| E hene, 21.06.2010, 09:48 PM |
Datë 19 Qershor 2010, ne
Mustafa Xhepa
Zoti kryetar Gjon Buçaj, anëtarë të Vatrës:
Ndjehem krenar që Vatra - Dega Washington D.C., sot, në ditën e saj të parë, tregoi sa të bashkuar jemi për të dhënë ndihmesën modeste në interes të kombit tonë të lashtë. Sa të gatshëm jemi të ndërtojmë një konsensus me të gjithë ata që ndajnë me ne një komunitet vlerash të mëshiruara në këto tri fjalë: Liri, paqë, drejtësi.
Më tepër se çdo gjë tjetër dua që kjo degë të shërbejë si shtysë për shtimin e rradhëve të Vatrës me anëtarë të rinj; të ringjallë krenarinë kombëtare dhe kuptimin e qëllimit të këtij misioni të madh. Dua që kjo të përcjellë mesazhin tek të gjithë bashkatdhetarët, pa marrë parasysh diferencat, se ne jemi gati të bashkëpunojmë me të gjithë ata që ndajnë të njejtat vlera me ne.
Ne të mbijetuarit që fati e solli të jetojmë nën perandorinë e errësirës, e cila demaskoi, shpronsoi, kolektivizoi, deboi, internoi, burgosi, pushkatoi korën e kombit, nën thundrën e Neronit që dogji me zjarr e hekur çdo gjë shqiptare për interes të armiqve tanë shekullorë, na del detyrë madhore të mbajmë gjallë kujtesën dhe të moslejojmë harresën të mbulojë të vërtetën, sepse po harruam kthehemi në bashkëfajtorë.
Ka shumë padrejtësi që bëjnë thirrje për vëmendjen tonë, por njëra ndër më kryesoret është Çamëria e gjakosur. Ne duhet të bëjmë të pamundurën që kësaj padrejtësie çnjerëzore t’i jepet fund njëherë e përgjithnjë dhe pjesa fisnike e kombit e zhvendosur me forcë të kthehet në trojet e veta. Liria e tyre varet nga përpjekja që do të bëjë bota e lirë bashkë me ne dhe cilësia e lirisë sonë varet nga liria e Çamërisë.
Mustafa Xhepa
Washington, D.C., 19 Qershor 2010