Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Gaqi Vishi, mirnjohja e qytetit të Vlorës

| E diele, 20.06.2010, 07:58 PM |


GAQI VISHI, MIRNJOHJA E QYTETIT TË VLORËS

 

Reportazh nga Luan Çipi

 

Pardje, në Sallën e Teatrit “Petro Marko”të qytetit të Vlorës, nga Bashkia e Qytetit dhe Drejtoria e Teatrit, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së aktorit të spikatour komik, Gaqi Vishi, u organizua një Akademi Përkujtimore, ku ai u shpall “Mirnjohja e Qytetit të Vlorës”.

Në Sallën e Madhe të Teatrit të mbushur plot, si rrallë herë kohët e fundit, kishin ardhur vlonjatë, nga të gjitha anët e vendit, aq sa rinin dhe më këmbë.

Ceremoninë e çeli Drejtori i Teatrit “Petro Marko”, zoti Dhimitri Furxhi, i cili përshëndeti pjestarët e familjes, Kryetarin e Bashkisë Shpëtim Gjika, prefektin Hasan Halili dhe të ftuarit e shumtë, duke përfshirë dhe veteranë e pensionistë, ish aktorë në trupin e përbashkët me të nderuarin. Pas kësaj u shfaq një dokumentar, përgatitur nga TV Amantia, me producent e regjizor z. Genc Demiri, ku me dashuri, përkushtim e profesionalizëm ishte paraqitur jeta e aktorit të shquar komik të qytetit të Vlorës dhe, pse jo, me gjurmë në mbarë vendin, Gaqi Vishit, ose siç u quajt shumë kohë, Çaplinit Vlonjat.

Po këtu, Kryetari i Bashkisë së qyteti të Vlorës lexoi Vendimin e Këshillit Bashkiak për akordimin e titullit “Mirnjohje e Qytetit të Vlorës” artistit Gaqi Vishi dhe i dorëzoi Çertifikatën dhe emblemën përkatëse djalit të tij, stomatologut në zë, Ilia Vishi.

Pas kësaj, aktori  i estradës Afrim Agalliu, pjestar i grupit të dëgjuar të “Parodistëve Vlonjat”,  paraqiti programin e Akadamisë dhe foli e theksoi momentet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë artistike të Gaqi Vishit.

Roli i parë në teatër i Gaqi Vishit e ka  zanafillën 83 vjet më parë, në vitin 1927, kur artisti i  madh debutoi, së bashku me vlonjatë të tjerë si Nuri Arapi, Shefqet Resuli, Ilia Peço, Pelivan Haxhiu, Panajot Papingji, Mustafa Belshi, Fani Dema, Ahmet Butja, Nazim Batalli, Toli Mato, Miti Rumbullaku, Stavri Rrapushi, Musa Gorishti, në Grupin Teatral me emrin “VLORA”.

Pas Çlirimit, me krijimin e Estradës Profesioniste, ai u përfshi në një veprimtari të gjërë artistike për 50 vjet pa ndërprerje, duke dhënë spektakle në qytet e në fshat, shumë herë edhe  dy shfaqie në ditë, në bahkëpunim me aktorë të tjerë të talentuar, si Myqerem Ferra, Leka Kruta, Evgjeni Shtrepi, Pirro e Qirjako Sava, Vangjel Panozaqi e Nazmi Bonjaku. Nuk ka  banorë të qytetit të Vlorës dhe nga mbarë vendi, që nuk e kanë njohur dhe nuk e kanë duartrokitur e dashuruar, aktorin e spikatur  komik të skenës shqiptare, “Artistin e Merituar” Gaqi Vishi. Figurat e tij komike janë të gjalla e të paharruara, pse ato mbartin të vërtetën e madhe të jetës dhe ishin gjithë humor e kripë.

 Shefqet Resuli bashkëaktor i hershëm, vërsnik me Gaqin pat thënë: ”Me Gaqi Vishin, në vazhdim të traditës më të hershme vlonjate, duke pasur si regjizor profesorin e Shkollës Tregtare të Vlorës, Skënder Luarasin, qysh në vitin 1930 kemi vënë në skenë dhe kemi shfaqur me shumë sukses dramën e Foqion Postolit “Për mbrojtjen e Atdheut”.

Një tjetër bashkëkohës i hershëm, Mustafa Belshi, ka shkruar: “Gaqi Vishi, padyshim është një nga pionierët e Teatrit Shqiptar. Një jetë të tërë ai lozi në skenë, duke lënë mbresa të thella tek mijëra spektatorë. Kur dilte ai në skenë, për shkak të dhuntive të lindura, duket se lozte.në tërheqie magjike,  shpirti i tij komik”.

Shkrimtari vlonjat Ferhat Çakëri ka shkruar :”Karnavalet e qytetit nuk kishin kuptim pa Gaqi Vishin, kripën e humorit vlonjat”.

Liza Laska, aktore dhe Artiste e Popullit, që e ka njohur nga afër dhe ka interpretuar disa role bashkë me të,  thotë: “Individualiteti i tij i prirur drejt humorit të hollë, gjithashtu dhe drejt pantonimës, afirmoi në skenë cilësi origjinale të personalitetit të tij artistik”

Myqerem Ferra, aktor dhe regjizor estrade, pat thënë për Gaqi Vishin: ”Ai ishte një shembull i gjallë artisti punëtor, që çdo ditë mblidhte material, shkruante, qëmtonte nga thesari popullor, i përpunonte ato dhe gdhendte karakteret e personazheve, sidomos në skeçe, parodi, kuplete, duke qënë kështu, një aktor shumëplanësh.

Nazmi Bunjaku, shumë vjet regjozor i Esdradëes Profesioniste të Vlorës, ka thënë se: ”Ai ishte  njeri me një temperament të çuditshëm, këmbëngulës, deri sa të bindej për figurën, karakterizimin e rolit, lëvizjet skenike, të cilat i shoqëronte me një varg pyetjesh dhe u jepte  gjithnjë zgjidhje optimale.

Leka Kruta, aktor komik dhe Artist i Merituar, duke qënë pjesmares në Akademi dhe personazh paraqitjeje, me këtë rast kujtoi disa aspekte nga puna e përbashkët me Gaqi Vishin. Ai, midis të tjerave tha se: ”Vitet kalojnë, po unë e kujtoj përherë me dashuri të madhe portretin njerëzor dhe aktoresk të Gaqi Vishit, i cili ishte në themelet e artit skenik vlonjat, duke u berë i dashur për të gjthë. Humori i tij është ende i gjallë në buzqeshjet dhe zemrat e vlonjatëve”.

Qirjako Sava, një tjetër aktor i hershëm dhe regjizor i estradës, një ndër nisiatorët e kësaj Akademie, duke folur per kujtimet e tij me Gaqin tha se ”Ai është ndër  mësuesit e mi  të rrallë të humorit. Unë mësova prej tij përkushtimin për krijimin e figures artistike, për gdhëndjen e personazheve, për të lënë shpirtin e madh të tij në botën e bukur të artit”

Aktori i talentuar i Estradës Profesioniste të Vlorës, Gaqi Vishi, në 100 vjetorin e lindjes së tij u kujtua për 1550 role të luajtuar në skenat e esdrades, në lojrat e karnavaleve të qytetit, në imitimet e suksesëshme të Sharlotit. Ai ka lojtor mbi 40 role në Teatrin e Qytetit të Vlorës dhe në Kinema.

Gaqi Vishi u shqua dhe si kupletist, i paisur me një zë melodios, me dëgjim të mprehtë dhe fort i intonuar për muzikën, i dalluar në operetat e interpretuara, vodvile, kuplete e parody të shumta, të pa vdekshme në kujtimin e bashkëkohësve, ku dallohej për timbrin e ëmbël interesant, të veçantë komik e gazmor, për grimin dhe për  veshjen e kujdesëshme, në  përshtatje të rolit, shpesh herë të improvizuar vetë, duke ia imponuar dhe regjizorit më të mirë.

Akademia Përkujtimore, me rastin e 100 vjetorit të  lindjes së artistit komik vlonjat, Gaqi Vishi, sipas programit të hartuar me kujdes dhe të drejtuar këndshëm nga Afrim Agalliu, ishte në vetvete edhe një spektakël i bukur me kengë, valle e parody, ku nuk mungoi banketi, shpërndarje librash jetshkrimore dhe një drekë e posaçme, me fjalime e përshëndetje.

            Zoti Shpëtim Gjika,  Kryetari Bashkisë së Vlorës, organizatores kryesore të kësaj Akademie, duke folur  me këtë rast tha se, kjo që bëjmë sot, është fare pak pë të madhin Gaqi Vishi. Ne, si Bashki, jemi duke krijuar mjedisin e posaçëm, duke ndërhyrë në sferat më të larta, për ta vlerësuar atë në maksimum, për aq sa ai ka kontribuar dhe meriton për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë.

 

Vlorë,18.06.2010