| E diele, 27.06.2010, 06:39 PM |
Vullnet Mato
BUBULLIMAT E ZEMRËS SË NËNËS
Isha vogëlush afër moshës së një djali
dhe koha e krismave të tmerrshme ishte.
Në qiell disa korba me krahë metali,
lëshonin mbi tokë glasa shpërthyese.
Nëna lau teshat me finjë nga hiri i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret e lumit.
Mashtruar nga ngjyrat dhe tymi i kazanit,
korbat u shfaqën befas me mitralime sulmi.
Vinin rrotull qiellit, sharronin degët e gurët
dhe tym e pluhur u bë gjithçka përqark...
Nëna më rrëmbeu si skifteri zogun e pulës,
më mbështolli me trup, më futi prapë në bark...
“E mjera unë, do më vrasin djalin!”gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur nën shkurre
dhe zemra me gjëmim të hatashëm i bubullonte,
sikur te daullet e veshit më binte një daulle.
Atë daulle alarmi të heshtur larg ndër vite,
kujtoj me mall kur shoh fëmijë të asaj moshe.
Zemra e nënës me ato bubullima të dridhshme,
la gjallë tek unë gjithë dhembshuritë e kësaj bote...