| E enjte, 24.06.2010, 05:29 PM |
Nga Sonila Merolli
Aso kohe për të, ai nuk ishte veçse një plak i çuditshëm që shëtiste buzë liqenit me qenin e tij. I kishin shtëpitë vetëm 400 metra larg, por nuk e njihte se cili ishte në të vërtetë. Fundja si të gjithë pogradecarët që bëheshin hokatarë kur e shihnin rrugës. E shihte tek nxehej prej mungesës së etikës dhe respektit, por megjithatë kishte diçka që e tërhiqte tek ai plak nopran. Kanë kaluar shumë vite qëkurse Silvana Xuhano, ulej në gjunjë pranë karriges së Lasgush Poradecit, e përhumbej në rrëfimet e tij. Të nesërmen rituali përsëritej; ajo vishte fustanin e saj të bardhë me pika blu dhe vraponte drejt turizmit të vjetër, një tablo që të kujton gjyshin Harib me Lojkën tek tregimet e Maksim Gorkit. Pas 35 viteve, Silvana e ruan të gjallë këtë skenë, ndërsa kujtimet i vijnë ashtu rrëmujshëm, sikurse ishin bisedat me Lasgush Poradecin. Flisnin për letërsinë, pikturën, por edhe për histori dashurie. Atëherë ajo ishte vetëm 16 vjeç dhe nuk e dinte se sa i madh ishte njeriu që kishte pranuar miqësinë e saj. Kur rrinte në Pogradec takoheshin çdo ditë në orën 19.00, ndërsa kur ajo nisi studimet e larta për Letërsi, çdo të dielë. Xuhano, e cila së fundmi ka lënë profesionin e mësueses së Letërsisë, për t’u marrë me botën e televizionit, tregon për njohjen me poetin, rrëfimet e tij, huqet, pengjet, por dhe historitë e dashurisë, që nga ajo e dhimbshmja me vajzën austriake që vdiq vetëm 24 vjeç, tek ndarja me të fejuarën piktore, vetëm për një ngjyrë vale...
Si jeni njohur me Lasgush Poradecin?
Në Pogradec ai jetonte nga prilli, kur çelnin lulet, deri kur binte bora e parë, më pas nisej për në Tiranë. Prezantimi i parë ‘zyrtar’ mes nesh ndodhi në vitin 1976, në gjimnazin e Pogradecit. Na prezantoi Ruzhdi Pulaha, pasi ai më kishte dhënë mësim disa orë. Asokohe unë isha studente në vitin e dytë dhe angazhohesha me aktivitetet artistike. Kisha pasion letërsinë, i bija violinës prej 8 vitesh, pra ngjallja një farë interesi tek ata. Ky qe kontakti i parë.
Për çfarë folët me poetin?
Lasgushi nisi të më pyeste se çfarë më pëlqente nga letërsia, çfarë dija për Hajnen. Aso kohe kisha lexuar lirika, që nuk lejoheshin të qarkullonin, që i siguroja nëpërmjet mikut më të ngushtë të Poradecit në qytet,(përveç Petraq Kolevicës, i cili vinte e takonte nga Korça) Thoma Angjeli, dizenjator i njohur, drejtor i kinemasë së qytetit. Gjithë përshtypjet, përjetimet, por edhe shqetësimet i ndante me të. Ndoshta kjo i bëri përshtypje poetit. Në fund të bisedës, mu duk sikur kisha kohë që e njihja. Mu duk një bisedë e këndshme në një ditë të zakonshme.
Asokohe ishit e ndërgjegjshme për përmasat e figurës së tij? I kishit lexuar vëllimet e tij poetike?
Lasgushin e ndeshja në rrugë çdo ditë, si një njeri i zakonshëm, teksa dilte shëtitje buzë liqenit me qenin e tij Cucin. Shtëpitë tona i ndanin vetëm 400 metra, por të them të drejtën nuk isha e ndërgjegjshme për madhështinë e tij. Madje nuk dinim as për poezinë e tij, vetëm më tej, në shkollë të mesme nisa të ndërgjegjësohesha. As në takimet që pasuan nuk arrita të kuptoja rëndësinë dhe privilegjin që më kishte dhënë ky njeri.
Kur ndodhi takimi i radhës mes jush?
Ai kishte një kujtesë të habitshme. Po kthehesha nga shkolla dhe u ndeshëm, teksa ai kryente ritualin e përditshëm, shëtitjen buzë liqenit. Teksa më pyeste sesi shkoja me mësime, urtonte Cucin, qenin e vet, që egërsohej kur afrohej një i huaj. Aty për aty pa improvizuar, siç ishte karakteri i tij, më pyeti nëse kisha kohë të takoheshim. Unë isha vetëm 16 vjeç, ndërsa Lasgushi 76 vjeç. Vendosëm të takoheshim në orën shtatë pasdite, te Turizmi i vjetër, që ka pasur një lulishte të mrekullueshme. Në atë vend, buzë guralecëve të liqenit, ai kishte karrigen e vet. Çdo darkë takoheshim fiks në orën shtatë, deri në nëntë. Më pas mbyllej në shtëpi dhe rrinte deri në tre të mëngjesit para skrivanisë së tij. Më rrëfente se përkthente, shkruante ose pikturonte. Dhe zgjohej gjithnjë pas orës 10 të mëngjesit. Këtë lloj regjimi nuk e ndryshoi asnjëherë gjatë verës. Njëherë më kujtohet, se i kishte ardhur Petraq Kolevica në shtëpi. Në orën 7 e lë në shtëpi mikun e tij dhe vjen të më lajmërojë se nuk mundej, aq korrekt ishte. Më kërkoi dhe ndjesë dhe tha se takimi ynë do të shtyhej për të nesërmen.
Çfarë mendoni se e tërhoqi poetin tashmë 76-vjeçar tek një vajzë 16 vjeçe?
Besoj se i pëlqeu pasioni karshi letërsisë, sinqeriteti dhe entuziazmi im, pa ditur se cili ishte në të vërtetë. Për më tepër duke qenë natyrë e çiltër, e lexueshme në fytyrë, ai e kishte më të lehtë të shprehej pa u druajtur dhe shqetësuar për ato çka tregonte. I pëlqente një fustan i imi veref i bardhë me pika blu. Ulesha në gjunjë, mbështetesha tek krahu i karriges me të dyja duart dhe përhumbesha në rrëfimet e tij. Ajo skenë më rikthehet shpesh nëpër mendje.
Dhe flisnit për...?
Bisedat e para rrotulloheshin rreth librave dhe autorëve që kisha lexuar. Pasi i tregoja shijet e mia, diskutonim rreth tyre.
Ajo çka më bënte përshtypje ishte fakti se nuk më impononte asnjëherë çfarë duhet të lexoja. Më ka dhënë përkthimet e Hajnes. Isha lexuesja e parë. Por më tregonte edhe vizatimet e tij, portretin e nënës, autoportretet...
Ju tregonte për jetën e tij?
Me shumë takt interesohesha rreth periudhës që ai kishte jetuar në Austri, pasi ai nuk pranonte pyetje gjatë bisedës. Gjithnjë episodet dhe ndodhitë që rrëfente vinin spontanisht, nga një ngacmim i momentit. Shpesh më është dashur ta rrotulloja bisedën në ato ujëra, nga e dija se do të niste një rrëfim për të kaluarën.
Ndonjë histori dashurie...?
Më rrëfente se në Austri u dashurua me një vajzë. Më tregonte aq shpesh për të, saqë ishte lehtë e kuptueshme, që ishte nga ato histori që lenë gjurmë në jetë. Më thoshte se ndjenjat karshi saj, ishin rritur me kalimin e viteve. Vajza ishte e bija e familjes së parë, që i ofroi mbështetje dhe strehë në pensionin e tyre, kur Lasgushi shkoi në Graz të Austrisë. Asokohe vajza ishte vetëm 11-vjeç, por pas 13 vjetësh u rrit, u bë 24 dhe befas poeti u magjeps nga sharmi i saj. Më rrëfente se shkëmbenin ndonjë bisedë, pa guxuar të shkonin më tej. Për fatin e keq ajo u diagnostikua me leuçemi dhe brenda dy muajve ndërroi jetë. Sa herë që e kujtonte, sytë i përloteshin dhe zëri i dridhej. Nga ajo dashuri i mbeti kujtim vetëm një shami e mëndafshtë, me të cilën, siç më rrëfente, kishte fshirë lotët, kur vdiq vajza. Shaminë e ruante ende, por asnjëherë nuk shtonte detaje rreth kësaj historie, pasi i shkaktonin aq dhimbje... Edhe pse më ngacmonte kërshërinë, nuk mund t’i bëja pyetje zhbiruese që mund të lëndohej. E lija të tregonte çfarë dëshironte ai. Ndaj edhe nuk kishte shprehur pakënaqësinë duke ndenjur me mua.
Duket se ishit bërë mikesha e tij e besuar... Ju ka rrëfyer për ndonjë tjetër histori dashurie? Si ishin marrëdhëniet e tij me femrat?
Më ka folur gjerë e gjatë për piktoren Androniqi Zenko, me të cilën kishte qenë i fejuar për gjashtë muaj, dhe se ishte ndarë për hiçgjë. Në këtë rast nuk mbajti rezerva, më rrëfeu sesi kishin rrjedhur ngjarjet. Të dy si piktorë që ishin shkonin shpesh buzë liqenit, për të shijuar lindjen e diellit, tek lumi i Traharit. Disa masa gurësh kishin zbritur nga kalaja drejt kodrës buzë liqenit, ku dallohej një valëzim i lehtë. Bulëzat e valës ishin si perla dhe jepnin një ndriçim si të argjendtë. Teksa sodisnin, Androniqi i kishte thënë se dridhjet e valëve ngjasonin me ikrat e peshkut, të cilat kanë ngjyrë të kuqërremtë. Aty Lasgushi ishte nxehur keq, dhe ia kishte kthyer se përqasja që ajo kishte bërë ishte e gabuar. Një ngjyrë e tillë dallohej në perëndim, por assesi në lindje. Për këto gjëra janë zënë, derisa u ndanë. Të paktën ishte një nga arsyet, që më ka treguar më shumë se njëherë. Pavarësisht të gjithave, ai e respektonte Androniqin për talentin dhe më tej më thoshte se ajo kishte krijuar një familje për t’u nderuar. Më ka treguar edhe sesi u njoh me Nafijen, që nuk harronte të më thoshte se kishte qenë “Mësuese e Merituar”. Më thoshte se e tërhiqnin dijet që ajo kishte. Bisedat e tjera vijonin me krijimin e familjes, dy vajzat e tij të dashura, Marien dhe Kostandinën, të cilat i kam mikesha. Ende nuk më dukej vetja si mikeshë, as nuk e vlerësoja, apo njihja sa duhej, por më pas, kur erdha student në Tiranë nisa ta shihja me tjetër sy.
Po në Tiranë, a vijuat të takoheshit? Ç’jetë bënte Poradeci në kryeqytet?
Një nga arsyet përse zgjodha letërsinë ishte pikërisht Lasgushi. Jeta e tij ishte kufizuar tek përkthimet dhe vizitat e miqve që priste në shtëpinë e tij. Kur erdha në Tiranë takoheshim në shtëpinë e tij, çdo të dielë, në orën 11 paradite. Shpesh herë e shoqja, Nafija më thoshte: “Por çfarë i pëlqeni këtij?!”. Dhe nuk e kishte thjesht për huqet e pleqërisë, por natyra e tij ishte pak e sertë. I thosha se ajo kishte pëlqyer njeriun, ndërsa unë poezitë. Por me mua nuk i demonstronte huqet. Ishte korrekt, shumë sqimatar, i kujdesur për veshjen e tij, deri në detaje, nuk e hiqte kurrë kapelen. Edhe pse i kërrusur mbante në kurriz një dërrasë për të ngritur kurrizin, pasi paraqitja ishte shumë e rëndësishme për të. Kur e përqafoja ndihej ajo dërrasa në kurrizin e tij, por kuptohet që unë s’e pyeta kurrë. Ishte tejet sqimatar dhe në të ushqyer. Lasgushi acarohej, ose zgjidhte vetminë, pasi kishte pakënaqësi kundrejt njerëzve, të cilëve u mungonte etika. Ishin episode fare të rëndomta, si pyetja për orën, pa i kthyer falenderimin. E vriste mungesa e vlerësimit, e respektit, harresa si poet. Më thoshte vazhdimisht që po të kishte jetuar në Austri, nuk do të ndodhnin të tilla gjëra.
Kjo do të thotë se pogradecarët nuk tregonin ndonjë respekt të veçantë për të...?
Në Pogradec nuk kishte këtë nderim që i bëhet sot pas vdekjes. Ai e ka vuajtur, që pushtetarët e atëhershëm, e lanë në harresë. Harresa, si mjeti më denigrues ndaj një artisti. Por e dinte se ‘fajtor’ ishte edhe vetë, pasi nuk kishte shkruar asnjë poezi për klasën punëtore, për shinat e trenit, për partinë, prandaj edhe u ndëshkua, ose u harrua. Nuk mund ta harroj një ditë 1 Maji, kur kemi dalë të dy. Aty kuptova se sa e dhimbshme ishte kur njerëzit nuk të njohin. Shkuam tek kafe “Flora”, aty porositi një kafe, unë një zup. Kur na u servir, një kameriere e re e kish ngulur lugën brenda zupës, ndërsa bishtin e filxhanit të kafesë e kishte kthyer nga e majta. Lasgushi i indinjuar për mënyrën e shërbimit e thërret dhe i shpreh pakënaqësine e tij. Kamerierja e pa e habitur dhe pas 5 orëve që ne bisedonim pa fund, më thërret dhe me një lloj përbuzjeje më pyet se kush ishte “ai plak i bezdisshëm”. Kur i them kush ishte, ajo ngriti supet dhe më tha se nuk e njihte
Sa vite zgjati miqësia mes jush?
Për fat të keq isha mikesha e vogël e Lasgushit për pesë vjet me radhë. Miqësia jonë zgjati deri në vitin ‘81, kur ai u sëmur nga skleroza. Vajzat më thoshin: Mbaje mend siç e ke njohur dhe jo më tani. Më kujtohet fotografia e fundit, kur ai u shpërfytyrua.
A ju la ndonjë këshillë që e mbani ‘vath në vesh’?
Erdhi një moment, kur ai filloi të më trajtonte si vajzën e tij, edhe pse kishte dy të tijat. Gjatë gjithë kohës më përsëriste: “Kam shumë merak moj Silvana se në çfarë dore ustai do të biesh!” Por porosia që mbetet aktuale dhe që ka ndikuar në zgjedhjet e mija ishte: “Nëse një person të do vërtetë, fillimisht duhet të të dojë pasionin”. Më përsëriste se duhej një nivel me veten, dhe se bashkëshorti duhet të kishte të njëjtat interesa me mua, pasi ndryshe dështimi në lidhje ishte i sigurt. Më kujtohen një tjetër moment, kur donte të më gostiste me mjaltë dhe mua më bënte keq. Ai ma ktheu se njerëzit që janë delikatë nga stomaku, janë delikatë nga ndjenjat. Më pas përmendi atë shprehjen e famshme: ndjenjat kalojnë nga stomaku, duke më porositur që nëse duhet të mbaja raportin e fortë, duhet të gatuaja edhe kur nuk më dilte koha, ose të paktën mos t’i thosha kurrë bashkëshortit: nuk ka asgjë për drekë. “Nëse nuk ke bërë drekë dhe i thua hamë nga një vezë të skuqur, nisin sherret e më pas krizat bashkëshortore. Ama kur i thua e kam bërë drekën, mjafton pak mish pastërma, që e hedh në prush, por edhe një kanë me verë, largon sherret dhe vërteton se dashuria kalon na stomaku”, më porosiste Lasgushi. Kjo ka qenë një nga shtysat që unë bashkova pasionin tim për letërsinë me kuzhinën për të realizuar programin “Shefi finok”, që zë fill së shpejti e ku jam producente, skenariste, ideatore dhe prezantuese.
Ju ka mbetur ndonjë peng prej asaj kohe?
Nuk kisha një person madhor që të më këshillonte që çfarë kisha biseduar me të, t’i hidhja në fletore. Kjo më ka mbetur peng. Besoja se kujtesa ime do të regjistronte çdo kujtim. Në shtëpi nuk interesoheshin se për çfarë flisnim, pasi nuk kishte interes mbi Lasgushin. Gjithashtu, më mbeti merak se më kishte shkruar ca vargje, por që nuk m’i dha kurrë, pasi u sëmur.
Ramiz Alia, nxënësi ‘i pabindur’ i Poradecit...
Mes kujtimeve pa rend kronologjik, të sjella ashtu rrëmujshëm, mikeshës së poetit të liqenit i vjen ndërmend një nga ato historitë që rrallë të shkulen nga memoria, aq më tepër kur personazhi quhet Ramiz Alia. Kuptohet që asokohe, as Silvana, as vetë ish-presidenti, nuk e dinte që do të gëzonte privilegjet që do të vinin vite më pas. Në këtë sens as Lasgush Poradeci nuk mund ta dinte të ardhmen e nxënësit të tij ‘të pabindur’, por ja që ato rrëfime me mikeshën e tij të vogël, nuk e lanë të humbte në tisin e harresës. Pakkush i ka rënë në vesh se Poradeci, ka qenë mësuesi i vizatimit në kryeqytet i Ramiz Alisë, dhe siç diktonte tradita ato vite, përveç fjalës së mësuesit askush nuk bënte zë. Vetë Silvana, e kujton si më poshtë: “Më ka rrëfyer një episod me Ramiz Alinë, kur jepte vizatim në Tiranë. Në një moment ky shpjegonte, Ramizi me shokun e bankës shkëmbejnë mjetet e punës, dhe falënderojnë njëri-tjetrin. Poradecit i vret veshin dhe i ngre në këmbë, më pas e nxjerr përjashta. Kur mbaron mësimi, aty gjen Ramizin që qante me dënesë, e i thotë mes lotëve: “Nuk e dija zoti mësues se edhe elementët e edukatës ndëshkohen. Lasgushi i kishte zgjatur shaminë e tij të shtrenjtë të mëndafshit. Më pas ata ruajtën kontaktet. Sa herë që ia merrnin qenin e tij Cucin, policët, kërkonte takim me Ramiz Alinë, derisa ky episod nuk u përsërit më. E harruan qenin, por edhe vetë poetin”, përfundon Xuhano, mikja më e re dhe e fundit e poetit të liqenit.