| E enjte, 10.06.2010, 08:43 PM |
LORI XHAFERI
EMIGRANTËT
Me çantë mbi shpinë t’mbushur me mallë,
rrëzë supash rripat e saj fort t’shtrënguar,
t’rrezikuar frikshëm endeni nëpër vargmale,
nëpër dhëmbë fatziun fajtor duke mallkuar.
Shikimi i nënës si shqiponjë pas j’u ndjek,
klithma vajzash mbetur ikona nëpër pragje,
një dashuri e braktisur shpirtin tuaj e djeg,
lot’ që mundin burrërinë e shkasin mbi faqe.
Motra zemërngrira presin në ankth zhytur,
veten mallkojnë që nëna s’i bëri dot djalë!
Vëllezër kërthinj prej trishtimit t’mbytur,
dhimbje e pamatë që gjunjëzon dhe djallë.
Mërgim mëkatar, mijëra varre bosh ke lënë ti,
nëna kobëzeza, që s’kan’ një gur ku të qajnë,
vejusha t’pafata ngado mbjellur si tulipan’ t’ zi,
fëmij’ që prindërit në prehër dot s’i mbajnë.
Emigrant, fjalë mizore që s’di te falësh kurr’,
dete lotësh mbush e mallin kudo ti e mbjell,
zemra nënash me gozhdë mbërthen për mur,
përcaktor njerzish që tonelata dhimbjesh sjell...!
LOTI GJIGAND
Dëshpërim im nga syri
si lot gjigand më pikon,
toka e zbon pa mëshirë
si valëz deti ai përfundon.
E pyes në heshtje habitur:
Ku shkon!?Pse dole nga syri!?
Ai s’më ktheu fare përgjigje
pastaj thellësive të detit hyri.
Më erdhi shumë keq për të
ndaj desha n’ sy t’a mbaj.
Ç’do të bëj kur të mërzitem,
pa lot si do mundem të qaj?
Më dhimbset loti si kristal
ndaj kurrë nuk dua t’lotoj,
por kur më dhemb shpirti,
dhimbjen si mund t’a duroj?
Lot’ i pafajshëm si gjigand,
jetën e tërë syve më mbeti,
tani nuk më mbyt dot më
u bë valëza që e përpiu deti.