Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xheladin Mjeku: Fjala poetike në funksion të mendimit psiko-filozefik

| E hene, 14.06.2010, 08:38 PM |


PsikoAxhendaLibri

 

FJALA POETIKE NË FUNKSION TË MENDIMIT PSIKO-FILOZOFIK

 

Grup autorësh: “AROMË GRUAJE”, poezi, botoi “Psikosil” -  Tiranë, 2010

 

Nga Xheladin MJEKU

 

         Realizimi i suksesshëm i inisiativës së botuesit të revistës “Psikostil” që të mbledh rreth një tryeze numër të lonsideruar krijuesish me mendimet dhe shprehjet e tyre   poetikisht të realizuara në kontekstin e mendimit për figurën dhe kompleksitetin e vlerës së femrës, si themeltare e trungut familjar dëshmon përkushtimin shumëdimensional të efekteve të këtij projekti të  rëndësisë së veçantë. Realizimet e këtilla të shumtën e herave mbesin vetëm në nivelin e nismëtarit, por efekti konkurrues i kësaj përmbledhjeje sikur ka hapur mundësinë e zhvillimit të një aktiviteti më të avancuar, sidomos të pjesëmarrësve, dhe pjesërisht edhe të lexuesit dhe adhuruesit të poezisë dhe në rastin konkret edhe të lexuesit të vetë revistës. E mirëpritur nga tematikat dhe pregatitja me përkushtim e kësaj reviste premton një ardhmëri të lakmuar. Hulumtimi i temave të ndryshme me konotacion zhvillimet e mendimit pozitiv të shumë vetive dhe problemeve të shoqërisë nënkupton seriozitetin e botuesit dhe trupës së ekspertëve të profileve të ndryshme të angazhuar rreth ndërtimit të kësaj familje të madhe krijuese dhe shkencore, me qëllim të ndërtimit të botës së mendimit pozitiv socio-filozofik.

 

Imazhi i gruas në psiko-analizën e mendimit poetik

        

Tematika, të cilën e përcakton projekti në shqyrtim, e përmbledhur në libër prej grup autorësh, paraqet portretin e femrës si faktor i rëndësishëm dhe ndër më kryesorët në ndërtimin e familjes dhe të shoqërisë civilizuese.  Në kontekstin e këtyre  veçorive të rëndësisë së veçantë u ndërtuan shtylla të fuqishme të krijimtarisë poetike të shumë krijuesve, të cilët aderojnë në bashkësinë e quajtur përmbledhje poezish, pa munguar për asnjë çast shprehja e  ndjenjës së krenarisë, të  dhimbjes, të portretimit të personalitetit të saj, të ëndrrës së parealizuar e deri në zhgënjimet e ndërsjella në dashuriçkat e fatkqinjëve të kohës së adoleshencës.

            Poezitë për femrën, edhe si frymëzim edhe si tematikë shtjellojnë të gjitha karakteristikat, vetitë, virtytet, peripetitë dhe sakrifikicat e gruas në shoqërinë tonë. Disa prej autorëve takojmë të kenë shtjelluar temën e dashuriçkave të para, të zhgënjimeve dhe ëndrrave të parealizuara, si në poezitë: “E bukura”/ Matilda Haska, “Ti, unë”/Alketa Maksuti, “Vajzës time!”/Shkëlqim Osmani, etj.Në fushëveprimtarinë tjetër  të femrës takojmë këndimet poetike të motivuara nga sakrifica për ndërtimin e familjes, përkujdesjen prindore për frutin e dashurisë, për ndërtimin e familjes së shëndoshë dhe edukative, për socializimin e jetës në kushte dhe rrethana të kohës, etj. që e takojmë tek autorët: Alma Papamihali, Ndue Ukaj, Artur Nura, Arjana Laçe, e ndonjë tjetër, me poezitë: “Ti grua”, “Zani i nanës”, “Nënë dhe grua”, “Ç’është një grua?” dhe ndonjë tjetër që nuk e kemi cituar, për t’i lënë mundësinë lexuesit të gjej vetë këto fshehtësi të autorëve tjerë.  Edhe plaga e pashëruar e kurbetit, që për shekuj me radhë ka lënë vrragët e saj në popullin tonë është prekur nga pena e krijuesit tonë duke shprehur dhembjen dhe dëshirën e kthimit të bijve dhe bijave të tyre, që aq me mall i presin çdo ditë. Këtë motiv e gjejmë të latuar nga Adela Vllamasi me poezinë “Për nënën“. Portreti i femrës shqiptare dhe peripetitë jetësore nëpër shekuj janë skalitur me përkushtim edhe në poezinë “Përjetësi e dashurisë, ti qenja femër!” nga Besnike Dervisholli.

            Në përditshmërinë tonë takojmë edhe karakteristikat tjera që e veçojnë një pjesë të jetës dhe peripetive  femrën, e cila jo gjithmonë luan rolin e mirësisë, të ngritjes dhe zhvillimeve në shoqërinë tonë. Veset, zhgënjimet në jetë, tradhtia, etj. duket se e kanë përcjellur nëpër kohë, ngase krijuesi nuk ka anashkaluar këtë veti të keqe pa e gjykuar me mjetet më të vrazhda deri në mallkim, për të shprehur paknaqësinë me këto veprime që shpiejnë në shkatrrimin e jetës. Poezi të këtij motive kemi mjaft, por më të veçuarat janë: “Ajo” nga Klodian Prendi, “Nuk vdes”/Emiliana Kalemi dhe “Qaj për ty”/Esmeralda Fati. 

           Edhe atëherë kur identifikohet me trimrinë, heroizmin dhe sakrificën për atdheun, femra shqiptare është një me meshkujt, e fortë dhe besnike deri në vdekje. Këto veçori të femrës i takojmë të skalitura edhe në poezitë e Besia Vathit dhe Anisa Topovitit. Personalitete të shquara në fusha të ndryshme, si letrare, politike, shkencore e diplomatike takojmë të kenë lënë gjurmë në kohë, për të mos u harruar as nga krijuesi letrar. Poezia-portret “Elena Gjika” nga Xheladin Mjeku e sjell këtë figurë si dëshmi e kontributeve të shumta nëpër shekuj. Mitologjia dhe legjendat  luajtën  rol të rëndësishëm në paraqitjen e gruas si fuqi e ndryshimeve të mbinatyrshme në figura të zanave, të shtojzavalleve, etj. për të  ruajtur misionin e flijimit deri në përjetësim dhe legjendë, si në poezinë “Rozafa” të Erida Gjinit.

            Kozeta Zavalani dhe Rizah Sheqiri e kanë zgjedhur një formë tjetër të portretimit të kësaj qenje . Ata vijnë me poezitë e tyre ”Porta e shpirtit” dhe “Flutura në erë”, ku mjetet e ndërtimit të vargut të tyre janë valët e kaltra, mjellmat, stuhia e vjeshtës, pastaj fluturat, shiu, erërat, etj. që e sjellin personazhin e tyre të çiltër, me përkushtim të futjes në jetë përmes figurave të ndryshme, fenomeneve natyrore dhe për t’i trajtuar si qenje të fuqishme në ndërtimin e portretit të gruas, përafrimin e saj me botën dhe vlerat e patjetërsuara në ngritjen e shoqërisë.

 

Mbresa të një angazhimi premtues

 

            Hartimi i kësaj përmbledhje kishte karakter garues, me një konkurim spontan, me tematikë të veçantë dhe me sugjerimin e pjesëmarrjes së autorëve, kryesisht të atyre që nuk kanë dalur me libër personal. Ky kusht u tejkalua, sigurisht nga fakti se pjesëmarrja e krijuesve do të kishte rezultuar me interesimin e shqyrtimit të kësaj tematike në një spektër më të gjërë, që edhe u dëshmua pozitivisht. E them këtë nga faktet që hetuam më lartë, duke dëshmuar se në një pikë vrojtimi mund të shpërthejnë shumë degë problemesh dhe veçorish të kësaj kategorie në shqyrtim. Në këtë rast duhet shtruar këtë qështje si problem, që imponon një angazhim për hulumtimin e temave dhe nxitjen e krijuesve që prekin me përkushtim dhe pa ngurruar probleme nga më të ndieshmet, duke mos i anashkaluar edhe veçantitë më të pa ndriçuara. Shqyrtimi i këtyre veçorive sjell edhe angazhimin e kategorive tjera të shoqërisë, duke u provokuar nga pena e krijuesit.

             Në të gjitha poezitë, nga pesëdhjetë e tre autorë të prezantuar (ku “Grua me emrin nënë” e autorit Semi Arapi del edhe me nënshkrimin Anonime), takojmë portretin e femrës dhe gruas, imazhin e saj dhe zhvillimin shoqëror të  ndërtuar në forma dhe mjete të ndryshme, që flasin bindshëm se, pavarësisht kushteve dhe rrethanave që krijohen për krijuesin, ai nuk rresht së krijuari edhe për ato karaktere e fenomene që mendohet se janë vënë në harresë. Këto fenomene duhet hulumtuar dhe zbuluar si në rastin konkret që po e diskutojmë. 

 Ky angazhim i madh krijuesish letrar, si  nga ata që kanë bërë emër me prezencën e tyre prej dekadash,  e deri tek filestarët në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë, dëshmon përkushtimin shumëdimensional dhe të ndërdijes së përgjithshme në psiko-filozofinë e të shprehurit të mendimeve të  tyre. Është mbresëlënës ky aktivitet, çoftë edhe si inisiativë, por vazhdimi i hulumtimit të temave të nduarnduarta edhe në të ardhmen sjell një freski në ndërtimin e mendimit të mirëfillt në akcilin aspekt.