| E marte, 08.06.2010, 09:57 PM |
Erotike në poezinë shqipe: Zef Serembe
GJURMË TË THELLA TË DASHURISË PAFAT
Nga Ali D. Jasiqi
Njëri ndër shkrimtarët që la gjurmë të pashlyera në letrat shqipe, e që karakterizohet edhe për një veprim të tij sa të vaçant aq edhe tipik për ndjenjat lirike është Zef Zerembe. U lind më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, siç e quajnë vendësit. Në këtë fshat zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur me gjelozinë më të madhe. Fshati ndodhet mbi një kodër të veshur me vreshta, me portokalle dhe limonë, me pamjen e detit Jon nga lindja.
Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj edhe tema patriotike merr nga pena e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundërazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe.
Do theksuar se disa nga vjershave të tij qarkulluan edhe si poezi popullore. Gjurmë të thella
të dhimbshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pafat për një fshatare arbëreshe, që më vonë kishte emigruar në Brazil, ku edhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për të parë varrin e kësaj vajze ,për të cilën edhe kishte kënduar në poezinë që po e sjellim këtu,si dhe shpresa që të përmirësonte gjendjen e vet ekonomike, e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil, për t’u treguar kështu si një aventurist i llojit të vet. Po edhe këtu Serembja u zhgënjye shpejt, sepse pa korrupsionin e thellë të oborrit, jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthye në Itali, duke pasur si pasuri të vetme një trastë dorëshkrimesh. Gjatë këtij udhëtimi të vështirë thuhet se poetit i humbi pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve.
Pikërisht në këtë kohë, më 1883, Serembja botoi librin "Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja". Megjithëse vjershat italisht kishin të meta nga ana e formës dhe niveli i përkthimit në italisht të krijimeve shqip nuk qe i kënaqshëm. Libri ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës. Jeta e tij sa vinte e vështirësohej dhe duke mos mundur të duronte gjatë atmosferën mbytëse që sundonte në Italinë e Jugut edhe pas zhdukjes së tiranisë së Burbonëve, poeti u nis sërish për në Brazil dhe për në Amerikën e Jugut. Aty e mbyll krijimtarinë e tij letrare me dy poezi, që dëshmojnë se ai nuk e humbi kurrë shpresën te lëvizja kombëtare shqiptare.Ky që edhe fundi i jetës së tij,sa tragjike aq edhe aventuriste.Vdiq më1901 në San-Paolo të Brazilit, në një gjendje të mjerueshme,përkatësisht në gjendje çmendurie.
Zef Serembe
MË TË BUKURËS QË ËSHTË NË STRIGAR
Nga katundi u largova posi i bjerr,
vajta në luftë e u gjeta i vetmuar:
Atje, larg nga ty, rrinja zemërçjerr,
Midis të huajve u gjeta i shkretuar:
E zëmra ty keq fort të dëshironte
Edhe pika më ra se s'të takonte.
Gjaku rridhte në truall si ujë kroi
Dhe fare jetën time s'e mendova,
Mbi mua vapa e madhe e bora shkoi,
Me nxitim tërë honet i kaptova
Dhe dënuar si hutaq në gjithësi
Për ty mendonja plot me dashuri.
Përnatë, tash që u mblodha në shtëpi,
Te dera jote si bilbili këndoj.
O faqemollë, o vash ' me synë e zi,
Ta shkoj jetën me ty un ' dëshiroj,
O mollë e ëmël, që në degëz rri,
O gozhdëz ari, që më vjen në gji.
E pse më bën të qaj me psherëtime?
Vërtet, zemër nuk ke, o ti moj vashë?
Mbaje, se lule e rrallë ësht ' zëmra ime,
Dhe mirë e di se tyja krejt ta dhashë.
Shumë e keqe më duket mua kjo jetë,
Po jetova pa ty me të vërtetë.
O vashëz faqekuqe, qysh aherë
Unë po qaj me lot e me dënesë,
Se pa ty e ndjej veten krejt të mjerë,
Nuk di ç'ësht ' paqa dhe po rroj pa shpresë,
Dhe vetëm varri do më jetë i lehtë,
Kur i harruar do të jem në jetë