| E hene, 14.06.2010, 06:46 PM |
Punimi në dorëshkrim i autorit – kryetarit të KMDLNJ-së, z. Halit Barani, “Fakte dhe data” është një dëshmi autentike e periudhës së historisë më të re të Kosovës, ku shqiptarët u gjenden përballë sfidave të shumëllojshme shkombëtarizuese nga ana e pushtuesit serb.
Ky botim përbën një punë të lavdërueshme, sepse në të gjejmë një material të bollshëm me fakte e dokumente konkrete të evidencuara nga autori përmes një përpjekje serioze – ngjarjet dhe ndodhitë e fushatave barbare kundër çdo gjëje me frymë shqiptare nga ana e qeverisë së Beogradit për të arritur qëllimin final të saj – likuidimin dhe shfarosjen e tyre.
Autori në këtë punim përshkruan masat e ndërmarra nga ushtria dhe policia serbe ndaj fshatarëve, punëtorëve, qytetarëve, nxënësve, mësuesve, institucioneve kulturore – arsimore e shëndetësore duke vënë në dukje politikën institucionale të dhunës, shpronësimit, shpërnguljes, kolonizimit etj., më synime e ide fikse për nënshtrimin e popullsisë shqiptare dhe ndryshimin e përbërjes etnike të saj.
Informacioni që jep autori, është autentik, me fakte e dukuri të zhvillimit arsimor, të jetës ekonomike, shoqërore , kulturore e politike të popullsisë vendase të pafajshme e përshkruar me dënime, arratisje, plaçkitje, bastisje, keqtrajtime e gjenocid që ushtroi pushtuesi serb mbi popullatën shqiptare në Mitrovicë e rrethinë.
Mbi këtë bazë libri na përkujton kronikën e ngjarjeve dramatike, përmes veprimtarit të palodhshëm Halit Beranit, i cili, i ndodhur në një nga pikat më pikante në vlugun e ngjarjeve, ka mundur të shohë, të dëgjojë, të incizojë, të fotografojë e të përjetojë atë që s’kanë mundur të shohin, të dëgjojnë e të përjetojnë të tjerët dhe, kështu, arrin të lërë dëshmi të shkruara për ngjarje, ndodhi e fate njerëzish nga më të ndryshmet.
Ngjarjet dhe faktet konkrete janë të sakta. Ato janë të plota dhe të thurura me shkathtësinë e një veprimtari të sprovuar duke përshkruar e trajtuar me mjaft pjekuri, inteligjencë e stil bashkëkohor, dihet, kur kemi parasysh kompleksitetin dhe vështirësitë e kohës në të cilën autori punoi dhe veproi.
Radhitja permbajtësore dhe kronologjike e librit është e plotë dhe e qartë për lexuesin. Autori me guxim ka arritur t’i evidencojë dukuritë dhe veprimet e pushtuesit në çdo kënd të Mitrovicës e më gjerë, skenat e llahtarshme të një drame të paparë me gjenocid e dhunë që mendja e një qytetari evropian nuk mund t’i paramendojë.
Meritë e veçantë e autorit është se ai ka vjelë shumicën e të dhënave në mënyrë direkt, aty për aty. Duke qenë gjithmonë pranë ngjarjeve a ndodhive, ai arrin t’i ndriçojë ato në mënyrë objektive e bindëse.
Në fund, mund të shtojmë edhe këtë: punimi i realizuar në nivel dhe cilësi të duhur, është një bazë e fortë referimi që inkuadrohet në përpjekjet e studiuesve të ardhshëm shqiptarë e të huaj për të ndriçuar aspektet dhe çështjet jetike të popullsisë vendase e për të kontribuar në njohjen e opinionit ndërkombëtar me historinë dhe perspektivën e saj të fundshekullit XX.
Libri ka 571 faqe, prej tyre 455 faqe me shkrime dhe 112 faqe me fotografi, ku 79 fotografi janë të kriminelëve serb, ndërsa 255 të tjera të personave që kanë pësuar në forma të ndryshme nga regjimi serb.