| E hene, 14.06.2010, 07:19 PM |
Vullnet Mato
A R K E O L O G U
Ai zbret ngadalë
në botët antike,
në qytetërimet e lashta
që i ka mbuluar toka,
nëpër vringëllimat e armëve,
marshimet e ushtrive,
si çlirimtar i errësirave
mes brohoritjes së kohërave.
Çapi i ngadaltë
dhe spatula e tij,
zgjidh pranga skllevërish nëpër varre.
Të gjithë kërkojnë të takohen me të.
Skeletet ngrihen
e shkunden prej plagëve.
Teksa ulet në tryezën e gurtë me Agronin,
Teuta hijerëndë e fton mysafir.
Batua kryengritës e pret i dëshiruar
mes trimave shigjetarë të shtetit Ilir.
Ai takohet me të tërë
si ambasador i kohës se re,
akredituar në të gjithë shekujt
e lashtësisë pa porta.
Është dora e kohës sonë
që zgjatet përzemërsisht
dhe vendos lidhje me të gjitha kohërat.