| E merkure, 09.06.2010, 08:14 PM |
Bica, doktor i Shkencave Filozofike, i ka kushtuar jo pak, por 40 vite të jetës së tij studimit të figurës së Hoxhë Hasan Tahsinit. Pas kaq vitesh, gjithë materialet e mbledhura, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i ka përmbledhur në një botim me tre vëllime, të titulluar “Profesor Hasan Tahsini”
I ka kushtuar 40 vite të jetës së tij studimit të një prej figurave më në zë të Rilindjes Kombëtare. Hoxhë Hasan Tahsini ka bërë për vete doktorin e shkencave, Laurant Bicën. Në 40 vite ka mbledhur materiale jo vetëm në bibliotekat e Shqipërisë, por edhe ato të Stambollit e më gjerë. Ka studiuar materiale të ndryshme burimore, ka shkruar artikuj, e mbi të gjitha e ka dashur shumë... Sepse kështu duhet të ndodhë me një personazh, ndryshe është e pamundur të qëndrosh kaq gjatë me të e ta studiosh në çdo hap. Prej një muaji, Luarant Bica ka botuar në tre vëllime gjithçka. I ka titulluar “Profesor Hasan Tahsini”. Në këto tre vëllime, mes të tjerave, Bica bën edhe një përshkrim të figurës së Hasan Tahsinit si intelektual, në fushën e kulturës, në lëmin e ideologjisë, në sferën politike, aftësitë e tij si shkencëtar e si njeri. Lurant Bica del në përfundimin se Hasan Tahsini ishte për kohën e tij dhe jo thjesht vetëm për të, një nga njerëzit më të dijshëm që përdori diturinë dhe shkencën si armë për zgjimin, lartësimin dhe të mirën e njerëzve të kombit të vet. Ai shkruan se, ndër rilindësit tanë shqiptarë, ai prin në krye të karvanit të tyre.
Z. Bica, përse i keni kushtuar vëmendje kaq të veçantë një figure si Hoxhë Hasan Tahsini?
Janë disa arsyet që më kanë bërë të merrem me këtë figurë: e para, vendi që ai zë në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, qoftë si prekursor i saj, dhe për madhësinë e përmasat e tij, që janë disi të veçanta në raport me rilindësit e tjerë për ndihmesën që ka dhënë. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që Hasan Tahsini ishte nga Çamëria dhe është një figurë sa me përmasa kombëtare, aq edhe një përfaqësues i denjë i kësaj krahine. Ashtu sikurse nuk duhen lënë pa përmendur edhe përmasat perandorake, europiane e botërore të tij. Arsyeja e tretë është fakti që kjo figurë ka qenë pak e njohur, për të mos thënë e panjohur fare për ne. Këtë gjë e bënte akoma më të vështirë edhe fakti që veprat e tij ishin në osmanishte, një gjuhë e vjetër dhe e rëndë. Kjo e panjohura më shtyu akoma më tepër dhe gjithnjë më tërhiqte vëmendjen. Doja të dija akoma më shumë për këtë klerik që i kishte dhënë jetë një lëvizjeje laike e iluministe si Rilindja. Kjo më intrigonte. Ka dhe një arsye të katërt, që ka të bëjë me faktin se përse unë zgjodha një personalitet të Rilindjes. Kjo ka të bëjë me formimin tim, si dhe me faktin që Rilindja ishte një periudhë e veçantë në historinë tonë. Aty duhen kërkuar themelet e pavarësisë, aty duhen kërkuar edhe themelet e shtetit shqiptar.
Keni publikuar tashmë një botim me tre vëllime, një punë e madhe e me siguri edhe e lodhshme. Por sa kohë jeni marrë me studimin e kësaj figure?
Unë kam rreth 40 vjet që merrem me këtë studim. Kam nisur të kërkoj e të hulumtoj mbi të duke nisur që nga arkivi, bibliotekat e Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, e gjithashtu kam kërkuar edhe në Stamboll, ku unë kam qëndruar 12 vjet.
Me këto tre vëllime, keni thënë gjithçka mbi Hasan Tahsinin?
Ky botim është vetëm fillimi dhe do të thosha se është një vepër bilanc. Bën bilancin e së kaluarës deri më sot. Është një vepër me karakter të dyfishtë, sepse është edhe vepër përgjithësuese: unë merrem me jetën, veprimtarinë e tij dhe botëkuptimi. Në këtë kuptim ka përgjithësim. Por ndërkohë, vepra përmbledh në vetvete dhe i paraqet lexuesit një varg materialesh të panjohura. Përkthime nga origjinali turqisht apo osmanisht, përfshi vepra e artikuj enciklopedikë, ashtu sikurse edhe përkthime nga gjuhë të ndryshme. Shumicën e përkthimeve i kam bërë vetë e të tjera janë përkthyer nga Esat Myftari dhe Stefan Vuçani.
Si janë të ndara këto tre vëllime, çfarë përfshihet në to?
Në vëllimin e parë përfshihet teza ime e doktoratës dhe një pjesë tjetër me titullin “Pas 22 vjetësh”, ku unë flas për kërkimet e mia për Hasan Tahsinin, sidomos në Stamboll etj. Në vëllimin e dytë përfshihen artikujt e mi të shkruar gjatë këtyre 40 viteve sipas ndarjes tematike, përkthimet nga osmanishtja dhe turqishtja e re, të bëra nga miku im, i ndjeri Vasfi Samim Visoka, një pjesë tjetër është Hasan Tahsini në dokumente zyrtare akademike etj.
Çfarë mendoni se duhet bërë më tepër për këtë figurë?
Mendoj se ka ardhur koha që ky personalitet i madh i kombit të rivlerësohet dhe të mos mbetemi vetëm te titulli i nderuar “Mësues i Popullit”, që i është dhënë në të kaluarën. Prandaj duhet që në Shqipëri, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, t’i jepet titulli “Akademik” pas vdekjes. Ishte ndoshta i vetmi në Rilindje që kishte 3 doktorata: për shkencat fizike, natyrore dhe juridike. Të ngrihet një shtatore para universitetit apo në një nga sheshet kryesore të Tiranës, siç edhe e meriton kjo figurë; presidenca t’i japë titullin “Nderi i Kombit”. Por edhe në Turqi mendoj se duhen ndërmarrë disa hapa: në medresenë ku jetoi e punoi, që sot është një librari, të vendoset një tabelë ku të shkruhet: “Këtu ka punuar rilindësi osman dhe shqiptar, Hoxhë Hasan Tahsini”. Mendoj se do ishte mirë sikur me rastin e 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar në vitin 2012 të sillen eshtrat e tij në atdhe. E nuk duhen harruar edhe veprat e tij në osmanishte, të cilët duhen përkthyer në shqip. Mendoj se kështu të paktën do të shlyejmë një pjesë të borxhit që u kemi rilindësve tanë të mëdhenj dhe majës së tyre, profesor Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut.
Përse për këtë figurë është shkruar shumë pak në krahasim me të tjerë rilindës?
Për vështirësitë që ka pasur, por ndoshta edhe për çështje politike në lidhje me Çamërinë. Mund të kenë qenë shumë faktorë. Por është dhe një arsye tjetër: kjo figurë ka rënë në dorë të atyre që nuk janë interesuar shumë për të. Mendoj se ky punim e mbush deri diku boshllëkun që ka qenë në studimet në lidhje me këtë figurë. Këto tre vëllime mund të shërbejnë si burim për libra të rinj