| E marte, 01.06.2010, 09:57 PM |
ROMANI SI MESAZH DHE TESTAMENT I KOHËS
Bedri Dedja ”PRESIDENTI I PLANETIT TË KUQ”, roman për fëmijë, botoi “Faik Konica” – Prishtinë . 2008.
Nga Xheladin MJEKU
FIGURA POLIEDRIKE –FRYMË MODERNE LETRARE
Bedri Dedja (1930–2004) ishte dhe mbetet personalitet poliedrik, duke arritur që gjatë jetës së tij të kapte majat e të gjitha angazhimeve krijuese, edukative dhe shkencore, sidomos në fushën e krijimtarisë dhe studimit të letërsisë për fëmijë. Është njëri ndër themeluesit e letërsisë moderne shqipe për fëmijë, që për më shumë se gjysmë shekulli krijoi vlera të pakontestueshme antologjike në fushë të kësaj krijimtarie letrare, në nivel kombëtar. Prandaj nuk kemi si të mos ndalemi që në fillim të këtij vështrimi në prekjen e disa prej veçorive të tij si krijues i shumfishtë në letërsinë për fëmijë, në frymën edukative dhe pedagogjike, si dhe në fushën shkencore, që ishin tri shtyllat e rëndësishme të fushëveprimtarisë së tij gjatë gjithë jetës.
Ai lëroi të gjitha gjinitë letrare për fëmijë, duke u paraqitur me botimin e librave të tij të shumtë që nga gjysma e viteve `50 deri tek libri që po analizojmë këtu. Shumëllojshmëria krijuese e Bedri Dedjes, si: vjershat, tregimet, novelat, romanet, përrallat, pjesët teatrale, studimet shkencore, etj. janë dëshmi e padiskutueshme për përkushtimin shumëdimensional në ndërtimin e botës letrare për fëmijë me elemente moderne. Bedri Dedja shquhet sidomos me prozën, dhe më saktë me romanin për fëmijë dhe të rinjë, ku veçohen: “Kalamajt e pallatit tim”(1972 / 1979), “Republika e 1100 çudirave” (1975), “Nëpër korridoret e thella të Jonit” (1976), “Alarmet e qytetit Sdikuisht” (1989), “Qyteti me tri kështjella” (1998), “Sikuriada” (2002), etj. me të cilët hap dritare të reja në letërsinë tonë për fëmijë.
Krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Dedja, edhe në tematikën e tij, mbetet aq e rëndësishme, për të kuptuar se prodhimi letrar artistik i fushës për fëmijë, i të gjitha kohërave duke filluar që nga krijimtaria e rilindësve, ka karakteristikat e veta të ndjeshme dhe në zhvillim me kohën është arritur niveli i një krijimtarie letrare moderne të përmasave botërore. Dëshmi e kësaj që thamë më lartë është edhe interesimi i përkthyesve gjerman, italian, dhe ata rumun që romani “Presidenti i Planetit të Kuq” i shkrimtarit Bedri Dedja, të përkthehet menjëherë pas botimit të tij në gjuhën shqipe. Kjo vepër tashmë cilësohet njëra ndër kryeveprat e letërsisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare për fëmijë. Krijuesit dhe studiuesit e fushës për fëmijë si Bedri Dedja, janë ata që meritojnë të lexohen, të studiohen dhe të kujtohen gjatë. Ata mbesin një udhërrëfim i përhershëm në fushën krijuese dhe studiuese për fëmijë dhe të rinjë.
NDËRLIDHJA E PËRRALLËS ME BOTËN FANTASTIKO – SHKENCORE PROVOKON IMAGJINATËN E FËMIJËS
Në fillim të shqyrtimit të ndërtimit dhe trajtimit të problemeve të vendosura në syzheun e romanit fantastiko - shkencor për fëmijë "Presidenti i Planeti të Kuq", do të anashkalojmë fabulën narrative dhe të prekim veç disa prej karakteristikave dhe karaktereve që e shquajnë tematikën e shtjelluar brenda në vepër. Kjo nga arsyeja që t’i mbetet sa më shumë hapsirë e virgjër lexuesit, i cili në të shumtën e herave nuk gjen arsyen të bredh faqeve të librit, kur në një shkrim sado përciptazi të jetë i shtjelluar, mëson veprimet dhe bëmat e personazheve e deri në epilogun e veprës.
Në fillim të leximit të librit, kuptojmë qartë se Bedri Dedja ishte një dashamirës i shkencës, kulturës, artit dhe zhvillimit e përparimit të njerëzimit në kuptimin e gjërë. Ndërlidhja konvencionale e përrallës, si element i fuqishëm përvetësues i botës fëmijërore me botën tjetër, tashmë shumë të pranishme edhe në jetën bashkëkohore - shkencën dhe fantastikën, si një katalizator i fuqishëm në shtytjen e imagjinatës së fëmijës për të ndërtuar botën e vet të të menduarit dhe të zhvillimit të koncepteve të veta personale në ndërtimin e intuitës krijuese të një jete ndryshe nga përditshmëria, por që në fakt kanë ndërlidhjen e reales me fantastikën deri në arsyen e njohjes së problemeve nga një kundrim tjetër. Aty trajtohen kujdesshëm të gjitha problemet me të cilat ndeshemi sot në botë, si në luftë dhe në paqe. Poashtu takojmë elementet e bashkëjetesës europiane, të globalizmit, të terrorizmit, të diktaturës, të botës demokratike, etj. Kështu bota e fëmijëve paraqitet me të gjitha karakteristikat e saj të zhvillimit, të moshës dhe të gjitha peripetive të tyre. Kjo vjen si mesazh për ne se brezi i ri është pasuria jonë më e madhe, të cilën duhet ta ruajmë e ta kultivojmë edhe në të ardhmen.
Fraza që e takojmë të shumtën e herave në përrallat tona: “Na ishte një herë…” fillon historinë e ngjarjeve në roman, e cila së bashku me personazhet që takojmë të zhvendosur këtu nga veprat e mëparshme të autorit si: “Fatbardh Pikaloshi” dhe “Një Udhëtim i Rrezikshëm”, të lënë të nënkuptosh se kjo histori në roman vjen nga e kaluara historike duke u ndërlidhur me të tashmën, në korrelacion me ndryshimet e zhvillimeve, me situatat, misteret dhe gjithçka e preokupon botën fëmijërore. Përpjekjet e ndryshimeve në mes të mirës e së keqes rezultojnë me periudhën e gjatë që kapërcen shekujt e që përsëritet e ripërtërihet vazhdimisht. Por kjo temë tashmë e njohur për lexuesin, aq e ndieshme transferohet edhe në shekullin e ri, me dimension të ri, por si domosdoshmëri që të luftohet me forma dhe mjete të disponueshme edhe nga botëkuptimet e fëmijës. Këtyre zhvillimeve të nduarnduarta autori u ka ndërtuar pozicionet me mundësi të ndërthurjes së dijes, fantazisë, shkencës dhe edukimit në këtë libër bashkëkohës dhe me vizion të qartë. Në parathënjen e romanit kritikja Klara Kodra shkruan se: “Vepra e fundit e Bedri Dedjes, si testament shpirtëror që ai u kushton fëmijëve dhe që botohet pas vdekjes, është një kryqëzim origjinal midis romanit përrallë dhe romanit fantastiko-shkencor”.
Konstatimi i këtillë arsyeton vetë ndërtimin e romanit me elemente të përrallës dhe bazamentit fantastiko-shkencor, që provokojnë imagjinatën e fëmijës të gjurmoj labirintheve të jetës elemente të reja të ngritjes së intelegjencës dhe aftësive të tij. Ky provokim tashmë ka për rezultat zhvillimin e fantazisë, si impuls i shëndetshëm idesh dhe ngjyrimeve fantastike të shkencëtarëve të vegjël. Poashtu rezulton edhe me zgjerimin e dijes shkencore për galaktikën, zbulimin e mistereve të shumta dhe së fundi aludom edhe me edukimin, rrugën e drejtë, humanizmin, trimërinë dhe pasionin për shkencën dhe dijen. Në këtë roman Bedri Dedja do të ndërthur dijen me argëtimin, do të kultivoj lulet e kopshtit të së mirës në ndërgjgjegjen e fëmijës dhe të çdo lexuesi në përgjithësi.
FËMIJËT ÇUDIBËRËS DHE MESAZHET VIZIONARE TË SHKRIMTARIT
Në romanin “Presidenti i Planetit të Kuq”, takojmë një galeri personazhesh që ndërthurin vijën komunikuese që nga fillimet e librave të parë të autorit, duke tërhequr kështu diagonalen e fushëveprimit nga e kaluara deri në ditët e sotme, gjithnjë duke ruajtur vetitë më të mira të romaneve pararendës. Rikthimi i personazheve nga veprat e tij të mëparshme në masë të mirë të përkujton sintezën e veprave të tij letrare, veçanërisht të prozës së tij romaneske.
Vendosja e personazheve nga librat tjerë si fëmijët shkencëtarë: Fatbardh Pikaloshi dhe Kokëfirifiu i «Udhëtimit të Rrezikshëm», që këtu e gjejmë me emrin “Shpëtim”, por duke ruajtur edhe pjesë nga çapkënllëku i mëparshëm. Shkencëtarët e vegjël përballen me kriminelë dhe diktatorë të rrezikshëm si Ladenbenisadus, Usta Ipaudhi, Këmbëlepurin e Parë (personazhe nga "Një udhëtim i rrezikshëm"), mandej edhe me "Shtatëpëllëmbë-Mjekrën e Trepëllëmbë Trupin" (personazhe nga “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”), që të kujtojnë personazhet nga përrallat popullore.
Zhvillimet zinxhirore të aventurave, tensionimet në kohë, spiunazhi dhe rrezikimi nga mafia kozmike, që aludojnë në përshtatjen e situatave të ndërsjella të terrorizmit në planetin tonë, koinçidojnë me aktualitetet që po jetojmë. Zhvillimiet e subjektit të romanit gjatë tërë kohës mbajnë të tensionuar lexuesin. Ngjarjet përshkohen me pamje fantazie, me humor të lehtë, që e kthen vëmendjen e lexuesit në një ambient të kapshëm të ngjarjeve dhe me zbulimet e befasishme, që nxisin kërshërinë e lexuesit dhe e mbajnë peng deri në mbyllje të librit. Dhuntia e autorit të mbaj gjallë vijën e komunikimit me lexuesin gjatë gjithë zhvillimeve të ngjarjeve në roman, flet për përkushtimin e vazhdueshëm të gjetjes dhe zhvillimit të imagjinatës së fëmijës në vazhdimësi.
Ttransmetimi i mesazhit të kësaj vepre përmes ngjarjeve shumëdimensionale në një udhërrëfyes të ngritjes së vetëdijes së lexuesit në nxitjen e zhvillimeve mendore dhe ideve në fusha të ndryshme të dijes me qëllimin madhor të së mirës dhe zhvillimit të së nesërmes, flet për vizionin e shkrimtarit në ndërtimin e një bote të re fëmijërore me karakteristika moderne, si synim kombëtar.
POST FESTUM I NJË TESTAMENTI
Informacioni se Bedri Dedja e përfundoi veprën e tij të fundit vetëm dy ditë para se të vdiste, dëshmon fakte të pamohueshme se ky shkrimtar ishte dhënë gjatë gjithë jetës së tij në krijimin dhe ngritjen e letërsisë për fëmijë në nivelin modern krahas vlerave botërore, që edhe duhet t’ia ketë arritur me këtë të fundit. Me të parë dritën e botimit ky roman, ngarendën nga të katër anët kritikë, studiues, intelektual dhe lexues të pasionuar për të ndarë përshtypjet dhe mendimet e tyre, duke e cilësuar madje edhe si vepër testament të autorit. Kjo mbase edhe i qëndron pranë realitetit të zhvillimeve, meqë përfundimi i shkrimit të këtij romani sikur mbyll kaptinën e fundit të krijimtarisë së shkrimtarit, për të hapur mundësinë e shtyrjes përpara të këtij mesazhi, ruajtjen dhe respektimin e shkrim-testamentit për lexuesin e të gjitha moshave dhe porosinë e pakontestueshme që të ngrisim nivelet e dijes dhe edukimit të brezave të rinjë. Botimi i romanit fantastiko - shkencor “Presidenti i Planetit të Kuq” të Bedri Dedjes me një format të veçantë dhe mjaft cilësor, i ndarë në 40 kapituj dhe i shoqëruar me 45 ilustrime interesante, që provokojnë imagjinatën e fëmijëve gjatë leximit, duke bërë më të zbërthyeshëm syzheun dhe duke ndihmuar kuptimin e ngjarjeve mjaft interesante. Letërsia për fëmijë përveç tematikës së ndërtuar me mjete e figura stilistike, me kultivimin e kulturës gjuhësore, kërkon edhe mjete tjera, si: ilustrimet, ngjyrat, kopertina dhe figurat artistike që e bëjnë librin mjaft tërheqës për lexuesin. Të gjitha këto elemente përcjellëse i takojmë tek libri “Presidenti i Planetit të Kuq”, të pregatitur me një përkushtim të veçantë, që i japin vend meritor në radhën e veprave me cilësi të lartë letrare dhe teknikisht të lakmueshëm.
Derisa vepra fillon me përrallën, si katalizator i zhvillimit të imagjinatës së fëmijës, ajo mbyllet me ëndrrën, që përkujton synimet e së nesërmes, të zhvillimeve dhe ardhmërisë, kundruar nga këndi imagjinativ i fëmijës, me të gjitha vetitë e një hulumtuesi të arritjeve të reja që e rrethojnë botën. Mbetet të mësojmë se cili është Presidenti i imagjinatës së fëmijës që ndërton jetën në Planetin e kuq të ëndrrave dhe fantazisë së tij.
Në mbyllje të këtij shkrimi konkludojmë se romani fantastiko – shkencor “Presidenti i Planetit të Kuq”, edhe si mesazh, edhe si testament për brezat e rinjë ka për synim ruajtjen dhe kultivimin e potencialit të gjerë krijues të gjeneratave që i japin kësaj vepre vlera të padiskutueshme artistike dhe pedagogjike përmasash të gjëra.