Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Flet Akademike e Asociuar Prof. Dr Efigjeni Kongjika

| E diele, 06.06.2010, 12:14 PM |


Flet Akademike e Asociuar Prof. Dr Efigjeni Kongjika

 

Hapja e Shqipërisë ndaj botës së përparuar çoi në largimin e “trurit”

Femra shqiptare nuk ka arritur të zejë pozicionin që meriton

Mitmarrja në radhët e pedagogëve është dukuri e shëmtuar dhe turpshme

Mekanizmi shtetëror për barazi gjinore, duhet të veprojë me efektivitet

Bashkëjetesa mund të konsiderohet si periudhë përgatitore për familjen e re

 

Nga Albert Zholi

 

Znj Efigjeni Kongjika, është një ndër akademikët e pakta të Asociuara femra në Shqipëri. Për të qenë më të saktë sot në Akademinë shqiptare të Shkencave militojnë vetëm tre femra. Ky është një tregues i qartë se si kudo në shoqërinë shqiptare edhe në shkencë gjinia mashkullore dominon ndjeshëm. Pra shoqëria shqiptare është një shoqëri maskiliste. Në këtë intervistë ekskluzive me znj. Efigjeni,  mësojmë mbi reformën në Akademinë e shkencave, pozicionin e gruas në shoqërinë shqiptare, mbi mësimdhënien në universitet shqiptare, rolin e grave në politikë, bashkjetesën si një rissi në krijimin e familjeve etj...

 

-Znj Efigjeni, si do ta komentoni reformën që po kryhet (dhe që është në vazhdim) në Akademinë e Shkencave?

 

Duke u nisur nga qëllimi i reformës së ndërmarrë nga qeveria shqiptare në sistemin e kërkimit shkencor për integrimin e këtij kërkimi me arsimin e lartë në një sistem të vetëm, e shoh problemin në dy aspekte:

 

Tashmë, me ristrukturimin e sistemit të kërkimit shkencor, Akademia e Shkencave e Shqipërisë pa institutet shkencore, mbulon veprimtarinë e saj nëpërmjet bashkësisë së shkencëtarëve të organizuar në dy Seksione (Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike). Reformimi synon që roli i Akademisë së Shkencave të mos dobësohet, duke marrë një rëndësi të veçantë dhe përgjegjësi në nivel kombëtar, në drejtim të kërkimit dhe edukimit, në sistemin e kërkimit shkencor dhe atë universitar. Roli i Akademisë së Shkencave konsiston në koordinimin dhe bashkëpunimin me institucionet kërkimore dhe mësimore, brenda dhe jashtë vendit, për kryerjen e studimeve në fusha të ndryshme të shkencës e teknologjisë. Këshillimi dhe ekspertiza e nevojshme për institucionet politikë-bërëse e vendim-marrëse është në qendër të vëmendjes së Asamblesë së Akademisë së

Shkencave. Konkretisht, në përputhje me prioritetet e Qeverisë, në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Akademia e Shkencave po bashkëpunon për hartimin e projekteve për rehabilitimet në zonat e përmbytura, do të përgatitet një përmbledhje studimi për zbatimin e kontrollit dhe monitorimit të digave. Edhe Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Liqeni i Shkodrës; Gjendja dhe perspektivat”, që do të organizohet më 19 – 21 Qershor të këtij viti nga Akademia jonë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Malit te Zi dhe me mbështetjen e Presidentëve të të dy shteteve fqinjë do të kanalizojë mendimin shkencor më të kualifikuar në vend për problemet emergjente të zonës së Shkodrës. Në këtë drejtim, impakt të veçantë ka botimi i veprave shkencore elitare me autorë akademikë dhe specialistë të tjerë të kualifikuar.

 

Jemi mësuar të shohim praninë e moshave të mëdha në gjirin e Akademikëve si një dukuri normale për misionin e Akademisë, por në përputhje edhe me nismat e akademive të botës, po përpunohen strategji të reja për afrimin dhe mbështetjen e kërkuesve të rinj në shkencë. Krijimi i një strukture në formën e një forumi të kërkuesve të rinj, do të jetë prioritet për Akademinë në vitin 2010 e në vazhdim për të realizuar nivele të lartë kërkimi dhe për të krijuar e mbështetur strukturat e saj të përfaqësimit.

 

Në vazhdim të reformimit të Akademisë së Shkencave, mendoj se duhet punuar më intensivisht për forcimin e ndërveprimit mes shkencës dhe biznesit për kontributet e saj direkte, si një hap i rëndësishëm në zbatimin e produktit shkencor, teknologjik e inovativ në zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë së vendit. Sipas analizave të Bashkimit Europian, si dhe në Takimin e Ministrave të Arsimit dhe Shkencës të Ballkanit këto ditë në Tiranë lidhur me zhvillimet e Shkencës dhe Teknologjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet dhe situata e kërkimit në Shqipëri e rajon, mangësitë kryesore janë dominimi i sektorit publik mbi atë privat në Shkencë dhe Teknologji dhe përfshirja e pamjaftueshme e sektorit privat në këtë fushë. Nga ana tjetër, stimulimi i kërkimit shkencor nga biznesi me anë të investimeve të sektorit privat në kërkim dhe ngritjen e bërthamave shkencore të përbashkëta të reja

është konsideruar si sfidë e zhvillimit të sigurtë e të shëndetshëm të shkencës, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit në Shqipëri. Veçanërisht në kushtet e vendeve tona të vogla, punimet shkencore duhet të kenë karakter të theksuar zbatues të inovacioneve në ekonominë tonë. Në këtë drejtim janë hedhur disa hapa në realizimin e projekteve të tilla, por kërkohet një partnership real dhe me impakt të fuqishëm.

 

Aspekti i dytë që doja të theksoja është reforma e kërkimit shkencor në Universitete pas integrimit të Instituteve dhe Qendrave Kërkimore të Akademisë së Shkencave etj. në sistemin e arsimit të lartë, duke formuar qendra ndëruniversitare, fakultete, institute e qendra, si dhe departamente të reja. Natyrisht, që reforma do të japë një kontribut të mirëqenë në kërkimin shkencor dhe në mësimdhënien, si dy komponentë të lidhur aq ngushtë në mënyre reciproke në Universitete. Një pedagog i vlefshëm në punën mësimore nuk mund të jetë i tillë pa qenë dhe një kërkues i aftë në fushën e studimeve shkencore. Kërkimi shkencor është “ushqimi” për të rritur kualifikimin e pedagogëve dhe për të krijuar kushte për realizimin e doktoraturave, masterave dhe diplomave.

 

Dëshëroj të jap shëmbullin e Departamentit të Bioteknologjisë, një departament i ri në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, i ngritur nga konvertimi i ish-Institutit të Kërkimeve Biologjike pranë Akademisë së Shkencave. Duke qenë prej shumë vitesh në stafin drejtues të këtij Instituti, jam dëshmitare e përpjekjeve të vazhdueshme për ringritjen e infrastrukturës shkencore të kohës, të kualifikimit të stafit shkencor dhe ndihmës shkencor pas shkatërrimit të këtij Instituti në ngjarjet e marsit të vitit 1997. Prej vitesh ëndërrohej që të punohej në fushën e shkencave biologjike bashkëkohore, pasi disa punonjës shkencorë me bagazhin e fituar në specializimet në institucione shkencore Europianë u bënë promotorë të fillimit të projekteve në fushën e bioteknologjisë, biologjisë molekulare, mikrobiologjisë fermentative, citogjenetikës bimore, biofizikës etj. Reforma e iniciuar

në vitin 2007 e gjeti këtë institucion shkencor të gatshëm për tu konvertuar me sukses në një institucion mësimor-shkencor, që po ju ofron studentëve të bioteknologjisë kurrikula të reja, grupe kërkimore mësimore të kualifikuara dhe laboratorë të mirëpaisur.

 

Duke mbetur tek reforma, desha të jap një konstatim për vlerësimin e institucioneve të ndryshme. Ndërsa është analizuar në detaje puna shkencore në ish Institutet e Akademisë së Shkencave me anë të metodës standarde të vlerësimit përmes skedave, nuk është bërë i njëjti vlerësim për Universitetet. Kjo ka ndikuar në mosevidentimin e gjendjes së vërtetë të punës kërkimore në universitete, që ndikon natyrshëm edhe në cilësinë e punës shkencore të instituteve të integruara. Mendoj se nuk janë marre sa duhet në analizë faktorët që kanë penguar realizimin e kërkimit në universitete. Sipas informacioneve te fundit, po bëhen përpjekje nga strukturat drejtuese të Arsimit të Lartë dhe të Shkencës të ngrihen grupe për analizën e punës shkencore në Universitetet shtetërore. Duhet theksuar se Ligji i ri i Arsimit të Lartë i vitit 2007 përcakton se veprimtaritë kërkimore bëhen mbi bazën e planeve,

programeve dhe projekteve të miratuara. Por mendojmë se një nga faktorët më të rëndësishëm të nivelit jo të kënaqshëm të kërkimit shkencor është dhe mentaliteti i pedagogëve të Universiteteve për t’u mbuluar kryesisht me punën mësimore, që shtohet shpesh me orë të shumta mbi normë edhe në Universitete private për përfitime monetare. Duhen gjetur mekanizmat për stimulimin e kërkimit shkencor dhe motivimin më të mirë të pedagogëve për këtë komponim me rëndësi vitale për përgatitjen e brezit të ri.

 

Një faktor tjetër frenues mendoj se është mungesa e analizës së plotë të fondeve të marra nga universitetet për kërkim. Për hir të të vërtetës, duhet thënë që shkollat e larta kanë marrë një pjesë të mirë të fondeve të Programeve Kombëtare për Kërkim dhe Zhvillim apo Projekteve Ndërkombëtare, por në ndonjë departament ka një shpërdorim të këtyre fondeve në aparatura moderne që prej vitesh kanë mbetur pa u vënë në funksionim ose ka dhe djegie të fondeve për arsye subjektive.

 

Në rrethet tona mendohet se ngritja këtë vit e Agjencisë për Kërkimin, Teknologjinë dhe Inovacionin do të krijojë kushte për miradministrimin e rritjen e autonomisë së projekteve nga burokracia e sistemit financiar, duke ju përqasur sa më tepër me praktikat e Bashkimit Europian. Politikat e Kërkim Zhvillimit duhet të ndryshojnë nga “politikat e sigurimit të fondeve” tek politikat e “stimulimit për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin”.

 

-Si është niveli i mësimdhënies dhe i përgatitjes së studentëve në UT, në krahasim e Universitet private?

 

Megjithëse kam punuar për rreth 32 vjet në institucione të Akademisë së Shkencave, vitet e para të karrierës time i kam patur në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu kam qenë gjithmonë e lidhur me punën mësimore si pedagoge e jashtme, si dhe me drejtim të doktoraturave, masterave dhe dipllomave të studentëve të këtij fakulteti. Mund të them se ky fakultet ka një traditë shumëvjeçare të vlefshme, me themele të vëna nga Akademikë dhe Profesorë të shquar me formim në vendet Perëndimore. Edhe në brezin e dytë spikatin figura që e kanë çuar përpara nivelin e mësimdhënies. Megjithatë mendoj se ka një boshllëk ndërmjet këtij brezi dhe atij të ri që po formohet. Hapja e Shqipërisë pas viteve 90-të ndaj botës së përparuar çoi dhe në largimin e “trurit”. Një pjesë e profesorëve të këtij Fakulteti zhvillojnë aktivitetin e tyre shkencor dhe mësimor në Universitete

të njohura të SHBA, Francës, Greqisë etj. Dekanati i Fakultetit ka krijuar Programe të veçanta, që këta profesorë të japin cikle leksionesh të nivelit të lartë në auditor me studentë të departamenteve të ndryshëm. Theksoj se tradita bën punën e vet, por ekziston dhe ana tjetër e medaljes. Duke qenë se maturantët me përgatitje më të mirë kërkojnë më shumë degë të veçanta, që preferohen për shkak të motivimit për punësimin e tyre, niveli i studentëve në këtë fakultet ka rënë në krahasim me disa vite më parë.

Përsa i përket krahasimit me Universitetet private, nuk kam shumë informacion për këto të fundit, por mendoj se ndërmjet numrit shumë të madh të këtyre Universiteteve mund të dallohen diferencime. Në disa prej tyre japin mësim pedagogët më të kualifikuar të Universiteteve Shtetërore, gjithashtu këto Universitete i janë nënshtruar proçedurave të Kreut të VI-të të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe disa janë akredituar nga organet përkatëse.

 

-Sipas mendimi tuaj përse egziston mitmarrja në radhët e pedagogëve dhe si mund të luftohet ky fenomen i shëmtuar?

 

Nuk mendoj se ka ndonjë arsye që në komunitetin e intelektualëve të nivelit më të lartë, që edukon brezin e ri të ekzistojnë pedagogë të tillë. Jemi dëshmitarë që pagat e pedagogëve në krahasim me pjesën tjetër të shoqërisë tonë në tranzicion janë më të larta. Mendoj se kjo dukuri e shëmtuar dhe turpshme ka të bëjë me karakterin dhe moralin e individëve të veçantë që nuk duhet ta kenë vendin në “tempullin” më të lartë të dijes. Persona të tillë duhen dënuar me forcë nga opinioni, por në rradhë të parë, shteti duhet të zbatojë ligjin për ndëshkimin e tyre.

 

-Cilat janë zhvillimet dhe zbulimet e fundit në degën e bioteknologjisë dhe cc’vend zë kjo degë në UT?

 

Natyrisht bioteknologjia është fusha më e zhvilluar në ditët e sotme, konsiderohet një nga 10 tendencat e zhvillimit të shekullit të ri, krahas transformimeve të mëdha sociale. Sukseset më të mëdha të bioteknologjisë u afirmuan, kur asaj i erdhi në ndihmë inxhinieria gjenetike. Sot gjenet mund të identifikohen, të peshohen, të maten, të numërohen, të manipulohen, të shumëfishohen dhe të ndryshohen në provëza dhe të kapërcejnë nga një qelizë në tjetrën edhe përmes barrierave të specieve. David Baltimor, laureat i çmimit Nobel në biologji thotë: “Inxhinieria gjenetike dhe bioteknologjia janë rrugët më të mira për të bërë atë që bujqit e kanë bërë për mijëvjeçarë për përmirësimin e bujqësisë”. Sukseset e përdorimit të produkteve bioteknologjike janë evidente në shumë fusha të zhvillimit të njerëzimit. Duke veçuar bioteknologjinë bimore, krijimi i bimëve të modifikuara gjenetikisht

po merr epërsi për prodhimin e bimëve me rezistencë të lartë ndaj sëmundjeve dhe streseve mjedisore, aq të pranishme në dekadat e fundit; për ndryshimin e përbërjes së produktit bujqësor (mjafton të përmendim “orizin e artë”, që përmban dhe karotinën, provitaminën A, të domosdoshme për mirërritjen); punohet për prodhimin e bimëve “fabrikë” (përdorimi i bimëve për prodhimin e vaksinave kundër kolerës, hepatitit B, rotavirusit etj.).

 

Siç përmënda më parë, Departamenti i Bioteknologjisë prej dy vitesh po zbaton programin e studimeve të ciklit të dytë (DND), kurse këtë vit akademik edhe studime të ciklit të parë (DNP) në fushën e Bioteknologjisë. Studentëve iu ofrohen aktivitete formuese, që rrisin ekspertizën e studentëve në drejtime specifike të reja në përputhje me programet e fushave ekuivalente në Universitetet Perëndimore duke lehtësuar bashkëpunimin e mëtejshëm me këto institucione për vazhdimësinë e studimeve të niveleve më të larta apo punësim. Synohet që studentët të paisen me aftësi praktike që të mund të angazhohen në institucione private apo publike që operojnë në disa fusha si në laboratorë ku aplikohen teknikat indore dhe qelizore bimore për shëndetësim të materialit mbjellës nga virozat apo për konservimin e materialit gjenetik, në laboratore ku aplikohen teknika të biologjisë molekulare apo citologjike-histologjike, në ndërmarrje private që e bazojnë aktivitetin në teknologjinë fermentative etj. Në kushtet e globalizimit merr rëndësi dhe ngritja e kapaciteteve të duhura për kontrollin e OMGJ-ve, që mund të hyjnë në mënyrë ilegale në vendin tonë dhe programet e këtij Departamenti po ndërtohen që studentët të marrin njohuri teorike dhe praktike për menaxhimin e OMGJ-ve nga pikëpamja ekonomike, ligjore dhe e analizimit shkencor të tyre.

 

Nga ana tjetër, Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Departamentin e Bioteknologjisë dhe me stacione private dhe fermerë specialistë në fushën e frutikulturës kanë iniciuar projekte të sponsorizuara nga Programi GEF/SGP i PNUD-it në Shqipëri apo që kanë hyrë në konkurrim në Programin Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim të Agjencisë së re për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion. Projekte të tilla kanë për qëllim nxitjen e kultivimit nga fermerët të specieve frutore autoktone të rralla. Në aspektin ekonomik, kjo pasuri e gjermoplazmës së specieve frutore kërkon zbulimin, vlerësimin, ruajtjen, shtimin dhe shfrytëzimin e formave me nivel të lartë prodhimi dhe cilësie, me përmbajtje të lartë vlerash dietike-terapeutike, me interes për zhvillimin e pemëtarisë biologjike dhe eko-turistike në zonat malore e kodrinore të vendit tonë, aq të domosdoshme në kushtet e intensifikimit të ekoturizmit. Vitet e fundit në vendet Mesdhetare, ndonëse një pjesë e specieve frutore nuk janë konsumuar për një kohë të gjatë, kërkesa është rritur për “produkte tipike lokale”, që reflektojnë identitetin rajonal, të lidhur me problemin e trashëgimisë kulturore dhe me potencialin ushqyes me vlerë për shëndetin e njeriut.

 

Gjithashtu në bashkëpunim me akademikë dhe pedagogë të Universitetit të Prishtinës ka filluar një projekt për identifikimin e sëmundjeve virusale të specieve frutore në të dy territoret shqiptare me metoda bashkëkohore të biologjisë molekulare, si dhe për shëndetësimin e fidaneve me anë të metodës bioteknologjike të kulturës “in vitro”. Ky projekt po zbatohet në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

 

-Cfarë vlerësoni zakonisht tek njerëzit?

 

Në rradhë të parë, vlerësoj sinqeritetin, që i paraprin komunikimit të hapur midis njerëzve në çdo aspekt të jetës. Nga ana tjetër, po të më pyesnit se cfarë nuk më pëlqen, do të thoja mosmirënjohja.

 

-Në kohën e lirë çfarë lexoni kryesisht gazetat apo libra?

 

Duke krahasuar të dy llojet, do të thoja pa dyshim se pëlqej të lexoj librat. Natyrisht, kohë të lirë nuk kam shumë, por më pëlqen letërsia artistike dhe që nga rinia ime vlerësoj shumë autorë të mëdhenj të literaturës botërore, si Leon Tolstoj, Ernest Heminguej, Stefan Cvajg. Kohën më të madhe ia kushtoj literaturës shkencore të profilit tim. Gazeta lexoj pak. Këtë problem nuk e kam per gazeta të veçanta, por në përgjithësi. Ishte një kohë, kur fillova të lexoj, por u zhgënjeva, se pas titujve tërheqës për lexim, gjenja pak vlera. Natyrisht tani zgjedh të lexoj artikuj të opinionistëve dhe analistëve të veçantë.

 

-Mendimi juaj për bashkejetesën?

 

Tek ne dukuria e bashkëjetesës së çifteve filloi të shfaqej në fillim të viteve 1990, kryesisht në qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë bashkë me hapjen tonë ndaj Perëndimit, kur filluam të diskutonim për të drejtat e njeriut edhe në marrëdhëniet e të dy partnerëve. Mendoj se është në zgjedhjen e lirë të çdo çifti të realizojë në jetën e vet bashkëjetesën apo lidhjen me martesë. Bashkëjetesa mund të konsiderohet si periudhë që i përgatit partnerët për jetën e ardhshme bashkëshortore dhe për fëmijët etj. Por mendoj se ato që shqetësohen më shumë, mund të jenë nënat shqiptare, që e shohin martesën si më me të ardhme në lidhjet e fëmijve të tyre. Megjithëse numri më i madh i çifteve anon nga tradita ende e qëndrueshme e shoqërisë shqiptare, që kalon nga fejesa drejt martesës, drejt një familjeje të konsoliduar, unë mendoj se zgjedhja duhet të jetë e lirë dhe rëndësi ka që lidhja të funksionojë sa më gjatë të jetë e mundur.

 

-Femra shqiptare a e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?

 

Prej disa dekadash ka ndryshuar pozicioni i gruas në shoqërinë shqiptare, megjithatë nuk ka arritur të zejë pozicionin që meriton. Mund të sjellim shumë shembuj të grave të shquara në art, sport, biznes, shkencë etj. Duke u kthyer gjithmonë në fushën time, në Departamentin e Bioteknologjisë të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, stafi shkencor-pedagogjik dhe ai ndihmës në rreth 90% përbëhet nga gra, ndërmjet tyre figura të suksesshme të shkencës. Megjithatë në Departamentet e tjera nuk është i njëjti raport. Edhe në Asamblenë e Akademisë së Shkencave, ku unë marr pjesë si Akademike e Asociuar ka vetëm 4 gra, që përbëjnë 10% të saj. Synimi është të rritet numri i Akademikëve, sepse në fushën e shkencës punojnë shumë gra të shquara si brenda vendit ashtu dhe në institucione shkencore dhe universitete jashtë Shqipërisë.

 

Edhe partitë kryesore shqiptare kanë në programet e tyre rritjen e numrit të grave në poste drejtuese, në politikë-bërje dhe vendim-marrje, por pak është arritur. Duke kaluar në gratë e shtresave të ndryshme të shoqërisë sonë, mund të themi se ka shumë probleme, shumë vështirësi për tu shfaqur gruaja shqiptare me potencialin e saj të gjithanshëm në krahasim me burrat. Ky problem është dhe në vëndet e zhvilluara dhe përbën një nga treguesit më të rëndësishëm të shkallës së emancipimit të shoqërisë. Megjithëse gratë përbëjnë gjysmën e potencialit njerëzor, pjesa tjetër, veçanërisht në shoqëritë maskiliste si kjo e jona, pjesa tjetër ka pushtuar padrejtësisht hapësirën që i takon grave.

 

Përveç emancipimit të vazhdueshëm të shoqërisë, mekanizmi shtetëror për barazi gjinore, i ngritur disa vite më parë duhet të veprojë me më shumë efektivitet. Të gjitha qeveritë shqiptare kanë ratifikuar shumë konventa ndërkombëtare për barazinë gjinore në të gjitha fushat, legjislacioni është në përputhje me atë të vendeve të përparuara, por problemet mbeten dhe duhet bërë shumë për të ngushtuar sado pak pabarazinë gjinore.