| E diele, 13.06.2010, 06:50 PM |
Arta Alla
Karafili i ballkonit tim
Në brigjet e një liqeni, në veri,
endesha, si për t’u qetësuar,
se gjuhët e flakëve që ndieja në brendësi,
ndërmend s’kishin për t’u shuar.
Për pak çaste sytë më kapën,
një yll që më buzëqeshte,
veçse i largët siç dukej të ishte,
me trishtim më tej më veshte.
Në cep të një trotuari, u ndala,
në të u ula e gjatë qëndrova,
me sytë e ngulur në hapësirë,
diçka nga bota ime e largët kërkoja.
Ndërsa errësira më mbështillte krahët,
kush e di sa gjatë ulur kisha qëndruar,
e kush e di sa gjatë do të ndalesha atë natë,
të mos ish’ për aromën e një karafili të kundërmuar.
Ta dini sa u ngazëlleva,
ktheva kokën e lumturuar,
se karafilin e ballkonit tim,
po e shihja në dhé të huaj.
Iu afrova në majë të gishtave,
si për të mos e shqetësuar,
pastaj zgjata dorën ta prekja,
se ndryshe s’kisha për ta besuar.
Ta dinit sa gjatë kisha pritur,
të shkëmbeja dy fjalë me dikë, miqësisht,
pa i copëtuar ato me përkthime,
por duke i nxjerrë nga shpirti, lirisht.
Me padurim i fola për veten,
se më, po pëlcisja nga brënda,
me tingujt e shqipes i tregova,
gjithçka që ma pati ënda.
Më dëgjoi tërë kohës trëndafili,
me petalet nga unë drejtuar,
por në fund, kur mbarova më tha,
se s’kuptonte gjuhë të huaj.