Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rexhep Qosja: Brengat e fjalës dhe ”Ngjyrat e mendimit” rreth librit me te ri me autor “Mihal Gjergji”

| E shtune, 12.06.2010, 01:58 PM |


Brengat e fjalës dhe ”Ngjyrat e mendimit” rreth librit me te ri me autor “Mihal Gjergji”

 

 “Libri juaj “ Ngjyrat e mendimit”, është shumë interesant. Në artikujt, në sprovat dhe analizat Tuaja, keni trajtuar çështje të ndryshme qoftë të ngritura në librat e autorëve të tjerë për të cilat shkruani, qoftë prej vetë Jush.

Me idetë e këtij libri, me gjykimet dhe me vlerësimet ju e pasuroni jetën tonë intelektuale të sotme. Ju po ashtu, me pasurinë e gjuhës i kontribuoni shumë si shprehjes artistike, ashtu edhe shprehjes sonë shkencore...”

           

Nga Rexhep Qosja

 

Kam filluar qysh herët të mbaj ditar, në moshë fare të re, atherë kur hodha edhe vargjet e para në letër, më  vonë edhe shënime për librat që lexoja, personazhet që më bënin për vete, shprehje apo fjali që linin gjurmë në mëndjen time. Kështu vazhdoi të mbushej me mbresa kalendari i gjatë kohor, derisa truri filloi procesin e përzgjedhjes.

Vazhdimisht kam pyetur veten: a duhet shkruar për të tjerët ? Nëse po, cilat duhet të jenë kriteret? Do thotë ndokush: ato janë të njohura. Assesi. Asgjë s’është e përjetshme, pra gjithmonë ka vënd për ndryshime. Sikush ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij, atë që e gjykon të arsyeshme. Ja që njeriu s’mund t’i shmangë përjetimet në kontaktet e tij me librat, qoftë ky lexues i zakonshëm apo edhe krijues. Këta të fundit janë krejt ndryshe, më të kujdesshëm, kërkojnë të lexojnë edhe midis rreshtave, përdorin si model krahasimi atë çfarë  kanë prodhuar vetë apo adhuruesit e tyre. Teoritë janë të shumta e të ndryeshme, jo rrallë ndodh të përjashtojnë njëra-tjetrën.

Mes kritikut, analistit dhe studiuesit, janë të njëjtat fushëpamje, autori për të cilin shkruajn është po ai, edhe vepra e tij po ajo, ndërsa ndryshon vizioni i tyre. Po parimet a duhet të jenë të njejta?  S’mjafton vetëm formimi i shëndoshë kulturor, as përkushtimi, duhet edhe dashuria për të trajtuar autorin-njeri dhe autorin-krijues që fshihet brenda tij, e që ne e zbulojmë pak e nga pak, përmes atyre që ai shkruan. S’mjafton vetëm një lexim i thjeshtë i veprës, duhet parë edhe atë që e ndan me veprën e parabotuar nga ky autor, apo edhe të botuar më pas po prej tij. Të shikojmë se ku do të dalë, çfarë mesazhi kërkon të përcjellë, ku kërkon të arrijë ky krijues etj.

Të nxitosh, do të thotë të jesh më afër gabimit, ndërkohë që kujdesi s’është kurrë i tepërt kur bëhet fjalë për të bërë kritikën e një libri, më shumë akoma kur bëhet fjalë për kritikën e kritikës. Shpirti i krijuesit kurrsesi s’duhet shkelur me këmbë, dhe kjo s’do të thotë se s’duhet thënë të vërtetat. Përkundrazi, por çdo gjë me masë. Krijuesit, poetë apo prozatorë qofshin, janë si nënat, para se të krijojnë personazhet, më parë u ka lindur dashuria për to. Pikërisht, kjo dashuri meriton të respektohet. Autori ka një emër të cilin e ka bërë publik përmes krijimtarisë së tij. Pikërisht, ky emër duhet nderuar aq sa meriton.

Në gjykimin tim, të japësh mendime kritike, do të thotë të evidentosh vlerat e veprës. Faik Konica thotë se mendimet e tua mbasi ke lexuar një libër, janë thjeshtë përshtypje personale dhe s’ke pse ua imponon të tjerëve. I ashpër është Konica, gati  i pa mëshirë, megjithse mendimet i ndryshojnë kohë pas kohe: “Shumë kujtojnë se kush shkruan vjersha është me të vërtetë vjershëtor. Po ç’i madh gabim! Në aq vjersha që dalin përditë në çdo gjuhë, sa të pakta janë ato që kanë një të vërtetë frymë vjershërie! Po gjuhën e qiellit, atë gjuhë që të bën të qeshësh e të qash, të gëzohesh e të trishtohesh, e që të vete mu në zemër, atë sa të paktë e flasin!” Ka pretendime Konica, sepse është inteligjent, është vetë krijues i nivelit të lartë, edhe pse jo rrallë, kontraditor. 

Ndryshe mendon Fan Noli. Idetë e tij dhe bota e madhe e këtij krijuesi të pashoq, shpalosen aq bukur në parathënien që ka bërë për librin e Konicës “Shqipëria-kopshti shkëmbor i evropës Juglindore”. Lexoni pastaj introduktet (parathëniet) me të cilat ka shoqëruar përkthimet e veprave të Shekspirit, Serevantesit, Ibanjezit, etj. Personazhet e tragjedianit anglez, Noli i nxjerr nga veprat dhe t’i sjell para syve si për t’u bërë gjyqin, gjëndjen sociale të kohës për të cilën bëhet fjalë, vesin që bren sallonet e larta, të cilat vishen nga shkëlqimi i rremë, i vendos përballë artit të krijimit dhe të thotë: -ja lënda e parë, ja dhe ajo çfarë ka gatuar autori, gjykimi mbetet yti ! Te “Don Kishoti” gjen mënyrën për të fshikulluar injorancën e bejlerëve të rregjimit të Zogut, paditurinë e tyre.  Indiferenca dhe heshtja e lexuesit për një pjesë të madhe librash, në një farë mënyre është edhe qëndrim kritik, por i heshtur, megjithëse shumë domethënës. Shkruajn të gjithë, edhe ata që s’dinë të prodhojnë art, artizanët që s’mund të bëhen artistë, edhe sekretaret bukuroshe të ministrave e deputetëve (sepse kanë kujtime të bukura!), edhe ishët e zbardhur në kolltukët e pamerituar të shtetit, ata që rrënojnë çdo ditë ngrehinën e tij.

Më ka ndodhur të shkruaj pa rezerva, por edhe pa teprime, për disa autorë që pretendojnë, kanë reaguar menjëherë në mbrojtje të “lavdisë” së tyre. Hiçrit të mbysin me litarët e fjalëve, sepse shëmbëlltyrën e tyre e gjejnë kudo. Hiçrit, megjithëse kanë mbathur opingat e ngrëna të Haxhi Qamilit,  kërkojnë t’u hedhësh supeve veladonin e Peshkop Nolit; vikamën e luftëtarëve ta kenë bubullimë brenda krijimeve të tyre; muzikën e Lasgushit dhe lirizmin e Agollit ta kenë si të vetën; t’u japësh përmasat homerike të vargjeve të Agim Shehut,  ta kenë si stoli mendimin filozofik të Qoses, pse jo, të kenë edhe ata meritën e tyre në funksionimin e laboratorit moderrn të prozës së Kadaresë, atherë mendojnë se e kanë të sigurt vëndin në panteonin e lavdisë. Në një farë mënyre kanë të drejtë.

Komisione të tipit ”Markagjoni” japin çmime që të kujtojnë kohën e bajraktarëve. Sa turp për ata që i marrin këto vlerësime të pamerituara! Sa keq për ata që ideojnë e orkestrojnë këto komisione...! Vetëm në Shqipëri ka punonjës të Akademisë së Shkencave ( sigurisht, jo të gjithë!) që s’dinë saktësisht asnjë gjuhë të huaj, madje s’kanë shkruar asnjë reagim në mbrojtje të çështjeve kombëtare që duan ti nëpërkëmbin dhe errësojnë fqinjët dashakeq, apo studime të thjeshta për sektorët që mbulojnë. Pse të mos. Për vite të tëra, madje dhjetëvjeçarë, vazhdojnë të hapin e mbyllin të njëjtën derë, të parazitojnë. Ka edhe punonjës të sektorit të enciklopedisë, që prej 20 vitesh merren me të njëjtat figura të dyshimta të luftës nacional-çlirimtare, u kushtojnë edhe libra, mirëpo, ngaqë ka humbur interesi i publikut për ta, i ribotojnë duke u ndryshuar titullin dhe kopertinën. “Heronjtë” e këtyre autorëve, lypin mëshirën e kalimtarve që prapa xhamit të vitrinave ku janë reklamuar. Lexuesi, përsëri hesht me përbuzje ndaj këtyre autorëve dhe palokomisioneve.

Kam lexuar me endje Hygoin, Balzakun, Drajzerin, Dostojevskin, Serevantesin e të tjerë romancierë të mrekullueshëm dhe kam kërkuar shëmbëlltyrat e tyre brenda artit shqiptar. Edhe ne kemi një brez të tërë prozatorësh të talentuar, duke filluar me Kutelin, Kadarenë, Trbeshinën, Agollin e duke përfunduar me Riston e Blushin. Don Kishotët i kemi edhe mes nesh. Lexoni “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe keni për t’i gjetur, po aq të ngjashëm me ata që paraqet romancieri spanjoll. Kam shijuar poezitë e Llongfellout, Pol Elyar, Rembosë, Pushkinit të pakrahasueshëm, Eseninit, Bllokut, Majakovskit, Bërrnsit, e të dhjetra poetëve të tjerë dhe kam kërkuar e gjetur pjesë nga bukuria dhe forca e tyre edhe te krijimtaria e Migjenit, Fishtës, L. Poradecit, A. Shehut, D. Agollit, F.Arapit, Xh.Spahiut, V.Zhitit, J. Bllacit, K. Petritit-mjeshtër i baladave, B.Londos, P.Ristos-një talent i spikatur, M.Ahmetit, K.Zylos-miqësore deri në dhimbje, A.Dukës e të tjerë poetë, që s’mund t’i përmend emër për emër. Kam lexuar analizat e thella të Bjelinskit, Brehtit, Foksit, Finkelshtajnit, Koliqit e të shumë kritikëve të tjerë, por mbasi kam studiuar veprat e Rexhep Qoses, kryesisht analizat dhe studimet e tij, kam konstatuar dhe jam bindur se edhe ne kemi një studiues me një mëndje brilante, një Hygo tonin, një artist me të cilin duhet të krenohemi.

Të privilegjuarve të djeshëm, që kurorat ua përgatisnin të tjerët, vazhdojnë të presin  duartrokitje nga tribunat e pazareve, ndërsa lartësitë  e mendimeve të këtij akademiku të shquar, u duken të frikshme si humnerat, ndonse janë të ndriçuara nga drita e diturisë. Lexoni esetë dhe analizat interesante të Fatmir Terziut, i cili njeh aq mirë edhe artin perëndimor, dhe veçon ato krijime të cilat përbëjnë vërtet vlerë, për t’u promovuar e mandej për të ushqyer edhe lexuesin. Pra, është një krijues në rritje, me të ardhme të sigurt. Lexoni Moikom Zeqon, të entuziazmon fjala dhe mendimi i tij, një krijues që vazhdon të jetë novator dhe ka meritur prej vitesh lartësinë e gjykimit të mendimtarit; Fatos Kongolin, që në vendin e tij ia kursejnë vlerësimet, ndërsa bota e qytetëruar i jep çmime prestigjoze; studimet shkencore të Irakli Koçollarit; veprat dinjitoze të publicistit atdhetar Nuri Dragoi; prozën e Ben Blushit, sprovat e guximshme të Kastriot Myftarit, publicistikën edukative të Fatos Lubonjës, refleksionet e Edmond Tupes etj.

Përsëri shtrohet pyetja: a duhet shkruar për të tjerët ? Një krijues, i cili jeton vitet e moshës së tretë, me të cilin u takova rastësisht, mbasi lexoi një vëllim timin poetik, më tha: ke shkruar disa kushtime për poetë të tjerë. Mendoj se s’i shkon një kurveleshasi t’u thur lavde të tjerëve…Megjithëse s’i ktheva përgjigje, s’arrita të kuptoja se ku qëndronte e keqja dhe ku cënohet personaliteti i atij që u kushtohet të tjerëve. Të nesërmen më telefonoi dhe më dha disa libra të tij, me poezi dhe prozë. Më la disa ditë kohë dhe më kërkoi mendim. Përsëri s’iu përgjigja. Ideja ishte e qartë. Akoma s’kam menduar nëse duhet të shkruaj për librat e tij, megjithëse më duhet të pohoj: i lexova me kurreshtje, dhe në gjykimin tim, është një poet dhe prozator i mirë. Ndoshta mund t’i shkruaj nekrollogjinë. Ndoshta..! Fjala ‘njeri’ nënkupton edhe moralin brenda, dhe morali fillon pikërisht kur pjesë e mendimeve të tua janë edhe të tjerët. Emrat e krijuesve tanë që përmënda më lart, s’janë emrat e parë që kanë merituar vlerësimin e lexuesit dhe kurorën e suksesit, as të fundit, s’janë të pazvëndësueshëm, as të pakrahësueshëm, por ndër më të mirët. Seicili ka adhuruesit e vet, apo thënë ndryshe, janë bërë idhuj për një pjesë të konsiderueshme lexuesish, pse jo edhe krijuesish. Mirëpo pasioni i admirimit ka një kufi, dhe ky kufi është pragu që cënon personalitetin. Po kaloi ky prag nga admiruesit, personaliteti i tyre fillon të rrënohet.

Ndërsa krijuesit jo rrallë  i ndodh të zhgënjehet nga bota dhe rraca njërëzore, zhytet brenda vetmisë së tij, ndjehet si në ëndërr, mirëpo realiteti i vret ato dhe natyrshëm lind zhgënjimi që të trishton. Atherë i duket se s’i njeh më njerzit dhe shpirtin e tyre, sikur e kanë të zbrazur nga mirësia, madje arrin të mendojë se është lodhur kot për ta, e kanë shfrytëzuar duke përfituar nga zemërgjerësia e tij, të cilën mund ta gjykojnë edhe si paaftësi. E dini që jeta shpesh ecën si në shtratin e fantazisë dhe krijuesit s’kanë nevojë për trillogji, s’kanë pse lodhen, ndërkohë që mund të merren vetëm me gdhëndjen e fjalës. Mirë them, vetëm me fjalën.

Përsëri lind pyetja: a është gjithmonë i lirë krijuesi për të thënë fjalën e tij ashtu si e mendon, pa frikën e gjykimit të së nesërmes. ”S’është liria që bën letërsinë, por nuk është as tirania që e vret”,- shprehet Kadare në një intervistë për një gazetë italiane. ”A është e lirë liria?!”- pyet poeti moderrn Fatos Arapi, si t’i drejtohet Apollonit, ndërsa Agolli shkruan: ”Asnjë diktaturë s’mund të prodhojë armë për të vrarë letërsinë”. Sigurisht që mendimet janë të shumta e të ndryeshme. S’besoj se krijuesi është i lirë plotësisht, edhe më guximtari, sidomos në vendet ku diktaturat zvëndësojnë njëra-tjetrën. Të fyen inteligjencën zyrtari i lartë, të poshtëron biznesmeni, të burgos ministri e deputeti. Ka edhe më keq, ballkanasit përdorin edhe ndëshkimet fizike, si në kohën e mbretërve. Që nga Gjeneva e largët, poeti Agim Shehu na rizgjon dhimbjen e Mitrush Kutelit: ”Atdheu është atdhe, edhe kur të vret”. Shoqëria njerëzore ka shumë vargonj të padukshëm, ndërsa në fytyrën e saj ndërrohen herë pas here dy maska: e pronës dhe e familjes, të dyja, fatkeqësisht të shpërfytyruara.

Mes rreshtave të krijuesve kam kërkuar gjithmonë të pathënat e tyre ose ato që quhen brenga. Në psherëtimën e një nëne ka shumë të tilla, në trishtimin e një fëmije po kështu. Cila dorë mund të fshijë njollat që lë varfëria në fytyrën e njeriut? Asnjëra. Cili mjeshtër mund ti hedhë me penen e tij mesazhet e tyre? Të plota, vështirë se mund ti shkruaj kush, ndoshta as Migjeni. Po pse vetëm brenga,-mund të pyesni?. Sepse jeta e njeriut i ngjan një të përpjete të vështirë, edhe e krijuesit gjithashtu. Në këtë rropatje pa fund, ndodh shpesh të mos arrish majën e dëshiruar, të tradhëtohesh, të të mbyt dëshpërimi. Atherë, lumturia për të cilën ke luftuar aq shumë, mbetet vetëm një ëndërr e bukur, të cilën e mban të fshehur brenda burgut të fjalës së pathënë, apo thellë subkoshiencës.

Ata që shkruajn, jetojnë më shumë me shqetësimin e fjalës, me merakun e saj. Ndodh që mbasi kanë dorzuar librin për botim, edhe ditën e fundit që futet për t’u prodhuar, shkojnë për të ndryshuar diçka, mbase një fjalë të vetme, u ka mbetur një brengë e pathënë. Fjala! E mira shëron, e keqja është më e rëndë se plumbi. Më ka ndodhur të trishtohem, kur kam marrë në dorë librin e romancierit dhe kam kostatuar se të njëjtat gjëra i kam lexuar edhe në librin e tij të mëparshëm, pra, ka përsëritur vetveten. Fjalët e tij të ndjellin shpërfillje, mbase edhe më shumë.

Njoh shumë krijues që kanë shterur, poetë të plakur e të lodhur, që i ka braktisur fjala poetike, të njëjtat poezi i gjej ne disa vëllime të tyre, sikur duan të thonë: mi lexoni këto vargje, sepse i kam të dashura; njoh shumë prozatorë, që s’munden më të merren me gdhëndjen e fjalës, e çështë më e keqja, shumë syresh, prej kohësh s’lexojnë as ndonjë artikull gazete, jo më vepra të kolegëve të tyre vendas, apo të krijuesve bashkëkohor të përkthyera në gjuhët që njohin. Pra, edhe fjala duhet ushqyer, e kjo s’mund të ndodhë pa ushqyer më parë mendimin, çdo ditë, pse jo, edhe çdo orë. Shumë të tjerëve, u duket se bota fillon dhe mbaron pikërisht tek emri i tyre, paçka se njeriu që jeton vetëm për vete, jeton i vogël dhe vdes i tillë.

Në rininë time, ëndërroja të takohesha e njihesha me poetë e prozatorë që përfaqësonin majat e letërsisë tonë. Ndoshta me vonesë, por mundësia m’u krijua. U njoha me shumë prej tyre, harxhova jo pak kohë me ta, i shikoja e dëgjoja gjithë kurreshtje, por edhe u zhgënjeva. Trishtohesha pa masë dhe ndjehesha keq kur dëgjoja nga goja e tyre të shanin kolegët, t’i shpërfillnin ata, të justifikonin qëndrimin e tyre ndaj të tjerëve...S’dua t’i etiketoj, por më dhimbseshin kur i shikoja ”përmasat” e tyre të zvogëloheshin në atë shkallë, brenda korrnizës së modeluar nga vreri i verdhë i urrejtjes. Ngjyrat e mendimeve ua shikoja tek zvëndësonin njëra-tjetrën brenda syrit, në dritëhijet e fytyrës, që thotë aq shumë për bashkëbiseduesin inteligjent, etj. Çuditem, përse t’i mundojë egoizmi edhe këtë kategori njerëzore të emancipuar, pse të largohen nga të vërtetat që s’mund të fshihen, pse i verbon shkëlqimi i kolegëve bashkëkohës, aq më tepër kur ata janë të vlerësuar shumë nga lexuesit, brenda dhe jashtë Shqipërisë?.

Të mënçurit janë si ushqimi, të nevojiten përherë; s’të shërbejnë për asgjë dhe asnjëherë të paditurit, ata janë si sëmundja. ”Të ishin edhe njerzit si qiriu/ të paktën të ndriçonin/ sa për vete...”,-kështu shkruan N. Salihaj, poetja e talentuar tropojane. Ja që bota ka edhe njerëz që, ushqimin shpirtëror të tyre, kanë zgjedhur ligësinë. Po përse të ndodhë kjo?. “Ëndërruesi ia bën ngaherë vetvetes këtë pyetje…mendimtari nuk e zgjidh dot kurrë…syri i trishtuar i filozofëve vështron gjithnjë atë majë të errët mali, që quhet fat”. Krijesat e zotit janë të ndryeshme dhe ato s’mund ti tjetërsojë dëshira dhe mendimi i askujt, qofshin këta edhe korifenjtë e mendimit njërëzor. Sigurisht që, përkushtimi im ka qënë veçimi i disa krijuesve, (më konkretisht i veprave të tyre), fjala e të cilëve ka ngjalluar shpresë, ka qënë si melhemi për plagën, qetësuese për brengat, shumica e të cilave janë gati të njëjta për rracën njërëzore. Emrat e tyre do të pasohen nga të tjerë kolegë, romancierë e poetë të çmuar, kushtëzuar kjo, nga koha dhe faktorët e tjerë që s’varen nga autori i këtyre rreshtave.

Ndodh shpesh, që krijuesi të “arratiset” nga ky realitet i vrazhdë, pastaj rikthehet përsëri të ledhatojë fletën e bardhë me gjuhën e përjetimeve interesante, si një ushqim shpirtëror që të ndez gjakun dhe të ngjall emocionet.

 

Për ZSH: Kozeta Zylo