Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Saime Isufi: Kontributi i gruas në lëvizjen tone kombëtare për çlirim

| E diele, 06.06.2010, 07:59 PM |


DUKE SHPALOSUR NJË FLETË DITARI...

 

Konferenca shkencore kushtuar veprimtarisë së gruas në lëvizjen tonë kombëtare për çlirim, e mbajtur më 2 e 3 prill 2010 në Prishtinë.

 

KONTRIBUTI I GRUAS NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE PËR ÇLIRIM

 

Nga Saime Isufi

 

Më 2 e 3 prill të këtij viti, në Sallën e kuqe të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës u mblodhën, ish’studentet e shumta të këtij fakulteti e të fakulteteve tjera, të atyre ish ’studenteve që në Pranverën e madhe të vitit 1981, lanë bankat e Univeristetit dhe u hodhën në protesta e demonstrata masive për të drejta, liri e republikë. Dhe, nuk qenë vetëm ish’studentet e 1981’shit, por edhe ato të 1968’ës e më herët, që nga lufta e dytë botërore, duke filuar nga Bije Vokshi, Hyrije Hana, Marije Shllaku e shumë gra të tjera, të cilat në një mënyrë a në një tjetër dhanë kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e atdheut tonë të robëruar: për çlirimin e Shqipërisë, të Kosovës e të viseve tjera shqiptare në ish’Jugosllavi.

 

 Konferenca shkencore kushtuar veprimtarisë së gruas në lëvizjen kombëtare për çlirim, e para e këtij lloji, u organizua me mbështetje të kryeministrit, të Shoqatës të të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe të Institutit Albanologjik të Prishtinës; por nuk duhet lënë pa përmendur, kontributin e jashtëzakonshëm dhe iniciatoren kryesore të organizimit e të udhëheqjes së kësaj konference, të doktoreshës Teuta Hadri, sot deputete në parlamentin e Kosovës, pa iniciativën e së cilës, kjo konferencë nuk do të kishte këtë nivel të organizimit. Pra, Teuta Hadri ishte ajo që na mblodhi më 2 e 3 prill, në këtë ngjarje të madhe historike, ku o fol për rolin e gruas në luftën për çlirim kombëtar.

     Fjalën e hapjes në këtë konferencë (në emër të Shoqatës të të Burgosurve Politikë të Kosovës, e mbajti zoti Hydajet Hyseni, veprimtar i ilegales, ish i burgosur politik dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, i cili përshëndeti të pranishmet dhe foli edhe rreth kontributit të gruas në luftën për çlirim.

     Pas zotit Hydajet Hyseni, fjalën e mori edhe simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, fjala e të cilit u prit me duartrokitje tek të pranishmet. Ai në fjalën e tij çmoi lart kontributin e gruas shqiptare, duke u nisur nga kontributi i nënës së tij, për të renditur të gjitha gratë shqiptare, në luftë për të drejta e liri.

     Akademik Rexhep Qosja, i cili bashkë me zotin Demaçi e Hyseni, përcollën konferencën që nga fillimi e deri në fund, duke respektuar kështu kontributin e gruas në luftë për çlirim, mbajti referatin e tij me titull: „Veprimtaria e gruas në lëvizjen kombëtare shqiptare për çlirim“.Referat ky i cili u ndoq me interesim të madh nga të pranishmet ku përfshiu aktivitetin e gjerë të gruas shqiptare në luftë për liri.

     Pas fjalës së akademik Rexhep Qosja, fjalën e mori iniciatorja dhe kryetarja e konferencës,zonja Teuta Hadri, e cila na dhuroi emocione të veçanta me referatin e saj: “ Roli dhe kontributi i gruas në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për Çlirim 1945-1999“. Në këtë referat zonja Hadri kishte përfshirë gjithë kontributin e gruas, pa harruar asnjë nga ato gra veprimtare që nga mbarimi i luftës së dytë botërore e deri në mbarimin e luftës së UÇK’së më 1999. Duke qenë edhe vetë pjesë e aktivitetit dhe e veprimtarisë ilegale që nga vitet e 70’ta të shekullit të kaluar e deri në luftën e UÇK’së, Teuta Hadri kishte përfshirë shumë emra të vajzave e grave të organizuara, të burgosura e së fundi edhe të luftëtareve të lirisë, e me repsekt të veçantë përmendi shumë herë emrin e heroinës Xhevë Lladrovci.

     Bashkëveprimtarja e Teuta Hadrit, Saime Isufi e ftuar enkas nga Zvicra në këtë aktivitet të rëndësishëm, veprimtare në Zvicër që nga viti 1981, shpalosi referatin e saj: „Pjesëmarrja e gruas në organizimin e demonstratave në mërgim“, në të cilin referat ajo kishte ndriçuar aktivitetin e gjerë të gruas shqiptare në mërgim, që nga demonstrata e parë e organizuar nga Kadri Zeka, më 11 prill 1981 në Bernë të Zvicrës, ku ajo mori pjesë pa hezitim krah për krah me burrin. „Pas Bernës, - theksoi zonja Saime Isufi, - gruaja vazhdoi të protestojë edhe në demonstratat tjera të organizuara gati në çdo fundjavë gjatë pranverës dhe verës së vitit 1981 në Perëndim, si në atë: të Cyrihut, të Shtutgartit, të Dyseldorfit, të Mynihut, të Gjenevës, të Brukselit etj….Gruaja shqiptare u shqua jo vetëm për pjesëmarrje në demonstrata, por ajo mbajti edhe fjalime të zjarrta në këto protesta…“ Pjesëmarrëset patën rastin që pos dëgjimit të referatit të shihnin edhe fotografi të shfaqura në mur, si dëshmi të kohës, nga aktiviteti i gruas mërgimtare, që nga viti 1981.

     Secila grua në referatin e saj shpalosi veprimtarinë dhe kujtimet e kohës së veprimtarisë ilegale; kontaket me simpatizantet, pastaj organizimin e tyre, zgjerimin e rrjetit organizativ deri tek kapja e veprimtareve nga policia serbe, burgosja, gjykimet dhe dënimet e rënda të tyre nëpër burgje. Edhe nëpër burgje ato vazhduan me krenari e përkushtim aktivitetin. Ato nuk u mposhtën duke qenë të bindura se rruga e tyre ishte e drejtë dhe ajo duhej vazhduar. Ato flisnin plot mburrje e krenari, pas shumë e shumë vitesh në kuvendin e tyre të parë e të paharruar. Njëra ndër këto veprimtare të palodhura dhe shumë krenare, aktiviste në lëvizjen për çlirim, por edhe në kuvendin e madh të pajtimit të gjaqeve, Myrvete Dreshaj-Baliu mbajti referatin me vështrim kronologjik: „Përmasa historike e veprimtarisë së gruas shqiptare në lëvizjen ilegale të Kosovës“.

     Pa kontributin dhe përkrahjen e miqve tanë,  çështja jonë ishte e pamundur të ecte përpara. Kjo është e qartë për të gjithë. Që në hapat e parë të veprimtarisë ilegale në Zvicër, Kadri Zeka, duke qenë largpamës, kërkoi dhe gjeti miq zviceranë, të cilët ishin dhe mbetën mbështetje e fortë dhe shumë e çmuar për çështjen e Kosovës. Për kontributin e tyre dhënë çështjes së Kosovës, në konferencë ishte ftuar edhe çifti zviceran Kathrin Asal dhe Beat Schaffer, i cili e  nderoi  në mënyrën  më dinjitoze këtë konferencë; apo thënë më mirë nderi dhe respekti ishte reciprok si nga organizatorët ashtu edhe nga miqtë e ftuar. Gjatë konferencës u përmend se zonja Kathrin Asal është ndër gratë e para që ka vënë firmën e saj në kërkesën e demonstratës së parë të organizuar në Bernë, më 11 prill 1981 nga Kadri Zeka. Kjo zonjë e nderuar në fjalën e saj përshëndetëse drejtuar konferencës, ndër të tjera tha: „ Pas shumë bisedave intensive dhe shumë të përzemërta me Kadri Zekën dhe Hydajet Hysenin në vitin 1980 në Biel, kemi vendosur të japim kontributin tonë për çlirimin e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi… Nga viti 1980 kemi organizuar aktivitete në ndihmë të popullit shqiptar. Ne kemi botuar gazeta, broshura dhe libra. Kemi organizuar demonstrata e protesta… Në të njëjtin vit, pra më 1980, në bashkëpunim me Kadriun kemi hapur një konto në një bankë zvicerane, për grumbullimin e ndihmave në të holla…“ Kontoja e hapur që nga viti 1980 e deri më 1990 është quajtur „Ndihma për Kosovën“. Nga nostalgjia për atë kohë, zonja Asal fjalën e saj e kishte titulluar po me këtë emër: „Ndihma për Kosovën“.

     Konferenca nuk njohu kufij shtetëror, siç nuk kishte kufij shtetëror as veprimtaria ilegale kombëtare e atdhetare e gruas. Në konferencë u prezantua me referatin e saj edhe zonja Teuta Bekteshi, veprimtare e ilegale dhe ish e burgosur nga Kumanova. Ajo në referatin e saj të titulluar:„Qëndresa e gruas në burgjet e ish-Jugosllavisë“, nxorri në pah qëndresën dhe moralin e lartë të gruas shqiptare nëpër burgjet fashiste jugosllave dhe inkurajimin e besimin e saj në rrugën e ndjekur dhe vazhdimi i punës edhe në burg për të ardhmen e sigurtë. Referati dhe fjala e zonjës Bekteshi, ngjalli emocione të forta tek të pranishmet.

     Menjëherë pas Teuta Bekteshit, në foltore u shfaq veprimtarja tjetër dhe ish e burgosura politike, Shukrije Gashi. Ajo në referatin e saj: “Barazia gjinore në lëvizjen atdhetare për çlirim“, në mënyrë shkencore dhe të studiuar mirë shpërfaqi barazinë gjinore si një çështje vitale e aktivitetit të gruas në përpjekje për të drejta e liri kombëtare. Ajo nuk arriti ta përfundonte referatin e saj, për shkak të kohës së kufizuar, por për atë kohë sa pati mundësi të  prezantohej u prit me duartrokitje frenetike.

     Faktet historike tregojnë se gruaja shqiptare gjithmonë ka qenë aktive në kohët më të vështira për atdheun. Në një mënyrë a në një tjetër ajo ka dhënë kontributin e saj të çmuar, pa të cilin nuk do të kishim liri kurrë. Veç veprimtareve të drejtpërdrejta në luftë për liri, rol të madh luajtën edhe gratë e ish të burgosurve politikë, të cilat përkundër presioneve të UDB-së qëndruan të pamposhtura, duke i rritur dhe edukuar fëmijët e tyre në skamje e mjerim. Këtë aspekt shumë të rëndësishëm e të paparë të gruas shqiptare e trajtuan në referatet e tyre edhe zonjat: Hafide Topalli, veprimtare dhe ish e burogsur si dhe zonja Resmije Kryeziu.

     E ardhur nga Zvicra, zonja Havë Shala, veprimtare dhe ish e burgosur, trajtoi temën e të burgosura politike dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në aktin historik të pajtimit të  gjaqeve, duke sjellur edhe shembuj dhe kujtime mbresëlënëse nga kjo veprimtari e madhe atdhetare, përcolli edhe emocione të paharruara tek të pranishmet.

     Dita e parë e konferencës, më 2 prill, u mbyll me fjalën e Hyrije Korçës rreth aktivitetit patriotik të veprimtares Hyrije Hana.

     Ndërsa dita e dytë filloi me shfaqjen në foltore të veprimtareve të reja, të cilat ishin të pafund dhe të cilat nuk kishin patur rastin të flisnin asnjëherë për veprimtarinë bujshme të tyre. Por as në ditën e parë dhe as në të dytën, të gjitha ato gra që ishin paraqitur për fjalë, për shkak të kohës së kufizuar, nuk mund ta përfundonin fjalën e tyre. Vërtetë të vie keq për këtë të vërtetë të madhe. Kështu vazhdoi Akile Dedinca, veprimtare dhe ish e burgosur, me referatin e saj: „Vizioni i vetëdijshëm për liri i gruas shqiptare“. Pas saj do të vazhdojë veprimtarja dhe ish e burgosura, zonja Lumnije Morina me referatin e saj: „Gruaja shqiptare në organizatat e lëvizjes për çlirim kombëtar në Ferizaj“. Ajo e kishte punuar referatin e saj me seriozitetin më të madh, për të mos i hyrë në hak asnjë veprimtareje, duke i përmendur ato me emër e mbiemër, mirëpo për shkak të kohës së kufizuar, nuk e vazhdoi deri në fund. Të pëlqente korrektësia e grave. Ato ishin aq të mira, aq të sjellshme e korrekte, sa e kuptonin drejt, kur drejtueset e konferencës kërkonin ta shkurtonin referatin, por edhe ta përfundonin atë sa më parë. Nuk kishte nevojë t’u thoshe më shumë se një herë, siç ndodhte me gjininë tjetër.

     Mbresëlënëse ishte edhe fjala e Naime Maçestenës, e cila si nxënëse ishte aktivizuar në lëvizjen ilegale dhe shtëpia e saj ishte bërë gjithashtu një bazë e ilegales. Ajo ishte njëkohësisht edhe sekretare e konferencës dhe u paraqit me referatin e saj me titull: „Bashkimi i rinisë shkollore me organizatat për çlirim“.

     Në këtë konferencë të parë kushtuar kontributit të gruas në luftën për çlirim, veç grave veprimtare, ish të burgosura, një vend të veçantë për kontributin e tyre iu la edhe burrave. Ishte shumë interesante të dëgjosh burrat tek flisnin me aq përkushtim për kontributin dhe rëndësinë e aktivitetit të gruas në luftë për liri. Këta isha disa sosh si: zoti Bedri Islami, i cili i kishte kushtuar një fjalë shumë të përkushtuar kontributit të heroinës së Kosovës, Xhevë Lladrovci si në veprimtarinë ilegale, poashtu edhe në luftën e UÇK’së.( Lexoni: Bedri Islami - Xhevë  Lladrovci nga Lëvizja në  UÇK )

     Folën edhe zoti Selatin Novosella, veprimtar dhe ish i burgosur si dhe organizator i demonstratave të vitit 1968, rreth kontributit të gruas në organizimin e demonstratave të vitit 1968. Pas tij folën edhe të tjerë si: Shpëtim Pollozhani me referatin e tij: „Shembëlltyra e nënave në trojet shqiptare në Maqedoni“, ndër të cilat përmendi edhe nënë e bijë, veprimtare dhe ish të burgosura politike, Shukrije dhe Herime Halili; Masar Rizvanolli me referatin e tij: “Bije Vokshi dhe roli i saj  në Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare“, na ktheu në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kontributin e nënë Bijes, siç e kemi njohur dhe jemi frymëzuar nga veprimtaria e saj atdhetare, por edhe më emocionuese ishte edhe prezenca e bijës së Bije Vokshit në konferencë, në të cilën u ndie e kënaqur e nderuar dhe e privilegjuar;  zoti Ramiz Kelmendi, foli për veprimtarinë atdhetare të Marie Shllakut, zoti Zenel Kelmendi mbajti referatin: “Qëndrimi i nënave të veprimtarëve politikë; ndërsa zoti Meriman Braha veprimtar dhe ish i burgosur, u foli të pranishmeve rreth një ngjarjeje në Gjakovë, gjatë martesës të së motrës.

     Konferenca vazhdoi edhe me fjalë të tjera nga të ftuarit, të gjitha dedikuar rolit të gruas shqiptare në luftë për çlirim, që nga lufta e dytë botërore e deri në luftën e fundit të UÇK-së. Pas diskutimeve nga të pranishmet, me fjalët falënderuese organizatorja dhe kryesuesja, zonja Teuta Hadri iu drejtua pjesëmarrëseve. Zoti Hysen Matoshi, drejtor i Insitutit Albanologjik të Prishtinës, bëri mbylljen zyrtare të konferencës. Të pranishmet për një orë rresht vazhduan të bëjnë fotografi si kujtim të paharruar nga kjo veprimtari gjithashtu e paharruar dhe shumë mbresëlënëse dhe e papërsëritshme, me dëshirën se të tilla aktivitete duhet të bëhen edhe në të ardhmen. Vërtetë ishte një veprimtari ku gruaja, e lënë anash, sikur filloi ta ngre zërin, ta thotë fjalën e saj të pathënë për gjithë atë kontribut të dhënë.

     Por konferenca nuk mbaroi me kaq. Gratë u mblodhën përsëri ditën e tretë, më 4 prill, për të shkuar me 3 autobusë në vendin e shenjtë, në Drenicën e të famshmes familje Jashari. Të asaj familjeje që u flijua për këtë liri që po e gëzojmë sot. Dhe gratë veprimtare i janë mirënjohëse dhe dinë të çmojnë kontributin e kësaj familjeje të pashembullt në historinë e njerëzimit. Ajo si shkëndijë u bë feniks ndriçoi dhe hapi rrugën drejt lirisë, të cilën e vazhduan trimat e trimëreshat e UÇK-së duke na e sjellur kështu lirinë e shumëpritur. Gratë bënë homazhe dhe vendosën kurora në shenjë respekti në varrin e heroit legjendar Adem Jashari. Pastaj në familjen e madhe Jashari, biri i saj Murati, si gjithmonë modest, priti me ngrohtësi në shtëpinë e nderuar, një delegacion të grave, të kryesuar nga zonja Teuta Hadri. Në të kthyer nga familja Jashari, autobusët ndaluan tek varri i heroinës Xhevë Lladrovci, mbi varrin e së cilës zonja Hadri vendosi një kurorë lulesh, bashkë me programin e konferencës dhe me lot në sy iu drejtua të pranishmeve: „Po i lë programin e konferencës Xhevës së dashur, pasi atë e kemi dhe do ta kemi në mesin tonë në çdo aktivitet tonin. Xheva është e gjallë dhe e pavdekshme!“

Duke u kthyer nga Drenica e deri në Prishtinë, në autobusë, veprimtaret ia morën këngës, duke kënduar këngë patriotike e luftarake si dikur; duke kujtuar kështu kohët e shkuara e plot nostalgji, me emocione të papërshkruara të veprimtarisë së tyre në ilegalitet, të asaj kohe të shkuar por të paharruar, por edhe të lumtura që po përjetojnë lirinë e Kosovës, ëndrrën e tyre tashmë të realizuar.

 

Zvicër, 03. 06. 2010

 

Për ZH- Kadri Mani