| E shtune, 05.06.2010, 09:08 PM |
Reformat e qeverisë “Berisha”
Nga Ermal Kozici
Ritme fituese sportive
Fenomeni i suksesit tek futbolli ndërkombëtar, Hoze Murinjo ka në Shqipëri pasardhësin e vet. Fjala nuk është për ndonjë trajner apo ndokënd nga FSHF, pasi nuk do të mund të kishim një figurë të tillë krahasuese ndër radhët e pista të kupolës drejtuese të futbollit shqiptar, por gjithçka lidhet me politikën. Sado e çuditshme të jetë, edhe politika e Shqipërisë ka ritmet e Murinjos, dhe vetë kryeministri mund të identifikohet tek pozicioni i ish-trajnerit të Interit.
Pa marrë përsipër të kundërshtoj të gjithë ata që do të thonë se ky shkrim mund të jetë një rrahje supesh për kryeministrin shqiptar, po vendos në radhë argumentet dhe faktet. Shqipëria qëndron tashmë krenare dhe mjaft e sigurt në pozitat e saj si anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Hyrja në këtë organizëm ishte premtim dhe ëndërr e realizuar nga Murinjoja shqiptar i politikës. Kur qytetarët e rithirrën Sali Berishën të drejtonte vendin, i dhanë atij “carta bianca” dhe e vërteta është se kryeministri shqiptar i justifikoi të gjitha pritshmëritë. Duke lënë mënjanë dashakeqësit e të renditurit pro Ramës, si dhe inatet dhe gulçet e marrëzisë së të majtës shqiptare, ekipi shqiptar qeverisës e fitoi garën me kohën për reformimin e vendit, fitoi bindshëm nga kundërshtari i vet politik dhe e futi vendin në NATO. Pra mund të bëhet tërësisht paralelizmi me fitimin e kampionatit dhe të kupës së Italisë nga Murinjo, me fitoret e Berishës me reformat, pasaportat biometrike, kartat e identitetit dhe zgjedhjet e pranuara botërisht si më të lirat dhe të ndershmet që ka organizuar vendi.
Por ajo që i mungonte ekipit shqiptar, që as guxonte ta mendonte ndonjëherë ishte fitorja e liberalizimit të vizave që pak a shumë është si fitorja e Murinjos me “Champions League”-n. Murinjoja riktheu Interin pas 46 vjetësh në krye të Europës, ashtu si Berisha Shqipërinë pas më shumë se 50 vjetësh në vendin që i takonte.
Dhe po të abstragojmë për skemat që përdor në fushë, trajneri “Berisha”, mund të nisim me z. Bode në portë, një garanci financiare për reformat, me zotin Meta, një “libero” i rëndësishëm i ekipit si dhe me zbulimin e ri në krah të mbrojtjes, z. Ksera. Qendrën e mbrojtjes e ka blinduar me Dritan Priftin që ndihmon pa u kursyer edhe sulmin. Mesfusha me Sokol Olldashin dhe lojën e tij me të papritura për kundërshtarin dhe me energji infrastrukturore, i ka prishur të gjitha skemat e skuadrës opozitare. Ekipi përforcohet në qendër të fushës me Ministrat e Arsimit, të Bujqësisë dhe atë të Mbrojtjes, që shpërndajnë material të vazhdueshëm për ekipin. Dhe sulmi i kryeministrit shqiptar me Ministrin e brendshëm është i papërballueshëm. Lulëzim Bashën do ta kishte frikë çdo kundërshtar, sado i mirëpërgatitur tek ekipi i Ramës. Kaq i mirë dhe i zhdërvjellët shfaqet ekipi i Berishës, saqë shpesh herë kundërshtarët duan të lënë lojën në mes dhe kërkojnë të favorizohen vazhdimisht nga arbitri.
Pra Murinjoja shqiptar i ka shfaqur të gjitha karakteristikat e fituesit, si këmbëngulës dhe me karakter, i zoti që nuk ndalet para asgjëje. Ai ndërtoi Rrugën e kombit, ai ndërtoi rrugën e Bregut, ai nisi zgjerimin e akseve nacionale, nisi Rrugën e Arbërit, po lidh çdo fshat e komunë me rrugë të standarteve të larta dhe do ta kompletojë punën e vet me Boshtin e Jugut. Ai rigrupoi dhe rindërtoi me një vizion dhe imazh të ri ekipin qeverisës shqiptar dhe me këtë ekip ai i fitoi të gjitha sfidat. Në fund të fundit, si suksesi, si mossuksesi rëndojnë mbi dirigjentin e ekipit që në këtë rast është Sali Berisha. Ai do të ishte përgjegjësi edhe në rastin kur të gjitha këto do të ishin vetëm premtime. Murinjoja ynë dha provën e madhe se merr përsipër çdo sfidë dhe çdo ekip e kthen në kampion. Shqipëria është kthyer tashmë në kampionen e rajonit për dinamikën ekonomike dhe perspektivën e zhvillimit, duke tërhequr pas vetes investitorë nga të më të fuqishmit më të njohurit dhe në të gjitha sektorët. Shqipëria e katër milionë qytetarëve ka nisur vërtet të vrapojë dhe Murinjoja shqiptar kërkon të fitojë edhe kupën e botës në fund të katërvjeçarit të tij.