Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vullnet Mato: Mbështetja te supet

| E marte, 01.06.2010, 07:28 PM |


Vullnet Mato

 

MBËSHTETJA TE SUPET

 

Malet - grumbuj dherash

dhe shkëmbinjsh në lartësi

kanë mbetur kurdoherë

të rreptë e krenar,

vetëm se,

duke i pasur supet

të ngjeshur te njëri-tjetri,

kanë gjetur mbështetjen

për të mos shkarë.

 

Po të humbisnin

këtë lidhje të madhe,

që i bën të qëndrueshëm

përballë tërmetit,

malet do të ishin rrokullisur

në mijëravjeçarë

dhe mbi rrënimin e tyre

do të jehonte krenaria e detit.

 

Duke imituar lidhjen e ndërsjellë

te supet e maleve,

shqiptari ka mbështetur supet

te besa në trashëgim...

Për të mbijetuar

me bashkimin e armëve dhe halleve,

për të shpëtuar

pa u rrokullisur në asimilim.