| E hene, 31.05.2010, 01:40 PM |
Naser Aliu
E pata thënë në mëngjes
E thash në mesditë
Do t ‘ ju flas deri në agim
Do t’ ju flasë
Për përditë
Deri sa të qani nga mëshira:
Gruaja shqiptare
Gruaja shqiptare
Është ndër më të mirat në botë
Por me e shtypura në Europë!
Nëse nuk e dini
Atëherë mbyllni sytë
I mbyllni
Me vetëdije të plotë dhe përfitoni
Ju që fituat lirinë!
Ju që fituat lirinë!
Brezave të ardhshme
Te populli krenar i Kadaresë, që ju me krenari lexoni
Te populli kryelartë i Qoses, që ju me mburrje lexoni
Te populli mburracak i Xhaferit, që ju në histori mësoni
Rrahej çdo e treta grua
Silleshim keq me çdo të dytën...
Ky ishte
Kombi i Nënë Terezës
Në vitin 2010
Dhe kështu këndonin ne:
“Oh sa mirë me qenë shqiptar”, i mirë
Merreni me mend ju lutem këtë
Ja çfarë burra e trima ishim ne
Dhe, lavdëronin njërit tjetrin!
Ndërgjegjja e vonuar
Disa poetë shqiptarë
Shkruajnë poezi për nënat
Pasi të kenë vdekur ato
Nënës e gruas shqiptare
I duhet poezia çdo ditë
Sepse është lule e brishtë
Gati në mes të pyllit!
Shkurorëzimi
Merre
Një bohçe,
Jo valixhen
Mbushe me plaçkat e tua
Dhe pas një ore, baju!
I mori teshat,
Fotografitë e tre fëmijëve
Kokulur e me dënesje
Doli
Doli nga shtëpia e vet
Ashtu si dolën shqiptarët
Nga Kosova
Nga dëbimi
Fëmijët nuk lejoi
t’ i vraponin nënës pas me qarje, e piskama
Mendoi t’ i falë një shkuarje të hijshme
Pa tronditje shtesë
Ajo u ndalë
Ktheu kokën
Deshi t’ i përqafoj fëmijët
Fëmijët e vet,
Edhe një herë
Vetëm fëmijët e vet
Por,
Në oborr
Në oborr nuk pa njeri
Vetëm perde të lëshuara
Dhe derë të mbyllur
Ajo uli shikimin,
Shikoi edhe tri herë
Fshiu lotët dhe eci
Aty, ashtu, shpejt e shpejt u shkurorëzuan
Dhe u ndanë
U ndanë
Si në kohën e Pirros
Martesa e saj
Që një vizitë
Një ndejë tmerrësisht e gjatë dhe e vështirë shërbimi
Pa falënderim!
Thirrja telefonike
Ejani ju lutem!
Moj shpirtlige
Thërret policinë për burrin!?
Si nuk ke turp moj?
Ai është burri yt
Pronari yt
Zoti yt
Moj grua e pafytyrë...
Bërtiti ai i çartur
Edhe ne rrahim gratë tona, piskati ai
Kë të thërras shoqja ime?
Dhe, dhe polici shqiptar
Përplasi telefonin duke sjellë kokën!
Koha
Ai ecën me kohën deri në një pikë
pastaj ndalet
koha vazhdon
dalëngadalë pa të
edhe ai qetë-qetë shtrihet
Ai ecën kundër kohës
Ajo i përplaset në fytyrë
Ai vazhdon kokëfortë, brenga-brenga!
Ai rendë pas kohës
Ajo e kapërcen
Ai vështron rreth vetes hutuar
I pakohë!