| E diele, 30.05.2010, 04:52 PM |
DAIM MIFTARI
AS ËNDRRA PËR NESËR
Recensues: Ali Aliu
Linditë Ahmeti
Redaktor gjuhësor: Asllan Hamiti
Daim Miftari është njëri nga poetët e rinj më të talentuar në poezinë e sotme shqipe. I tillë u shfaq edhe me librin e tretë poetik ”Tingujt e Heshtjes” në vitin 2007. Me dorëshkrimin e afruar për botim e bën edhe më të besueshme këtë përshtypje. Për dhuntinë krijuese, Daimi është edhe vetë i vetëdijshëm, prandaj vargun e ka stabil e të sigurt, të qetë e lirik edhe kur shqetësimin nga brenda e ka të trazuar. Poezitë që ia afron lexuesit – si vëllim, i ka të paka, e megjithatë ato rrezatojnë dëshmi: Daimi jeton intezivisht me to, me poezinë. Botën, përditshmërinë në të cilën jeton, kohën që rrjedh i shndëron në fiksione poetike të tanishme. Natyrën, çfarësinë e frymëzimit e ka maksimalisht të ndijshëm. Mjafton lëvizja më e lehtë; e pakapshme nga shikimi i rëndomtë t’i nxisë shqetësim, dhembje, përkatësisht gëzim apo buzëqeshje ironike. Është poet normal, do të thoshte Kadare. Hapësira brenda së cilës ngjizet frymëzimi poetik i Daimit është nga më frytdhënëset, - e klasit të parë në fushën e krijimtarisë letrare: perceptimi i botës si kërshëri dhe shqetësim konstant, vetmia dhe dhembja, malli për mikun – miqësinë, kujtimi, mikja, intimiteti, dashuria…
Daim Miftari, me tufën e poezive më të reja, për mbështetje ka shkollën poetike shqiptare – traditën më të mirë të saj, troll që e bën më të sigurt gjatë takimeve me përvojat poetike universale. Kam kënaqësinë t’ia rekomandoj për botim dorëshkrimin në fjalë.
Ali Aliu
Poezia nuk është më si dikur, në shekujt e kaluar, një art me mision. Poezia sot është një pikturë e shpirtit të poetit, një imazh i cili përmes fjalës e nxjerr para bote dhembjen personale të autorit, por i sheshon edhe ato bukuri gjuhësore, ato të pathëna, të cilat mbeten të fshehura për “syrin e rëndomtë” dhe do të them se e nxjerr në dritë, para syrit të lexuesit të zgjedhur edhe relievin e brendshëm të krijuesit që u nënshtrohet rrebesheve dhe erozioneve të ndryshme të cilat i nxit dashuria për të afërmit, për gjuhën, për atdheun, për jetën. Ajo si e tillë sot më nuk është art i masave, por i një rrethi të ngushtë njerëzish që merren me art, zakonisht, por edhe i studiuesve që unë do t’i kisha cilësuar si dashamirë dhe analizues të fjalës e cila vihet në prova të vështira të tropeve dhe të figurave, të gjuhës dhe semaziologjisë. Së këndejmi poezia është një art i vështirë i cili e kërkon përkushtimin dhe dashurinë e plotë të njeriut që përcaktohet për të, pra të poetit. Përkushtimi dhe dashuria janë dy kushtet themelore për krijimtarinë poetike. Dhe, këto kushte poeti i ri Daim Miftari i plotëson. Kjo është kryesorja. Kjo kërkohet nga poeti.
Poezia e Daim Miftarit dallon nga shumë poetë të tjerë të këtushëm për nga cilësia. Më mirë të them ai është në fazën e një ngritjeje të rrufeshme. Prej vargjeve të saj shkëlqen sinqeriteti, bie në sy ritmi dhe atmosfera e ngrohtë që e krijon.
Natyrisht kjo poezi është në rritje e sipër ose më mirë të themi se po ngjitet majave të pjekurisë dhe në këtë udhëtim poeti në vitet që vijnë do t’i latojë vargjet, do ta kristalizojë më tutje shprehjen poetike dhe do të punojë në përdorimin dhe ngjeshjen e figurës. Do të shkojë kah përsosja poetike. Kjo është e sigurt. Sepse Daim Miftari jeton për poezinë dhe me poezinë. Kur flet me të, e ke përshtypjen se ai çdo përgjigje që duhet ta japë në pyetjet që ia bëjnë njerëzit, nuk e jep pa “u konsultuar” me muzën Euterpë. Prandaj bota letrare shqiptare duhet ta mbështesë, të ketë mirëkuptim për zellin dhe zjarrin e tij krijues, kurse shtëpitë botuese duhet t’ia hapin dyert krah e më krah.
Linditë Ahmeti
TAKIMI ME EUTERPËN
një ditë të pikëlluar
nga jehona e vargut
të pashkruar
që e ndjeja thellë
në qenien time
si të shtënat e armëve
që armikun
s’e qëllojnë dot
si arrën e pambjellë
të fshatarit
më trokiti në derë
motra ime Euterpë
e përmalluar
më përqafoi
si motra
vëllain
e një barku
dhe unë qava me lot
si fëmijë
nga qëzimi qava
kam mundur të ndërrojë adresë
e ajo të zbardhej nga malli
duke më kërkuar
Shkup, 10 prill 2010
SHPRESË
unë mezi po pres
ti të vish
ta hapësh derën
e lënë pa freng
si zemrën time
me shpresën e ngrysur
pres
si lulet
mëngjesin
shpresa ime
varur për muri
si pushka
e luftarit
e bërë gati
për beteja të reja
e paepur
shpresa ime…
Shkup, 25 mars 2010
GJUMI I THELLË
dua të fle
e pagjumësia më thotë
mëngjesi është larg
shpalos ëndrrën
ajo bosh
qyteti fle
natë është
përtej errësirës
flaka e pashpresës
shpresat djeg
si drurët e thatë
oh ç’tmerr
ç’ rrëmujë
mbi faqe të dheut
ndihet rëndë
gërhama e gjumit të thellë
Shkup, 3 prill 2010
ERATA KËNDON PËR TY
si një ujëvarë
rrjedh dejve të mi
mërzia
e unë
ndjej
zbraztësinë e hapave
të mi
si shushuritjet e erës
natën
vonë
vonë
e fillojnë
të zgjohen kujtimet
ngjyraplot
nga gjumi i gjatë
gjumi i thellë
pluhurin
e harresës
duke fshirë
nga kulmi
i kënaqësisë
dhe nis
e këndon
erata
për ty
Shkup, 10 prill 2010
NËNTOKA E FJALËS
si barin e keq
në kopsht
herr errësirën
dhe nis
e lëvroj
unë
nëntokën e fjalës
si bujqit
arrën
farën e re
të mbjellë
farën e fryteve
të llojit të mirë
të qëndrueshëm
në mot të keq
dhe vështroj
nga larg
sesi dielli
i tërheq
me dorë
retë
dhe hapet qiell
i vargut tim
Shkup, 9 prill 2010
DASHURIA
me hapa malli
që fluturojnë
shkoj drejt saj
xixa nxjerrin
patkonjtë e kalit
të konstantinit
si motra
e Gjergj Elez Alisë
plagët
mërzisë
ia lanë
ajo
pastaj
unë e marr
e fus
në vargje
ia ndal
vajin
e ledhatojë
dhe vështroj
hareshëm
si merr frymë
buzëqesh
rritet
foshjna ime
Shkup, 25 prill 2010
AS ËNDRRA PËR NESËR
plot hënë
e qiell të kaltër
nata
mikloi pagjumësinë time
të gëzuar
të ngjashme
me atë të fëmijës
në prag të festave
dhe unë tërhoqa perden
ngjyrë vjollce
nga sytë
e maji i shqetësuar
shi e mjegulla
erdhi e u fut
në gjirin e qetësisë
së përgjumur të aurorës
era e fortë
trazoi aromën
e lules së blirit
e cila sapo filloi të depërtojë
në dhomën plot ëndrra
as ajo s’erdhi atë ditë
as ti miku im
as ëndrra për nesër
Shkup, 1 maj 2009
ISHTE AJO
ikën miqtë
unë hapa dritaren
tymin e hidhur
të fjalëve
nata ta thith
muret e dhomës
me aromë trëndafili
t’i ngjyros
si përditë
dhe u shua qyteti
unë ndeza llambën e vogël
mbi tavolinën e punës
nën dritën e së cilës
shkruaja vargje pa kuptim
dhe papritmas
shpërtheu ideja
i mblodhi vargjet
e shpërndara
të lodhura fletëve
gjethet e zverdhura
trotuareve
tok i bëri
më mahniti
bukuri e poezisë
e cila më mbushi
ngrohtësi
ishte ajo
Shkup, 26 prill 2009
NJË DËSHIRË MË NDIZET YJE
një dëshirë më ndizet yje
qiejve të kujtimit
ku pikon shi
mallëngjimi
dhe dua të ta dëgjoj
zërin
psherëtimat
të ndjej drithërimat
e trupit tënd
fluid
të ndjej vdekjet
dhe ringjalljet
s’di për të satën herë
kur të ndizen
dritat e mosdurimit
pëlhurën e moralit
epshi ta gris
Shkup, 9 qershor 2007
NATË ËNDËRRZBRAZUR
qytetin e ka mbështjellë
e diela
maji
troket në dritare
ma mbush dhomën
aromë
dashurie
e vjen vetmia
e zë vendin tënd
dhe fillon
të më rrethojë ankthi
si kopenë e deleve
ujqtë
qirinjtë e shqetësimit
ndizen në mua
të cilët s’i fik dot
frymë e mallit
retë e kujtimeve
mbështjellin qiellin
yjeplot
dhe zbardhet
nata
ëndërrzbrazur
Shkup, maj 2009
GJETA STREH TEK POEZIA
malli mbush
vrimat e kujtimeve
si dallëndyshet
foletë e vjetra
të një shtëpie
të braktisur
e zgjohet zonja vetmi
e cila si udhëtar i humbur
futet e fle kudo
dhe ma trazon ndjenjën
e m’i njollos
pëlhurat e bardha
të mendimeve
zogjtë e gëzimit
m’i tremb
unë ik e strehoem
tek poezia
Shkup, maj 2009
KU MË PRISTE DASHURIA
doli dielli e u var
në degë të mëngjesit
dhe unë dëgjova
thirrjen e ëndrrës
e cila më ftoi
në cep të kujtimit
ku më priste dashuria
ndërsa unë
rrotullohesha rreth
pikëllimit
i humbur
dhe i mbylla
dyert e ëndrrës
e nuk doja të dal
dot prej saj
Shkup, 13 maj 2009
VETËM UNË S’LËVIZ VENDIT
flas me zhurmën
e gjetheve
të majit
të gjelbërta
si ky zjarr i brendshëm
që ma sjell përpara
kujtimin
det të tërbuar
dhe më rrethon
ndjenja e ngrohtë
ku fryen erë e lehtë
malli
dhe fillojnë
të shpërndahen
mendimet
si linjat
e autobusave
larg
larg
vetëm unë
s’lëviz vendit
Shkup, 4 maj 2009
NË VARGJE TË MBËSHTJELLË FRYMËZIMI
ftohtësi e ashpër
ngrin ëndrrat
verë është
e dimër bën
në mua
hiri i pikëllimit
mbush taketuken
dhe unë ik
nga dritarja e pritjes
kurse
në tavolinën e punës
frymëzimi
mbjellë vargje
e me lule
metaforash
të zbukuron
dhe fillojnë
të trokasin
rrezet e diellit
në dritare
ikin retë
nga qielli
i mendimeve
ti je e imja
vetëm imja
Shkup, 9 maj 2009
PRITJE
i rrethuar
nga pritja
e cila pëlcet
shalqir
endem rrugëve
të panjohura
të dhembjes
majave të larta
të kësaj gjendje
që ma sjell
ndërmend
kujtimin e blertë
dhe shpresat
m’i ngjyros
me të verdhë
si fotografi
e pikëlluar
unë sërish
s’të flak tutje
të pres
Shkup, 21 dhjetor 2007
TI
ti nuk shkel që nuk shkel
në bregun e dhembjes sime
humbet dallgëve të harrimit
si Euridika nga sytë e Orfeut
anija ime fillon të fundoset
në oqeanin e thellë të mërzisë
vjen nata e bie qetë
mbi pranverën e shpresave të mia
Shkup, prill 2009
STUHI E KËSAJ NATE
se ç’rrëke
zjarmish
rrjedhin
kapilarëve të mi
sonte
nata
nis e zhvesh
gjerdanin e yjeve
para shiut
i cili rrëketë e zjarrit
s’i shuan dot
agsholi mezi pres
të japë shenjë
të merr fund
kjo stuhi
Shkup, 13 shkurt 2009
AJO
më hidhërohet
sa herë kur jam
i frymëzuar
e diçka dua të shkruaj
e lë gjellën të ftohet
më thotë
për të shkruar
disa vargje
një poezi
flet e nevrikosur
ndër dhëmbë
do që frymëzimi
të më paralajmërojë
si miqtë e shtëpisë
atë
e lodhur nga pritja
shpinën
në shtrat ma kthen
gjumi e zë
me xhelozinë nën qepallë
në mëngjes
kur kafenë ma sjell
poezinë
më kërkon t’ia lexoj
si dëmshpërblim
Strugë, 26 qershor 2007
AS TY NUK TË DUA SONTE
sonte
nuk mund
të shkruaj
poezi
as të lexoj
me kujtimin
për ty
me hije nat?
dua të pi
sonte
në djall
ta shpie pikëllimin
me gotën
plot
dhe të këndoj
Rubairat e Khajamit
Shkup, 25 janar 2008
KU FSHEHËM DASHURINË
ah sikur ti sonte
në derën
e vetmisë sime
të trokasësh
si kujtim fëmijërie
të ulesh
në prehrin
e brengave të mia
zemrës
rrugën t’ia hapish
a thua
çfarë rrugë
do të merrte
bota
unë ...
ti ...
ah sikur sonte
në derën
e vetmisë tënde
të trokisja
të trokas
unë
zemra e botës
ndryshe do të ishte
imja ...
jotja ...
18 prill 2008
QYTETI NË GJUM
kur agimi
më zë mbi libër
shkronjat
grisin perden
e zezë
të shikimit tim
pikëllimi
vjen e struket
tek unë
qengj i butë
e frikëson
qyteti në gjum
Shkup, 2009
S’BËJ DOT GJË
unë nuk bëj dot gjë
veç derdh bardhësive
kujtimin ngjyraplot
pluhurin e harresës
me fjalë të blerta
ta fshij
muzgjeve
të përditshmërisë
nga një emër t’u vë
nuk bëj dot gjë unë
Shkup, 31 mars 2009
VRER
përmes qytetit
është shtrirë muzgu
petalet e luleve
mbledhin krahët
këtu aty
duket ndonjë
yje shprese
në qiellin e madh
të zhgënjimit
unë i lodhur
bulevardeve të dhembjes
përplot aromë
dëshpërimi
kërkoj kuptimin e njeriut
që e njoha dikur
në tregimet e gjyshes
dhe fiken
të gjitha dritat
e durimit në mua
me mërzinë
nën sqetull
me hapa nate
vrer në mua
zgjova
Shkup, 8 maj 2009
DITËT PROMETEJ TË LIDHUR
ditët prometej
të lidhur
dëshprimi blegërin
qengj i humbur
lundron qyteti
në gjëmë
retë varen
mëngë këmishe
ca qenë
hyjnë e dalin
në godinën
e parlamentit
dhe s’i ndal dot
roja
s’i ngopin
as pjatat plot
Shkup, 18 maj 2009
FITORJA E HUMBËSVE
mos guxo
mos moho
mos kundërshto
çdoherë
në mënyrën
tënde
guxo
moho
kundërshto
shpesh
në mënyrën
e atyre
që guxuan
mohuan
kundërshtuan
të nënshtruar
pastaj
i mbytur në gaz
ngre një monument
për fitoren
e madhe të humbësve
Shkup, 8 prill 2010
NË SHTËPINË E BABAIT
dritat fiken
sa bie muzgu atje
zgjohen gjindja
para këndezit
diku në periferi të fshatit
nën kaltërsinë
e një cope qielli
pa mjegullira mendimesh
të çiltër
si nderi i vashës
mes dy kodrinave
të egra
e përplot ëndrra
si sisa gruaje
dhe lumit përmes
që ushqente fshatarët
me peshq
dhe kthjelltësi shpresash
në shtëpinë e vjetër
të babait
me pullaz të nxirë
nga tymi
i një kohe të largët
sesi më gjeti poezia
i rrethuar me lisa të gjatë
si në poemat e Naimit
nën mbretërinë
e aromës së sertë
të mureve plot lagështirë
vijave të kristalta të acarit
vizatuar
në qelqin e dritares
me batanije ëndrrash
mbështjellë
lexoja Preverin
Nerudën
Paundin
Spahiun
Arapin…
mureve të gjata
të vetmisë sime
një zë sopranoje
dëgjohej nga larg
drita e dhomës vonë
fqinjët
i bënte kuriozë
Shkup, 4 shkurt 2008
M’U PIKËLLUA POEZIA
ja sërish unë
në vendlindje
sytë
me pranverë kujtimesh
i’a lajë mallit
dhe më flet lumi
me dashurinë purpur
dielli
vjen e ulet
në prehrin e nostalgjisë
në dhomën
ku ua grisja
mërzinë netëve
me shkronja të arta
dhe i mbjellja në bardhësi
si farën e grurit
në arë im gjysh
i mblodha
të gjitha kujtimet
në shuplakë të mallit
në vargje t’i fus
gjyshja e përlotur
erdhi e u struk
në varg
m’u pikëllua poezia
Gostivar, 6 maj 2009
PAQE NË SHPIRT TË TË SJELLË
(gjyshes)
rri në cep të dritares
si përditë
lexoj vjersha
e thith duhan të sertë
si malli
ti vjen si hije
dhe peshon rëndë
në kujtimet e mia
ma puth ballin e nxehtë
si kjo ditë prilli
e cila ma sjell
pranverën e fëmijërisë sime
përpara qelqit të dritares
dhe fillon të tretet dielli
shi i ftohtë vërshon
shpirtin tim
atëherë unë brof
nga vendi
ashtu papritur
autobusin e fundit ta zë
të vij tek ti
paqe në shpirt të të sjell
Shkup, 24 prill 2009
(Ali Podrimjes)
vargun
herët ta lexova
rrezikonte kokën
xhaxhai im
në kufiijtë
Bllacë e Jazhincë
për mua
fëmijën
e pashtruar
dhe rebel
i etur për libra
e dhembjen
për Arbërinë
VENDLINDJA
i përlyer
nga balta
e pranverës së vonuar
vendlindja
më pikturon
nga këmbët
deri te kryet
se si i dukem asaj…
megjithatë unë e njoh
e tillë është ajo
çdokush
do t’ia kishte zili
edhe kjo poezi
Shkup, 5 janar 2008
SHTËPIA IME
të gjitha të njëjta
mali
lumi po ai
hija e kumbullës
në fund të oborrit
vendi
ku i kryqëzonim
shikimet
unë e ty
fshehur syve të botës
vetëm unë
prek
ndjej
kujtoj të gjitha
ndryshe nga të tjerët
Shkup, 18 maj 2009
PORTRETI I NËNËS
rri këmbëkryq në krye të dhomës
malli i verbër
si krushku i parë
në shtëpi të nuses
të portretit
ku rri me shekuj
në muret e shtëpisë sime
duke shtrënguar ballin
me shaminë e dhembjes
si në legjenda
përvesh duart
e shkund pluhurin e mërzisë
nga mbulojat
e pagjumësive të mia të gjata
si nëna
dhe ia hap dritaren diellit
oh ç’diell
ç’mëngjes
thua
s’kam parë diell me sy
e për herë të parë zgjohem
vështron në bisht të syrit nëna
gëzimin në fytyrën time
i cili bleron e bleron e bleron
Shkup, 3 prill 2010
POEZISË
dikur ishe
vetëm ëndërr
lule dafine
në mot të keq
sa herë kur fjala
borxh të mbetej
ti dridhej frike
fëmijë
poezi
se ti nuk ishe
vetëm ëndërr
POEZIA IME
e pathëna
grryen e grryen
qenien time
si shirat e mëdha
brigjet
mbretërisë së egër
të vetmisë
fjala humb
si dielli
në mjegulla
poezia ime
s’lind
REVOLTA E POEZISË
poezia më do
të vetëm
rob
dhe zot
njëherazi
sa herë që ndodh
ta shkruaj dosido
e revoltuar më thotë
më merr
më hudh në shportë
POEZI
poezi
stacioni i fundit
ti
pasagjer i rregullt
unë
herë-herë më ngjan
lavire
e dashuruar
në çdo kalimtar
epshendjellës
dhe asnjërin
kur i fik dritat
e durimit
për të lulëzuar
një tjetër ditë
në vargun
e pambaruar të poetit
DHEMBJA PËR MIQTË
koha vret
miqtë e mi
zoti im
ujit
vetminë time
me gjakun e tyre
nuk më le
as kokën
prapa të kthej
lule mbi varre
t’u vë
S’E SHKRUAJ DOT NJË POEZI
një poezi
s’e shkruaj dot
tretet
frymëzimi
fjalët humbasin
si pasditët në muzg
dhe assesi ta shkruaj
një poezi
kënaqësinë e fëmijës
në krijim
të ndjej
apo…
s’e shkruaj
që s’e shkruaj
një poezi
ashtu siç bëj shpesh
kur jam vetëm
e s’e mposht dot
vetminë
e cila më ndjek
si hije
Shkup, 27 mars 2008
unë shkruaj
si dua
edhe kur
guri i fjalës
thyen
sëpatat e smirës
kundrejt meje
kur gjuha ime
prek thellë
mohuesit
e vargut tim
shkruaj
edhe kur tretem
në pellg
gëzimi
kur hidhem
në errësirë
trishtimi
kur hëna humbet
në mjegulla
qyteti
vishet me diell
mjafton
të jem i frymëzuar
jam poet
në dorë mbaj
penën time
Shkup, 22 prill 2009
SËRISH UNË DHE VETMIA
sërish
unë dhe vetmia
dhe nata
me zhurmën e erës
një këngë dashurie
që e rikthej
vazhdimisht
dhe dehem
nën tingujt e zjarrtë të saj
me natën
dhe i rrëfehem
i rrëfehem
derisa zëri i të pathënave
ngjiret
e vdes
në klithmat e agut
duke pirë kafe e duhan
e duke thithur
tymin
e një dite
që kahmoti e pres
dhe sërish
unë dhe vetmia…
Shkup, 29 prill 2009
ME DASHURINË PËR TY
lulzoi vetmia
fjalët
m’i mbushën
vargjet
plot
si pranvera
drurët
me gjethe e zogj
poezia
si një orgazëm
e shkurtër
gjumi
mbaroi
mbeta vetëm
me dashurinë
për ty
Shkup, 21 mars 2010
MË MBETI PA VARGJE FRYMËZIMI
në katër anët
ka rënë nata
dritaren e dhomës
e ka mbështjellë
errësira
fjalët ikin
e ma lënë pa vargje
frymëzimin
të zbrazët
si hambarët pa misër
të gjyshit dikur
thatësi e verës
unë vazhdoj
t’ua gjuaj
shqetësimin
si thërrmijat e bukës
zogjve
ata fillojnë të më hanë
si mollën
krimbat
Shkup, 2 maj 2009
NATËN E MIRË FRYMËZIM
ty frymëzim
mos eja sonte
ka net
kur portat
i kam të mbyllura
dhe mos m’u hidhëro
frymëzim
nëse sonte
nuk jam nikoqiri yt
e dritën mbi tavolinë
s’e ndez fare
sonte
e herët bie të fle
ka net
kur s’i bëj dot ballë
vetmisë
natën e mirë frymëzim
Shkup, 29 maj 2009