Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Ti, Bekim,...Odise i çuditshëm...!

| E merkure, 16.06.2010, 09:00 PM |


Në vend të përkujtimit për aktorin me përmasa botërore, Bekim Fehmiun

 

Sejdi BERISHA:

 

TI, BEKIM,... ODISE I ÇUDITSHËM...!

 

Historia është pasqyrë e periudhave kohore, pasqyrë e dhembshme dhe e lavdishme e njeriut, kombit, popullit dhe e të gjithë atyre që e bëjnë jetën. Për këtë, me prezantimin e saj, i ngatërrohen gjërat, edhe njerëzit, edhe bota. Bëhen top zjarri i cili shpërthen herë në një anë e herë në anën tjetër. Historia, dihet, është edhe gënjeshtër që gjithnjë rri kujdestare për t’i rrënuar vlerat, shpeshherë ato kapitale jo vetëm të një diçkaje, por edhe të atyre ecurive dhe gjërave që janë më vitale, më subtile dhe të lidhura ngushtë me shpirtin dhe ekzistencën, gjithmonë sulmohen nga virusë që shkaktojnë sëmundje të ndryshme dhe ndonjëherë edhe të pashërueshme!

 

(Marrë nga libri im “Shpërputhje kohe”

nga shkrimi “Dhembja krushiane dhe

Bekim Fehmiu...!” të botuar në vitin 2006)

 

1.

Ti, Bekim,... mbledhësi i puplave,... gjithnjë ke qenë pjesë e mendjes të secilit, sepse, je dhe ke mbetur pjesë e historisë së artit skenik dhe filmik të botës. Ke mbetur histori e pashpjeguar deri në fund të fundit tënd kombëtar, të cilën, kujtoj se nuk ta kemi çmuar aq sa duhet, as nuk ta kemi bërë mall, por as nuk e kemi vënë në kandar vlerën aq të madhe prej aktori me përmasa botërore. Dhe, prapë, sikurse edhe shumë shkrime të tjera, nuk di si ta filloj edhe këtë shkrim, si ta shtjelloj, por as si ta përfundoj këtë ndijim që shpirti ma detyron. Sepse, tash ky moment është i rëndë dhe i jashtëzakonshëm, i papranueshëm.

Ka sa kohë që mendoja të të takoj Ty, Bekim Fehmiu, për të biseduar shtruar e intimisht për të gjitha gjërat. Po, po! Për të gjitha. Bile, edhe për “tkurrjen” tënde dhe futjen në vetvete, e cila gjë, ja, u dëshmua dhe nuk të la brenda. Por, e tërë kjo ngeli kështu, për të mbetur enigmë biseda jonë, për të cilën isha i përgatitur ta zhvillojmë me tension, ashtu siç e kishe temperamentin Ti, dhe ashtu siç e kam unë kokëfortësinë. Kjo tërheqje jotja në lëvozhgën e jetës zgjati tani e sa vite, të cilës vetëm sa nuk i dëgjohej zëri, se je duke thënë diçka, se je duke ofruar diçka, e cila do ta vazhdonte rrugëtimin e ndalur, ose do ta zbardhte edhe më shumë madhështinë tënde prej artisti dhe krenarinë prej personaliteti që e bëri të njohur edhe kombin.

Kjo heshtje dhe e tërë kjo mbyllje në vetvete, e di, ka tingëlluar dhe ka thënë shumëçka, të cilën gjë, ne nuk e kemi kuptuar, apo e kemi “injoruar”, dhe se kjo dëshmohet edhe me autobiografinë tënde “Shkëlqim dhe frikë”, e cila u botua para nëntë vitesh, e të cilën aq shumë dëshirova ta kam dhe ta “pedati” me mendjen time. Vetë titulli i kësaj autobiografie grishë për ndërgjegjësim të secilit për artistin e madh, i cili, nëse nuk gabohem e më sa më kujtohet, kur ishte takuar me Ismail Kadarenë, i kishte thënë si në mahi por me krenari: “Ku je more Kadare,... e sheh se bota kombin tonë e njeh edhe përmes nesh”!

Edhe ky kujtim provokon për traditën dhe për mungesën e saj për t’i respektuar njerëzit tanë të mëdhenj, të cilët zërin e historisë dhe të kulturës e shpërndajnë si polen. Dhe tash, as nuk dua, por as nuk mundem dhe as nuk kam guxim e forcë të “filozofoj” për peshën e emrit dhe të veprës sate, por megjithatë, sot dua të kuvendoj “shthurshëm” me vetveten pothuaj se sikur jam duke biseduar me Ty!

 

2.

Me qëllim dua që në këtë shkrim ta shtoj edhe një pjesë përjetimi që kisha shkruar dikur për Bekim Fehmiun në vitin 2006:

Nëpër periudha e mote, shënohen data e përvjetorë,… të lindjes dhe vdekjes, të luftës, të fitores dhe të kulturës. Dhe, kështu përkujtohen, respektohen dhe nderohen edhe figurat që e begatojnë historinë, vlerat shpirtërore dhe kulturore të kombit, të njerëzimit, gjë e cila ngrit dhe e përjetëson peshën e më të bukurës dhe të madhërishmes, me çfarë identifikohet kombi dhe e tërë ajo që është e mendjes,… e shpirtit.

Erdhi koha që Bekim Fehmiu, nuk di a e njihni(!) të shkel në të shtatëdhjetat. Moshë bukur e shtyrë që të frikëson dhe të emocionon. Dikur, mburreshim me namin dhe bagazhin artistik të këtij aktori shqiptar e me kalibër botëror. Kudo që ndodheshim, flitnim dhe krenoheshim me këtë artist të rrallë të skenës dhe të filmit, i cili ku ishte dhe ku aktroi, nuk e huqi thelbin e rrënjës dhe vendosmërinë se është shqiptar. Edhe atëherë kur e kishte shumë vështirë, edhe kur i vihej pikëpyetje në sforcimin e karrierës, ai ishte Bekim Fehmiu nga Kosova, ishte dhe e theksonte trungun dhe rrënjët kombëtare. Kjo, e madhështone dhe e bënte jo vetëm artist por edhe njeri të madh në syrin e njerëzve më të dëshmuar të artit dhe të kulturës në botë. Kështu, ai ishte Aleksandër Moisiu i kohës më të re, ishte Bekim Fehmiu, Odise i Itakës shqiptare.

Ai, aktroi në Beograd, në skenën e Teatrit Jugosllav dhe për profesionalizmin e tij mburreshin edhe ata që ia kishin mëni, edhe ata që nuk e dëshironin të jetë ai shqiptar në Beograd. Por, ja. Si thonë në fshat, ua kiti të gjithëve, i tejkaloi edhe barrierat. Dhe krejt thjeshtë, ishte dhe është i madh dhe mbeti i tillë. Dikush thoshte, edhe tani thonë, pak ose fare i dha kinematografisë kosovare dhe përgjithësisht asaj shqiptare. Shikuar në një anë, ndoshta është ashtu. Por, kudo që ishte, ai ishte shqiptar, ishte Bekim Fehmiu, dhe vetëm kështu duhet të kuptohet e tërë ajo që dha ky artist me përmasa botërore. Ndoshta, por edhe pa ndoshta, edhe artistët e mëdhenj nganjëherë e bëjnë nga një grimë gabim, bëjnë lëshime, mirëpo kur vihen në kandar me ato veprat madhore dhe madhështore, ato gabime s’mund të figurojnë me peshë. Dikur, të gjithë shqiptarët e adhuronin këtë djalosh me dellin e veçantë prej artisti dhe nuk zbriste dot nga shtyllat e gazetave dhe revistave kombëtare dhe botërore.

Sërish, shumë nuk do të hezitonin gjithnjë të theksojnë “pezmin” e tyre se Bekimi nuk ka marrë pjesë në asnjë projekt filmik kosovar dhe për këtë arsye edhe i ka rënë nami. Këtu e ka idhcën e pezmatuar njeriu ynë! Por, artistët e rrallë e kanë mendjen e hollë, shikimin përtej shtatë bjeshkëve, huajin e stërholluar, dhe të gjitha këto janë një labirint jete, i cili vështirë mund të zgjidhet mbase edhe të studiohet drejtë dhe deri ne fund. Këtë, le t’ia lëm që ta thotë, apo, nëse do, kurrë mos ta thotë artisti. Ajo është e drejtë e tij. Sepse, pikërisht këtu qëndron ai thesari i mendjes dhe fshehtësia biografike e njerëzve që janë lindur me emblemën e veçantisë. Në këtë kontekst, një gjë nuk duhet harruar. Nuk di a iu kujtohet fjalimi i Bekim Fehmiut në Tiranë; emocionet e tij duke e shprehur mendimin e vet të thellë (edhe pse të vonuar) filozofik e intelektual, përmes të cilit fjalim tregonte historinë trishtuese të brendisë së tij shpirtërore, në të cilën mbërthehen periudha dhe faqet e jetës, gjëra këto që ndoshta asnjëherë nuk bën të tregohen krejt lakuriq. Sepse, përpos që e humbin vlerën, ato edhe mund ta plandosin njeriun. Fjala e tij para tërë atij audotiriumi të mendjes dhe kulturës në Tiranë ishte histori tjetër, përmes së cilës tregoi gjithçka për vetveten, për artin, për jetën, për veprat dhe lëshimet që mund të ndodhin në vorbullën e hidhur të artit dhe të jetës në përgjithësi.

Dhe, “shënohet” 70-vjetori i Bekim Fehmiut në mënyrën e vet. Bile u shkrua disa herë dhe u përmend emri i tij në gazeta! Ai, në rrjedhën e jetës së tij, edhe pse artist i madh, ndrydhet për shumëçka, siç ndrydhet edhe historia,… ajo e jona. Është kështu, por që nuk do të dëshiroja unë, që të mbetët kështu. Pluhuri është miku më besnik i harresës. Nuk duhet lejuar që ai të vë shtresë mbi ne e në ne…! 70-vjetori i lindjes së Bekim Fehmiut të themi se u shënua. Aferim…

 

3

Ti, mbledhësi i puplave,...?! Tërë jetën mblodhe “pupla”,... dhe shumë pak morën nga Ti. Sikur sot t’i hynim kësaj historie, komentimet do ta çmendnin penën e historisë,... Dhe, Bekim Fehmiu,... mblodhe e grumbullove shumëçka, dhe me heshtje ke thënë e the po ashtu shumëçka,... Por, si duket, askush nuk të kuptoi sa e si duhet. Sikur askujt nuk ia ndjeu për të gjitha ato që i tregove në dyzetë e katër realizime filmike, por edhe me lëvizjet, takimet dhe me sjelljet tuaja kudo që ishe,... për të gjitha ato që i tregove edhe përmes heshtjes.

Për këtë, si duket, uni yt shpërtheu edhe në fjalën e rastit kur ishe në Shqipëri. Edhe atëherë shpalose dhe the shumë, por,... hajt të them siç e kam shprehi në shkrimet e mia; s’të kuptuan! Apo, ndoshta edhe ti nuk e ke kuptuar vetveten. Dhe, tash ike! Por,... edhe le amanet,... që të digjet trupi yt!

Po,... ku e more atë të drejtë, Bekim Fehmiu, për këtë amanet. Sepse, kështu Ti na djeg të gjithë neve, ngase je pjesë e shpirtit dhe e kulturës por je edhe pjesë e jona, e shpirtit dhe e mendjes sonë. E di, dhe mund ta marr me mend se edhe Kafeneja te kinemaja ABC, thoshte, por ndoshta edhe tash ka për të thënë shumëçka, por pa zë. Si Ti, në heshtje! Po, po! Do të thotë për Ty dhe për ne, Bekim Fehmiu, sepse, edhe aty kur pije kafe, e ndrydhje shpirtin dhe mendjen. Dhe, porosia: të digjet Uliksi...?! Sa e rëndë kjo shprehje, që ma rritë frikën nga vetvetja. Tani,... edhe tani është aktuale “Palma e artë” nga Festivali i Filmit në Kana. Kjo, palmë tash, s’i t’ia bëjmë; të na stolisë krenarinë apo të na mbulojë turpin e shpërfilljes së njeriut të nënqiellit të kësaj toke?!

Dhe, sërish Bekim,... Uliksi?! Kush është ky njeri. Ndoshta është heshtja jote që nuk kuptohet,... ndoshta është heshtja që kushton, që rëndon, rrënon e keqkupton! Tani, vetëm kuptim i hidhur, Odiseu,... përrallë në histori e për histori!

Dhe, Bekim,... s’mund të thuhet: digjet Uliksi...! Jo, kurrën e kurrës.