| E enjte, 03.06.2010, 09:58 PM |
NJË VIZITË MBRESËLËNËSE
Nga Luan Çipi
Kur shoku dhe miku ynë i fëmijërisë, Duro Mehmet Mustafaj, na komunikoi ftesën që Shtabi i Posaçëm, na ftoi për të marrë pjesë, si miq të Vranishtit, në Festën e Përvitshme të Fshatit, ne, një grup vlonjatësh të moshuar, me banim të hershëm në Tiranë, pranuam njëzëri.
Vranishtin shumëkush e njihte për historinë e tij të lavdishme, në luftërat për Liri, Pavarësi e Çlirim. Të gjithë kishim dëgjuar dhe ishim rritur me respektin për Sali Vranishtin, komitin trim antiturk e përkrahës të fukarasë, krahun e armatosur të Ismail Qemalit, kapitenin trim të Luftës së Njëzetës. Unë nga lagjja Muradije e Vlorës dhe që më pëlqen të këndoj labçe e kujtoja shpesh Vranishtin dhe ja merrja këngës për një vajzë flori, që përgëzohet se, si e pa vëlla, morri trimërisht hakën e babait të vrarë pabesisht dhe u fut në histori, në këngë e në legjendë; mjeku Sadedin Gjoka nga lagjja Topanaja, me Rukijen, të shoqen e tij Shkodrane, e ka njohur Vranishtin për vallet e burrave gjigand, që transmetojnë me gjallëri dhe optimizëm, nëpërmjet kërcimit dhe këngës, trimëri dhe heroizëm; inxhinieri vlonjat Sabavet Ymeri, vëllai i pilotit të famshëm Babaçe Faiku, e kujtonte Vranishtin për aktin e rezistencës masive kundër nazisteve dhe për barbarinë dhe masakrën e tyre të pashembullt; Diplomati Pirro Veshi, vëllai i Ymerit, ish sekretarit të Qarkorit të Rinisë dhe veprues aktivë në këtë zonë, gjatë Luftës, e kujton Vranishtin për dëshmorin e pare antifashist të Qarkut të Vlorës; inxhinieri nga Tragjazi Axhem Gjonaj, që ka emër dhe njohje të mirë, si drejtues për të gjithë rrethin e Vlorës, e kujton Vranishtin për historianin jurist Sali Hallkokondi, për këshilltarët e shquar Rapo Meto e Alush Majko, për mësuesit e palodhur veteranë Xhemil Veli Duka, Daut Sefer Gjikondi dhe Besim Feim Xhebraj; inxhinieri skelar Sezai Hoxha, pasjonant për gjeologjinë, e kujton Vranishtin për ujërat e Honit dhe për Gurin e Zotit; shkrimtari Skënder Hasko, nga Dukati i Vlorës, duke kujtuar vizitat historike të plakut të Vlorës dhe heroit të pavarësisë kombëtare, Ismail Qemalit në Vranisht para dhe pas vitit 1912, kalon në lashtësi dhe kujton qytezën prehistorike të Horës, lidhur me mërgimtarët e hershëm që i kanë dhënë emrin Horës analoge në Itali; ekonomisti agrar Minella Mosko, kujton me nostalgji e respekt kohën kur Vranishti ishte qendër e një ekonomie të fuqishme bujqësore e blegtorale.
Po këto njohje ishin pak, fare pak. Ne në Vranishtin e ditëve tona, në atë ditë vere morëm njohuri e kujtime të tjera mbresëlënëse. U befasuam menjëherë sa e kaluam Horën dhe u ndodhem te pylli i bukur, në hyrje të fshatit. Nga mikrobusi, ku ishim bashkë me miqtë Vlonjat-Tiranas të Vranishtit, të sponsorizuar nga biznesmenë vranishtiot, nga larg, dëgjonim kënge dhe muzikë. Qindra bijë të Vranishtit, në këtë ditë simbolike, në përgjigje të thirrjes së organizatorëve nismëtarë, të veshur me rrobat më të bukura, kishin ardhur nga Vlora, nga gjithë Shqipëria, po dhe nga jashtë Atdheut, duke marrë me vete dhe njerëz të tjerë dashamirës, miq, e turistë, po dhe të interesuar e kurjozë që donin të vërtetonin mrekullitë e paraqitura herë pas here me mjeshtëri nga gazetarët e të botuara, në më të mirës gazetë periodike lokale të vendit, në Gazetën “HORA të fshatit Vranisht. Shihnim nga afër tani, në tribunën-skenë, të ngritur hijshëm, në hije të pemëve shumëvjeçare, Ansamblin e Famshëm Folklorik të Këngëve dhe Valleve të Vranishtit, laureat i disa çmimeve kombëtare, duke kërcyer e kënduar hijshëm, me finesë e bukuri të paparë.
Sa zbritëm u takuam me burra e gra, shumë prej tyre të njohur në mbarë vendin, për trimëritë në luftë po dhe për kulturën e vlerat mbarëkombëtare, që mbartin. Në radhë të parë ishte rapsodi i shquar, poeti, shkrimtari, mësuesi tani veteran, mik për të gjithë ne, Muhamet Tartari me të shoqen po dhe dhjetëra doktorë, profesorë, ushtarakë, shkrimtarë e gazetarë të shquar, që i bëjnë nder Vlorës dhe më tej.
Në Tribunën e improvizuar u mbajtën referate dhe kumtesa me tema shkencore, që secila në përmbajtjen e vetë kishin të pashkëputur kumtin e dashurisë për vendlindjen, për bashkëfshataret, për shoqërinë dhe njeri tjetrin, karakteristike kjo e unitetit të fortë të kësaj zone, ku pikëpamjet politike ngelen vetjake, ndërsa shoqëria dhe dashuria është një kultivar i vendlindjes, që i bashkon dhe i mban në miqësi të përhershme dhe shuan sherret dhe mosmarrëveshjet tradicionale apo të përkohshme.
Duke kaluar disa orë të këndshme midis njerëzve të mrekullueshëm të këtij fshati në hijet e pemëve dhe të gjelbërimit për rreth, të Zotët e Shtëpisë, duke ruajtur traditën, na ftuan në lokalet turistike tregtare aty pranë, dhe bashkë me ta, shijuam mishin e qengjit të pjekur në hell dhe rakinë e rrushit, duke biseduar e medituar për të kaluarën e lavdishme e duke trajtuar detyrat e sotme... Aty pranë, fare afër çudisë natyrore të fshatit Vranisht, “Gurit të Zotit“, Kapiten Sali Vranishti i derdhur në bronzin e monumentit madhështor, si simbol historik i Vlorës heroike, dukej sikur qe i gjallë dhe na fliste e na tregonte, nëpërmjet figurës dhe shembullit fisnik të tij, udhën e Zotit.
Kthehemi entuziastë dhe të mbushur me ndjenjën e bashkimit, solidaritetit dhe të mirëkuptimit, duke menduar e përsëritur se këta njerëz të mirë të Labërisë trime, ngelen një shembull i përhershëm, model, për çka i duhet edhe mbarë politikës aktuale Shqiptare.