| E marte, 22.06.2010, 09:57 PM |
Edmond Shallvari
Dikush...
E di!
Dikush tani, nuk ka se çfarë të hajë
Dikush është duke vjellë, tepricën që ka ngrënë
Dikush nuk ka më lot, janë shterur duke qarë
Dikush vazhdon të qeshurën, që s'e mbaroi mbrëmë.
E di!
Në emër të Allahut, dikush kërkon të vdesë
Në emër të lirisë, që Allahu kurrë s'ja dha
E di, ka për të vrarë, ooh, sa dikushë të tjerë
Të shkojë do në xhennet e në xhehennem, ata.
E di!
Dikush zhgënjyer zgjohet, nga ëndrra përrallore
Dikush përrallën e ëndrrës, e bën për shtat' palë qejfe
Kështu vazhdojnë dikushët, avazin nëpër mote
Njeri gjithnjë për tjetrin e tjetri gjithnjë për vete.
E di...
-Mjaft, aman dhe ti!