Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Puntorie Ziba

| E merkure, 23.06.2010, 08:50 PM |


Puntorie Ziba 

 

Një rrugë

 

 (Kolosit të filmit, Bekim Fehmiut)

 

Eh,  ti ecje vetëm

drejt një rruge,

i djegur

 pa pikë force

shtroje shputën mbi asfalt,

mbi gurë e baltë

mes shikimesh të përçudnuara

qensh e macesh rrugaçe

belgradase,

njëmijë vjet larg nga vendlindja

në mesin e ujqërve të kokës tënde

kalëroje udhën me këmbë odiseje

dhe  të rëndonin pellgje gjakrash

 mbi sy

bojë plumbi.

 Si mbete gjallë

kur hapëroje kokulur

 rrugës së Kalemegdanit

me këmbët e tua të vetmuara

kur anash pemët gojëliga

 përqeshnin sharraxhinjtë e tu

e ju vëndonin nga një bisht.

Ah, si mbete gjallë!

   

   ( dimër, verë)

 

Gjithë ato vjeshta me baltë e shi,

gjithë ato verëra

pa një rreze,

verë e dimër narthje

të dridhej damari

mëngjeseve  udhës së Beligradit

kur  merrje nga pak ajër

 mes shkurresh e egërsirash

 larg mitrës së tokës tënde.

Jeta jote betejë,

 rrugëtim me këmbë Odiseje

pa asnjë këngë në buzë

i uritur

për një copë bukë

nga hambari i Kosovës

me buzë të shkrumuara

pa stërkala qumështi

nga një dele Sharri

që të shijon si qumësht

i thithur nga gjinjë nëne,

ah, i thithur nga gjinjë nëne...

       

        (Në dhomën e gjumit)

 

Edhe në shtrat

 trupi yt i bukur

 i zënë rob

nuk prehej

se rrinte  varur në ajër

afër pjellës së farës së egër.

Çdo mëngjes të ftohtë

 i dëgjoje si të shanin e të rrihnin

belgratshe

dhe çdo ditë

 të futnin në altarin e vdekjes.

Si mbete gjallë

kur ti ecje,

ecje

se të shtynin

e të pështynin  pas shpine

atje ku derdhje mushtin

pa një kokërr fjale të nënës tënde,

në amfiteatër,

brenda në boshësinë e shpirtit

ku t’i prenin kokat

e gjakut  të derdhur lum

ku të ngulfaste zëri i të vdekurve

që nuk ju dihej varri.

Ti ishe gjithçka dhe askush,

i ngazëllyer dhe i trembur

me një zemër  fluide

që si gur rëndonte ,

 brenda lëkurës tënde.

 

( Larg teatrit)

 

Eh,

ti ike dhe e le

vetëm,

vetë vetë

dërrasën e Talias,

me këmbë druri ike

sa e doje atë dërrasë

ku ecje me këmbë lypësi e mbreti

pa këmbë shqiptari

dhe,

 sytë dritë nuk të bënin më

s’shikoje as petale lule dushku

 e lulebore

asgjë shqip ne Belgradin e sertënuar

ku  ti e humbe limontinë,

 aty ku zjarri  e akulli

s’pjellnin  pranverë

aty,

 ku ditë e natë

dimër, verë

të rropën nga një copë lëkurë koke,

zemre e mushkërie.

 

       (Në mes të ditës)

 

Mijëra copa ndjenjash,

kokrra lotësh

si kokrra breshëri

 i binin tej për tej Kosovës tënde

dhe përplaseshin rrugëve

me asfalt Beligradi

pa  ajër Prishtine

pa ajër Prishtine.

Dhe ti,

 kolos  i artit të shenjtë

edhe pas krismave të rrufeshme

pas dergjes së nënave

për sy biri

 mbete i ngujuar aty

në Beligrad

derisa të vranë

në pellgun e gjakut të kokave tua

larg bukës amnore

i kacavjerur në mendime

pa një përqafim,

pa një puthje të tokës tënde

pa i shikuar  ëndrrat

si  jetoje brenda nesh

ti ëngjëll i kristaltë.

 

( vdekja të puthi me plumb)

 

Ku të mbeti arkëmortja

ti hero i kuq i krenarisë

 së fisme.

 

    ( vaj populli )

 

I vdekuri ynë u bë hi

u fut në urnë

e doli përsëri.

Ikni korba mos na ngani,

sytë e zi mos ia hani

se  ka mbetur një mall vashe

 dhe nëneja pa  e parë.