| E enjte, 27.05.2010, 08:37 PM |
“Nga vendlindja në atdhe me risinë e figurave e simboleve”.
Nga ASLLAN OSMANAJ
Që nga një tetori i 2008-ës
Në vendin e nënës
Rri heshtja
E natës së zezë.
Nuk ndizet drita
Nuk dëgjohet zëri i ëmbël,
Mungojnë rrezet e buzëqeshjet.
Heshtja
Me akujt e saj
Më tmerron
Në vendin e saj.
Janë këto vargje të poezisë: “Heshtja në vend të nënës” të shkëputura nga vëllimi poetik “ Lotët e luleve” të Muharrem Kurtit.
Kryetari i klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, poeti Muharrem Kurti pas vëllimeve: “Gjelbërimi natën”, 1998 dhe “Lutja e kthimit”, 2000 vjen me botimin “Lotët e luleve”.
Një tjetër përurim vlerash botuar në vigjilje të traditës 46-vjeçare të Mitingut ndërkombëtar të poezisë “Gjakova
I kërcënuar nga trusnia serbe, pa mbushur 14vjetët, arratiset fillikat nga vendlindja Smolicë e Gjakovës e vjen në Shqipëri. Në Berat kreu shkollën e mesme, ndërsa në Elbasan u diplomua për Gjuhë e letërsi shqipe. Në vitin 1987 kthehet në Kosovë, ku burgoset për 19 muaj për propaganda kundërserbe.
Logjika e gjygjësisë kishte në esencë; se poezitë e tij, që në fëmijëri kishin patos nacionalist shqiptar. Që nga viti 2000 e deri tani është drejtor shkolle në Smolicë. Përveç poezisë dhe drejtimit të klubit letrar, Muharrem Kurti, shkruan në prozë, ese, këshillime e kritikë letrare. Me individualitetin krijues mund të themi që është tërësisht i plotësuar.
Vëllimi i fundit “Lotët e luleve” vjen si një oshtimë që thërret fuqishëm mbi disa plane, mbi dukuritë e jetës së përditshme. Muharremi duke qënë një qëmtues i zellshëm, kthehet në labratorin e shpirtit krijues dhe limon me kujdes figura e simbole të goditura, për të përcjellur mesazhe me përmasa të gjëra. Si të tillë, kur thotë: “Na u dogj rinia”.
Që në fillim u bëj me dije, se personalisht, kam luftuar me të gjitha format kundër huazimeve, pra për shqipen e pastërt, cilësi e zellshme dhe racionale e selitur nga Muharrem Kurti tek libri “Lotët e luleve”. Përveç nxjerrjes në pah të kësaj cilësie e vetie
të vlerësuar, kërkoj ndijesimin e mirëkuptimin e të pranishmve për pamundësinë e shqipërimit të disa termave të fjalorit poetik, që më duhet t’i ceki pak më pas.
Muharrem Kurti, për të vërtetuar zanafillën dhe gjenezën, përdorë bukur, njëkohësisht; si metaforën, anaforën, epiforën, personifikimin dhe simbole të tjera, kur shprehet: “Tehu i sharrës hasi në gjak ilir, tehu i thikës ndeshi në asht pellazg”. Në poezinë sinonim i një togëfjalëshi: “Kritiku im jam unë” shfaqet; pamendjemadhësi në disa rrafshe semantike; si p.sh. çdo person i zgjuar duhet të njohë vetvetën për të reflektuar në çdo gjendje, e dyta, si autokton në trojet veta, jemi vetë të aftë të drejtojmë dhe ta çojmë përpara vendin…
Me force të jashtëzakonshme godet dukuritë negative të atyre që s’kan asgjë të përbashkët me njerëzit, por që kanë hypur në këtë kohë në “përmendoren e triumfit”. Si tillë poezia “Në teatrin antik”, ku thuhet: “Engjëll demagogu, servili hero, katili veshur doktor, tradhtari patriot, analfabeti gjeneral, dërdëllit injoranti, s’bëzan dijetari..”. Apo poezia: “Harruan shpejt: ku citojmë:“..harruan shpejt vrasësit, xhelatët: varret kolektive, gjakun e heronjve, klithmat e nënave, shkrumbin e atdheut.. “ Me anë të një anafore të bashkërenditur me përseritje (epanalepse) mjeshtërisht piskat: “harruan shpejt, shpejt harruan..”.
Mendoj, se duhet veçuar tërësisht kreun “Futinë” si tepër i egër përsa i përket shpërthimit të magmës poetike të autorit. Aty vlojnë, shkulmojnë e shpërthejnë në gjithë hapësirat kohore figura e simbole, të cilat edhe pse jepen në mënyrë të shkurtër, ngelen në kujtesë si tabllo e plotë e një liste të gjatë personazhes dhe dukurishë të të djeshmes dhe të të tanishmes. Epitete të tilla: spiunët-gjarpërinj, servilët-kërmijë, gjykatësit-papagaj, gardianët-xhelatë-argat të dreqit, qeli-varr, ditë-ferr, plagë-vragë, terr- tmerr, lulet e Kosovës, liridashësit-Promete.
Nëpërmes antitezave metaforike thërret e thërret për kujdes e vigjilencë deri në mallkimin e mashtruesve të vjetër e të rinj, kur u drejtohet: “..mos na mashtroni idhuj, me bukuri të gënjeshtër, me zë engjëllor, ju që pjellni djaj mbi jetën tonë.
Si një kre i vetëm qëndron poezia që emërton librin, ku metaforat dhe krahasimet të tilla: “Ç’ka trëndafili i nipit që loton, lulëkuqja e gjyshes qan me zë, vajton si Ajkunë lulevjollca e mbesës, pikon si shi nga strehët për diellin e futuar..” janë tip uverture e shijshme e vëllimit.
Dhembja, ndiejshmëria, dashuria zbrazëtia jepen me gjithë tejskajshmërinë më të arrirë tek kreu i elegjisë për nënën. Terri i natës vdekja e nënës, jeta e saj me rreze dielli…jetë shkretëtirë pa nënën, pikëllim akullt.
Nga goja e pleqnarit të Kosovës jep porosi të vyera, për të sotmen dhe ardhmërinë; si ëndrrën mos ia trego askujt, zini shtigjet hasmërisë, pastroni fjalët nga ferrat, në qerrre të diellit kapu, udhëto në lartësi…
Kuptimplotë është cikli i fundi: “Kur dashurojnë thinjat”dhe vetëgjegjet se përthithen ëndrrat, struket e arratiset vdekja dhe shpresat rriten..
Poeti Muharrem Kurti është i prirur pas cilësisë. Çdokush përbihet përpara thellësisë së mendimit dhe minierës së figurave e mesazheve të frytshme. Stili i ngjeshur funksionon harmonishëm. Çdo poezi e organizon me disiplinë e përpikmëri, me një ritëm organik të lartë.
Pa dyshim, ndihmesë të vyer për librin ka dhënë gjithë ekipi realizues; si këshillimori Halil Haxhosaj, hartuesja Arlinda Rexha e ballinës cilësore me përplasje dritash dhe veçanërisht përzgjedhja profesionle, redaktoriale e këtij libri nga kolosi i poezisë Din Mehmeti ia rritë ndijesitë leksikore, semantike dhe estetike.
Në kushtet e anafabetizmit të kritikës shqiptare dhe mungesës së plotë institucionale të përurimit të vlerave të letërsisë, një pjesë shkrimtarësh dhe shkrimtarucësh kthehen në ngrehaluca duke kaluar kufinjtë e çdo modestie, me vetcilësime të tilla:”jam gurë i rëndë i letrave apo kam arritur “majat” krijuese. Çiltërsisht për njërën kategori ndiejmë dhimbje. Në antitezë me atë bezdisje të neveritshme, kam kënaqësinë të them se autori Muharrem Kurti, krahas meritave të tjera, është krijues modest e modestia vatërzon tek ai modernizmin dhe vlerat njerëzore.
Gasat flasin dhe e urojmë se Muharrem Kurti është mbërthyer pas qerres së diellit e po ngjitet.
Sa bukur tingëllojnë fjalët, madje deri në kufinjtë e papërcaktuar, kur Din Mehmeti thirret e përsonifikohetsi; gurë, qendresë, liri, symbol, fyell ndër male, krismë pushke, shkëmb mes lisave, fanar që nuk shuhet kurrë, zog i qiellit, ylber i penës…
Din Mehmeti vjen si proverbial, si Promete me shpërthime poetike të tilla; si krismë është emri im, oshtimë malesh, lumë që s’shterron, fatin nuk e nënshkruaj. Ky lavërtar i fjalës kthehet në permendore zemrash që permendore zemrash që me poezinë e tij të përmasave të mëdha ideoartistike, me përjetime, me qendresë dramatike e estetike, me përfshirjen e tërësisë së figurave të tërë spektrit të krijimit. Përkthyer dhe lexuar në frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, polonisht, suedisht, arabisht, e i kërkuar dhe nga familje të tjera gjuhësore.
Din Mehmeti është një përsonazh, që edhe në kohët e ardhshme, do të jetojë në këmbë-jetësorë.
Krenohemi me ty. Dhe krijuesit e Malësisë së Mirë, pra të Malësisë së Gjakovës, pra të Tropojës e kanë në nderin e tyre, që këtë ditë t’ja kushtojnë kryebacalokut të poezisë, Din Mehmetit.
Nëse më lejoni për kënaqësinë etë gjithëve të përpiqem të interpretojë disa vargje nga poezia: “ Vargje të pëlcitura”
Flini të qetë
se në gjakun tuaj do të shumëzohen
pranvera të pavdekshme,
e zogjtë do të ndërtojnë çerdhe
plisave tuaj të tretur.
Ju dhatë gjërat më të shtrenjta
për të ngritur tempuj prej gjaku
që dielli të mos rrënohet
që toka të mos digjet.
Ju mbollët besimin e jetës
në rrënjët e luleve,
dhe me eshtra shkruat
biografinë e dritës.
Flini të qetë,
kjo tokë ju lindi
nga hiri i ëndrrave të lirisë,
që të ketë rreze drite
që të ketë ujë burimi
që të rritenlule të bardha
në mendjen e njerëzimit,
që nga shpirti të shpërthejë bardhësia,
që liri të ketë me bollëk,
që të shtrohet buka pa frikë në sofër
që njeriu mbi tjetrin të mos ngrihet si bishë,
që kopsht lulediejsh të bëhet jeta.
Flini të qetë
me nga një shuplakë Kosovë nën kokë,
me nga një shuplakë mbi sy
se krejt ç’patët në jetë e dhatë
që shumëzuat duart rreth diellit
që të bulëzojnë lulet mbi tokë.
Flini
ju ka hije gjumi i përjetshëm
se nuk deshët të jetoni të vdekur në jetë
pa dashuri, pa gaz në fytyrë.
Flini të qetë
rreth jush
heshtim ne
e në heshtje derdhim lot
duke i vazhduar këngët tuaja,
këngët që u japin rritë luleve
që u zbardhin fytyrën shkëmbit
që i japin shëndet barit
që u japin ujë krojeve
që u japin ngjyrë lulediejve
për t’ë shikuar me sytë tuaj nga dielli.
Flini të qetë
ju s’keni pse ankoheni.
Gjërat më të të shtrenjta
i dhatë për Kosovën
dhe dashurinë tuaj e shënuat
në çdo lule,
në çdo gurë,
në çdo rrugë,
në çdo vatër,
në çdo këngë,
në çdo lindje,
në çdo vdekje.
Flini të qetë
--Nuk mund të besoj se keni vdekur,
-- nuk mund ta besoj se nuk do t’ ju shoh më,
buzëqeshjet tuaja shtegtojnë nëpër mendimet e mia
fryma juaj banon në frymën tuaj.
takohem me ju ngado që shkoj
çkado që them e di se e keni thënë edhe ju
ju jetoni kudo-në ne dhe jashtë nesh
jetoni në gëzime e hidhërime
në vdekje dhe lindje
në këngë e klithje.
Flini të qetë
u bëtë ngjyrë e luleve
rritë e barit
rrjedhë e lumit
u bëtë tinguj të çiftelive
fillim e mbarim i këngës
u bëtë shkëlqim i yjeve
gjuhë e përjetshme e gjërave
u bëtë rrugë e ardhshmërisë së diellit.