| E shtune, 19.06.2010, 06:59 PM |
VARGJE MBI DASHURINË PËR POPULLIN, ATDHEUN DHE LIRINË NACIONALE
(Kur intelektualizmi shkrihet në tabanin kombëtar)
Sabile Keçmezi-Basha, “Kodi i pritjes”, poezi, botoi LSHK, 2010-06-16
Nga Prof. Dr. Faik Shkodra
Vëllimi me poezi i krijueses tashmë të afirmuar, jo vetëm në fushën e shkencës së historisë, por edhe në atë të letërsisë-veçanërisht në atë të poezisë, Sabile Keçmezi-Basha, me titull “Kodi i pritjes”, sjell poezi të konceptuara e të menduara mbi bazën e një varg simbolesh, metaforash dhe metonimish, me të cilat trajton dhe artikulon tema, motive, ngjarje e aspekte nga historia jonë e dhimbshme, poezi që këndojnë momente të trishta, ankthe të pa përshkruara të njerëzve që jetën e bënin nën sundimin agresiv dhe brutal të Serbisë dhe pushtuesve të tjerë, që shqiptarët i patën me bollëk, pushtues që ushtruan dhunë dhe gjenocid mbi shqiptarët, mbi historinë, mbi traditën dhe kulturën kombëtare.
Në pasqyrimin e asaj jete të vrazhdë dhe mbytëse nga të gjitha anët dhe nga vetë gjendja shpirtërore dhe mendore e tyre, autorja krijon poezi që bartin me vete idealet, përpjekjet, ëndrrat dhe shpresat se një ditë këto drama të zhvilluara mbi popullin do të zhduken, do të perëndojnë, për të mos u përsëritur kurrë, por as për të mos u harruar kurrë.
Jetëshkrimi i popullit në vargje
Nga subjektet e poezive autorja, me fakte të shumta shkencore, historike, kulturore dhe psikologjike, shpreh fatin dhe jetëshkrimin e popullit të Kosovës e më gjerë, shpreh jetën e tij që i ngjasonte tallazeve e furtunave të shkaktuara nga cunamet dhe se pikërisht ato furtuna sikur flasin për udhëkryqet nëpër të cilët kalonte populli. Në këto udhëkryqe vritet liria aq shumë e kërkuar nga shqiptarët dhe vritet atdheu për të cilin u derdh shumë gjak e për të cilin u heroizuan e martirizuan sa e sa bija e bij të popullit- e që në poezinë e Sabiles paraqiten me simbolet më të shenjta – me të cilët identifikohen aspiratat dhe vlerat e shumta të rezistencës dhe të qëndresës së tyre heroike.
Kur lexon poezitë e vëllimit “Kodi i pritjes” të poetes Sabile Keçmezi- Basha s’ka si të të mos kujtohen mendimet e Nolit, që s’i mplak kurrë koha se:”njerëzit e vërtetë, ata që kanë dalë nga thellësi e shpirtit popullor dhe që rrojnë me mendje e zemër të mëmëdheut, kanë gjithmonë besime të mëdha. S’bien kollaj dhe as nuk koten në zhgënjime”.
Për më tepër, vetë titulli “Kodi i pritjes”ka kuptim simbolik dhe që në poezi shpreh kuptimin e shenjave që përdorën si mjet komunikimi në largësi. Me fjalë të tjera, poezitë e vëllimit nga lexuesi me kulturë e dije nga fusha e poezisë përjetohen si një korpus i fuqishëm odesh dhe sinjalesh poetike. Brenda poezive autorja realizon brengat dhe shqetësimet dhe nëpërmjet thënieve të bukura poetike shpreh botën shpirtërore dhe ndjenjore, imagjinatave dhe mendore dhe të gjitha shqetësimet, brengat dhe ëndrrat tematikisht i lidh me fatin apo fatkeqësinë e atdheut. Këto të dhëna dhe këto preokupime , me të gjitha derivatet kuptimore që bartin vargjet-mund të zbërthehen drejt vetëm duke i lidhur me biografinë tragjike të kombit dhe se poetja pikërisht kësaj tragjike i bënë jehonë të fuqishme sa poetike aq edhe estetike përmes frymëzimit spontan, në një anë dhe shqetësimeve që ka ndaj fatit të atdheut, në tjetrën anë. Krejt këtë e dëshmon ndjeshëm në emër të vargut poetik dhe metonimisë e metaforës, si ideal për qëndresë dhe triumf mbi korbat e zinj- siç do të thoshte Sabilja. Shtrirja e koordinatave të këtij shqetësimi për atdheun, për lirinë, për traditën dhe për të ardhmen e Kosovës në poezi është bërë natyrshëm dhe si të tilla shqetësime paraqesin botën delikate të autores.
Vlera universale artistike e estetike
Gjatë leximit të poezive do të shohim se krijuesja si trup të preferuar ka zgjedhur metoniminë dhe falë asaj sajon vargje që shpalosin gjithfarë marrëdhëniesh logjike për lirinë, për realitetin ekzistues, për historinë dhe për fatin e popullit në veçanti. U mor vesh, këto metonimi ruajnë varshmërinë logjike midis shqetësimit e brengës, midis ëndrrës e realitetit. Këto çështje në poezitë e vëllimit zhvillohen jo vetëm në një linjë të shprehjes e të idesë, por të shumtën e herës e kushtëzojnë njëra-tjetrën, si : shkaku në vend të rrjedhës së ngjarjes, rrjedha në vend të shkakut, abstraktja në vend të të konkretes, konkretja në vend të abstraktes dhe koha në vend të njerëzve.
Në poezinë “Muranë” vibrojnë mendime të mprehta me kuptime refleksive dhe me të drejtë pohon autorja se gjatë historisë sonë, me rrebeshe të shumta, ku nuk arritëm ta rilindim atdheun dhe jetën e popullit- më shumë u pjesëtuam mes vete e më pak u shumëzuam. Dhe , për çudinë e fatkeqësinë tonë të përgjithshme, pa logjikuar sa duhet plusin e bëmë minus e minusin plus. Vargjet: Matematikën kurrë s’e mësuam dhe vazhdimisht gabuam për të llogaritur largësinë e Yllit Polar, shprehin një të vërtetë të pakontestueshme, sado që është e dhimbshme deri në pafundësi.
Realiteti ekzistues dhe gjakimi drejt një realiteti tjetër më të mirë nga të gjitha aspektet ka frymëzuar poeten të shkruajë poezinë “Është plakur pritja”. Vargjet e saj rrëfejnë observime poetike për fenomenin e pritjes. Shqiptarët shumë shekuj pritën lirinë, demokracinë dhe jetën e lirë dhe vazhdimisht pritjet u bënë shumë dhe u lodhëm nga pritjet e papritura. Pritja sikur u shndërrua në apokalips.
Vëllimin e cilësojnë poezitë me vlera artistike e estetike universale, vlera që këndojnë çështjet për lirinë, atdheun, kombin dhe ngjarjet ndër më të ndryshmet që lidhen me ardhmërinë dhe perspektivën më të mirë të popullit në përgjithësi. Me motive të tilla janë poezitë: Liria, As dje, as sot, Herezi, Vetë më the, Paçka... pritja, Asgjë s’është më kot, Na akuzuan, Ecejake, Trokitje, dhe Kodi i pritjes të përfshira në ciklin “Kodi i pritjes”
Me art dhe emocione të fuqishme, me frymëzim e përjetim poetik, me nerv subtil, me kulturë për artin e fjalës poetja na jep sinteza poetike për atdheun, robërinë, pushtimet e vazhdueshme që iu bënë tokave shqiptare, prerjet si me thikë të pjesëve të atdheut. Kur këto fakte kihen parasysh, me të drejtë thekson autorja se :
Liria pa lirinë
Nuk do të ketë emër
As mbiemër!
E njëjta temë trajtohet në poezinë”As dje, as sot”. Në mënyrë ironike poetja hyn në fatin e atdheut dhe robëria që rëndon mbi të shkakton një zjarr prometeu në udhëtim dhe në zgjidhje.
Këto të dhëna endëzohen në poezinë “herezi”-vargjet e së cilës spikasin për ndjenjat e fuqishme që autorja I shpreh për atdheun, lirinë, për sakrificat, për përpjekjet dhe për strategjitë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të përhershme, për të cilën zgjidhje ekzistojnë rrugë të shumta, por mjerisht drejt tyre shtegtojnë pak udhëtarë.
Vargje për tkurrjen e gjeografisë së atdheut
Poezia “Kodi i pritjes” kryefjalë të trajtimit ka lirinë dhe me fjalë e me shprehje të bukura është dhënë vlera dhe kuptimi i lirisë. Figurë poetike qendrore, që vargjet I bën të kapshme dhe me muzikalitet të këndshëm është aliteracioni: “Pritja priti pritjen e pritur”!
Cikli “Sa pak oksigjen” ngërthen 30 poezi, që për trajtim rrokin tema, motive, ngjarje dhe dukuri që lidhen me problemet e historisë, me lashtësinë historike të shqiptarëve, me atdhedashurinë, me disa çaste të punës hulumtuese shkencore që autorja I ka bërë në bibliotekat e Tiranës dhe se me këto hulumtime sjell data të rëndësishme të festive kombëtare dhe shtetërore dhe sidomos janë të rëndësishme vargjet që këndojnë tkurrjen e gjeografisë së atdheut. Në këtë cikël shpesh zihet ngoje Itaka dhe përmes vargjeve të hartuara me gjuhën e qartë-poetja kultivon të ashtuquajturën ekspresion ironik e vetironizues. Ky vetironizim shpreh të këqijat e kohës dhe vargjet janë reagim ndaj asaj që autorja ka pare, sheh dhe përjeton. Vetë jetën dhe realitetin Sabilja sikur e projekton si një ëndërr, kurse poezinë e konsideron si bukuri të artit, që jetën e vështron dhe e koncepton si kundërreagim që godet fatin e njeriut në kohë dhe në hapësirë. Poezitë e këtij cikli do të duhej t’i lexojmë dhe t’i shpjegojmë jo vetëm nga konteksti i gjuhës së figurshme dhe gjuhës poetike, sepse poezia sa është gjuhë e hapur po aq është gjuhë e lirikës refleksive, është gjuhë kodit specifik që shpërfaq individualitetin origjinal, origjinalitet që autoren e shquan si zë të lirikës poetike.
Cikli i tretë përbëhet prej 31 poezish temash e motivesh të ndryshme, përmes të cilave autorja trajton çaste e dukuri të shumta nga jeta dhe aktualiteti i kohës. Në këto poezi, si: Qeshje e ngrirë, Edhe pak ka mbetur, Ndize qiriun, Lojërat Olimpike, Mëngjes polar, Me dy gishta, Nuk të gjykoj, mesazhi i dytë, Lëkura e atdheut, qeshje e hidhur, Identike, Më fal… etj., poetja shtron çështje të rëndësishme rreth historisë dhe për historinë, rreth atdheut dhe për atdheun, rreth lirisë dhe për lirinë dhe rreth veprimeve të popullit shqiptar dhe se këto veprime I paraqet nga këndvështrime të reja duke i veçuar problemet e shqetësimet aktuale që përjeton kombi dhe atdheu.
Mirëpo, është e vërtetë se këto aspekte mbi jetën, historinë, lirinë dhe shumëçka që lidhet me fatin e Kosovës janë komplekse dhe në disa poezi vlerësimet dhe gjykimet e poetes sikur na vënë në dijeni se, pavarësisht që dikush edhe para saj do të ketë shkruar për të tilla tema e morive, kjo nuk do të thotë se çdo gjë është thënë deri në fund. Jeta dhe historia nuk vendnumërojnë. Ato janë të vrullshme. Dukuritë dhe fenomenet që e shoqërojnë jetën dhe fatin e njeriut, meritojnë vëmendje shumë më të madhe për t’u pare e trajtuar në dritën e një filozofie të re, kuptohet, duke sjellë vlera të reja nga të gjitha rrafshet e mendimit poetic dhe estetik.
Vargjet si të tilla shprehin dhimbjen për njerëzit e humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shprehin botën e madhe dhe guximin revolucionar të Jan Pallahut, Dalaj Lamës, shprehin demonstratat, protestat, reagimet e shpërthimet shpirtërore të rinisë kosovare dhe popullit të saj kundër regjimit kriminal të Serbisë dhe përkrahësve të saj. “Nuk të gjykoj” është poezi që shpesh shqetësimet e autores në mënyrë meditative. Siç mund të shohim autorja është brengosur pse nuk arritëm ta njihnim të djeshmen, pse nuk po mençurohemi ta njohim të sotmen dhe vallë a do ta dimë dhe a do të vetëdijesohemi ta njohim të nesërmen?! Dhe për t’u vetëdijesuar si Dalaj Lama nga Tibeti rrëfen se:
Shpesh në ëndërr
Më vjen Mic Sokoli e
Adem Jashari
Më thonë çfarë fytyre ka liria
Në kafkën e atdheut!
Sens i lartë dhe ndjenjë e përgjegjësisë
Vëllimi “Kodi i pritjes” ngërthen poezi me vlera të veçanta artistike dhe estetike: poezi që dëshmojnë për afinitetin dhe zotësinë e autores për ta riprodhuar realitetin jetësor dhe historik në realitetin e ri artistik. Poezitë janë ndërtuar me një mjeshtëri të rrallë dhe se kompozicioni i tyre flet për përvojën dhe zotërimin e teknikës së të shkruarit nga ana e poetes.
Brenda vargjeve poetja ka përdorur shumë trope dhe figura stilistike, si:metaforën, simbolin, njerëzimin, metoniminë, ironinë, krahasimin, heshtjen, aliteracionin, të pyeturit, aluzionin, hiperbolën, eksklamacionin, antitezën etj. Poezitë i shquajnë disa funksione: funksioni referues, informues, konotativ, prekës, funksioni metagjuhësor, poetik dhe me të drejtë ka thënë Jakobsoni se funksioni poetik shfaq parimin e barasvlerës së boshtit të zgjedhjes me boshtin e kombinimit. Duke lexuar këtë vëllim, bëhemi më të pasur me njohuri mbi vlerat që reflekton poezia e Sabile Keçmezit- Basha dhe , siç pohon Adriatik Kallulli, poezia nga njerëzit e mençur është quajtur rrëfim, autobiografi, mesazh përvoje, dëshmi dhe armë morale e pazavendsueshme.
Me fjalë të tjera, poezia e Sabiles shpreh shpirtin e saj dhe si e tillë pasuron sa fantazinë aq edhe mendjen e lexuesit. Këto vlera të poezisë së saj sikur na vënë në dijeni se poetja edhe vargut të vetëm i kushton rëndësi, ndërsa poezisë në tërësi nuk i lejon që ta godas ndonjë rastësi që do ta dëmtonte. Përkundrazi, falë sensit të lartë dhe ndjenjës së përgjegjësisë, çdo poezi ka kuptimin ideor dhe në vete ruan të vërtetën që lidhet me preokupimin ashtu siç thoshte Pikaso i madh se “çdo njeri duhet të fillojë prej diku” Sabilja fillon prej historisë së popullit të vet, prej tokës së saj, prej traditës dhe ngjarjeve që e shoqërojnë fatin e popullit dhe atdheun e tij. Vëllimi “Kodi i pritjes” shquhet për vlera të dukshme ideoartistike dhe ideoestetike dhe si i tillë shënon një arritje të re në rrugëtimin e poetes. Në fund, e përgëzojmë autoren, duke i dëshiruar punë të suksesshme dhe të frytshme edhe në të ardhmen në fushën e krijimtarisë artistike dhe shkencore, në përgjithësi