| E hene, 31.05.2010, 06:54 PM |
 Përgatiti: Shefqet DIBRANI
Përgatiti: Shefqet DIBRANI
Vasil TABAKU (10.9.1953). Lindi në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës në qytetin e Ballshit, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar e kreu në Ballsh, sikurse edhe atë të mesëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Derivsh Hekali”. 
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.
Në vitin 1977 ka përfunduar  Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë. Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT - Ankara, Turqi.
Edhe pse që student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë, pushtetarët komunist të asaj kohe, nuk i dhanë mundësinë të punonte në ndonjë qendër të zhvilluar apo shkollë qyteti, por “e detyruan?!”në shtator të vitit 1977 të filloj punën si mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978.
Më pas Vasil Tabakun do ta gjejmë në këto detyra dhe funksione profesionale:
- l978 – 1986, drejtues në Pallatin e Kulturës Ballsh.
- 1986 – 1987, gazetar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
- 1987 – 1993, skenarist i filmit artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë.
-1992 – 1993, kryeredaktor i Revistës “Film” organ i Kinostudios dhe Film – Distribucion.
- 1993 – 1998, gazetar në Radio Televizionin Shtetëror (RTSH), Tiranë.
- 1998, hiqet nga TVSH për shkak të bindjeve të tija politike të djathta, mishëruar edhe në emisionet e tij televizive  si dhe në shumë shkrime dhe analiza të botuara në shtypin e ditës si ”RD“, ”Tribuna Demokratike“, “Republika“, ”Drita“, “Albania“ etj.
- 1998 – 1999, gazetar në gazetën “Liria“, organ  i shoqatës së ish të dënuarve politikë të Shqipërisë.
- 1999 - 2000, gazetar në Radio Kontakt, Tiranë.
- 2000 – 2001, gazetar në TV- ATN – 1, Tiranë.
- 2001 – 2002, kryeredaktor i gazetës „Tirana demokratike“ organ i PD Tiranë.
- 2002 – 2003, kryeredaktor i gazetës “Lajmëtari i Lirisë“ organ i shoqatës për integrim të ish të përndjekurve politikë.
- 2003 – 2004, kryeredaktor i TV – ATN - 1 dhe  Reporter i Radios Ndërkombëtare „IRIB“, komentator politikë në “Radio Nacional”, bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”në  Zvicër etj.
- 2004 –2005, Vasil Tabaku mbetet  i papunë.
- Që nga viti 2007, Vasil Tabaku punon gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH.
Vasil Tabaku, ka botuar rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime te veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”
- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 
VEPRAT LETRARE:
1.     “Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976. 
2.    “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981. 
3.    “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987. 
4.    “Ndërrimi  i epokave“, studime, 1988.
5.    “Bota në sytë e mi”, ese, 1990.
6.    „Klithmë drite“, poezi,  1998.
7.    “Vit i mbrapsht“, ese politike, l998.
8.    “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999.
9.    “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000.
10.  “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001.
11. “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005.
12. “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006.
13. ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.
14.  “SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën  persishte, Teheran, 2004.  
ËSHTË PREZANTUAR:
15. Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 
16. Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”,  Holzminde/Germany, 2003.
Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm që përmendëm më lart Vasil tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjese e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njehë mirë italishten dhe rusishten.
Vasil Tabaku, jeton në Tiranë.
Adresa elektronike: vasiltabaku@yahoo.com
Vasil TABAKU:  
HYRJA E PRANVERËS 
     
Vasil Tabaku: „HYRJA E PRANVERËS“, poezi, botoi Shtëpia Botuese “NAIM FRASHRI”, Tiranë, 1976. Redaktor: Ramazan VOZGA. (B.M.) dhe (B.V.) : 891.983-1  T- 12
  
 HYRJA E PRANVERËS
HYRJA E PRANVERËS 
  
Nga gëmusha e bleruar 
U ngrit zogu 
Dhe  nga krahët 
Shkundi dimrin. 
Marsi 
Me mijëra manushaqe 
Puthi tonën… 
Me një lirikë 
Pranverën putha edhe unë… 
 
Gëzuash pranverë 
Afshi yt 
Është në çeljen e luleshqerrës 
Në biqet e grurit 
Dhe bisqet e pemës 
Në frymëmarrjen e blerimit 
Në receptorin ku telefonon kjo vajzë 
Adresën time të largët veriore… 
Është në kopshtin e këtyre fëmijëve 
Që emrin tënd 
Cicërojnë brenda një vjershe. 
Frymëmarrja jote pranverë 
Është në dashurinë e ushtarit 
Që në jakën e kapotës 
Mban të çelur një burbuqe 
Afshi yt është kudo stinë ripërtëritëse… 
  
  
POEZIA E NËNËS 
  
Retë dridhen lehtë përmbi hënë 
Si shamia jote përmbi thinja 
Paske dalë t’më presësh 
Paske dalë mok e mira nënë, 
Me njërën dorë nga gëzimi 
Harruar tek zemra… 
  
Paske dalë, 
Buza ç’tu dridhka prej mallit… 
Ç’mendon ashtu moj e mirë 
Ç’mendon?... 
Mos valle dhimbjet e ditëve te largëta… 
  
Si rrezja 
Fijen e njomë të barit 
Më rrite 
Ngrohtësia jote 
U bë dashuria ime… 
Puthjet e tua 
Ëndrrat e mia 
Dhe qumështi yt 
Janë vet jeta 
Vet dashuria… 
  
  
FËMIJËRIA 
  
Macja 
Që loz 
Me lëmshin e kaltër të mbesës 
Nuk shthur thjeshtë një lëmsh 
Kujtimet e mia zgjidh, 
Fijet e jetës 
                   Shpleks lehtë-lehtë, 
Ditët e para të fëmijërisë… 
  
Ditët e para të rritjes, 
Këmbët e vrara nga gurët, 
Këmishën e zbardhur 
Varur në gardh… 
Festa e abetares 
Rrepa dhe gjyshi i bardhë 
Një këngë e sapo mësuar 
Tek fluturonte mbi gjithë kopshtin 
Një pushkë druri sipër tavolinës 
Me inicialet e gdhendura të emrit tim 
Dhe një flamur i vogël 
Në duart e mia… 
U rritëm kaq shpejt… 
Po fëmijëria 
Më duket sikur 
                        Zgjuar, 
Gjithë zëra, prapa derës është… 
  
Loz macja 
Loz edhe mbesa ime Shpresa 
Ngadalë lëmshin e kaltër mbledhin 
Ngadalë sikur druhen 
Mos fëmijërinë time trembin… 
  
  
URA E QABESË 
  (Baladë)
  
Urë e largët në Lindje 
Urë me gurë të mëdhenj 
Nxirë si muzgje 
Me shpinën shekullore 
Kërrusur nga pasha e qindra ushtrive… 
Ushtri që dynden drejt Orientit 
Mbytur në zheg e pluhur. 
Duke mbartur mbi vite 
Peshën qiklopike të tragjedive… 
  
Bir i Shqipërisë 
Kaloi mbi ty 
Mbi ty treti rininë 
Nën flamuj e klithma të huaja 
Poshtë qiellit zhuritës 
Të saharasë së vdekjes 
  
Urë e Qabesë 
Si hyre kështu në këngët tona 
Në pikën e lotit të nënave 
Në ëndrrat e brishta të vajzave 
Në dridhjen e buzëve që thaheshin, 
Ndërsa në krahët e grave 
Mbetej emri i nizamit pa varr?… 
  
Urë e Qabesë 
Kënga jote e zezë 
Këndohej si himn i dhimbjes 
Nën çati prej kashte 
Rrënuar nga pritja… 
Oh, mallkuar qofshin 
Gjithë luftërat e pafund! 
Ushtari i varrosur atje larg 
Thërriste i trishtuar… 
mbeç more shokë mbeç… 
  
Eh moj urë e zezë 
E zeza urë 
Mbi shpinën tënde 
Gjithë gunga ngrënë nga ikja 
Si deve e gjymtuar në shkretëtirë 
Nuk ngrihen më re pluhuri 
Nga këmbët dhe arabatë 
Ti mbete e varrosur brenda këngëve 
Monument dhimbjeje 
Por arkitektura jote e shëmtuar 
Rishfaqet nga shekulli në shekull 
Në imagjinatën e kombeve… 
  
  
VLORA 
(Baladë)
  
Ecnin, ecnin ata trima 
Në luftë drejt Jugut shkonin 
Edhe këngën “Vlora... Vlora” 
Ndezur epope këndonin. 
  
Ndezur epope këndonte 
Edhe trimi gunëbardhë 
Si ortek zemërimi zbriste 
Të rreptët male radhë radhë. 
  
Zbriste malet radhë radhë 
Në ballë puthja seç i digjte 
Puthje vashës atje larg 
Si e dashurisë lulëkuqe 
  
“Vlora…Vlora…Vlor’ e rrallë” 
Ç’janë gjithë këta dasmorë 
Me flamur ç’po ndodh vallë, 
Deti ç’ka që nxinë moj Vlorë? 
  
Oh nxin deti me dushmanë 
Mbushur plotë me gjëmime, 
lulet janë trazuar me plagë 
seç u skuq pranvera ime… 
  
tufa lulesh mbi të rënët 
një zambak plag’ e Selamit 
gunën lart çonin erërat 
rënë mbi telat e dushmanit. 
  
Rënë mbi telat e dushmanit 
Heshtëte zemër e djaloshit 
Pushk’ e nxehtë poshtë shkëmbit 
Me vështrim përtej detit 
  
Me vështrimin lart mbi det 
U përkul një çast dielli 
“Vlora... Vlora…” çeli buzët 
Dhe pastaj përgjithmon’ fjeti 
  
Fjeti trimi përgjithmonë 
Atje larg e priste vajza 
Me një grusht të bukur ëndrrash 
Me një grusht ëndrrash të bardha… 
  
Po veç shiu me ngadalë 
Vinte tej nga perëndimi 
E pikonte shkëmb e mal 
Lot ’ paprerë hidhërimi 
  
Bashkë me emrin e trimit 
Stuhi erdhi vetë kënga 
U ngrit mbi shiun e pikëllimit 
Zjarr gjëmoi : “Vlora… Vlora…” 
  
  
VLLJA E TRIMËRISË 
 (Kur i thanë Hamkos nënës së njërit prej trimave të Rrapo Hekalit se djali i saj ka rënë në male, ajo hoqi shaminë nga koka dhe nisi një valle që sot në Mallakastër e quajnë “Vallja e trimërisë”) 
  
Hankua ish e lehtë si gjethi n’valle 
Vajzat pas këngës vinin radhë radhë 
Belin e hajthëm këputnin ngadalë 
Herë ndezur flakë herë shtruar, shtruar… 
  
Çelnin këngët nga gjoks’ i saj 
Çelnin zemrat e vajzave për trimat 
Plot dashurit’ ua jepnin pastaj 
Djemve të fshatit si vetëtimat. 
  
 Një dit’ hanko stuhi doli në valle 
Degët e çelura rrept tundnin pemët 
Gonxhet pikonin lot ngjyrë alle 
Ndërsa zi të dridhshme mbanin këngët 
  
Larg në male  kish rënë komiti 
Pas istikamit kish heshtur një pushkë 
Një rrëkezë gjaku nga shkëmbi zbriti 
Dhe Flamuri ishte bërë i kuq prush… 
  
Hankua e hoqi  të bardhën shami 
Mbi supe iu derdhën flokët e bardhë 
Mbi dhimbjen u ngrit  stuhi 
Në vallen e trimit, gruaja e rrallë… 
  
  
VJOLLCA 
(Motrës) 
  
Vjollca, Vjollca 
Thirra tek dritarja e hapur 
Dhe prita 
Si atëherë të nderje gërshetat jashtë 
Të rendnim nëpër kopsht 
Në flok 
Të të hidhja një grusht me xixëllonja 
E gjer në lodhje 
Të rendnim me zogjtë… 
  
Ti kishe ikur 
Rrugëve të jetës 
Duke marrë me vete 
Mallin tim 
Gërshetat e bukur 
                            Dhe dashurinë… 
Në krahët e lumturisë 
Qeshje me zë prej gruaje…. 
  
Është e vërtetë, 
Ti një ditë 
Do të ikje 
Por nuk duhet të harrosh 
Dritaren tonë Vjollca 
Dritaren nga shikonim botën… 
As kopshtin e vogël 
Dhe rrugën tonë prej trëndafilash... 
Zërat tanë 
Rendin 
Me mbresa drite mbi supe 
Nëpër hapësirat e qytetit 
Që ne të dy 
Ndërtonim dikur 
Në arkitekturën naive 
të imagjinatës sonë… 
  
GJITHMONË MBETET DIÇKA 
  
Gjithmonë 
Mbetet diçka mes nesh 
Gjurmët e lodhjes 
Dhe fytyra e lumturisë 
  
Nga një grumbull zhavorri 
E gurësh 
Mbin një qytet… 
  
Mbi egërsinë prej uji 
Të një lumi 
Ngrihet dritë 
  
Mbi ashpërsinë e gjelbër 
Të një mali 
Mxherrim bukë 
  
E mbi vitet që ikin dhe ikin 
Lëmë zërin tonë… 
  
  
DITA E  NJË SHTATORIT 
(Enkelejdës 6 vjeçare) 
  
Është i pafund numri i luleve 
Emrat e tyre, të panumërt janë 
Ashtu si emrat e gjithë fëmijëve 
Që sot ulen në bagën e parë… 
  
Ngjyrat e luleve janë të shumta 
Si ëndrrat tuaja o gjashtëvjeçarë 
Aty ku fillon të hedh hapin A-ja 
Krahët tuaj, fluturim kanë marrë. 
  
Është ngritja juaj e dytë në këmbë 
Rrugë e germave që të çon në jetë 
Këtej janë nisur të gjithë nga kjo bangë 
Të gjithë – heronj  dhe njerëz të thjeshtë… 
  
  
PASQYRIM 
  
Saranda 
Vajzë gazmore 
E porsa zgjuar 
Para pasqyrës së dridhshme të Jonit 
Ri e drojtur 
Me agrumet e shpleksura 
Tek ia krehin erërat 
Me kaktuset e gjelbërt si qerpik 
Dhe diellin 
Ndalur ngrohtësisht si buzëqeshje 
Mbi buzët ku fle puthja… 
  
Kështu e pash këtë mëngjes Sarandën 
Në pasqyrën e kthjelltë të detit 
Portin e vogël 
Me anijet ngarkuar me grurë dhe agrume 
Dhe pallatet 
Tek shtohen 
Si çerdhet e pranverës 
Rrugët e saj 
Si një maratonë ëndrrash 
Dhe shkallaret e blerta me gjelbërim 
Ndërtuar 
Nga dashuria e të rinjve… 
CH - St. Gallen, 23 maj 2010.
Përgatiti: Sh. Dibrani