Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Beqir Musliu ishte një minierë letrare

| E shtune, 26.06.2010, 09:17 PM |


 

BEQIR MUSLIU ISHTE NJË MINIERË LETRARE…

 

Nga Bilall Maliqi

 

Si gjithëherë më parë, gjilanasit edhe sivjet nuk e harruan  datën e 24 qershorit, datë kjo e shkuarjes në amshim të shkrimtarit, poetit dhe publicistit Beqir Musliu.

Beqir Musliu ndërroi jetë katërmbëdhjetë vjet më parë duke lënë gjurmë të pashlyera në letërsinë tonë shqiptare. Edhe këtë vit sikurse vitet e tjera qytetarët, poetët dhe njerëzit e artit u ngjitën drejt varrezave të Gjilanit për të bërë homazhe pranë varrit të tij.

Përveç fytyrave të njohura të letrave shqipe siqë ishin: Kryetari i ARS Klub “Beqir Musliu”,  shkrimtari i njohur Sabit Rrustemi me anëtarët e tjerë të Klubit: Haxhi Vokshi, Nuhi Ismaili, Albina Idrizi, Bilall Maliqi (nga Presheva), Nijazi Ramadani, Xhevat Latifi etj., ku vunë kurora lulesh mbi varrin e Beqir Musliut duke e nderuar me një minut heshtjeje, mori pjesë edhe Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës z. Lutfi Haziri i cili poashtu vendosi kurorë me lule në varrin e shkrimtarit.

Poashtu në këtë përvjetor me ardhjen e tyre e nderuan veprën madhore të Beqir Musliut edhe Klubi i Gazetarëve që mban  emrin “Beqir Musliu” që vepron në qytetin e Gjilanit të cilët me një minut heshtjeje poashtu nderuan figurën madhore të letërsisë sonë…

Për Berqir Musliun fillimisht elaboroi në pika të shkurtëra kryetari i Klubit Latrar “Beqir Musliu” shkrimtari Sabit Rrustemi i cili tha se: “Beqa do të jetë i pranishëm kudo dhe kurdoherë, sepse veprat e tij janë të pavdekshme. Beqir Musliu ishte një minierë letrare dhe kjo është trashëgimia më e madhe që ai ia la popullit të tij”. Më pastaj fjalën e mori edhe Ministri i Kulturës z. Lutfi Haziri i cili e çmoi lart këtë personlitet me rëndësi të letërsisë shqiptare dhe u zotua se do të mundohet që t’i përmbush kërkesat në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Gjilanit që të jetë i përvjetshëm çmimi letrar “Beqir Musliu” dhe ndihma të tjera për këtë Klub siqë janë edhe kërkesa për botim të librave në kuadër të ARS Klubit “Beqir Musliu”.

Musa Sabedini, kryetar i Klubit të Gazetarëve“Beqir Musliu, tha se ky klub e mban me krenari dhe dinjitet emrin e krijuesit më të madh të letrave shqipe…

Ndërkohë, Selver Xhelili, drejtor i Kulturës, tha se institucionet komunale do të kenë kujdes më të madh në të ardhmen sa i përket veprimtarisë së Beqir Musliut. Për jetën dhe veprën e krijuesit Beqir Musliu kanë folur edhe Nuhi Ismajli, Shaqir Foniqi, Nijazi Ramadani, Haxhi Vokshi, Enver Sadiku, Xhevat Latifi e poetë të tjerë të pranishëm…

 

Gjilan, 24.06.2010