhe e monumenteve të kulturës që përfaqësohen nga kishat ortodokse bizantine dhe postbizantine, janë restauruar nga kisha ortodokse. Këto lloj restaurimesh janë bërë shumë më të mira se në kohën e komunizmit, me fonde të mëdha dhe këto kanë shpëtuar.
Akoma nuk mund të thuhet se janë shpëtuar të gjitha, sepse kisha ortodokse ka kapur ato monumente të cilat kanë vlerë si monumente dhe që përdoren më tepër. Të tjerat që janë jashtë këtij interesi dhe të tilla nuk janë pak, duhet të kapeshin nga Instituti i Monumenteve dhe nga ministria.
Po ju jap vetëm një shembull. Asnjë s'e di se 3 km larg Kavajës, si të ishte një lagje e Kavajës, ndodhet kisha e çetës, një monument i rëndësishëm i shek. XIII, i veshur në krejt faqet e murit me piktura të shek. XVII-XVIII, edhe që po dëmtohet vazhdimisht, siç tha Neritani që iu hyn uji brenda. Projekti është gati, kam punuar dhe unë për të. Duhet vetëm që të restaurohet.
Qysh kur ju keni qenë drejtor e deri më sot ky institut është përpëlitur për të gjetur një fytyrë të vetën dhe aktualisht ndodhet para reformës.
Instituti e gjen kollaj fytyrën e vet se e gjen te partia, si në atë kohë dhe në këtë kohë. Ky është gjithë problemi.
Po ju u përmendët dhe si disidentë këtu, si institut antikomunist...
Unë kam qenë, nuk di për të tjerët. Mund të thuash në atë kohë që një kalë e kanë munduar shumë, e pamë me sy, por njeriu ka të tjera kërkesa, kali të tjera.
Në dorë e hekurt për monumentet nuk është gjetur akoma.
Këto heqjet e drejtorit duhet t'ia kërkoni partisë. Ajo merret me këto punë. Kështu që më mirë këto pyetje t'ua bëni partive në përgjithësi dhe ata ju sqarojnë për mrekulli.
Çfarë ndryshon me reformimin e IMK-së?
Kryesorja është njeriu që e bën këtë reformë. Pra varet nga niveli i njerëzve që punojnë në këtë fushë dhe nga impenjimi i këtyre njerëzve, për mbarëvajtjen e monumenteve. Nuk është thjeshtë reforma si referomë. Këtu ka njëzet vjet që bëhen reforma pa përmbajtje, thjesht në letër që nuk kanë bazë reale.
Me anë të reformës IMK bëhet shkencor, ç'do me thënë kjo?
Instituti ka qenë shkencor, dhe është bërë i tillë vitet e fundit të komunizmit më 1987. Akademia e Shkencave nuk donte ta merrte në varësi IMK sepse kishte edhe llaç edhe tulla, ishte një ngarkesë e madhe për Akademinë. Me sa dukej nuk ishin të interesuar që të ishte shkencor dhe u la në atë gjendje.
Çfarë ndryshon titulli shkencor?
Shumë e ngatërruar kjo punë. Në radhë të parë, gjëja më e rëndësishme që është bërë këto kohët e fundit është shkolla e restaurimit.
Për të cilën keni kontribuar ju më 2003 falë ndihmës së UNESCO-s...
Ishte e nevojshme sepse mungonte kuadri dhe IMK rrezikonte të ngelej në nivele zero specialistësh. Realizova dhe programin siç e kërkonte UNESCO, zbatimi nisi më 2005. Sivjet duhet të kenë dalë kuadrot e parë.
Është e pamjaftueshme 2 vjet shkollë për t'u bërë studiues ose restaurator. Megjithatë është më mirë se sa hiç.
Sa për reformën, disa gjëra duhej të kishin ngelur siç kishin qenë, për shembull varësia e drejtorive rajonale...
Sipas reformës ato i kthehen prapë Institutit...
Varësia shkencore e drejtorive rajonale duhej të ishte nga Instituti sepse ato duhet të marrin pjesë si sektorë në probleme shkencore që lidhen me restaurimin. Dikur këto drejtori quheshin atelier dhe merreshin me zbatimin e punimeve.
Nuk mund të kontrollohej gjithë territori i Shqipërisë nga IMK kështu që drejtoritë rajonale duhej të ngriheshin nga ana profesionale dhe të ktheheshin në institute të vegjël duke mbajtur prapë njëfarë varësie nga Instituti. Ky ka qenë mendimi im. Kurse tani janë krejtësisht të pavarur.
Jo vetëm drejtoritë s'janë institute, po as instituti që duhej të ishte i tillë, s'është më institut. Domethënë është një punë që duhet filluar nga e para. Dhe dikur duhet filluar.