Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isa Mulaj: Refuzimi i logjikshëm tri herë n’gjim i grantit dhe kredisë së Bankës Botërore!

| E shtune, 19.06.2010, 06:59 PM |


Refuzimi i logjikshëm tri herë n’gjim i grantit dhe kredisë së Bankës Botërore!

 

„Ne e parandienim se oligarkëve do t’iu nevojiteshin disa ditë apo ndoshta javë për zhvatjen e parave jashtë vendit; mjaftuan vetëm disa orë dhe ditë. Kur FMN [Fondi Monetar Ndërkombëtar] ishte ballafaquar me faktet se miliarda dollarë të cilët ia kishte dhënë (huazuar) Rusisë po shfaqeshin në llogaritë bankare të Qipros dhe Zvicrës vetëm disa ditë pas dhënies së huasë, deklaroj se këto nuk ishin dollarët e ‘tyre’ [të FMN-së]. FMN ia kishte dhënë hua dollarët Rusisë – fondet të cilat pastaj ia mundësuan [qeverisës së] Rusisë t’ia jep ata dollarë  oligarkëve për t’i nxjerrë jashtë vendit. Disa prej nesh i shigjetuam me kunja, se FMN do ta bënte jetën më të lehtë gjithkah po që se do t’i kishte dërguar paratë drejtpërdrejtë në llogaritë bankare të Qipros dhe Zvicrës”. – Joseph E. Stiglitz, Kryetar i këshillit të këshilltarëve ekonomik në administratën e Bill Clinton-it (1993-1997), Nënkryetar i parë dhe krye-ekonomist i Bankës Botërore (1997-2000), dhe Nobelist për ekonomi (2001).

 

Nga Isa MULAJ

(Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike – INEPRA)

 

Në vigjilje të njëvjetorit të anëtarësisë së Kosovës në Bankën Botërore (BB), deputetët e Kuvendit të së parës refuzuan tri herë n’gjim brenda një muaji marrjen e kredisë nga e dyta në vlerë prej 20,2 milionë dollarë amerikanë ($), ose diçka mbi 10 për qind të pakos fillestare të kredisë së përgjithshme prej 200 milionë $ që i është lejuar Kosovës në fillim të këtij viti. Një përvjetor i pazakonshëm, apo jo?

Pakoja prej 20,8 milionë $ përbëhej nga një grant (ndihmë financiare falas) prej 8 milionë $ dhe pjesa tjetër prej 12,2 milionë $ ishte kredi afatgjatë me zero normë të kamatës. Qëllimi i shfrytëzimit të pakos ishte modernizimi i sistemit të kadastrës dhe administratës publike. A ka diçka më të rëndësishme se kjo për ekonominë e Kosovës? Ndoshta. Vetëm të theksojmë se evidentimi, regjistrimi, mirëmbajtja, kontestet, dhe qeverisja e të drejtave pronësore në ish-Jugosllavi dhe shtetet e saj, sidomos në Kosovë, është ndër më të ndërlikuarit në botë. Prandaj, investimet milionëshe të duhura në të do të arsyetoheshin. Fatmirësisht, në krizën më të madhe financiare, vendit më të varfër të Evropës iu ofrua mundësia ta bëjë këtë me anë të një granti dhe një kredie afatgjatë pa normë të kamatës nga BB.

Norma vjetore e kamatës në tregun e kredisë nga bankat komerciale në Kosovë mendohet se sillet ndërmjet 10 dhe 14 për qind, ndërsa kohëzgjatja mesatare e kthimit të kredisë prej 2 deri në 2,5 vite. Askush nuk e vë në dyshim se këto janë kushte të rënda, pavarësisht arsyetimeve që mund të gjenden për rrethanat, mundësitë, faktorët ndikues, rreziqet, e kështu me radhë. Megjithatë, në këtë krizë të madhe financiare, shumica prej jush me siguri do të merrnit kredi nga bankat me normë edhe më të lartë të kamatës po që se ua japin, e ndoshta edhe fajde nga personat privat. Po të ishte kredia afatgjate deri në 20 vite dhe pa normë të kamatës sikur kjo e BB, a do ta refuzonit? Me siguri se jo. E nëse dikush ua ofron 8 milionë $ falas, si do të vepronit? Do ta refuzonit pa dashje nga gëzimi i tepërt! Por, a ishte kjo arsyeja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për refuzimet e grantit dhe kredisë të BB me zero normë të kamatës?

 

Pse deputetët e refuzuan grantin dhe kredinë e BB, ndërsa neve mundohen të na i hanë edhe brekët dhe brusvallterat!?

 

Para se të sjellim arsyet e refuzimit nga ana e deputetëve „kryeneçë me kryet baski”, do të ishte e dobishme të rikujtojmë shpresat e po të njëjtëve deputetë para dy viteve për anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe BB. Iu kujtohet se si procesi i anëtarësimit shfrytëzohej si marketing politik, duke i supozuar përfitimet që do të vinin nga kreditë afatgjata me kushte të volitshme, aq shumë të nevojshme. Në një analizë të asaj kohe (tetor 2008) me titullin „Rruga për në FMN dhe qorrsokaku në oborr”, dy deputetë shkuan aq larg të më akuzojnë në formë kërcënuese se po bëjë fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në FMN dhe BB, edhe pse përmbajtja e artikullit (ata e kishin lexuar vetëm titullin; më shumë nuk kishin pasur kohë të lexonin!) tregonte për lehtësinë e anëtarësimit si çështje dhe procedurë teknike, dhe sfidat praktike që do të dalin nga (pa)përgjegjësia e institucioneve vendore për qeverisjen nga brenda të marrëdhënieve të Kosovës me këto institucione ndërkombëtare. Nëse para afër dy viteve ai qorrsokak ishte në oborr, sot duket se është futur në shtëpi (Kuvend, Qeveri, dhe Zyrën e BB në Prishtinë).

Për çka më së shumti interesohen deputetët „tanë”? Për veten e tyre dhe në dëm të atyre që kinse i përfaqësojnë. Sa herë e kanë zbatuar këtë praktikë? Vështirë të numërohet. Madje me kalimin e kohës vazhdojnë edhe rastet, pra nuk ndalen kurrë. Mjafton të përmendim rastin i cili ende mendohet se është në proces, ndonëse deputetët e kanë kryer punën e tyre të mbrapshtë. Ata pas rritjes së pagës bazë për vete nga 900 në 1.500 euro (€), në Nenin 22 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, ata i dhanë të drejtë vetes në pension suplementar në moshën 50 vjeçare. Deputetët me 4 vjet punë (të dëmshme) në Kuvend duan të marrin pension në vlerë deri në 1.000 € në muaj, ndërsa pensionistët e tanishëm marrin nga 40 € në muaj për punën e ndershme 40 vjeçare, ku në mes tjerash përfshihet edhe ndërtimi i ndërtesës së Kuvendit (pavarësisht se u rinovua nga brenda) prej nga deputetët e sotëm po miratojnë projekte për vete të padëgjuar ndokund në botë. Gjasa e fundit për anulimin e një vendimi kaq të mbrapshtë të deputetëve tani ka mbetur te Kryetari i Kosovës pas një letër proteste që i kanë dërguar një numër i organizatave, se përndryshe do të bëhemi horë („horë” rrjedh nga anglishtja „whore”) në sytë dhe mendjet e botës njerëzore dhe shtazore.

Po të njëjtit deputetë që sjellin vendime për pensionim të parakohshëm të tyre si pasojë e „paaftësisë mendore” dhe paranojës duke qenë në gjendje të na rrjepin edhe ndërresat e brendshme, refuzuan tri herë n’gjim grantin dhe kredinë pa kamatë të BB ose të tjetër kujt. Atyre u pëlqen shumë të na zhveshin neve edhe nga brekët dhe brusvallterat, por refuzojnë me kryeneçësi milionat falas nga të huajt! Aq të bezdisshme u janë bërë deputetëve milionat falas nga të huajt, sa që në takimin e tretë kur duhej të votohej për marrjen e tyre, shumica u zhdukën nga Kuvendi, pra e bojkotuan votimin qëllimisht. A kishin të dejtë në këtë rast? Në bazë të asaj që u shtjellua gjer më tani, ju do të mendoni se kjo pyetje nuk duhet të bëhet fare kur përgjigja paraprakisht thuajse qenka e njohur edhe për botën shtazore – se deputetët miratojnë shumë vendime për veten e tyre që nuk hasen kund në botë. Mirëpo, sqarimi në vijim dëshmon se deputetët kishin plotësisht të drejtë kur ikën prej shtëpisë që i ushqen si parazit të dëmshëm ose Kuvendit, si prej dreqit kur ishte në pyetje miratimi (në këtë rast refuzimi) i grantit dhe kredisë pa kamatë të BB. Pse?

Granti i BB ishte i kushtëzuar me marrjen e kredisë. Qëllimi më detaj i shfrytëzimit të tyre pos atij që u cek më herët në këtë artikull nuk është sqaruar. Deputetëve vetëm u është thënë se do të shfrytëzohen për asistencë teknike dhe trajnime profesionale, asgjë më shumë. Të gjithë jemi lodhur e dërmuar nga shpërlarja e parave në emër të këtyre trajnimeve profesionale, sa që sot është vështirë të gjeni njerëz që do t’i vijonin këto trajnime falas, vetëm nëse janë nêj, dhe duan të pushojnë në hotele. Sa shpërlarja e parave është bërë vetëm në hotelet Metropol dhe Bellvi në Ohër të IRJ të Maqedonisë në emër të asistencës teknike për Kosovën? Nuk e di saktësisht edhe pse shpesh kam marrë pjesë në disa, të cilat fillimisht nuk i kuptoja pse organizoheshin atje dhe shumica e fondeve t’u mbeteshin hoteleve të Ohrit. Sidoqoftë, ato trajnime (sikur këto tash që po propozohen nga BB por pa detaje) figurojnë si investime në Kosovë, e tash e tutje si kredi për Kosovën edhe pse paratë përfundojnë diku tjetër. Refuzimi i deputetëve në këtë pikë duhet përshëndetur dhe ata nuk duhet të lëshojnë pê as një milimetër. Herave tjera, kur janë në pyetje çështjet e tilla për t’u vendosur, deputetët duhet të shikojnë mundësinë të ikin ose zhduken nga Kuvendi edhe me helikopter dhe aeroplan VTOL (Vertical Take Off and Landing), por me paratë e tyre të plaçkitura gjer më tani.

 

Cili është plani zyrtar por sekret për grantin dhe kredinë?

 

Si granti ashtu edhe kredia paraprakisht janë planifikuar të përfundojnë diku tjetër, jashtë Kosovës. Sherri i BB duket haptas kur thotë se granti është i kushtëzuar me kredinë si pako, që do të thotë se, pa e marrë kredinë, nuk mund ta merrni grantin. Pse kredia është në vlerë më të madhe se granti, kjo dihet. Kredinë duhet kthyer, pavarësisht se ku përfundojnë në fillim dhe në fund paratë e kësaj dhe grantit (në vendet tjera). Kështu nga kjo lojë, fitimi i Kosovës është borxhi prej 12,2 milionë $. FMN dhe BB e kanë zbatuar këtë strategji në disa vende të Afrikës kur kanë mbështetur diktatorët e egër dhe gjenocidin e tyre (si në Keni dhe Sudan) ndërsa radhën duket se e ka Kosova. Shumë lehtë është të bëhesh si diktatorët a Afrikës dhe të filloni gjenocidin me financimin e FMN-së dhe BB-së. Vetëm duhet të jeni lojal ndaj urdhrave të tyre në njërën anë, dhe t’ua bâjë fytyra të bëni si Idi Amini në Keni dhe ajo çka po ndodhë tani në Darfur. Kjo nuk do të thotë se FMN dhe BB vrapojnë pas diktatorëve të çmendur sikur ai i Koresë Veriore, sepse siç e thamë, këto duan patron dhe të jeni lojal ndaj tyre, dhe pastaj grahi si të duash dhe bëjë kërdi ndaj popullit tënd. „Liderin e Dashur” nuk e kanë patron dhe kjo i brengos këto dy institucione ndërkombëtare për shtypjen që ai ia bënë popullit të vet. Po të ishte patron i FMN-së dhe BB-së „Lideri i Dashur”, atëherë shtypja e popullatës do të ishte „në rregull” sikur ajo e patronëve në Afrikë (dhe tash në Kosovë!).

FMN dhe BB e kanë më lehtë ta bëjnë shpëlarjen e parave në Kosovë se në ndonjë vend më të madh si Rusia. Modeli mbetet krejtësisht identik ashtu siç e ka bërë publike me fakte Shtiglici (Stiglitz). Edhe vendet e shpëlarjes mbeten të njëjtat, dhe ato janë vetëm dy: Qipro, dhe Zvicra. Cilët oligarkë kosovarë kanë llogari bankare në Qipro të cilëve BB ka planifikuar t’ua transferoj një pjesë të grantit dhe/ose kredisë për Kosovën? Ka prej kohësh kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Kryeministri nuk e bëri pa plan dhe pa paramendim të mirë përpjekjen e monopolizimit të importit të mishit një vit më herët në bashkëpunim me Kostas Bakojanis, djalin e vajzës së shovinistit grek Konstantin Micotakis, ish-ministres greke të punëve të jashtme, Dora Bakojanis – Micotakis. Të gjithë këta dhe miku i tyre kosovar, kanë llogari bankare në Qipron greke, siç kishin edhe Idi Amini, Sllobodan Millosheviqi, Sadam Huseini, e shumë diktatorë e kriminelë të tjerë.

 

Po në Zvicër që e përmend Shtiglici ku BB shpërlanë para në emër të ndihmës në grante dhe kredi për vende tjera duke i futur këto në borxhe për paratë që i marrin të tjerët, a kemi dikë nga Kosova? Po, si nuk kemi. Madje emri i tij në raport me dyshimet financiare në Zvicër tanimë është i njohur thuajse në tërë Kosovën. A mos është ky ndonjë qytetar ose biznesmen i zakonshëm. Jo jo, BB nuk merret me oligarkë privat që s’u intereson politika dhe nuk janë në gjendje ta dëmtojnë popullsinë e vet, por vetëm me ata që janë në qeveri për t’ia ngarkuar borxhin shtetit dhe popullsisë prej nga vjen oligarku. Ju edhe nëse jeni në qeveri ndoshta nuk keni llogari bankare në Zvicër, por ka Fatmir Limaj, në emrin e tij ose „by proxy”. E shihni se BB i ka bërë parapërgatitjet e njëjta me ato sikur ndaj Rusisë? Shtiglici nuk është ekonomist standard por Nobelist që ka punuar shumë për BB dhe ia njeh dreqnitë deri në palcë.

 

Dreqnitë korruptive të shoqërisë civile të Kosovës”

 

Çka ka bërë zyra e BB në Prishtinë në funksion të korrupsionit dhe shpërlarjes së trurit? Në fillim të vitit 2009, lansoj një program financimi për organizatat joqeveritare (OJQ) me grante për gjoja luftimin e korrupsionit dhe fuqizimin e transparencës. Në realitet, siç vërehet edhe nga qëllimi i projekt propozimeve të atyre 5 OJQ-ve të botuara nga zyra e BB në Prishtinë, çdo gjë kishte të bënte me fshehjen e korrupsionit dhe promovimin e jo transparencës, si fazë parapërgatitore për t’i ndihmuar shpëlarjes së parave edhe në qindra miliona dollarë (sikur kjo e kredisë për „Kosovën” në vlerë prej 200 milionë). Qëllimet e atyre OJQ-ve ishin aq të pakuptimta që në esencë nënkuptojnë korrupsion si: „sensibilizimi i opinionit, marrja e opinionit, perceptimi, sa i dëmshëm është korrupsioni, debati për korrupsionin, informimi”, e llap-a-llapje tjera që të neveritin. A luftohet kështu ose me fjalë korrupsioni? A promovohet kështu transparenca? E atëherë si luftohet? Shumë thjeshtë. Granti 100% korruptues i BB në vlerë prej 37,978.85 $ i ka emrat dhe mbiemrat e vetë në BB dhe klanit të tij në UNDP, dhe Luan Shllakun. Këta shiten si përfaqësues (diktatorial) të shoqërisë civile, ndërsa faktet e pakontestueshme vërtetojnë se kjo është bërthama e krimit të organizuar në Kosovë. Kur është hetuar ky krim? Kurrë.               

Zëdhenësi i zyrës së BB në Prishtinë, Lundrim Aliu, në një prononcim për Koha Ditore (11 qershor 2019, f. 9), gazetën e jaranit të tij të ngushtë Adriatik Kelmendi (në publik Lundrimi duket si „fag” i Adriatikut dhe anasjelltas për shkak të pandashmërisë së tyre), thotë: „[k]y institucion financiar [BB] do të presë derisa deputetët të merren vesh për miratimin e kredisë”. Jo jo Lundrim! Deputetët duhet të presin derisa ju të na sqaroni rrjetin e krimit të organizuar në BB, UNDP, qeveri, KFOS, llogaritë bankare në Qipro dhe Zvicër. Ata (deputetët) duhet të merren vesh për rrjetin që ekziston ndërmjet teje, Adriatik Kelmendit (sepse edhe kompania Koha është e përfshirë në krim të organizuar me zyrat e UNDP-së dhe BB-së në Prishtinë) dhe Kelmendave tjerë në UNDP dhe BB në Prishtinë të cilëve unë nuk po ua përmend emrin, por t’i i njeh më mirë.

Hasan Preteni (kryetar i Agjencionit Kundër Korrupsionit), ju gjykata, ELUEX, e shumica e mediave, ju lutem mos na ngarkoni me raportimet dhe përsëritjet e rasteve të imta të korrupsionit si: „Pasuria e politikanëve, kryeministrit, kryekuvendarit, bastisjet nga forcat speciale të MTPT-së, banesës, shtëpisë, dhe WC-së(!) së Fatmir Limajt, dyshimet për 80 milionë € të shpërdoruara vetëm gjatë dy viteve”, e budallaqe tjera të ngjashme. O njerëz, me rastin e BB janë në pyetje 200 milionë $. Kësaj shume nuk do t’i nevojiten dy vite, e as disa ditë e javë siç ka menduar Shtiglici për transfer sekret dhe të jashtëligjshëm në Qipro dhe Zvicër; mjaftojnë vetëm orët sipas kësteve që shpërndahet. Pas kësaj, do të nevojiten jo vetëm njësitë speciale për qëllime të veçanta (Vojska Specialnogo Naznaçenja – Specnaz), por një armatë e kuqe (Krasnaja Armija) për ta luftuar këtë korrupsion, nëse do të luftohet ndonjëherë. Është vetëm çështje e orëve. Llogaritë bankare të personave kompetent nga Kosova janë të gatshme në Qipro dhe Zvicër. Ju deputetë nëse keni të tilla në këto dy shtete, dhe keni marrë garancione të qind për qindta se BB do t’ua mbush ato me grantin dhe kredinë për Kosovën, atëherë mund të votoni në favor. Nuk besoj të jeni aq naivë të votoni në favor të mbushjes së llogarive bankare te të tjerëve në Qipro dhe Zvicër, para këto të cilave nuk do t’ua shihni surratin kurrë në Kosovë, as ju e as ne. Ju dhe ne edhe ashtu kemi dalë me gjuetinë: „Wanted: Dead or Alive – Kosova Privatization Fund!” (Kërkohet: I gjallë ose i vdekur – Fondi i privatizimit të Kosovës!). Kur na ndodhë kjo me fondet tona, atëherë çka po mendoni se do të ndodhë me fondet e BB-së? Harrojeni Shtiglicin, Keninë, Rusinë, përvojën dhe rastet e dëshmuara. Na jepni llogari për fondet tona, se për ato të BB e di bota dhe lopa si po shfrytëzohen në Kosovë. Tregoni BB sikur Shtiglici: „Transferoja drejtpërdrejtë grantin dhe kredinë Hashim Thaçit në Qipro, dhe Fatmir Limajt në Zvicër; mos na bëni presion e represion të votojmë, se është procedurë më e gjatë dhe e panevojshme”.

Çfarëdo përpjekje e EULEX-it, institucioneve të Kosovës, iniciativave qytetare, dhe mekanizmave ndërkombëtarë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, do të jetë e barabartë me 0,0 nëse caku i kësaj lufte nuk është i drejtuar te zyra e BB, UNDP-së, Luan Shllakut, dhe rrjetit të tyre. Ju mund të talleni me raportimin për vjedhjen e një apo dhjetëra miliona eurove nga filani e fisteku, por për rastin në fjalë kemi të bëjnë me shpëlarjen e qindra milionëve, dhe për dallim nga të gjitha plaçkitjet pas të cilave jemi të „lirë”, këto si kredi pa kamatë na ngarkohen si borxh i përjetshëm që duhet kthyer, pavarësisht se Kosova nuk ua ka parë surratin kurrë.   

Secilin që mund ta dëgjoni duke thënë: „Askush nuk është mbi ligjin në Kosovë”, kuptojeni drejt se e kanë fjalën për të vdekurit. Vetëm të vdekurit nuk mund të jenë mbi ligjin në Kosovë (dhe çdo kund në botë). Sepse, ligjin e bëjnë të gjallët dhe ata qëndrojnë mbi të. A ka njeri i gjallë që nuk është mbi ligjin në Kosovë? Jo nuk ka. Po të ishte ligji mbi deputetët, ata nuk do të mund ta formulonin atë për privilegjet e tyre të çmendura, të sëmura dhe të pakufishme në kurriz edhe të...brekëve dhe brusvallterëve tanë. Deputetët rrisin me ligj pagën e tyre bazë për 40 për qind, vendosin me ligj të dalin në pension në moshën 50 vjeçare me 4 vjet stazh kriminal për t’i marrë nga 1.000 € ose 25 herë më shumë se ata që kanë punuar me nderë për 40 vite, e ju guxoni të thoni „askush s’është mbi ligjin”!!! Ik more se po i bindni mbi 6,8 miliardë banorë të botës se me këto rrêna nuk jeni të sojit njerëzor!   

18 qershor 2010.