| E hene, 21.06.2010, 09:57 PM |
Në fshatin Berishë, për dëshmorët, u mbajt manifestimi i Radios-Kosova e Lirë
Nga Milazim KADRIU
Në 11-vjetorin e përmbushjes së misionit informativ të Radios-Kosova e lirë, në malet e Berishës, gjatë kohës së luftës së UÇK-së, sot në ambientet e Shtëpisë-Muze, në fshatin Berishë u organizuan aktivitete tematike e përkujtimore për 13 dëshmorët e rënë afër vendeve ku ka emetuar program Radioja dhe Agjencia Kosovapress gjatë luftës. Me këtë rast u zbulua edhe pllaka përkujtimore për 13 dëshmorë të kombit si dhe lapidari i UÇK-së. Në pllakën përkujtimore e cila u zbulua me këtë rast janë përjetësuar emrat e dëshmorëve: Xhavit Kelmendi nga fshati Karaçicë, Vezir Kolshi nga fshati Baicë, Mehdi Bytyçi dhe Sylejman Bytyçi nga fshati Arllat, Islam Kastrati nga Kizhareka, Mentor Gashi nga Llapushniku, Mentor Morina nga Komarani, Ramadan Bytyçi nga Gjergjica, Halim Bajraktari nga Drenasi, Hyrë Emini nga Ferizaj, Xhavit Bajraktari nga Studençani i Therandës, si dhe Islam e Elbasan Berisha.
Në tubim folën, drejtori i Radios Kosova e Lirë z. Ahmet Qeriqi, Simboli i rezistencës kombëtare baca Adem Demaçi, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, z. Xhavit Jashari, dhe Eprori i Zonës Operative të Pashtrikut, z. Sadik Halitjaha.