| E marte, 01.06.2010, 09:00 PM |
Suzana Kuqi
Cast
I humbur mendimi im
në labirintin memec të heshtjes tënde...
Mundohem të të vjedh pak nga ata sy
të qetësoj shpirtin që më përpëlitet brenda...
Ndoshta, gënjehem si valët që rrëmbejnë një rreze mbi shkumë
e rendin t'ja çojnë bregut me të shpejtë e plot vrull...
… I humbur... hutuar mendimi im
në morinë e fjalëve që ti bluan në heshtje
nuk të dalin nga buzët, nuk ja beson as erës...
Një skifter shkëputet lartësive e një pëllumb
pranë këmbëve më bie...
… gjak i kuq mbi gjoks të bardhë,
era ja ngrë puplat në një fluturim që nuk është i tiji...
… I ethshëm
i ethshëm mendimi im në kërkim
të gjërave të çmuara që ruan me xhelozi në log të zemrës
Përgjërohem... përgjërohem e lus qiellin të jem dhe unë aty...
Se të dua... Se të dua siç duhet jeta kur të lë pa pritur e
pa të lajmëruar...
...gjak i kuq mbi gjoks të bardhë... në sy një fluturim i munguar...
Prapë në udhëkryq...
Dhe jam përsëri në një udhëkryq...
Dëshira, mëkatin e virtytin
i mbars e i lidh në një kërthizë...
murgeshë e mëkatare
më kacafyten në çdo qelizë
teksa një ëngjëll e një demon në pritje
shqyejnë qiellin së qeshuri
mbi kryet e mi...
Këmbët e murgeshave
Kush i ka parë këmbët e murgeshave
farfurima që sfidon najlonin e çorapes
sensuale nga mbaron këpuca
e nis poshtë gjurit fundi i fustanit
klithmë njerëzore që gjen rrugë
e i shpëton veladonit...
Sensuale duken këmbët e murgeshave
mbase...
se i janë premtuar qiellit
mbase...
sytë na i ka lodhur zhveshja...
Mendim i çartur
Sepse mendimi im të rrok përtej
përtej qiellit që e gervishin kryqe
madje
përtej ku ai shkon të bjerë në gjumë
(vallë ku shkon të flejë qielli)
sa lotë i fala erës të të ndjekë
e pashë se asgjë...
asgjë nuk thahet më shpejt se loti i ëndrrës
që tjerret me mua në një pritje
herë të vogël sa unë
herë të pafundme sa malli që rrok diellin...
mendim i çartur
i urtë dhe i çmendur si universi...