| E hene, 31.05.2010, 03:52 PM |
Shazim Mehmeti
FAQESH MË RRËSHQET
NJË LOT GËZIMI
MBI KARADAK
Hëna nëna loton
gjak lulesh mbi karadak!
Hëna nëna ngrin!
Drithëron
drithëron
për dashnorët shpirtndezur
të Çupkës Liri
që me dritë hëne
e bekim nëne
e përjetësojnë
udhëtimin e tyre
mbi tel
e mbi magji!
Mbi tel
sheh Telin që gjakon
përmbi teh lirie!
Telin që merr plagë
e s’vdes
e s’bie!
Netë Shqipërie
mbi Karadak lotëgjak!
Hëna nëna loton!
Teli qesh jeton!
Mbi Karadak!
Mbi Karadak!
Mbi Karadak!…
Sarandë, 18 gusht 2002
BILALL XHAFERI
Oh, Bilall!
Në qafë na kishte rënë Greku!
Plagët e njoma gjak kullonin!
Gjak të zi kullonin
Mushkëritë e Çamërisë!
Dhitë kullotnin
Mbi mendtë e Shqipërisë!
S’kish mbetur një copë vend
Për njeriun në këto anë!
Të ranë, Bilall
Të ranë!…
Por deshti Zoti
Dhe njerinë deshi mileti!
Dhe Ti Sarandën puthe
Në buzë deti!
Me këmbët n’ujë
Tani ti rron:
Ca flet me yje
Ca flet me Jon!
Sarandë, 18 gusht 2002
VAJZAT E SARANDËS
Me fytyrat prej hëne
E me shpatullat ngjyrë vajulliri
Mëngjes për mëngjes
si t’ua kenë larë sytë ëndrrave
Vajzat e Sarandës
Përkundin vithet-
Zbresin lëkundshëm
Shkallareve të gurta
E lahen
Në buzëdet
Në buzëdet
Derdhin gërshetat
E jod dashnie thithin
E frymë perëndishë
Që djalërisht u frynë nga Ksamili
E njomin shpresë
Për shpresë
Saranda i sheh e psherëtin
Joni i prek e buzëqesh
Rinohet zemërimja
Rëmbushen sytë e mi…
Sarandë, 17 gusht 2002
KSAMIL!
Ksamil!
Ç’mu fute në mendje
E më ha trurin
Si një krimb!
Oh, Ksamil!
Ksamil Riu!
Ksamil Plaku!
Ksamil djerse!
Ksamil gjaku!
Ksamil!
Ksamil!
Ksamil!…
Si të kishte rënë
Mbi faqen tënde
Një dorë djalli:
Prerë degë portokalli
Për drurë zjarri!
Oh, Ksamil!
Ksamil, 14 gusht 2002
PRISH GJUMIN, FSHIJ SYTË…
Prish gjumin, fshij sytë
Shkelja syrin ditës, E mira!
Kohën preke:
Koha ka stinë!
Liria ka stinë!
Vër veshin
Dëgjo erën që frynë!
Është tjetër erë
Është tjetër stinë!
Më shumë se erë është shpirt
Shpirt i vyrtytshëm i lirë
Që GJËNË E NDALUAR ëndërruar ka
Që gjënë e ndaluar do dhe ëndërron
Dhe ka guxim
Ta puthë në sy lirinë!
Preke dritën
Preke dritën, E mira!
E PAPROVUARA E PAPROVUAR
Le të të joshë!
Le të të joshë liria-
Ajo kokra e shtrenjtë e pemës magjike
Që dot s’paguhet as me jetë!
Kjo erë është e rallë
Siç është i rallë
Soji i njeriut që di të vdesë përnjëmend!
Siç është i rallë soji i njeriut qengj
Që brenda një sekonde bëhet ujk!
Siç është i rallë soji i njeriut
Që TOKËN E NDALUAR ëndërron
Tokën e pashkelur
Tokën që është gjak
Dhe ujë
Dhe lot syri
Dhe lëng jete njëkohësisht!
Dhe kokër molle
Që fsheh brenda vetes të bardhin krimb!
Ah, të bardhin, KRIMBIN E LIRISË!
Koha ka stinë
Liria ka stinë!
Kujtesa është erë që frynë!
Zëri i kësaj ere
Është zëri i atyre që patën fat të bijnë
Në stinën e gjakut 2001!
Është zëri i të vdekurve të gjallë, E mira
Dhe zëri i të gjallëve të gjallë
Që s’patën fat të bijnë
Në atë stinë!
Liria është lumë!
Kujtesa - liri e përnjëmendshme
Që duhet dashur me përmasë!
Po s’dijte ta duash
Liria vret, E mira!
Liria vret keqas!
Lirinë duhet dashur kujdesshëm si fëmijën
Ngadalë, ngadalë, ngadalë!
Lirinë duhet dashur si vetminë!
Lirinë duhet dashur si atdheun kur s’e ke!
Hap sytë ta duash
Hap sytë ta duash, E mira!
Atdheu s’është dheu!
Atdheu është njeriu!
Prish gjumin
Fshij sytë!
Përtej vetes dil
Dhe prite ditën
Dhe preke dritën, E mira!
Dhe atdhe do keshë
Dhe do keshë liri
Dhe domosdo
Do keshë vetmi!!!…
Përroi i Balës, 18 shtator 2002
KUR DAL MBI VARRET, NË MAL TË THATË…
I vetëm
I vetëm si Sadek Hedajat
Kur dal mbi varret
Në mal të thatë
Nis e më mungon vetmia-
Liria ime e qindpërqindtë
Te Kodrat e Poshtme mbi katund
Më dalin përpara varret e reja
Më dalin përpara skifterët e rënë të lirisë
Më del përpara atdheu traumatik!
Prapa Sharrit plak
Me sytë e mendjes
Qaj për Shqipërinë
Lumenj drite derdhen prej plagësh
Me lot dhembjeje më laget mendimi
E mendja më pik
Te vetmia
Te trishtimi
Dhe ndjehem i vetëm
Dhe ndjehem aq i vetëm
Sa paqën vë
Me shtëpitë boshe
Të vëllezërve të mi kurbetqarë-
Ah, të vëllezërve të mi nomadë!
Vë paqë me shtëpitë e lëna
Ku jeta frymon vetëm dy javë në vit!
Vë paqë me minaret kryengritëse
Që puthin qiejt e zotave heshtakë!
Vë paqë me fabrikat e vjetëruara
Mes fushash gjelbëroshe
Që si dinosaurë parahistorikë
Kërleshen e rrezikojnë të hanë çdo njeri
Vë paqë me lumin
Ah, me lumin
Që vuan e dergjet
Nga sëmundja e pavdekësisë
Me qiejt e ftohtë vë paqë
Vë paqë me kasapët xhelatianë
Që me kallasha në krahë shëtisin qytetit
Sot e kësaj dite,
Dhe sot e kësaj dite
Synojnë të ma hanë lirinë
(m’i ngrënshin herdhet
e dacit në kuzhinë)
Vë paqë me prostitutën shtet
Vë paqë me llumet politikë
Që më pijnë gjakun e më kripin mendtë!
Vë paqë me katila të njëmendtë!
Bëj sallatë prej vargjesh
Bëj sallatë prej ndjenjash
E nuk jam rehat
E nuk gjej vetmi!
Më rrezikon mendja
Më rrezikon ajri!
Më rrezikon drita
Që dergjet e vuan
Nga sëmundje e virgjërisë!
Dhe ky diell shtatori më rrezikon
Edhe pse ma ngroh shpinën atërisht
Vë paqë edhe me zogjtë e pashpresë
Që qajnë e çirren mbi kufomat
E engjëjve të prerë në besë!
Vë paqë me djallin e zi
Vë paqë me të gjithë e me gjithkend
Por me veten s’e vë paqën asesi!
E më dhemb, më dhemb
E aq shumë më dhemb
Pse jam aq i vetëm e nuk gjej vetmi!
Më dhemb
Sa më vjen të bërtas
Të këlthas:
S’ka si të të qasin
Atdheu dhe liria
Kur s’të qas vetmia!!!…
Përroi Balës, 20 shtator 2002
SHTËPISË SIME S’I MUNGON ASGJË
Shtëpisë sime s’i mungon asgjë
Ka themele prej eshtrash
Të gjyshit, stërgjyshit, katragjyshit
Murosur me gjak
Me djersë vetëflijimi
Ka shtylla të qëndrueshme
Si- ndjesë pastë-
Shefikja, gjyshja ime
Që gjithë jetën e jetës qe jetime
Ka shtylla vertikale
Që vertikalisht mbesin
Si di të vdesë vertikalisht
Soji i njerëzve martirë
Që dot s’ua përul kokën
Asnjë murlan
Asnjë shtrëngatë
Ka mure të trasha
Të padepërtueshme
Si muret e vetmisë vrastare
A si muret e krijuesit vetmitar
Ka veshje muresh
Të bardha
Të ndritshme sa mendimi
Ka dhoma
Ka orendi
Që edhe pse të vjetëruara e qindvjeçe
Rrezatojnë shkëlqim
E rrezatojnë nur
Si nuri i shpirtit të tim fqiu njomëzak
Që në kep të Tanushës ra dëshmor
Për lirinë time hapërdare
Ka dritare jete
Ku qiejt pasqyrohen
Të kaltër e të freskët
Si minifundet e vashave lozonjare
Që sapo janë kthyer nga takimet
Me dashnorë
Ka dyer thjeshtësie
Nga ku hyjnë e dalin
Hije gëzimesh
Hije trishtimesh
Ka shkallë dëshpërimesh
Dhe kthina të vetëkyçura kujtimesh
Ka oxhaqe inatqarë krenarë
Që durojnë e s’bien
As nga gjyle topash karpatianë
Si duruan e s’ranë
Oxhaqet e shtëpive gërmadha
Në Kosovë e në Karadak
Ka oborr të rënqethur
Me kopsht mbijetese
E me pishinë ujëloti
Ku zbret e lahet Shpresëhëna
Për çdo natë
Ka prindër të moshuar
Me lumenj rrudhash në fytyra
E me sy kurreshtarë
Në shtëpi ka grua
Ka nënë
Ka fëmijë
Ka trishtim uri e lumturi
Shtëpisë sime s’i mungon asgjë
Krejt ç’mund t’i mungojë shtëpisë sime
Është një qen besnik e vetmitar
Që ha miza dhe bën gjumë
Që ëndërron për Nënën
Dhe leh në Hënën…
Por…,
Por edhe qeni
Mund të mos i mungojë
Sepse qeni…,
Qeni jam unë!!!…
KAM FTOHTË, DRIDHEM!…
Kam ftohtë, dridhem!…
Mbi Bardhar
Vjeshta ka lëshuar
Krahët e dhembjes
Si një shpend gjigant
Rrjedh e këndon
Lumi që s’di gjë!
E në buzëlumë
Një shelg i ri
Vetmuar rri si eremit!
Krahëlëshuar
I paqejf
Apoetik
Loton
Si Ati i Pashpresë
I Shpresës Jetë!
Hesht e qan shelgu!
E nën shelg
Hija e vdekjes
I ndalet mbi sup
Një peshkatari
Që grepin e vdekjes
Ka hedhur n’ujë
Dhe shpreson e pret
Fundin e një peshku!
Se si ndjehem murg, Zot imi:
Shoh vdekjevjeshtë mbi shelg
Shoh vdekjeshelg mbi peshkatar
Dhe… për peshkun qaj!
Kam ftohtë, dridhem:
Frika nga vdekja
Më mban të gjallë!!!…
FALE, ZOT, NJERINË…
Në faltore
Futen pleqtë
E shiu bie litar
Ditë e diel është
Data, 1 dhjetor 2002
Lufta veç sa ka kaluar
Gjaku akoma nuk është tharë
Bën mjegull
Në Gocë Tivar
E shi mendimesh resh
Mes pleqësh
Në cep të Sahat Kullës
E shoh dhe tim at
Si futet në faltore
Me çadrën e virtyteve
Mbi kokë
I shoh pleqtë
E shoh tim at e pyetem:
Ç’mëkate mund të kenë
Për të falur këta vuajtës?
Ç’mëkate të kenë bërë
Këta melekë?
Im atë
Si hije engjëlli
Më humbet syshë
Me kapotën e vuajtjeve mbi shpinë
Unë lutem e them:
Fale, Zot, njerinë!
Dhe iki tutje
Duke e menduar veten
E duke qarë:
Shi mendimesh
Resh mbi Gocë Tivar!…
MURET MENDOHEN E GJINDJA ËNDËRROJNË
Muret mendohen
E gjindja ëndërrojnë
E borë e verdhë bie
Mbi atdheun e nxirë
E puthet puthet
Ndërgjegjja e uritur
Me këlyshin e ngirë
E më vjen
Më vjen pështirë!…
E muzgu i syve
Gjinjtë e natës shplon
Rrugët mlaken
E gjindja ëndërrojnë
Të rënët e luftës
Përtej vdekjes çirren
E borë e verdhë bie
Mbi shpirtrat e tyre të bardhë
Mbi Karadak
Hëna Nëna ngrin
E zbret te varret, qanë
Oj nanë!…
Ooooj naaanëëëë!!!…
SI FOSHNJË E LËNË…
Si foshnjë e lënë
Në djep harrese
Dielli i boshatisur i dhembjes
Buzëqeshjen e ngrirë hedh
Mbi fytyrën e përgjakur
Të së Premtes
Bardhari rrjedh
E shelnja loton
Si nusja e luftës
E mbetur vejushë
Me barkun hambar
E ëndrrat vrarë
E në bishtsyrin e ditës
Zgërdhihet e këndon
E vithet dredh
Sorkadhja e zezë e erës
Si bythkëza e lazdruar Adelinë
Përgjigjmu
Ti Zot i bardhë i kujtesës:
Ç’thërmijë t’i jap
Zogut me fytyrë foshnjeje
Që në këngën e vetë mbytet?
Ç’t’i lë në cep ëndrre
Dallëndyshes shtatzënë të lirisë?!…
SI ZOGU I ZI I DHEMBJES…
Përgjaket zëri i Bob Marley-t
Në tel kitare
Si filxhani i bardhë i kafesë
Te buza ime e krisur
Tej tymit të kujtesës
Drojshëm mbi Malsharr
Faqet përlot
Dielli i pasditës
Si foshnja jetime
E vejushës Liri
Që nallanet e shpresës heq zvarrë
Sheshit të ndyrë të lëmoshës
Mu si ai zogu i zi i dhembjes
Në prehër të së mërkurës jam strukur
Pëqafuar kam
Vetminë e marsit
Dhe jam i gjallë
Dhe jam i vërtetë
Për aq sa e mërkura është e diel…
E URREJ DIELLIN E MËRDHEZUR…
E urrej diellin e mërdhezur të mëngjesit
E urrej luftën e kotnasikotë
E urrej kafenë espreso
Që përpara hundës sime avullon
Këtë mëngjes, në kaffe Colosseum
Shpirti im lëndohet fluturimthi
Si zëri i Kleptonit
Që përgjaket te teli i fortngrehur i kitarës
Oh, shpirti im i lëndueshëm
Oh, insekti im i vogël fluturak
Bushi është një mut i madh
Sadami një mut me nam
Qofshin amerikanë a irakianë
Sot për sot, Gjaku i Fukarenjve
Bën më lirë se nafta
Këtë e ndjej
Këtë e ndjej
Këtë të gjithë e ndjejnë
Nga prapa xhamit të kujtesës
Qajnë zemrat e nënave
Dielli i mërdhezur i marsit më përkëdhel
E urrej diellin e pafuqishëm
E urrej luftën e kotnasikotë
E urrej kafenë që m’avullon përpara hunde
Këtë mëngjes
Shpirti im i vogël
Është Flutur e Verbër Endacake
Që troket si vetëdija anëkend
Troket e kërkon shpresë
Për djemtë e fukarenjve kërkon shpresë
Ta dini:
Ata që pushuan të bisedojnë për paqën
Janë katilë
Atdhetë (në emër të të cilëve ata flasin)
Janë kurvat e tyre
Që thellë brenda vetes
I mbajnë djemtë e vrarë të fukarenjve
Dhe ua hapin parreshtur këmbët
Paçavurave politike
Ta dini:
Atdhetë janë njerkat e fukarenjve
Bushi është një mut i madh
Sadami një mut me nam…
MARSI PËRPËLITET ME FUNDGOTË…
Lirisë i bien pendlat
E fleta bardh
Si drita
E mbi fletë
Marsi përpëlitet me fundgotë
Mërzia heq çorapet e leshtë
Ndërgjegjja kotet si gjyshe
E harruar e lënë
Një re e trazuar mendimi
Fluturon e ndalet
Mbi neonet e ndritur
Dhe urritur zukat
Si kjo mizë e përmutur
Që rri e më përgjon trishtueshëm
Nga buzë e filxhanit tim të kafesë
E qartë
E qartë, Zot:
Shpirti i kësaj flete të bardhë
Është gjaku im i zi
FAQESH MË RRËSHQET NJË LOT GËZIMI
i blertë
frymon mali
si fëmija kaçurrel
me sytë e dielltë të posashplarë
në të vesëzuarin agim
erake
e vezulluar
drita frymon
e mbi krah të saj
një gur mendimi
ftillohet
lëvarur
gati në rënie
rri pjertas mbi ujë
një dorë e zgjatur zoti
më mban
më sheh e më buzëqesh
i bukuri liqen
me ato sy vashe
të shplarë
faqesh më rrëshqet
një lot gëzimi
e fshij e them:
sa kohë
sa kohë paskam humbur kot
im Zot
im Zot
LËRNA, ZOT!...
KUR VRITET NJË USHTAR LIRIE
Kur vritet një ushtar lirie
(nga Juniku, fjala bie)
ju mos qani
ju vetëm këndoni
ju me zë përqiell këndoni!
Dhe mos thoni se u vra
ushtari i lirisë me emrin LIRIDON!
Thoni thjesht:
u vra një ushtar lirie për Kosovë!
Sepse, është diku tjetër
(fjala bie, në Drenicë)
një tjetër ushtar lirie
që ka po të njejtin emër LIRIDON
e është i gjallë
aq sa për t'i dalë krah
atdheut të vrarë, zot!
Po të vritet edhe ky ushtar lirie
ju sërish mos qani
ju sërish këndoni
ju me zë përqiell këndoni!
Dhe mos thoni se u vra
ushtari i lirisë me emrin LIRIDON!
Thoni thjesht:
u vra një ushtar lirie për Kosovë!
Sepse është diku tjetër
(bie fjala, në Ladorishtë)
një tjetër ushtar lirie
që domethënë se është një i tretë
me po atë emër LIRIDON
që është i gjallë
aq sa për t'i dalë krah
atdheut të vrarë, zot!
Edhe ky sikur të vritet
ju sërish mos qani
ju sërish këndoni
ju me zë përqiell këndoni!
Dhe mos thoni se u vra
ushtari i lirisë me emrin LIRIDON!
Thoni thjesht:
u vra një ushtar lirie për Kosovë!
Edhe një i katërt po të vritet
(fjala bie, nga Pollogu)
ju këndoni dhe thoni thjesht:
u vra një ushtar lirie për Kosovë!
Edhe një i pestë po të vritet
(nga Berati, fjala bie)
ju këndoni dhe thoni thjesht:
u vra një ushtar lirie për Kosovë!
Edhe një i gjashtë po të vritet...
Edhe një i shtatë...
Edhe...
Edhe i njëmijti po të vritet
(nga një skaj i humbur i atdheut, fjala bie)
ju mos qani
ju vetëm këndoni
ju përqiell këndoni!
Dhe thoni thjesht:
u vra një ushtar lirie për Kosovë!
Oh! Por, ç'them!
Nuk vriten ushtarët e lirisë!
Ata vetëm sa bien
gjakun ta njomin me atdhe!
Ata vetëm sa bien
për t'iu bërë atdheut dhe!
Ata vetëm sa bien
për të mbirë si lulëkuqet
mbi Kosovë
e për të na bërë të ditur
se liria është nënë
që pjell sa të duash LIRIDONË
dhe se Kosova është atdheu-
ajo e bukura ëndërr që na josh !
Gostivar, korrrik 1998.
LËRNA, ZOT!...
e haje veten
e klithmat lëshoje
e vapë bënte si në ferr
e asnjeri s'ta varte veshin për asgjë
madje
as kur u thoshe si me shaka
se je një budalla
që shiun pret
e mendjen vret
për nj e r ë z!
oh,
tashti që mbushe mend
të gjithë lumenjtë shterruan
asgjë s'ndodh
asgjë s'lëviz
veç shpirtit që na lë!
lërna, dhe ti zot
të kullotim si kafshët
të hamë ku dhihemi
të dhihemi ku hamë
mut me gishta të përziejmë për erëmirë
ta vrasim mendjen për lesh
të qeshim të qajmë të qajmë
për veten tonë…
ERA SHPËRNDAN PLAGË KORIJEJE
TË ZEMRËS
era shpërndan plagë korijeve të zemrës
gjithëherë na kërkon e gjithkund na ndjek
na prek çdo skaj trupi
na futet nëpër sytë
e për syshë na del
dritë e errësishme
errësirë e ndritshme
na rrëshqet në veshët
na i lëpinë gjuhët
me gjuhën e një ëndrre
që është thjesht një flatër
e një zë i ëmbël zogu
në grykën e vetë kyçet
përballë një zezone
që hapë gojën shpellë
kënga vjen e mykur
si e dalë nga varret -
e pohojnë të vdekurit përultësinë e vetë
për zotin e pikëlluar
që të gjithë e njohim dhe askush s'e përmend
dhe që e kemi pranë dhe që e kemi mangët
drita njomë dritëveten
në sytë e larë të vashës
dhe era shpërndan plagë korijeve të zemrës
flokëkaltra shplon shpirtin e as nuk pandeh
se dritë është mish i zotit që të gjithë e shohim
dhe ashti i tij është dritë që pak kush e sheh
K A P R O LL
Dimër i bukur
me drunj krahëgjërë
mbuluar me dëborë të re.
Natyrë e virgjër e paprekur.
Qetësi përrallore ku asgjë s'lëviz.
Madje as një zogth i vogël
as një ketër lazdran.
Parajsë e bardhë e pafundtë
ku mund të ndritet edhe mendimi.
Por, zot,
se si lëviz temalit
një kaproll i ri i bukur!
Dritëpraruar një kaproll!
Veshëngritur dhe syengjëll!
I vete prapa
një gjahtari që e josh!
Një gjahtari që i shkel syrin
dhe që vetëm pas pak çastesh
e merr në shenjë!
Gjahtari qëllon-
kaprolli bie!
Dëbora përgjaket!
Ujitet dëbora me gjakun e tij!
Sytë e engjëllt të kaprollit
përplotë dashuri
e shikojnë gjahtarin
si e shikon shpresëhumburi shpëtimtarin!
Dhe qajnë sytë e tij!
Dhe derdhin lotë si sy njeriu!
Gjaku rrjedh!
E kuqja njollë zgjërohet mbi dëborë!
Nyja e vdekjes shtrëngohet!
E ndjej sa ëmbël vdes ai kaproll!
Dhe
ndërkohë që e ndjej
se vdes si një njeri,
unë e di: j a m v e t ë ai ! . . .