| E merkure, 23.06.2010, 09:58 PM |
Disa nga anëtarët e Ansamblit “Emin Duraku” të Zhurit në vitin 1955
Rrugëtim i suksesshëm 60-vjeçar i Ansamblit muzikor “Eimn Duraku” të Zhurit
VALLET QË JETËS I JAPIN KUPTIM
Nga Çerkin Bytyçi
Në Zhur, njërin nga vendbanimet më të mëdha të Kosovës, Ansambli Muzikor i Këngëve dhe Valleve, pothuaj me një traditë më të gjatë të veprimit të sukseshëm nga të gjitha ansamblet tona muzikore, kohë më parë, shënoi një jubile të veçantë që bënë të krenohen jo vetëm zhurjanët në Zhur dhe jasht tij, por edhe shumë të tjerë, dashamirë të kulturës, muzikës e të amatorizmit në përgjithësi.
Zhurjanët me kohë dhe me ngulm, këtu e gjashtëdhjetë vite më parë iu rreken këngës e valles me intensitetin e shtuar, me një organizim të mirëfilltë, për tia rritur namin vendbanimit të tyre dhe trevave shqiptare anë e këndë, me prezantimin e vlerave të mirëfillta të folklorit autokton shqiptarë. Askush më mirë se zhurjanët nuk e kuptoi rëndësinë e vazhdimësisë së organizuar të kultivimit të thesarit të çmueshëm nga tradita folkolorike që trashëguan brez pas brezi, nga stërgjyshërit të cilët, edhe në hallet më të mëdha, u shoqëruan me këngën, e hodhën vallen e hareshme, gjithnjë me plisin e rrafshtë mbi kokë, me rrobat tradicionale që shquhen përkah koloriti.
Mburrje e Zhurit dhe Kosovës, gjithësesi është Ansambli Artistik.
Thuhet se organizimi i tij zë fill nga viti 1949. Por, kënga dhe vallja në Zhur ka historinë që nga lashtësia. Këto vlera u kultivuan me gjelozinë më të madhe dhe u bënë bazë e ditës kur shkrepi ideja për të themeluar Shoqërinë folklorike “Emin Duraku”. Nuk ishte lehtë të bëhej kjo, në atë kohë kur akoma kundërmonte erë baroti. Në ato kohë të turbullta. Në atë kohë të pa kohë. Zhurjanët nismëtarë të këtij organizimi, me vetëdijen e plotë se i nënshtrohen një pune të mundimshme dhe sakrifice, u mblodhën tokë dhe thanë të bëjmë fillimin. Ishte gjithësesi ditë e mbarë kjo sikundër që ishte e mbarë ideja. Vendosmëria mposhti çdo pengesë. Edhe komplotet që i bëheshin këtij organizimi nga të gjitha anët. Askush s`qante kokën për asgjë. As për thash e themet. Kënga dhe vallja prinin në punë. Printe edhe njeriu i vendosur. Hamdi Shabani. Ai që s`harrohet kurrë. Rreth tij u tubuan amatorët zhurjanë. Vallëtarët që prinin në vallet e dasmave të këtushme. Të talentuarit. Njerëzit e fjalës dhe të punës. Tupanat e zurlet, defi, çiftelia e sharkia ishin instrumente që shoqëronin këngët e vallet e zhurjaneve dhe të zhurjanëve të hareshëm. Bubullimat e tingujt e tyre jehonin dhe dëgjoheshin larg. Larg e më larg flitej për Dasmën e Zhurit, ahengun më të dashur e më kompleks të këtij mjedisi dhe të secilës familje e lagjeje. Edhe për këngët që i këndonin me plotë ndjenja vashat e këtueshme si ajo “Kah po shkon mor djal o kah Çafa e Zhurit, rrogzinat e zeza e tojat e gurit...”
Këngët si kjo ngërthenin në vehte energjinë e gjithkuptimtë që jetën në këtë nënqiell e bënin më të begatë.
Shoqëria folklorike “Emin Duraku” ishte e veçantë për shumëçka. Dallohej me formën e punës, me vlerën esenciale të folklorit burimor, të këngëve dhe valleve që dilnin nga gurra popullore zhurjane e shoqëruar me tiparet karakteristike të veshmbathjes që e hieshonin zërin këmbues, hapin dinamik, oshtimën e daulleve, të zurleve....
Dhe kudo e kahdo që prezantonin zhurjanët, publiku mbushte sallat përplot. Duartrokitjet frenetike ishin dhurata më e mirë për këta amatorë të vyeshëm, të cilët i mobilizonin për punë edhe më të vendosur, për suksese të reja, për të vazhduar pa u ndalur, me këmbëngulësi të veçantë. Me gjelozinë më të madhe pozitive. Për të mbushur përsëri sallat e dhjetra e dhjetra qyteteve në Kosovë e kudo gjetkë. Anë e kënd. Për tia ngritur edhe më shumë namin vehtes. Regjionit. Kosovës. Shqiptarisë. Në Slloveni, Kroaci, Serbi, Gjermani, Turqi, Bullgari, Shqipëri, Ital, Maqedoni... Kjo është e arritur e madhe që bashkangjitet e lartësuar në tabanin kombëtar. Mision ky i shejtë i Ansamblit Artistik “Emin Duraku” të Zhurit. Rrugëtim ky shumë i gjatë që s`do të ketë të ndalur, për të kremtuar edhe gjashtëdhjetë vjetë e shumë të tjera......
Por, në këtë rrugëtim, një emër mbetet prore sinonim i të arriturave të mëdha kulturore në Zhur e në komunën e Prizrenit. Emri i Hamdi Shabanit, themeluesit të kësaj vatre kulturore, mbetet i skalitur me shkronja të arta në historinë e Ansamblit të sotëm “Emin Duraku” të Zhurit, sepse e gjithë veprimtaria dhe rezultati i arritur i tij, është realizuar me angazhimin këmbëngulës të këtij veterani që sot nuk është më në mesin e anëtarëve të vyer të ansamblit. Megjithatë kujtimet janë kurdoherë të freskta për kontributin e madh të këtij veprimtari të angazhuar të kulturës që ka merita të mëdha për zhvillimin e saj jo vetëm në Zhur por edhe në Prizren e më gjerë.
Urojmë që “Emin Duraku” i Zhurit të marshon dekadave të pakufishme drejt sukseseseve edhe më të mëdha në kultivimin dhe prezantimin e trashigimisë sonë karakteristike kulturore-folklorit autokton.