Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Laureta Mema

| E shtune, 29.05.2010, 07:59 PM |


 

Laureta Mema ka lindur më 1979, në Kukës ku ka mbaruar shkollën tetë-vjeçare. Të mesmen dhe të lartën i kreu në Universitetin e Tiranës, për letërsi frënge. Më 2003 filloi studimet pasuniversitare në Amerikë. Në Universitetin e Arizonës ka mbaruar masterat ndërdisiplinarë për “Studime Franceze” dhe “Studime Feministe. Më 2006 ka filluar doktoraturën në Universitetin e Washingtonit për “Kritikë letrare dhe letërsi Frënge”. Ndërkohë që shkruan tezën në vitin 2009 merr diplomën “Estetika dhe Letërsia” në Universitetin e Gjenevës. Në 2010 Laureta mendon të mbarojë tezën për Bodlerin dhe  të kthehet në Shqipëri ku ka vendosur të vazhdojë punën e saj si kritike letrare dhe shkrimtare.

 Laureta Ka botuar “M’dha Shpirt”, një libër me poezi të cilin Poetja më e njohur moderne Mimoza Ahmeti e ka prezantuar kështu:

“Laureta Mema është një autore e re e cila hyn me guxim në letërsinë shqipe me poezine e saj të freskët moderne. Shquhet për një origjinalitet e sensualitet sa gjuhësor aq edhe feminin. Bukuria e shprehjes me tingujt shpesh krahinorë, përgjatë një shoqërimi idesh në rrokjeje të subjektit, e bën këtë poezi shumë tërheqëse për lexuesin. Është një autore sensibël, dhe për fat të mirë kultura nuk ia ka fashitur cilesinë autentike të krijimit”. Mimoza Ahmeti

__________

 

LAURETA MEMA

 

POEZI

 

 

Jam!

 

Jam rritur mes kacabujsh të prerë

 

Që rilindin veten,        si krimba toke

 

Jetoj në thithkën e gjirit të tyre

 

E kurrë nuk vdes!

 

Kurrë!

 

 

Dashurinë tonë…

 

Dashurinë tonë, e kafshoi gjarpëri

I harruar kujtimi i tij

Kanë mbetur disa të thëna

Për të lënduar gjithmonë

E ndaluar edhe gremisja…

 

Shumë keq…

 

Dashurinë tonë, e pështyu lepuri

I përqeshur kujtimi i tij

Kanë mbetur dëshirat peshë

Për t’u përplasur n’jehonë

Shkurtabiqe edhe mburoja…

 

Shumë keq…

 

Dashurinë tonë, e këndoi i çmenduri

I palodhur kujtimi i tij

Janë përhumbur duarpunëtoret

Për të na përkëdhelur me ni-na-na-na-na

E thinjur edhe vegjëlia….

 

Shumë keq…

 

Dashurinë tonë, e shkarkoi barrëtari

I prangosur kujtimi i tij

Për të na reklamuar gjoja veten lakuriq

Për të na mëkuar me shitje-blerje

I pabesë edhe zhgënjimi…

 

Shumë keq…

 

Dashurinë tonë, e groposi i verbëri

I nderuar kujtimi i tij

Jo, nuk lodhen thesar-kërkuesit

Vetëm kopje shpalosin në muze

As fund i detit nuk e mbajti Fjalën

E padurueshme edhe e drejta…

 

Shumë keq…

 

Dashurinë tonë, e nisën me pulla poste

Nuk dimë ku e shpuri teknologjia

Për të na ndjellur diku, matanë

Për të na treguar firmat

E shitur paskësh qenë, që në zanafillë!

 

Shumë keq…

 

Por nëse harrojmë të psherëtijmë

Kjo s’do të thotë se jemi hyjnorë

Sa të ngjashëm mbetëm, me hekurin

Ndryshku i tij, porsi krenaria jonë!

 

Shumë keq…

 

 

Dashnore pa emër

 

Dashnore ma vunë emrin

Kur linda me atë këmishë

Këmishën e dogjën

Tre gra, me bluza të bardha

Nëna ime e donte për hajmali

Me ma var vetë tek qafa

Pasi ta ngjynte, tek pusi i gjakut

Mes këmbëve që s’po mbylleshin

As kur ajo vdiç

 

Sigurisht  që do të bëhesha

                                 “Haramja e Qytetit”!

Dashnore pa emër…

 

Kur ribie nata, dyert hapen tinazi

E mbyllen sërish, me virrmë memeceje

M’shtyjnë duart e nxituara mosmirënjohëse

E unë ulem ndonjëherë mu te pragu i Atij edhe qaj

Pastaj eci e eci natën, ndjek kofshët e mia t’vetmuara

Si dy kulla nënujore të Butrintit, të pazbuluara, jo akoma

 

Sigurisht  që do të bëhesha

                                   “Horrja-lavire e Qytetit”!

Dashnore pa emër…

 

Shtriga e bardhë ma ka dhënë një ilaç

Thotë e ka përgatitur me hirin e këmishës time

Thotë se hirin e kishte gjetur në një grusht kufome

Të një gruaje me barrë të vona, e një sy t’hap’, laraman

E kjo nuk ishte një shenjë e mirë

 

Sigurisht që do të mbetesha

                                         E Mallkuara e Qytetit”!

Dashnore pa emër…

 

Mëngjeseve i mbledh mallkimet e rrugëve

Ato të plakave më rëndojnë si më shumë

Sidomos kur i heqin shamiat e bardha e

 

I vënë në prehër, sy e duar nga qielli:

“Mos të zënshin këmbët në tokë!

Mos të rëntë shpirti në qiell!”

 

Sigurisht që do të bëhesha

                                     “Poetja e Qytetit”!

Dashnore pa emër…

 

Me qymyr shkruaj

Vdekjet që po lindin

Lindjet që po na vdesin

Tek maternitetet ua përgjoj

Do të mbij një bebe porsi unë

Do t’ia presin këmishën me gërshërë

Tre gra me bluza të bardha, do ta djegin

E nana do të vdes mes këmbëve ku s’i shtuposet pusi i gjakut

As kur ajo të vdesë

 

Sigurisht që do të bëhesha

                  “Shenjtorja e Qytetit”!

Dashnore pa emër…

 

Unë sybardhoshja

Do ta zgjas grushtin, mespërmes zemrës së trungut degëprerë

Do ta shtrëngoj fort-e-fort hirin e qullosur si dhè bote

Gërvisht prej Kepit t’Prethit, me i mshel vrimat

Kazanit t’rakisë, poshtë flakëve plasaritëse

E shtriga e bardhë do ta ndjejë erën

E gjakut që i përzihet n’stomak

Bashkë me shoqet e veta

 

Le të vijnë të më marrin!

Të më shpien, majë fshesash

Tek nëna që ofshan mes tokës e qiellit

Për të ma vënë tek qafa Hajmalinë e Dashurisë

 

 

Sigurisht që do të bëhesha

                                   “Heroina e Bardhë e  Qytetit”!

Dashnore pa emër…

  

 

Pa mëngë

 

Do t’thur një triko t’gjatë

Të ia filloj e të mos ndalem

Me gjitha stër-kastra-gjyshet

Do ta nisim, mu aty, ku të jemi

Pa model, veç mbarë e mbrapsht

Kur të piqemi te qafa, do ta prishim

Lëmshat do t’i zhdredhim, me gishta

Perin do ta shngjyrosim e ta hekurosim

Shtizat t’i sosim por jo përrallat e kaluara

Të na mbajnë ngrohtë!

Si lumi Drin kur del nga shtrati e vonohet

Atje tek gryka, me tallaze përronjsh takohet

Shtohet, por asnje pikë nuk i rrjedh, mendohet

Kur lëshohet, gjer këtu, krisma dëgjohet, atëherë

Riprishet e Rifillohet!

  

Dëgjo këtu! 

 

Shtratin tënd mos e lër kurrë vetë të shtruar!

Në ta kanë rregulluar, ti ta prishësh tre herë!

Jastëkët, ktheji përmbys, shtatë herë, në derë,

Perdet t’i kesh gërshetuar nëntë pranga për frerë! 

 

Natën, në bark, sigurisht shtriqu me gishtërinjtë e kundërt

Me orë hidhja sytë asaj gropës së zezë,  ku ngjizet Toka e Re

Mos ki hiç gajle! Llava s’të vret, ajo veç th’rret e th’rret e th’rret

Ti bëj sikur s’dëgjon, mbulohu n’dhe, me rrasë t’nxehtë ngjeshja ballit

  

Nëse kriset nga e majta, hap syrin e djathtë!

Nëse kriset nga e djathta, hap syrin e majtë!

  

Kur t’zgjohesh mos harro: ne as s’jemi parë, as s’jemi dëgjuar kurrë!

 

 

 Trungjet Shabllonë

 

Edhe sot munda ta shtyj si gjithmonë

Po me shije, pse jo, si një puthje të parë

Edhe sot nuk kisha asnjë nostalgji të shkuar

Asnjë syth trashëguar, asnjë pickim në damarë

 

Nostalgji t’shkuar s’kam se dysheku është paralizuar

Më pëlqen të jem vetëm më mirë, t’përgjoj në hije

Këtu ku ka veç djaj të majmur e të mbipunësuar

Figura shekujsh përzier, llangarosur pa shije

 

Këta lëvizin e unë s’dua të flas

Por mund t’zgërdhihem, t' bërtas

Brenda në shpirt kur më uf-ufe s’ka

Në paqe dhe harmoni kudo shkapërda’

 

Kur gjumi s’më zë e s’ka as edhe një pikëz qetësi

Nga vorbullat e gërrhimave, ndërkohë që ju flini

 

Do të preferoja, edhe trungjet prej meshini

Se do të kishin rrathët mavi të syve mi korbzi.

 

Ndonëse magji s’do të kishte në këtë copë toke

Trungjet e rrënjët prapë do të llullosnin të qeta

 

E mbase do t’vëzhgoheshin me kërshëri rrobote

Se gjethe nuk do t’kishte për t’u mbajtur stafeta

 

Nga lart çfarë do t’shihnin përtej lëvizjes, nuk e di

Veçse me sy, unë prapë do të pikturoja, si bleta

 

Atë copë jete, pa emër e të lakuar sa herë kushedi

Harruar në brengat e trungjeve ku vjell e vërteta

 

Edhe sot unë munda ta shtyja prapë, si gjithmonë

Edhe sot u harrova n’brengat e trungjeve shabllonë


 

 

 

Oh!

Një perde ra dhunshëm mbi ëndrrat e mia

Oh!

S’kish’ dritë fare, as dashuri për mua s’kish’

Oh!

Në shtratin bosh, veç lakuriqësi t’ndezur pija

Oh!

Në çarçafë të kuq po më priste vampiri, sërish

Oh!

Jashtë ulëriste, çirrej koha, kapsëlliste sytë

Oh!

                          Në mohimin e kotë kërkova helm të dytë

Oh!

      Nuk kisha dëshira dhe mall për askënd

Oh!

                                U përlesha  me veten e heshta rëndë

                                                         Oh!

 

Sy!

 

Sy! a ka atje matanë rrugës?

Sy! të më shohin prapë se s’u ngopa

Sy! të më ndjekin nga pas se s’u ngopën

Sy!

Sy!

Sy!

 

Sy! a thua po më mbetej fryma?

Sy! nëpër ajër, nëpër tinguj, se pashë një risi

Sy! më pillni pra, se po ngatërrohem me rrymat

Sy!

Sy!

Sy!

  

 

A! BRE!

 

 

Po i pi gjithë netët cigare

Po i thith e po i fik në shpirt

Me shtëllunga tymi tjerr dhimbje

Kur plagë une s’kam, as gjak të tharë

  

    Ah! Sikur t’kisha shenja plagësh!

                                           Po dyshoj akoma në jam unë

                               Aty e varur kokë-poshtë

             

 

Në rrotullamën e verdhë, shoh atë çfarë s’jam

Edhe burra lakuriq, që shtrijnë duart e dylbitë

Po shoh çfarë mund të isha në sytë e t’gjithëve

Po më neveritet prapë, ajo diçkaja që  s’e kam

Kur mëkatojmë, vetëm për gjithçka zh-bëjmë

Pse më rishkel zhurmshëm thundra e asgjësë

Po dëgjoj veç lutje, përplasen fort asgjësohen

Tek qepallat e qullta po tingëllojnë me vu’jtje

 

Po nuhas origjinën që më ndjek nga pas

................Se puplat po më bien një nga një

................................M’i vodhën zogjtë për pjellën

..................................A s’e sheh që plagë prapë s’kam?

.........................................As gjak të tharë, as tru të mpiksur

.................................................Po rrokullisem një livadhi me bar

...............................................................Çudi! se litari fare s’u këput

...............................................................................Po i vjell gjithë ditët

......................................................................................Te kjo copë letër

.........................................................................Po e shtyj a po më shtyn

.........................................................................Karrocë e ndryshkur

....................................................................E mekanizmit tënd

............................................................ Që më çmend!

aaaaaaaa                                                         aaaaaaaa

aaaaaaaaaaa                               aaaaaaaaaaa

aaaaaaaaaaaaa                                            aaaaaaaaaaaaa

aaaaaaaaaaaaa                                            aaaaaaaaaaaaa

aaaaaaaaaaaa                             aaaaaaaaaaa

aaaaaaaaa                                    aaaaaaaaa

AaaahaaaaaaaaaaaaaA                           AaaahaaaaaaaaaaaaaA

AaaaaAaaaaaaaaaaaaaA                        AaaaaAaaaaaaaaaaaaaA

AaaaA      AaaaaaaaA                                AaaaA      AaaaaaaaA


  

    Një -Dhomë - e - Kuzhinë

 

E shpartalluar ishte shkalla

?I kafshuar ishte pallati?

E praruar e gjitha

Në një dhomë e kuzhinë?

Riluheshin Tragjeditë?Qytetare

 

Gjyshja gërrhiste mbi divan?

Prindërit ndukeshin mbi krevat?

Ne mbroheshim në ofshamat pa dritare

Por rruga mëngjesore nuk ishte kurrë e lodhur?

E ndanim mes nesh, si një fetë buke të sheqerosur

?“Më jep një kafshatë dhe mua! A s’ta kam dhënë dje!”

Ma ke dhënë, ta kam dhënë..., e kështu ne jemi rritur?

Nuk mundem si t’kaluar ta kujtoj, se aty rritem akoma

Gjyshja gërrhet tek dheu, prindërit nduken në divan

?Unë shkundem në krevat, ku do t’mbijnë fëmijë

ATA

Të fshehur, ridalin, nga dollapet e krimbura?

Me varëse rrobash, nën këmisha netësh?

Tërheqin drejt ofshamave pa dritare?

Ankthin e brezit tim... të thinjur?

Që ripjell e ripjell e ripjell

Tragjeditë Qytetare

 

  

Dyshimi

 

Pa masë, pa formë, pa frymë, pa letër

Më mbyll në një kafaz, ku të harbohem

Pa fjalë, pa kryq, pa trup, pa lutje e vetëm

Më zhyt në moçale, me bretkoca t’pallohem

 

Pa tinguj me shtrëngo me aromë dëshirash pezull

Pa dhimbje më bëj të ndiej, në një kohë pa net e ditë

As sa hije lopësh peshë të mos kenë. Pa sy e kërrndezur

Atje ku nyjet lidhen. Pa krenari të jap atë që s’kam me shit’

 

Më lër të t’them se dëshiroj, pa lodhje të fshij të njëjtën gjurmë

Pa frikë pohoj s’ka dashuri, pa turp atë kërkoj në flokë që thinjen

Pa mëshirë po thyej një nga një Orët që s‘u varën asnjëherë në mur

  

Pa rrënjë, pa shkumë, një shkëmb lahet, i paturpshëm akoma në det

Mendon në ishte më mirë atje në fund se pasqyruar në sy njerëzish

Më duket vetja fare pa peshë, ngatërruar me t’internuar parazitë

Njeri thashë a mos jam, të shoh a mundem me njerëz të vdes

 

Pa ty, pa ata, of-of ofshaj, i nuhas nga pas, zagar që s’leh

Pa zot, pa mëkate, në një ferr që zgjodha mbase vetë

Po të marr, po më merr, s’pamë një kandil të fiket

Pa tym të shihnim një flakë, në dritë ta preknim

 

Veç një herë ta thernim si kafshë, me sëpatë

Veten lakuriq. Pa gjymtyrë të kem forcë

Për t’ju thënë barbarisht, o të ngratë

Kurrë s’ishim! Jo! Kurrë s’ishim!

 

 

Çezmet

 

“Po si s’po pikon çezma! As pikë-pikë!

Eshtë ndryshkur tashmë nga brenda!”

 

Me orë të tëra e thithim, gojëpërvëluarit…

 

“Ikni prej andej! Ju shpërlaftë mortja!

Ka për t’ju zënë sëmundja! Tartakuti!

Pu! Çfarë rrace e keqe! U zhbiftë!

Ikni teveqela! Po shkelni mbi xhama!”

 

E ulurimat, janë pashallarë të majmë, për ne!

Ndaj s’e kanosin shijen e re të rradhës

Ikën nënokja e vjen një tjetër

Më e egër se e para

Na kanë zili. Do ta thithim !

Derisa qafëmali ta lëshojë ujin që mban peng!

 

“Eshtë plasarit depoja! A s’merrni vesh!

S’e kanë fajin tubat, as ujësjellsat!

Atje lart është gabimi! S’ka specialist!

Gjynaf po m’vjen kur ju shof! Po m’habisni!

Po shkoni e  lozni, a jeni fëmijë?

U kanë hy dreqnit n’bark! Pu rracë e keqe!

U zhbiftë! U zhbiftë!”

E thithim ma fort!

Ia marrim frymën tubit, nji nga nji!

Ia fusim gjuhën thellë, e ia lëvrijmë gjatë

I hapim krah e këmbë, për të duruar dhe pak

Nofullat i shqyejmë e bëjmë sikur e kapërdimë

“Oh! Oh!”. Shkrryhemi përdhe, si kalorës biem

E s’e njohim kurrë lodhjen e humbjes

 

Ne s’po kërkojmë ujë? Diçka të errët ndjellim

As vetë s’e dimë se çfarë, ndonëse është sekreti ynë

Ekstazë… Vijmë aty, i jepemi… 

 

Me brohoritje, e shajmë! Se ne e dimë:

Natën çezmet na ikin, drejt shpellave t’zymta

Ku fshihen gjarpërinj

I shkarkojnë në zorrët e tyre

E verdhacuken si të pafajshme ditën, si të sëmura

Dergjen brenda nesh

Se natën,

Çezmet jepen

Për inatin tonë

Ne e dimë, i përgjojmë e plasim nga zilia

Flemë vetëm me njërin sy, me tjetrin rrimë roje

I mbledhim shkulmat me gjuhë kuqedrash e rritemi

…e rritemi… e rritemi…

                                       Por ditën,

Përsëritet në kor: “Kanë plasë ujrat e depove!”

E ne përsërisim ritualin, me shpresën se një ditë

Tubi i nëndheshëm, do ta shpërthejë edhe depon e shpirtit tonë!

  

 Maskat

 

Do t’marr një maskë, për sonte!

Një maskë të vërtetë

Me flokë të zinj

 

Do t’vishem si burrë, për sonte!

Do t’sillem si burrë

Me seksin tim

 

Do të bredh natën bareve

Të pi por mos të mbidehem

Të kap meshkujt për beli

 

Me dhunë!

 

Të rrëmbej psherëtimat

Që t’i përthith, me shkumë

Deri në pikën e fundit

 

Në banjot e Bllokut

Ku kundërmon veç erë

Dhe ka radhë duke u shtyrë

 

Radhë për t’u parë në pasqyrë

Ndërsa unë me zor shurroj

Ata qeshin, të ndyrë

 

Edhe ato qeshin nën pudër

Se kanë maska

Të vërteta

 Kocka

 mishi

 

Të të gjitha racave

Të të gjitha kombësive

 

Që u bien fyejve të syve

 

  

U lodha!

 

U lodha! Po ju a u lodhët?

Se unë po jetoj pa e ditur

Po ju si po jetoni?

 

Ju shoh tek kaloni

            Vetëm kaq, asgjë me tëpër

Ju përshëndes e hesht, shkretshëm

 

Po më anashkalon jeta në sa hije?

Legjendë me hile, pa shije

Ky trishtimi me zile

 

Lëmoshë dua, në ballin e bebes

Hej, lëmoshë se jam jetime

Në rrugën e pështyme!

 

 

                                                                                      U këput!

  

Duhej të këputej edhe teli më i fundit

       nga shtyllat e korentit

Plagosur në palcë me gozhda të ndryshkura

Të përthyera, në të qarat e myshkura të drurit

 

Zogjtë nuk po guxojnë më me m’i prekur telat

Se kanë mbetur varë-varë

                                                              Vorbullosen si pula pa kokë

Se nga qafa e prerë pikon akoma energjia n’damarë

 

Por teli i fundit ma dha fort një drithërimë në zemër

Sa gozhdët u shkulën e m’i lanë vrimat e boshtit bosh

Mu aty po kalon ajri i ftohtë, i nxehtë, i lëngësht, i thatë

 

Më gudulis si mynxyrë kjo vajtje-dalje, mysafirë të pafytyrë

Me të zezën formulë që më më shakullis si të ngratë

 

Por teli i fundit, ma qetësoi pak shtirjen e stërgjatur

I mori me vete do vezë pikaloshe, morrat e mi n’qafë

 

Do fëmijë, pa u matur, i vranë me gozhdat e saposhkulura

Nëpër faqe u kërcyen stërpikat, e nëpër sy, deri në ushkura

 

Ndihem i lehtësuar tani... Oh, sa fort i lehtësuar... si ato fëmijë...

Që vazhdojnë të shtypin me gaz n’llomështi, morrat e mi, kuqezi...

 

 

Në Kosovë po britet me britma-britma

 

 Telat janë për gardhiqe tokash

Mbi to, varur, këmisha murimi

Vulat t’vulosura, me lapa, mollash

 

Kërmijtë janë për zhgarravitje

Mbi trupat e tyre

                               Shush!           Zhapinj!

 

Fryn murlani

Krahët ngulin gjembat

Ngrejnë gjymtyrët e tjera n’ajni

Poshtë tyre kumbullat vazhdojnë

Të bien n’shesh, nga rëndesa

                                                         Lluce-lluce

 

Hem ngjyrë e verdhë

Hem ngjyrë e kuqe

Hem kocka binjake, trinjake, x-njake

 

Gishta të prerë përqullin aty

                                              Vocërrakët

 

Me një këmbë anojnë nga shikimi

Me një këmbë anojnë nga dëgjimi

 

Si përfundim mbeten n’vend

N’vendin e kujt?

                            t’Asaj e t’Atij

                                        e t’Asaj-t’Atij

 

Që briti, në KupëQiellë, me sa fulqi

Pati: Sëmundjen Ngjitëse të Tërbimit

 

 

Në spitalin psikiatrik të Elbasanit

 

S’jam veçse një shpirt djegur përgjysmë!

Dhe hi nuk mbetet! Dhe hi nuk mbetet jo!

 

Një shpirt jo në vendin e tij, jo në themel

Në heshtje ndriçuar, me aq shume mishra

Por jetë s’mund t’i japin, aspak kthjelltësi!

Ajër të ftohtë dhuroi toka, për këta njërëz

Me klithma të gjalla, me histori t’vdekura

 

Është qesharake shumë tek i sheh gjunjazi

Si rrobotë të dhjamosur e të shtyrë nga era

Më verbon bardhësia, kur veçse ngjyra ka

Jam shumë e uritur e kam ftohtë pa ia nda’

 

Ndonëse s’mundem akoma t’ha, t’ngrohem

Kam frikë, se kur të nginjem e të  shkrihem

S’do t’kem më për çfarë t’lutem e t’ankohem

Se në këto horizonte s’ka më zhurmë e zëra

Asgjë s’ka.Veç buzë që lëvizin, të shpërbëra

 

Më mungon, një krismë shurdhuese pushke

Për një gërvishtje,  pas një piskame mushke

Për t’currilur gjakun, në një burim t’harruar

Kur Ata janë zgjuar...  Kur Ata janë  rizgjuar!

 

S’jam veçse një shpirt... i djegur përgjysmë...

Dhe hi, nuk mbetet... dhe hi nuk mbetet, jo!

 

 

                                                                               Ndoshta

 

Ndoshta pasqyra do ma thotë

Sekretin që akoma po kërkoj

Po në s’ma tha, s’ia marr dot

Edhe pse shpirtin stërmundoj

 

Ndoshta edhe më kap paniku

Kur sytë me grushta, i fërkoj

Kur terri përpak imazhin fiku

E shikimi shterp, më tmerroi!

 

Ndoshta edhe jam si e lodhur

Nga kjo shakaja jonë, bisha-lojë

E mbase kurrë s’ka për të ndodhur

Ky takimi ynë që kaq shumë vonoi

 

Ndoshta mbytem me shkulma natën

Nëpër ankthe duke u ngashëruar

Edhe mëngjesi më kall datën

Ndaj të kërkoj me-pa-duar

 

Ndoshta kështu ishte thënë

Të më vrasësh me sytë e mi

E të më ngjallësh ti duke shtënë

Atë llavë, ndez’ diku thellë, kushedi...

  

 

Masazhi sekret

 

Ranë pëlhurat e bardha

                       Mbi të kuqet

Po tejshkunden që nga pullazet

                                    Pa kanate dritaresh

Fshehur, në pjergulla rrushi, tallazet

Poshtë lëndinës, në pikën e parafundit

Do kulla përthyhen, porsi vezë pikaloshe

E verdha dylberin e majës me gjuhë përzhit

                                 Blunë kaliqafë, po ia shëtit

 

 

***

Mbi trupin e vajisur po masin

Rrëshirë, gishtërinjtë u rrëshkasin

Japin me mollëza energji fatale, flasin

Frymëmarrjet lakohen, imazhet përplasin

Qerpikët, dremisin përbri lëkurës zeshkane

Tingujt përreth, zhapinj qejflinj, n’mejhane

Kërcejnë vallen e burrënesha t’reja azgane

Një vogëlush u bie dajreve, midis ojnash

Lodrat përndizen me sqepa shqiponjash

E vullkani shpërthen asisoj bojnash

Tymin nxë në t’qara përrojnash

 

***

 

Ajo i mbuloi sytë

Me rrotulla kastraveci

Shpirti i ngeci, përdridhej

Dora kurrnace, po i kridhej

 

Mes kofshëve, mes buzëve i përvidhej

 

Iu rikthye masazhit sekret

Pozimit, para fisit të vet

Mbase do t’vdiste apet

Për t’u ngjallë mbret 

 

 

Stacioni ‘i gabuar’

 

U nisën autobusët

Nga stacionet e reja

T’hekurishtave

Kombinati xhamathyer

 Barkshpërthyer

Pluhurin e vet e hodhi pelerinë

Ndezi llullat e dikurshme

Pa bishta

Nga vrimat e veta

Po bënte me paqejf sehir

 

Do qafëleshë e përshëndetën me dorë

Nga sediljet e shurruara, pa ju ardh’ zor

Me ofshama të rënda e cingërima zagarësh

I shkulën krejt stafetat e kuqe, i lidhën lisharës

Shoferët skeletet e veta i bënin kala mbi timon

Kaq vonë, mbanin iso këngët e partizanëve

Rruga e kishte lëne tokën e leckamanëve

Majat e pemëve e rrjetat e karvanëve

 

Po iknin autobusët me njerëzit qafëleshë

Një zot e dinte ku do të mbërrinin peshqesh

Ata flisnin me vete, tregonin të Vjetrat Histori

Por s’guxonin kurrë ta shihnin njëri-tjetrin në sy

N’sediljen e fundit, kokulur psherëtinte Bukuroshja

Ishte një gabim, kishte vajtur në stacionin pa kthim

Ishte strukur tek qoshja, e ishte lutur që shoferi

Të ndalonte diku. Ai kishte radhitur dhëmbët

Kuturu, e ishte gajasur pa gjuhë. “E dashur

Nuk kthehesh më dot mbrapsht, pa mu’!”

 

Mbërritën autobusët

Në stacionin e fundit

Ajo akoma po besonte

Se ish’ thjesht një gabim

Ajo akoma... po shpresonte

Se do të kishte një stacion për kthim

 


 

                 Shpatulla e mishit

 

Mbi një kërcu lisi

Shpatulla e mishit përgjon

Kërcet sëpata, sa t’i hajë dora

Ciflat fluturojnë e kockat thyhen...

 

Tehu i sëpatës hahet

Mespërmes gjakut lahet

Bashkë me damarët e drurit

                                                Çahet...

 

Me sa fuqi, sëpata godet

                                          Mbi shpirtin e vet...

 

 

Tersi

 

Tersi u bë vrasës sonte

                                     E dija poet...

 

Me sytë e maces së zezë

U pamë gjatë e gjatë nëpër terr

S’ia lëshova rrugën, i thashë: më merr!

 

E dija poet, ndaj s’e lashë të qetë

                                    Në rrugën e vet

 

Me sytë e maces së zezë

E matëm gjatë njëri-tjetrin në terr

S’ia lëshova rrugën, i thashë: më merr!

                                   

                     E dija poet, por vrasës ishte krejt...

 

 

Shëndet!

 

Këtë gotë, dua ta pi

 

Veç për shpirtin tim

Se veç ai aq mirë i di

Vorbullat e mia të zeza

Të zezat vorbulla

Që lëpijnë gjuhët e gjata

Si lopët laramane

N’bjeshkët e Cakës...

 

Këtë gotë, dua ta derdh

 

Veç  për shpirtin tënd

Pulldisur pas shpirtit tim

Na ribashkoi gjaku

Për të na e lehtësuar

Dhimbjen që na ngjizi

Mu në pikë të diellit...

 

Këtë gotë, dua ta thyej

 

Veç për shpresën e fundit

Harrimin që na mban gjallë

Pa na fshirë më kujtesën

Pa na vjedhur mendimet

Lotët e rindryrë te pusi

Pusi që kurrë s’u shterr

Se spermë po bie akoma...

 

Këto qelqe, dua t’i bluaj

 

T’i gatuaj në magje

T’i sit si miell druri

T’i brumos me duar

Me gjak të qullosen

                                E t’ua servir

Në tabaka të shp’lame

                                Ju mos i pini!

Hapni sytë e shihni!

 

Ç’fat ju pret atje poshtë...

Ç’fat po ju pret atje lart...


 

E lumturuar

 

Gjethe me syçka... Hapa mbi gjethe... Cicërima nga lart...

 

Përqafuar në ajër...

 

Pelerinë e kuqe ... Degëza dhe yje... Balluke nën shi...

 

Vulosur me hapat...

 

Hije me çanta... Hapa me çizme... Pelerinë e kuqe...

 

Me ajrin përqafuar...

 

Flokë bjond në erë... Frymëmarrje në shi... Gishta të dashuruar...

 

Harrohen me hapat...