| E merkure, 26.05.2010, 08:57 PM |
 Ndue Ukaj
Ndue Ukaj
Kali i kobshëm
Para shikimit tim ishte koha ime, 
Atëherë kur isha këtu 
Atëbotë kur nuk isha atje
Në Luftën e Trojës
Në Barkun e Kalit pa ëndrra.
Ku përkunda ëndrrat e kobshme
Për humbjen e Itakës.
E pash Helenen dhe kalimin përtej murit
E pash... të mbuluar me një pëlhurë të tejdukshme
Prapa së cilës shndrisnin si yje
Bukuritë e saj fatale për Akilin
Dhe poetët e panumërt, që çirren
Me vargjet e afshme, kohë e pa kohë.
Dita e të cilëve asnjëherë s’përfundon
Në njëzetekatërorëshin magjik
Duke sajuar çudira të gjithfarshme 
Dhe rrugën me u kthye në atdheun pasioneve.
E pash në çastet me t’ ëmbla, Helenën 
Pas së cilës fshihej ankthshëm 
Një trupi i epshëm për dashuri
Dhe një mal enigmash kurrë të zbuluara. 
Dhe pra, asnjëherë s’ e ndrydha dëshirën, 
Të eci bashkë me erën kohëve të akullta
Dhe të mësoj lumenjtë e gënjeshtrave 
Që na tretën shpirtin dhe lumin e kobshëm
Rrugëve tona të paemra. Pa Helena!
To topitur nga ikja prej legjendave. 
Dhe sajimi i kuajve të kobshëm mbrëmje e mëngjes. 
Që hungërijnë pandarë mbi kokat tona plotë tundime. 
I mbyllur në egon prej betoni
Kundruall hiçit e tund shikimin 
Duke ngrënë fiq të thatë. 
Dhe një gotë verë të vjetër sa poezia. 
Teksa hedh shikimin përtej Itakës
Dhe shoh si lundron, si amator në artin e jetës
Hija e kalit të kobshëm
Në drejtim të shtratit të djegur të Helenës.