| E marte, 01.06.2010, 09:59 PM |
Palaçot e Kosovës
Shkruan: PHILIPP GUT
Fatmir Limaj, ministër i Transportit dhe i Telekomunikacionit, mban një funksion kyç në Qeverinë e Kosovës. Ai nuk është i njohur vetëm në vendin e tij. Ky ministër është bërë i njohur edhe në skenën ndërkombëtare në lidhje me krime lufte, torturë dhe vrasje të civilëve serbë dhe shqiptarë. Ish-komandanti rajonal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjatë përleshjeve me armatën serbe në vitin 1998 Limaj ka qenë përgjegjës për kampin e të burgosurve në Llapushnik, në të cilin torturoheshin dhe vriteshin serbët dhe “kolaboracionistët“ shqiptarë. Ai është liruar në mungesë të dëshmive. Komandanti i burgut, Haradin Bala, është dënuar me 13 vjet burg. Në Serbi aktualisht janë duke u kryer hetime kundër Limajt dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së për shkak të supozimit se qëndrojnë prapa vrasjes së 22 personave.
Në kuadër të trupave paqeruajtëse të KFOR-it dhe në mesin e ushtarëve zviceranë në Kosovë Limaj njihet mirë. Në raportet e tyre ai “fare hapur“ quhet “mister dhjetë për qind“, thotë një oficer i trupave zvicerane. Sipas tij, prej secilit tender publik të financuar nga Bashkimi Evropian dhjetë për qind përfundojnë në xhepin e ministrit. Oficeri thotë se këtë fakt e dinë të gjithë.
Rasti Limaj hedh një dritë të dyshimtë mbi rolin e KFOR-it, pjesë e të cilit janë edhe ushtarët zviceranë. Sipas interpretimit zyrtar, trupat ndërkombëtare angazhohen për “paqe dhe stabilitet“ në rajon. Krahas pranisë së NATO-s në Kosovë, është i pranishëm edhe Bashkimi Evropian me të ashtuquajturin EULEX. Misioni, i cili përbëhet prej dy mijë policëve, gjykatësve hetues dhe gjyqtarëve nga mbarë Evropa, ka për qëllim të ndërtojë një sistem funksional gjyqësor dhe struktura të shtetit juridik.
Dy vite pas pavarësisë së krahinës dikur serbe rezultatet janë minimale. Revista “Weltwoche“ disponon me raporte të oficerëve zviceranë, të cilët kanë qenë të stacionuar në Kosovë dhe kanë qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse. Një dokument mjaft i dobishëm është, për shembull, “Daily Situation Report“ (Raporti mbi gjendjen e përditshme) i EULEX-it dhe i Policisë së Kosovës. Nga ky raport rezulton se forcat ndërkombëtare janë të pafuqishme. Fjalën kryesore e ka elita e UÇK-së me Hashim Thaçin – ish-studentin e Universitetit të Cyrihut - e cila sot përbën Qeverinë dhe mban lidhje të ngushta me krimin e organizuar.
Sa djallëzisht sillen shqiptarët me mbështetësit e tyre të pafuqishëm tregon ky fakt. Pothuaj “për çdo ditë“, thotë një punëtor zviceran i EULEX-it, automjetet e hetuesve “dëmtohen, digjen dhe në rastin ekstrem hidhen në ajër“. Gomat shpërthehen, veturat shkatërrohen dhe rrotullohen. Sipas raporteve interne në vitin 2009 janë “shkatërruar komplet“ 70 automjete. Në shkurt të këtij viti të gjithë punëtorët e EULEX-it u urdhëruan që veturat e tyre të mos i lënë pa mbikëqyrje dhe gjatë natës t’i parkojnë vetëm në zona të ruajtura. Numërimi i veturave të shkatërruara është pjesë përbërëse e raporteve javore. Në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit në një pikë kufitare në veri të Kosovës u hodh një granatë dore kundër një veture. Ky rast nuk u bë kurrë publik. Me sa duket synohej që misioni edhe ashtu i dobët të mbrohet nga titujt negativë në media, supozon një oficer zviceran.
Kur nuk bëjnë punë frikësimet, atëherë hetimet “zvarriten aq shumë“ nga autoritetet hetuese kosovare “derisa ato pushojnë tërësisht ose përfundojnë në qorrsokak“, thotë një pjesëtar i policisë ushtarake nga Zvicra. “Dëshmitarët humbin, atyre nuk u kujtohet asgjë, dëshmitë materiale zhduken ose shkatërrohen“.
Bilanci i EULEX-it pas një viti e gjysmë është dëshpërues. Edhe pse harxhohen 200 milionë euro pothuaj asnjë krim nuk sqarohet. “Askush nuk ka arritur të më tregojë një shifër të procedurave të suksesshme hetuese, të cilat kanë përfunduar me dënim dhe të cilat do të ishin të rëndësishme për EULEX-in“, thotë oficeri i lartpërmendur i policisë ushtarake. Derisa EULEX-i është i pafuqishëm, shefat e policisë lokale sundojnë si “mbretër të vegjël“ nëpër fshatrat e tyre. Në një rast vrasjeje hetimet ishin të pasuksesshme, sepse shefi i policisë në Rahovec “mbronte interesat e tij. Ndërkaq ne, KFOR-i, qëndronim si palaço të mallkuar si statistë“.
Oficeri thotë se veprimet kriminale durohen nga trupat paqeruajtëse. Sipas tij, edhe Zvicra jep një lloj ndihme për krime. Gjatë përgatitjes për misionin në Kosovë ushtarëve dhe policëve u është thënë që të mos i ndalin "veturat e mëdha të markës Mercedes, Audi dhe BMW“. Sipas tij, KFOR-i nuk dëshiron apo nuk mundet të ndërmarrë asgjë kundër krimit të organizuar.
Ky vlerësim rezulton të jetë realist. Gangsterët nuk kanë pse të frikësohen nga forcat ndërkombëtare. Ajo i mbron edhe bizneset e tyre.
Një shembull: kur në nëntor 2009 në veri të vendit ushtarët e KFOR-it u gjuajtën me armë, hetimet treguan se patrulla në një rrugë periferike kishte penguar një biznes të madh të mafisë. Për t’i përndjekur ata mbi kokat e ushtarëve u shtie me armë automatike. Për pasojë komanda e KFOR-it lëshoi një urdhër që në të ardhmen të evitohen rrugët anësore. Ky urdhër iu dha edhe trupave zvicerane, duke i porositur që t’i “shmangen“ situatave të tilla. Falë këtyre “protektorëve“, thotë një oficer zviceran, kriminelët “mund të veprojnë pa asnjë turp“.
Qeveria e Thaçit, e përbërë nga kriminelët e luftës, mund të llogarisë në mbështetjen e amerikanëve. Kampi Bondsteel është një prej bazave më të mëdha ushtarake që SHBA-ja ka themeluar jashtë vendit dhe në këtë mënyrë ka zënë një pikë strategjike në Ballkan. “Ju na lini neve në qetësi, ne ju lëmë juve në qetësi“: Kjo është marrëveshja që amerikanët kanë lidhur me Thaçin, thotë një oficer i ushtrisë zvicerane.
Për regjimin e shtetit të ri, i cili nga Zvicra nën ministren e Jashtme, Micheline Caly-Rey, është pranuar me shpejtësi rrufeje, angazhimi i trupave ndërkombëtare shpaguhet dy- dhe trefish. I përfaqësuar dikur me 40 mijë ushtarë KFOR-i, me ndihmën e Zvicrës neutrale, mbron një Qeveri, e cila krijon një rreth optimal për tregti me armë, me drogë dhe me njerëz dhe në masën më të madhe e mbron krimin e organizuar nga ndjekja penale. Përveç kësaj, trupat me xhepa të mbushur janë një faktor interesant ekonomik për vendin e varfër. Nga kërkesat, të cilat rezultojnë nga nevojat e KFOR-it, për shembull për prostituta, krimi i organizuar ka arritur të ushtrojë të gjitha kompetencat. Në fakt ai nuk bën gjë tjetër përveç se mbulon tregun.