| E merkure, 23.06.2010, 07:13 PM |
Grigor Kondakçiu
Qukapiku
Në degë të tharë,
ky zog filloi
me sqep të bëjë tok-tok,
po dega qe aq fort pa jetë,
sa kot lodhej, medet.
As mola, që me drurin rron,
mundimin s'e kish marrë,
me të të mprihte "dhëmbët" kot,
ushqim i kotë "qe ndarë".
Dhe qukapiku si u lodh,
xixa i nxori sqepi,
u nis më tutje me durim,
një tjetër pemë gjeti.
Kështu "doktori"
-S'ke shërim,
pa fjalë i tha degës,
kur ti prej dhimbjes
s'ulërin,
më kot i varesh pemës.
Një erë fryu, fort e marrë,
k'të copë dru e theu,
atë që s'mori qukapiku,
me neps e hëngri dheu.
Muri
Unë jam një ëndërrimtar,
kujtimet e mia të vjetra
copë-copë i kam marrë,
i kam hedhur në letra.
Me to muret kam mbushur
copëza fotografish, bardhezi, pa zë
nga një copë kohe të shkëputur,
e bashkë i kam mbledhur një për një.
Dhoma ime është si një ëndërr
unë jam njeriu që flë
kujtimet e mia janë zgjëndërr,
e të fle nuk mundem më.
Të vazhdosh, të harrosh, sa mirë,
të kaluarën pas ta lësh, pas,
në mure koha ka ngrirë
dhe jeta përqesh buzagaz.
E heshtur më sheh, faqe muri,
pa jetë, pa ndjenja, pa shkak,
ti copë, me copa prej guri,
mbulesë më bëhesh çdo natë.
Shpirti dhe dheu
Lutem, kur lodhem e forcat më lëshojnë
Zotit, të më japë besim e energji,
shpresë të më japë e guxim,
dhe pak dritë, pak prej tharmit të tij.
I lutem Zotit dhe zgjatem drejt qiellit,
e s'arrij dot, ngjitur ngelem me tokën,
aty ku ndalen rrezet e Diellit,
ku ajri i pisët më mbush gojën.
Dhe atëherë, i kthej sytë poshtë,
aty ku Zoti ka shtëpinë e folenë shpirti,
thellë në zemër me këmbë në tokë,
aty ku Jeta prej tij lindi.
Tik-takun e kohës ndiej që pulson me gjak,
orën që punon pa u ndalur,
përditë, pak nga pak
orën që hesht kur koha ka ardhur.
A jam unë që lutem,
Zot i këtij trupi të gjallë?
Apo thjesht një shpirt që futem
e dal prej trupash të gjallë?